E merkure, 24.04.2024, 08:38 PM (GMT+1)

Kulturë

Përparim Hysi: Lopa me kokë të madhe

E shtune, 15.06.2019, 07:24 AM


Lopa me kokë të madhe

Tregim

Nga Përparim Hysi

Sot, tek ecja në periferi të Tiranës,  befas pashë një fshtatar me një lopë prej dore. Unë jam fshatar dhe kam mall për kafshët,  por sa e vura re,  më vajti buza vesh më vesh. M'u shfaq një imazh i sa e sa viteve më parë dhe objketi i këtij imazhi qe veç një lopë. Mandej imazhi më pushtoi të tërin dhe, si në një ëndërr që do ta shohësh për së dyti, qëndrova në vend dhe, tek ndiqja fshatarin që shkonte në punë të tij,  mendova për atë ngjarjen e sa viteve më parë. Ka gati 30-vjet dhe,  për të qenë më i drejtpërdrejtë,  ka ndodhur në vitin 1991. Në zgjedhjet e para pluraliste unë qeshë kandidat për deputet për PD dhe, ngaqë nuk fitova,  në zgjedhjet për pushtetin lokal qeshë kryetar i këshillit Pluralist(përsëri përfaqësoja PD) dhe në zyrë qeshë me sekretaren që përfaqësonte PS.

Çdo ditë lukuni njerëzish për halle të ndryshme,  aq sa, nga pamundësia për t'i zgjidhur këto halle,  buza na shkonte prapa veshit. Për punësim as që bëhej  fjalë. Për strehim dhe pasaportizim në qytet, lista e gjatë, e gjatë që këtu e deri në Berat. E,  megjithatë,  ndamë nja tridhjetë hyrje dhe dhamë afër nja treqind troje,  të gjitha në vend pëllumbash.

Unë nuk kam ndërmend që të tregoj të gjitha peripetitë që hoqa, kur qeshë kryetar,  por sot dua të ndajë atë imazh buzëqeshjeje që  më lindi aty për aty,  se avazin  e ka nga prapa si ajo qemania e Nastradinit.

*     *    *

Nuk kishte vajtur ora 8.00 dhe si unë dhe sekretarja qemë në zyrë. Trokiti dera dhe hyri një i moshuar, mbështetur mbi dorak, tha:- Si u gëdhitë zotëria juaj dhe papritur përgjigje nga ne, foli përsëri:- Kjo cuca (qe fjala për sekretaren) do ma bëj kabull  nji rixha timen. Dua të këmbej dy fjalë me tyja, - tha.

-Ore xhaxha, - u mundova të shpjegohesha unë, - kjo cuca është sekretare e pushtetit këtu. Aha, - tha xhixhai, - nuk është se i prisha sërën una, por qo fjala ime është për llafburrash që thuaj ti.

U pa puna, - i thashë"CUCËS". Ta thyejmë rregullin. Adelina,  ajo cuca kudo që të jetë sot, t'i bëhet dritë në çdo çap që hedh se qe një femër me dinjitet që nuk i gjendej shoqe. Doli dhe unë mbeta me xhixhanë dhe, shpirtërisht,  u përgatita të dëgjoja "rixhanë" e tij.

E ftova të ulej, ngaqë pija cigar, i zgjata paqetën (me filtër, sigurisht), por qe"qibar" dhe,  sakaq nxori kutinë të mbushur me duhan të grirë dhe ma zgjati dhe, kur e pa që dhe unë nuk e begenisa"malln" e tij,  shpoi me bodec:

-Epo me inat më fole,  me inat t'u përgjigjësh. Ky flamë, - tha, - i mirë apo i keq të grricë gurmazin, po e ndërrove.

Këtë mos e ndërro, por dhe gruan,  të keqen pepja tyja. Po mirë duhani, po ç'hyn gruaja këtu. Aha, - tha, - këto popla nuk i vërvit si kot una. Se ne në fshat themi:- Psheshi i parë nuk është  si i dyti. Po hante si pak gjatë muhabeti dhe, ndërkaq,  në korridor po ndjeheshin hapat e hallexhinjëve.

Tani,  i thashë xhaxhait,  pa ma thuaj pak hallin tënd që nuk  duhet ta merrte vesh ajo "cuca". Ai  nuk e prishi terezinë, por tak u zgjat nga  ana ime,  bëri sikur më shkuli një fije floku dhe tha:- Ja,  tëpkë si çuni im qenke! Qimesertë që nuk ka krëhër në botë ta shtrojë këtë lloj floku. Aha nuk do krëhër, por krestë nga ato të kuajve dhe, për ta zbutur sadopak "diagnozën" e tij,  tha:- Ju, qimesertët, punën e bëni, po dhe sherrin e kini në majë të hundës,  Mezalla se ju dëgjon koka. Bëni me kokën tuaj dhe të dalë ku të dalë.

Epo ne,  në Myzeqe,  themi le t'i vëmë kokë muhabetit. Ardhsh për çunin dhe u muarrësh me tyja. Ja si është muhabeti. Unë u plaksh dhe çuni nuk  më dëgjon. E porosita:- Do shkosh në pazar, por mos e bli lopën që ka kokë të madhe. Se lopa kokëmadhe nuk ka qumësht. E, ore e,  po kush ta ka sevdanë. Ma pruri dhe, kur shkoi ajo imja(Vara, imeshoqe), kusia veç dy gjisht. Por të thashë, - iu hakrrova çunit, - por ai buzën vesh më vesh. Po për kaq nuk vija në zyrë të hyqymetit una,  jo. Por e kam gjetiu problemin. Të thashë që ju, qimesertët,  në majë të hundës ma kini sherrin.E çuni ka ca cuca që po rriten për bukuri. Rriten cucat, rriten hallet e të gjallit. Aty, ngjitur me shtëpinë është një truall i lirë. Kam  frikë se vjen  ndonjë"murtat" nga ana e anës dhe e zapton siç kanë bërë gjer imëni. Vjen i biri i botës e të luan çargu i kokës, se as e njeh dhe as ia di nga ka rrënjët apo degët.E kam frikë, o të keqen xhixhai, që më vritet çuni me atë"botën". Nëma me"senet" atë copë truall që të vdes rehat, se nuk ua kam  nge telasheve. Dhe unë ia dhashë me"senet", por i thashë:-Këtë"senetin" ta gëzosh, por do firmosë dhe ajo"Cuca".

Erdhi dhe CUCA që , mbasi shtypi shkresën,  ia dhamë xhixhait. E shikon, - thashë, - pa këtë"Cucën" nuk  e merje dot shkresën. Ai duket e njihte CUCËN dhe dinak siç qe, tha:- Po të ishe çun do të thosha, merre gruan nga Myzeqeja se jo vetëm janë të urta si dele, por dhe punëtore si bleta. Iku tërë qejf dhe, tek përplaste dorakun,  u dha këmbëve tërë qejf që mbaroi punë në"zyrat e hyqymetit". Dhe unë e solla për ju vetëm se pashë një lopë kokëmadhe.

Tiranë, 12 qershor 2019



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora