| E enjte, 13.06.2019, 08:33 PM |
Shkrimtari Vangjush Saro vjen te lexuesit me romanin “Misioni i z. Ndrio” dhe librin me fabula “E dashur Dhelpër!”
Sapo
janë përcjellë në treg dy librat e rinj të shkrimtarit Vangjush Saro: Romani
“Misioni i z. Ndrio” dhe përmbledhja me fabula “E dashur Dhelpër!” Zhanri i
humorit dhe satirës mbetet i preferuar për autorin, që vjen në këto publikime
pas romanit të mëparshëm “Kurora e Ballkanit”, librit me fabula “Gomar apo
Kaproll?”, si dhe novelës “Djali që u bë tullumbace”, publikuar në shqip dhe
anglisht. Botimet janë publikuar nga ERIK Botime dhe janë ilustruar nga
piktorja Alma Skënderi.
Romani
“Misioni i z. Ndrio” - botim i dytë, i publikuar më parë me titullin “Misioni”
- rrëfen një përpjekje në grotesk të atyre që aspirojnë të shmangin ndotjen e
mjedisit dhe zvetënimin shpirtëror, përndryshe tatëpjetën e shoqërisë
njerëzore, si pasojë e arogancës dhe etjes histerike për pushtet e pasuri të
politikanëve e monopoleve. Z. Ndrio, një profesor në pension, pothuaj i vetmuar
dhe patjetër i varfër, i përkushtohet mbrojtjes së mjedisit dhe kthimit të
njerëzimit në ditët e tij më të mira, kur ende nuk ishte ‘dorëzuar’ të zhurmat,
plastika dhe kakofonia e elektronikës.
Ai ka një ekip të vogël: Një ‘asistent’, plak dede, që pret më kot për
ndonjë shpërblim; dhe një zëdhënës, letrar delirant, që nuk duket asnjëherë
andej, ngase e shkon tërë kohën kohën me ‘artin’ e të shkruarit. Ndonjëherë,
‘misionari’ duket edhe në shoqërinë e damave të çuditshme, kur një zonjë me
prirje intelektuale që i vlerëson pasionet e tij, kur një pastruese me mendjen
te paraja e shtrati, dhe kur një grua në halle, që shet misra të pjekura te
qoshja e rrugës...
Por
ndërkaq, profesori i mirë është gjithnjë i braktisur nga elita dhe nga VIP-at…
E megjithatë, ai hidhet pareshtur nga aventura në aventurë ‘për të ndryshuar’
Shqipërinë, rajonin dhe Botën… Qëllimi i parë i tij është sensibilizimi i
shoqërisë për degradimin ku po rrëshket; profesori zhvillon takime në shkolla e
azile, në biznese, në TV, planifikon debate me zyrtarë të lartë, që nuk e qasin
te dera, tenton lidhjen me organizata ndërkombëtare, që gjithashtu janë të
pushtuara nga ‘Djalli’… Profesor Ndrio është një ëndërrimtar, një ‘luftëtar’ që
për shkak të rrethanave, bëhet grotesk me vepra që rëndom mbyllen në mënyrë
zhgënjyese. Qasja groteske në këtë gjetje, është e garantuar.
Libri
me fabula, “E dashur Dhelpër”, gjithashtu vjen pas një sërë publikimeve të
tjera në gjininë e humorit dhe satirës. Fabula është një nga ‘stacionet’
kryesore të autorit në rrugëtimin e tij letrar. (Vangjush Saro është një ndër
lëvruesit e njohur në këtë zhanër.) Romani “Misioni i z. Ndrio” dhe përmbledhja
me fabula “E dashur Dhelpër”, për më tepër, mbartin edhe jehonën e vlerësimeve
të mëparshme të kritikës letrare për librat e botuar nga autori kohë pas kohe.
Për krijimet e tij, janë shprehur me konsideratë shkrimtarë, kritikë letrarë e
pedagogë me zë në fushën e letrave: Pandeli Koçi, Fatmir Terziu, Vangjush Ziko,
Xhahid Bushati, Elvi Sidheri, Daniela Hasa, Flamur Shabani, Alda Shpata, Hyqmet
Hasko, etj. Siç vënë në dukje edhe personalitetet e përmendur më sipër, autori
ka krijuar tashmë profilin e vet artistik, çka pozohet si në gjininë e fabulës,
edhe në prozë. Në krijimet e tij, gjuha e pasur dhe e përzgjedhur dhe kërkimi
artistik janë të vazhdueshëm; dilemat përzihen me gjetje interesante; autori
kombinon rrëfimin gazmor dhe ironik me notat lirike; alegoria dhe nënkuptimet
favorizojnë meditimin dhe i japin mundësi lexuesit të kërkojë vetë përfundimet
dhe të shtyhet në interpretime që variojnë.
Aktualisht,
shkrimtari Vangjush Saro jeton në Vankuver (Kanada). Ai mban dy çmime
kombëtare: Për librin me tregime “Biri i ambasadorit” dhe për novelën “Polic
Këmbëvogli”. Disa nga krijimet e tij letrare e publicistike janë publikuar edhe
në gjuhë të huaja.