E enjte, 28.03.2024, 06:05 PM (GMT)

Udhëpërshkrim

Kadri Tarelli: Aventurë në Theth!

E hene, 17.06.2019, 07:50 PM


AVENTURË NË THETH!

Skicë udhëtimi

Nga Kadri Tarelli

Ora 22.00 e natës. Një zile telefoni në këtë orë të vonë. Një zë si komandë ushtarake: - Nesër në ora 07.00, të mëngjesit, të jesh tek Stacioni i Trenit, pasi do nisemi për në Theth. Kemi sajuar makinë dhe bëhemi shtatë vet, me gjithë shoferin.

Pa pritur përgjigjen time telefoni u mbyll. Ishte zëri i Shpendit. Nuk më la as t’i them do të vij apo jo, as të pyes se kush janë shokët e tjerë.

- Epo kjo pikë e zezë, - thashë me vete. – Pse në këtë orë njoftohet, pa pritur e pa kujtuar? Po afron mesi i natës! Nuk më tha, as se ç’do të marrim me vete, kur dihet se jemi grup shokësh, sepse për udhë të largët duhen ca gjëra.

Megjithatë vendosa të shkoj. Le të dalë ku të dalë! - thashë me vete, - ndonëse më kishin thënë, se një pjesë e rrugës është shumë e keqe dhe tepër e vështirë për makinat e vogla. S’kam ç’ t’i bëj pasionit të hershëm për udhëtime. Nuk më mban vendi kur kalon një kohë e gjatë pa udhëtuar, aq më shumë, kur bëhet fjalë për një vend, që e kisha ëndërruar, por që s’ më ishte dhënë mundësia. Ishte ftesë e pa pritur, që më ngacmonte, për t’u hedhur edhe në Alpe, në këtë territor tepër të njohur për bukuritë e rralla të natyrës shqiptare.

Megjithëse është fillim qershori, - mendova, - duhet të marr një triko për ta pasur në çantë, pasi Thethi është në zemër të Alpeve Shqiptare dhe temperaturat nuk janë si këtu në Durrës. – Po marr me vete edhe një shishe raki, mbase ndonjëri është sarahosh dhe e do kafen me raki shtëpie. Qesha me vete, me këto mendime të pa pritura.

U takuam tek Stacioni Trenit, sipas njoftimit. Në timon Hënor Libohova, ndërsa ne të tjerët “turista”, Gëzim Agasi, Shpendi Topollaj, Luan Jaupi, Përparim Mane, unë Kadri Tarelli dhe sebepçiu, humoristi i  njohur shkodran Mond Halilaj, tashmë banor i Durrësit, i cili pikërisht më: 05, të Qershorit, 2019, festonte ditëlindjen. Pas përshëndetjes së rastit, pyetëm njëri tjetrin: A keni marrë çadra me vete, pasi qielli duket pak i mbushur. Shpendi dhe Luani, si më trimat u përgjigjën: mos u trembni, se nuk ka shi. A thua ata kishin në dorë rubinetin e reshjeve, që Alpet tona i kanë të zakonshme edhe në mes të gushtit. Për fat, asnjëri nga ne nuk kishte qenë në Theth, pra nuk e njihnin rrugën dhe të pa priturat e saj. Më mirë kështu, pasi mund të na e prishte qejfin që në fillim. Kështu udhëtimi nisi me shaka, që nuk na u ndanë gjatë gjithë udhëtimit.

Një ndalesë në lokalin “Legjenda”, në rrëzë të kalasë së Rozafës, në hyrje të Shkodrës. Muhabeti dhe fotografitë nuk kishin të sosur në këtë mjedis të bukur, çlodhës e mikpritës, siç dinë të presin shkodranët, që e kanë humorin në majë të gjuhës.

Makina ecte për bukuri, pasi rruga, megjithëse e ngushtë, ishte e mirë, pavarësisht se, që nga Kopliku, gjithnjë ishim në ngjitje. Në krye të Luginës së Bogës, vende-vende, kishte borë të pa shkrirë, midis atij gjelbërimi të harlisur, madje të ndezur. Nuk ndaluam, pasi Luani na tha, se kur të kthehemi do të jemi më të ngeshëm, për të ndaluar më gjatë. Ishte një këshillë e mirë. Çuditërisht edhe bisedat ndaluan. Secili kthente kokën, për të parë nga xhamat e makinës, atë bukuri të egër e madhështore të maleve shkëmborë, që prekni  qiellin, por ne na dukej sikur i kishim fare pranë, aq sa mund t’i preknim me dorë.

Kur filloi zbritja, apo tatëpjeta, siç i thonë shoferët, mbaroi asfalti dhe filloi rruga e shtruar me gurë, por me gropa të shumta dhe aspak e mirëmbajtur. Edhe qielli u mbush me re. Ne po udhëtonim në mesë të reve. Shikimi humbi. Filloi edhe një shi i imët dhe i butë. Ndaluam për pak çaste tek disa gurë të ngritur anës rrugës, ku shquhej një gur i gdhendur në formë medaljoni, me fytyrën e Miss Durham në mes, të njohur në popull si “Zonja e Inglizit”. Ku shkruhej: “E. DURHAM - KRALICA E MALËSORËVE – POPULLI I SHALËS”. Ishte një vepër arti punuar bukur. Një nderim i merituar për atë mike të shqiptarëve, në ato ditë të vështira të historisë sonë të trazuar e të rënduar, para, gjatë dhe pas Luftës së Parë Botërore. Ne bëmë fotografi, mbase kështu veprojnë të gjithë vizitorët, që udhëtojnë atyre anëve, për t’i pasur në kujtesë të një udhëtimi të bukur, por të vështirë, që dikush e quajti aventurë. Nuk di sa të vërtetë ka në këto fjalë, por gjatë rrugës, ndeshëm shumë turistë me çanta në shpinë dhe me nga një shkop në dorë, që ecnin qetësisht në këmbë dhe që nuk qaheshin as nga lodhja, as nga mjegulla e shiu dhe as nga rruga gjatë dhe e rrezikshme për makinat.

Hipëm në makinë dhe biseda nisi, si ankesë për shiun. E ku jeni ju trima, që na trimëruat se nuk do të ketë shi. Ja ku e kemi. Tani çdo të bëni? Unë ndërhyra, me ton si më i dituri në këto punë, por në të vërtetë ja futa kot: Mos u mërzitni, se kur të zbresim poshtë në luginë do të kemi diellin mbi kokë. Nuk zgjati shumë, dhe pasi kaluam “Shtegun e dhenve”, një toponim shumë i  njohur jo vetëm për vendasit, një dërrasë e vjetruar, e anosur gati për t’u rrëzuar, u duk se dolëm në dritë. Dielli shkëlqente dhe ne na jepej mundësia të shikojmë pamje magjike të luginës, ndërtesave karakteristike dhe malet madhështore që e rrethojnë.

Nisi muhabeti përsëri me shumë shaka, por vetiu kaloi tek problemi i rrugës që po na shqetësonte, duke sharë qeverinë, duhet thënë qeveritë, që s’e kanë vënë ujin në zjarr për këtë copë udhe, me shumë interes turistik. Vetëm shofer Nori (Hënori), ishte i qeshur dhe na jepte qetësi, me qëndrimin e tij në timon. Kaluam edhe kataraktin (ujëvarën), që na ndërpreu udhën dhe ju afruam lumit të Shalës, ku ishte edhe fundi i udhëtimit tonë. Këto 17 km. rrugë malore në zbritje, i bëmë për një orë e gjysmë, mbase më shpejt do të zbrisnim në këmbë.

Na pritën mirë, madje na prisnin, pasi ishin lajmëruar më parë. Pas një copë here, pritje dhe qetësimi, u ulëm për drekë, me gatime të shijshme. Dikush nga ne porositi ujë me shishe, njësoj si të ishim në Durrës, duke harruar se uji i malit është ku e ku më i mirë dhe më i shëndetshëm. Dreka vazhdoi gjatë, rreth tre orë, me shaka dhe copëza historish gazmore, ku më i papërmbajturi ishte vetë Mondi, që gëzonte më shumë, sepse nga sot, u bë “Më i rritur, më i fortë dhe më i mençur”. U ngritën dolli për shëndet të tij dhe tonin natyrisht. Nuk ngopeshim me ujë. Nuk e di e kishim nga mishi apo nga vetë uji i malit, sepse pinim dhe nuk e ndjenim fare.

Kaluam shumë bukur. Lodhja sikur na iku si me magji. Mbase ishte freskia, uji dhe ajri i pastër. Ndjeheshim të lehtësuar. Bëmë shumë foto, duke lakmuar peizazhin e jashtëzakonshëm që na rrethonte. Vendosëm që të ktheheshim po atë ditë. Sytë i drejtuam te shofer Nori, i cili ishte i gatshëm të hipte në timon. Edhe ne ishim të qetë, se udha do të kalonte po aq mirë sikur që erdhëm.

Sapo u rehatuam në makinë, nisi përsëri muhabeti me shumë qyfyre dhe shaka. Mondi, si artist dhe me kujtesë të shkëlqyer, gjente copëza gazmore. Edhe unë, që nuk shquhem për gjetje humori, recitova (lexova dy poezi të mia, të krijuara kohët e fundit: “Faji u bë qyrk” dhe Për inat të sime vjehrre, shkoj e fle me mullixhinë”. Nuk e di sa u pëlqyen, por më duartrokitën, mbase ma bënë qejfin.

Bash aty, në vendin ku qëndronte e shtrembëruar tabela “Shtegu i dhenve”, u ça goma e makinës. Zbritëm dhe u përpoqëm të ndihmojmë për ta ndërruar gomën. Si për qejfin e vet, filloi përsëri një shi i imët dhe i shtruar, gati i njëjtë si kur erdhëm. Me dy çadrat që kishim, mbronim edhe shokët. Megjithëse po lageshim nga këmbët, çuditërisht askush nuk shfaqi shenja mërzitje apo hutimi, aq më pak shoferi ynë trim. Kjo punë na harxhoi ca kohë, por u nisëm përsëri me po aq gaz sa edhe më parë, duke i thënë shoferit, kujdes nga gurët e mprehtë, se mos na çahet përsëri goma dhe …….. !

Ashtu siç e kishim lënë që në ngjitje, në vendet ku kishte borë të pa shkrirë, ndaluam. Shikonim të habitur, si është e mundur që, si një përrua bore, me trashësi rreth një metër, qëndronte përbri dy shpateve të gjelbëruar. Kishte pamjen e një akullnaje. Poshtë saj rridhte ujë i pastër kristal. Bëmë shumë foto.

Një kafe në Koplik, më pas edhe në të dalë të Shkodrës, ku ndaluam për ta parë e rregulluar më mirë gomën e makinës, na qetësoi dhe na hoqi lodhjen. Gëzimi si me shaka më pyeti:

- Hë! Si t’u duk ky udhëtim paksa i gjatë?

- Të them të drejtën u kënaqa pasi nuk kisha qenë asnjëherë në Theth, dhe e kisha si peng që nuk po më jepej mundësia. Tani e përmbusha dëshirën time. Veçse aty lart, ku e kaluam atë rrugë të vështirë, plot kthesa, ku humnerave nuk u dukej fundi dhe kur na u ça goma, nuk u tremba fare. Tani që jemi këtu në fushë, në rrugë të gjerë, ndjej një lloj emocioni, si të thash një lloj frike: Ishte vërtet një aventurë, por kur mbaron mirë dhe pa shqetësime, e quaj aventurë e bukur! Nuk e di, por mbase janë këto ndjesi suksesi në përballje më vështirësitë, që i shtyjnë ata qindra turistë, nga anë e anës, që të ndërmarrin udhëtime të tilla. E dëgjove si tha guzhineri i lokalit, Ben Halilaj (Vëllai i Mond Halilajt): “Vetëm tavolina juaj është me shqiptarë, të gjithë këta janë të huaj, madje edhe nga Japonia”.

U ndamë me dëshirë dhe premtim se do të bëjmë edhe udhëtime të tjera nëpër Shqipëri. Tani qe provuam një “aventurë” të vogël, besoj se u mësuam.

Durrës më: 08, fillim vere, 2019.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora