E premte, 19.04.2024, 08:07 PM (GMT+1)

Kulturë

Bardhyl Maliqi: Fletorja e fëmijërisë

E shtune, 15.06.2019, 08:05 AM


Bardhyl Maliqi

FLETORJA E FËMIJËRISË

Digjet pritja

dhe malli i saj shkrumbohet në lis

e brenda meje kallet heshtja

se pritja ka gjithmonë shpresë.

Fërkimi ngjethës i drurëve,

përplasjet e urorit në strall,

shkendija, flaka e rrufesë a prushi

e ndezin flakën sërish;

ndërsa dielli përvëlues kulmon çatinë e qiellit,

arat e mbjella djegin mallin e shiut,

kurse mallin e pritjes e  varin në qafë,

si shall me petale lulesh,

që në vjeshtë pritet të vijnë sërish,

pa frikën e mallit, që zemrat i zhurit.

Digjet pritja dhe unë thyhem më dysh.

Kështu, Kujtimet

m’i çuan burimet e Lumbardhës në rrënjët e mallit

dhe dielli i Nartës harlisi gjethet e lulet e mullagës,

pastaj ndezi llambat e portokalleve të largëta,

ndriçoi kokrrat e vogla të qeparisëve të moçëm,

që gjelbërojnë në zimbajtje të përjetshme për gjyshen

në arkivin tonë të mbresave të bukura e të hershme,

kur mësonim abc-në e dashurisë njerëzore,

gjuhën e blegërimave dhe muzikën e gurgullimave

të ujrave të kaltra e gjelbëroshe të burimeve,

kur shkonim te vëllai i vetëm i gjyshes,

te daja i babait,

që banonte në një fshat të vogël ndanë ujrave,

ku dëgjoja  edhe 3-4 gjuhë të tjera të pakuptueshme.

Më çudiste dajëmadhi që secilit i fliste në gjuhën e vet,

vëllehve rumanisht, helenikëve  greqisht, romëve romanisht,

besoj se edhe gjuhën e kafshëve e dinte

se i thërriste me zë secilës dele, qortonte secilin qen,

bile edhe me kaposhin dhe maçokun bisedonte.

Eh, dajo Sulejman, pse ma hape kete fletore,

pse ma hape?!

Sa herë autobusi aty ndalonte, kur  kthehesha nga shkolla

shkoja në shtëpinë e tij të madhe me shkallë guri,

me baçe e kopshte plot perime e fruta.

Në tepsinë e  trahanait,

para se të fillonte muzika e lugëve

shikoja veten nëpër ylberet e vajit

dhe më vinte të qaja.

-Pse ne ishim aq të varfër,

sa dhe dy lugë trahana s’i përvëlonim dot?!

Në verë flinim mbi një shtrat të lartë brenda në kopësht

të trullosur nga vapa.

Unë dhe tre djemtë e tij,

versnikë në  moshë, seicili me teka e huqe,

si  katërt planet në sistemin diellor të dajëmadhit.

Natën shikonim tepsinë e madhe të yjeve të pafundmë,

me një palë dylbi gjermane të Luftës së Dytë,

ja Yllin polar, Afërdita dhe Rruga e Qumshtit.

dhe na dukej sikur për atje shkonin  mushkat e vllehëve

ngarkuar me bidonat e mëdhenj të aluminit,

që nga tallazet e rrugëtimit e nxirrnin gjalpin

para se të shkonte qumështi në punishte..

të përpunohej e shitej për qytetarët.

Këtu e në yje, sa rrugë e largët,

sa rrugë e largët!

Por ndodhte të prishej moti dhe karvanet e reve

ngarkuar me lesh nga qethja e deleve,

vraponin dhe djersët çurg kullonin mbi ne.

Erdhi shiu me rrufe e vetëtima, ndërkaq ne vraponim

si keca duke u ngjitur në shkallët e gurit

të shtëpisë duke u renditur si sardele

në konservën tonë të madhe

me çati plloçash rrase.

Në mëngjes tregonim përrallat e para gjatë natës,

ku zakonisht  fitonte Hekurani, jo se ishte më i madhi,

as se kishte më shpirt të bukur dhe mikpritje bujari,

as se qe i aftë të ftillonte gënjeshtrën më të madhe,

por mbase kishte pak nga të gjitha...

Ndërsa përralla e Ibrahimit nuk mbaronte kurrë, futej

nëpër guva ujrash, shtegtonte në male

bashkë me kopetë e dhënëve për të cilat meditonte.

Mua më dukej më fisnike puna e mësuesit,

ndaj shikoja klasa plot me fëmijë nëpër ëndrra,

të ulur nëpër rreshta si dallëndyshet në telat e telefonit,

e porsa binte zilja, si dallëndyshet fluturonin.

Ndërsa Zeneli , më i vogli, qysh atëherë ishte inxhijer,

se projektonte ndërtesa të pafundme nëpë ëndrra,

i dukej sikur vraponte bukur fushave të futbollit,

se do të bëhej Pele, paçka se këmbët i kishte dystaban,

vraponte, por brazilianin se arrinte dot as në zhgjëndrra.

Një ditë po kthehesha nga Tirana për në Konispol

në stacionin e pritjes ndala si zakonisht te dajo Sulejmani,

djemtë s’ishin aty dhe ai i shante si nëpër dhëmbë,

“U ngritën dhe ikën, as nuk më thanë se do shkonin për peshk.”

-Po ti ku e din o dajo, se kanë shkuar në lumë?

-Mungojnë koshat prej konopice, që i përdorin në zhytje,

do shesin peshkun të blejnë torona dhe fishekzjarre;

do një muaj të vijë Viti i Ri dhe ata kanë shkuar të takojnë babagjyshin;

po boll pyete, tani ngjitu në ballkon dhe vare të uruarin,

duke më venë në dorë bezen e kuqe prej mëndafshi,

Është 28 Nëntor sot,

Dita e flamurit, jo e harrakatëve.

U ul në stol pasi u shpalosën palat e flamurit në erë

dhe shqiponja dukej se kishte marrë hov për fluturim

më pyeti si e doja bukën. “Halla s’më ka nisur pa ngrënë,

por mos të ta prish qefin, dua një fetë  bukë me sheqer.”

U rrëqeth. Më pa sypërlotur, por s’e bëri veten.

”Ç ’thua mor djalë, këtu s’ka sheqer për fëmijët,

ka vezë me djath, makarona, gjalpë e mjaltë,

se këtu s’je në Çiçirik dhe mua më quajnë Sulejman!

Mbaro bukën dhe bëhu gati se do të shkoni në Çukën e Aitoit

të gjeni gurë me damarë të kuq që ne e quajmë strall.

Janë gurët ku flë zjarri, që kur përplaset me çelikun

ndezin eshkën që e gjejmë në shajaket e çdo burri.

Erdhën pizevengët,- tha, -po ikni tani se vajti drekë,

kur të ktheheni do të vuani gjyqin ushtarak.

S’kisha parë kurrë burim si krojet e Kamares,

që nga rrrëza e Çukës së Shqiponjës buronte,

me hove e dufe si me ritëm luftarak.

Morëm ca misra në arat e çifliqotëve,

pastaj ca shtigje dhish e llogore ushtarake,

që si gjarpërinj rrethonin majën konike,

plot shkëmbenj të thepisur e mure qikllopikë,

ndërtuar për mbrotje në shekullin e katërt,

që të gjithë i quajnë mure pellazgjike,

mure që dëshmojnë autoktoninë e të parëve.

Mblodhëm gurët me damarë të kuq,

që vezullonin në diell si gurë diamanti.

pastaj ndezëm zjarr dhe poqëm misra,

duke i futur sërish në këmishat e tyre ende të gjelbra,

për t’ia çuar hallë Zulusë aty pranë vatrës.

Kështu u mbyll edhe dita me aromë misrash të pjekur,

një aromë dehëse si gjinjtë e virgjëreshave.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora