E premte, 29.03.2024, 07:33 AM (GMT)

Editorial

Prend Buzhala: Sfidat e jetës - shenjë e mirë se jemi gjallë

E marte, 18.06.2019, 06:38 PM


SFIDAT E JETËS: SHENJË E MIRË SE JEMI GJALLË

(Nga ligjërimet për të vërtetën)

Nga Prend BUZHALA

Edhe në gjuhën shqipe përdoret shpesh fjala "sfidë, sfida" (fjalë me prejardhje nga italishtja, me përdorim edhe në disa gjuhë të tjera). Është e përafërt me fjalët tjera, si provokim, ballafaqim, apo, sikundër e jep Fjalori i shqipes: "Thirrje që i drejtohet dikujt për të hyrë në ndeshje a në një garë me të. Qëndrim i guximshëm e mospërfillës ndaj një kundërshtari edhe kur ky ka epërsi në numër, në mjete etj. Shprehje: Sfidë e guximshme. I hodhi (i bëri) sfidë."

Gjithnjë në këtë vazhdë, duam të themi se jeta e njeriut përshkohet nga sfida të vazhdueshme, se jeta nuk është e lehtë, se nganjëherë e kapërcejmë edhe vetveten për të realizuar një synim a qëllim, apo për të mbijetuar përtej kufijve të vetvetes. Ekzistojnë sfidat krijuese, sfidat sportive, sfidat ekonomike, politike, kulturore etj etj; ektistojnë në secilën fushë të veprimtarisë e të krijimtarisë njerëzore. Diku tjetër lexohen “sfidat e burokracive dhe buxheteve, politikave dhe vullnetit politik.” Ndërsa qeniet njerëzore vuajnë nga e keqja si pasojë e sundimit të atyre politikave a buxheteve të magnatëve të kapitalit a të shtetit që mbahet në duart e një kaste financiare-politike.

1.

Ndodh që ti të thyhesh. Ndodh që ti, në ballafaqim me ndeshjet e panumërta me jetën, të kalitesh edhe më shumë. Por, brenda një sfide, ti kërkon urtinë, mençurinë: si të përballesh, si të krijosh, si t’ia dalësh mbanë. Nuk është e rastit përse shumë fjalë të urta lindin pikërisht nga përvojat e tilla, kur njeriu gjendet gjithnjë në ballafaqim me realitetin, me shoqërinë, me vetveten. Shpesh: dhe në zgrip të ekzistencës...

Do të thotë: ti nuk duhet të heqësh dorë, dhe sa herë të rrëzohesh, ti ngrihu në këmbë, edhe kur gjithçka e ke të vështirë.

Do të thotë: ke besim te vetvetja se do të dalësh në Bregun Tjetër (aty ku i ke drejtuar synimet).

Do të thotë: atëherë ti i kupton gjërat më mirë, kur atyre ua del mbanë, ose edhe kur ngec në to.

Forca dhe karakteri yt ndërtohen e ripërtërihen.

A mund të ndryshosh te vetvetja diçka, pa sfiduar dhe pa u sfiduar?

A mund të ndryshohet diçka në shoqëri pa sfidantë dhe pa të sfiduar?

Kësisoj, jeta bëhet më interesante. E po, i tejkalove, atëherë gjithçka merr një kuptim të plotë.

Fatkeqësisht, njeriut gjatë tërë jetën i ndodh: të dyshojë, si Hamleti, të frikësohet, të mohojë e pohojë, të përmirësohet e t’i shkojë deri në sakrificë një misioni, si Shën Pjetri, të përballesh me kotësinë shoqërore të mullinjve të erës, si Don Kishoti.

E jeta të sprovon pa ndërprerë. E sprovon guximin tënd, gatishmërinë tënde.

Sado e vështirë të jetë jeta, sado që në familje një anëtar mund të sëmuret, tjetri ka telashe pune, i treti

ballafaqohet me probleme moshe, e ti vetë ke përplasje e konflikte; je ti ai që i përjeton perigjeun e apogjeun e këtyre përjetimeve e përvojave, je ti ai që e drejton qëndrimin tënd pozitiv në këto përjetim-sprovime.

2.

Kohë të vështira erdhën këndej në dekadën e fundit të shekullit XX. Kohë të vështira, gati për ta shkatërruar një komb, tërë Kosovën, ashtu si u zhbënë 714 fshatra nga Toplica, Leskoci e Vranja nën Serbi, ashtu si u zhbënë Çamëria e sa e sa krahina tjera shqiptare nga fqinjët grabitqarë. Por në vitet ’90 Kosova iu përgjigj me urtinë më të madhe kësaj sfide: një gjakmarrjeje shekullore, i erdhi fundi me Pajtimin e Madh të Gjaqeve (prirjet e popullit për pajtim erdhën në Çastin e Duhur); kur Serbia dëboi një çerek milioni shqiptarë nga puna, shpërtheu prirja e moçme për solidarësi e kombit tonë (nëpërmes shoqatave bamirëse humanitare “Nëna Tereze”, trepërqindëshit, fondeve të emergjencës etj); kur Serbia i përzuri nga shkollat e tyre e nga universitet nxënës e studentë shqiptarë, populli i hapi dyert e shtëpive të veta dhe krijoi shtëpi-shkolla; krijoi “sistemin paralel” kundruall një shteti me gjyqe, ushtri, polici, administratë dhune e mekanizëm gjigant shtetëror antishqiptar. Nëse deri në fund të shekullit XX shqiptarët nuk arritën të krijojnë miq europerëndimorë për t’iu dalë në ndihmë, këtë e arritën me sfida të pafund: me lëvizje politike të padhunshme, me organizimin e jashtëzakonshëm të diasporës e të lobit shqiptaro-amerikan, me biznesmenë filantropistë e me dorën e solidarësisë së pafund; me urtinë e dijen kolektive të një kombi. Kur Serbia dërgoi tanke, ushtri e milici nëpër fshatrat e vendbanimet e Kosovës, shqiptarët iu përgjigjën me një kallashnikov të UÇK-së, dhe sfiduan aeroplanët e saj, ushtrinë e saj, paramilitarët e saj të armatosur deri në dhëmbë.

Kësisoj u thye miti serb i pamposhtmërisë.

"Kohët më sfiduese na sjellin mësimet më të fuqishme", shprehet Karen Salmansohn, një autore e literaturës së ashtuquajtur Self-help (vetë-ndihmës, përmirësimit të vetvetes) që aplikohet në shumë fusha të jetës.

Ishte koha që një komb ta njihte më mirë vetveten.

Ishte një kohë, kur një komb zuri ta njihte vetveten në aspektet e në gjërat që i takonin e asnjëherë më parë nuk i kishte

provuar as njohur.

Ishte vënë në veprim urtia, solidarësia, gatishmëria për sakrificë, krijimi miqve të fortë.

Dhe ndodhi mrekullia e mileniumit: Serbia gjunjëzohet. Kosova u bë e lirë.

Shkatërrimi kërcënues ishte sfidë për Kosovën: Kosova nuk u shkatërrua, Kosova u forcua shumëfish shpirtërisht, u shkatërrua dhe miti i dhunës serbe.

Kosova e kishte pranuar sfidën serbe për mosnënshtrim.

3.

Sfiduesit tu të japin mësim jete. “Sfida është heshtja e mendjes”, thotë një fjalë urtake.

Është urtia e mendjes, pra, ajo që të drejton jo vetëm për t’i tejkaluar, por edhe për t’i shndërruar ato në dobi të vetvetes. Në njëfarë mënyre, ato sfida e formuakan edhe karakterin tënd. Mund të grumbullohen shumë probleme, dhe ti ndjehesh tej mase i sfiduar. E prej asaj pike ti e nis suksesin tënd për të çarë përpara në jetë. Është shansi për të ditur më mirë për qenien vetjake.

4.

Paslufta po na sprovon me një tjetër tip durimi e përvojash. Sfidat janë ato të përgjithshme, kombëtare e shtetërore, e deri te masat milionëshe që përballen me përplasje, me kërkesa e mungesa, me konflikte e kujtime të rënda të së kaluarës, me mosrealizime e meëndrra të përmbysura, me pritje iluzioniste etj.

Për deri sa përpara luftës njeriu ynë kishte frikë nga rrezikimi i qenies prej dhunës serbe, paslufta ia ka futur në palcë një frikë tjetër: sigurimin e mirëqenies së rrezikuar sociale, familjare e individuale. E si të mposhtet kjo frikë e përgjithshme: frika se Evropa nuk po na pranon (ani se për çdo ditë atje gjejnë strehim e vendosje të rinjtë tanë); frika se interesat globale përplasen mbi kurrizin e një Kosove të vogël e si t’iu përgjigjesh atyre; frika për gjithçka tjetër...

Na thuhet: apo, frika do mposhtur me besimin që kemi brenda vetvetes.

Na thuhet: ju tashmë i keni pranuar ato sfida dhe jeta ka ecur përpara.

Na thuhet: mos i shikoni si rrethana të pafavorshme situatat e tashme.

Prandaj, tejkalimi i tyre është përparësi në duart tona.

Është forca e brendshme ajo që gjendet brenda nesh përballë këtyre procese të dhimbshme, thyerjeve social-politike nga më të ndryshmet...

Përsëri na u dashka që nga vetvetja ta japim më të mirën: në vend të erozionit të lakmisë pushtetore, duhet të ndodhë ndryshimi i sjelljes për të mirën e Kosovës; në vend të autokratizmit shtetëror- prurja e forcave të reja, të pavarura, mendjekthjellëta, profesioniste, në pozitat drejtuese e në institucione; në vend të egoizmit të pashpirt, në vend të miratimit të antivlerave, le t’u hapet rrugë vlerave se askush nuk është i humbur.

E pra, sfidë qenka: mundja e vetvetes në lakminë që të ka mbërthyer aty ku ti drejton apo aty ku ti e ke ligjin në dorë.

E ke për detyrë, pra: ta ndërtosh forcën e mendjes dhe energjinë shpirtërore të vlerave.

Atëherë vazhdo në shtigjet kolektive e personale përpara: me ilaçin e optimizmit e jo të dëshpërimit.

Tregohu me qëndrim pozitiv, ti që drejton! Mos u gjunjëzo përpara një pyetjeje provokuese, sa do e rëndë të jetë. Ti triumfo me më të mirën brenda vetes.

Kështu i ndihmon Kosovës.

Edhe ti që hedh bërllokun në rrugë a një kanaqe në rrugë, mos e sfido situatën e rënduar të Kosovës me sjelljen tënde: bëje Kosovën të pastër.

Kështu edhe ti e përjeton perspektivën si sfidë e së bukurës në jetë.

Ka vite sfiduese e vijnë vite të mrekullueshme.

Eh, po kur përballemi me sfida, është shenjë e mirë: se qenkemi gjallë!

(Prend Buzhala, 11 maj 2019)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora