E enjte, 28.03.2024, 05:39 PM (GMT)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Pushtuesit osmanë vrisnin arbërorë katolikë, ua digjnin shtëpitë e kishat

E merkure, 12.06.2019, 09:18 PM


Marin Bici, Gjergj Bardhi e Pjetër Mazreku: pushtuesit osmanë vrisnin arbërorë katolikë, ua  digjnin shtëpitë e kishat

Nga Gani Mehmetaj

Prizreni ishte qytet i rregulluar me pallate, objekte pasunarësh e sundimtarësh, kisha paleokristiane, kisha katolike, por edhe kisha të stilit bizantin. Shumica e kishave pastaj janë shndërruar në xhami, me ardhjen e pushtuesit osman. Janë një mori kishash katolike apo bizantine, si Kisha e Shën Premtes, Manastiri i Kryeengjëjve, Kisha e Shën Shpëtimtarit, Katedralja e Zonjës Ndihmëtare, ndërsa Xhamia e Sinan Pashës, Hamami i Gazi-Mehmet Pashës janë rindërtuar mbi themelet e kishave arbërore. Kisha e Shën Premtës ishte kishë katolike, e ndërtuar mbi themelet e kishës paleokristiane, pastaj ishte bazilikë bizantine, ndërsa shumë shekuj më parë ishte faltore ilire, pra tempull pagan, që iu përkushtua hyjneshës ilire të pëlleshmërisë e lindjes. Më vonë u bë xhami- "Xhuma xhamia".

Në kohën e lulëzimit të Mbretërisë së Dardanisë prodhonte e eksportonte metale fisnike, punime nga ari e argjendi. Pas pushtimit nga Perandoria Romake, u bë pjesë e zinxhirit të metropoleve me rëndësi ekonomike e strategjike. Bizanti e sundimtarët vendës sërish e këndellën pas sulmeve të furishme të sllavëve  e bullgarëve. Madje edhe nën sundimin e Perandorisë Osmane, sipas Hahnit, ishte qytet më i madh se Shkodra, Janina e Novobërda.

Argjendarët, filigranët ilirë që nga antika e mbajtën këtë zeje. Edhe sot janë shqiptarët katolikë ata që e kultivojnë me përkushtim argjendarinë e punimeve mjeshtërore, duke e trashëguar zejen e të parëve.  Një pjesë e  tyre janë shpërndarë në bregdetin kroat e në brendësi, pastaj në Slloveni, Çeki e Sllovaki, madje edhe në Austri e Zvicër. Punimet e tyre artistike e kanë pushtuar jo vetëm gadishullin.

Por të rralla janë qytetet në Dardani që kanë pësuar sulme e goditje më të mëdha se sa Prizreni. Disa herë gjatë historisë prizrenasit me rrethinë janë përpjekur të dalin nga zgjedha, të konsolidohen, të dëbojnë pushtuesin, të krijojnë mëvetësinë. E nisi Pjetër Bogdani, e vazhdoi kreu i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kur sërish u mëtua që ky qytet të shpallej kryeqytet i Shqipërisë. Gjykimet më famëkëqija ndaj nacionalistëve e atdhetarëve pas hyrjes së trupave serbo-malazeze në Prizren u bënë. Menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore u bë kryeqytet i Kosovës, por shumë shpejt administrata u bart në Prishtinë.

Qyteti i Lumbardhit (një lumë malor i rrëmbyeshëm), ka pësuar goditje shkombëtarizuese gjatë historisë më shumë se çdo qytet tjetër i Dardanisë. Vala e parë goditëse ishte ardhja egërshane e pushtuesve osmanë. Kishat katolike arbërore i shndërruan në xhami, kishat bizantine janë përpjekur t' ua japin në dorëzim sllavëve: bullgarëve e serbëve. Priftërinjtë shqiptarë Marin Bici, Gjergj Bardhi, Pjetër Mazreku etj. raportonin për pushtuesit osmanë se si vrisnin arbërorë, katolikë, se si ua  digjnin shtëpitë e kishat.

Vala e dytë goditëse ishte pas disfatës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kur për disa kohë u bë kryeqytet i Shqipërisë, koordinoi dhe organizoi kryengritjen deri në Janinë e Prevezë, mblodhi të parët e krahinave shqiptare për një shtet unik etj. Ishte qendër shpirtërore për shqiptarët edhe gjatë pushtimit turk. Nga të dhënat statistikore e kronistët e kohës pak para ikjes së Perandorisë Osmane, qyteti me rrethinë e kishte shumicën absolute të popullatës shqiptare. Kolonët serbë erdhën me pushtuesin, d.m.th. pas vitit 1913, kurse një pjesë të shiptarëve të robëruar i shndërruan në turq apo i dëbuan në Turqi. Shqiptarët katolikë i vunë në thumb, i dëbuan apo i izoluan. Megjithatë, çdo lëvizje kulturore, politike e kombëtare ishte e lidhur me shqiptarët katolikë: shkollat e para shqipe, muzika, letërsia, teatri. Teatri ka filluar aktivitetin në shekullin XIX, ndërsa ishin mësuesit e priftërinjtë e shkollave shqipe, ata që ua mësuan nxënësve artin dramatik. Një nga kontribuuesit e parë, që tregoi suksesin e këtyre shfaqjeve, ishte Mati Logoreci dhe Lazër Lumezi, që të dy ishin mësuesit e parë në shkollat e Prizrenit.

Kultura shqiptare e letërsia për Dardani janë të lidhura ngushtë me shqiptarët katolikë, duke nisur nga Pjetër Bogdani. Disa historianë duan ta nxjerrin Gjergj Kastriotin me prejardhje nga rrethet e Prizrenit. Autori i “Çetës së Profetëve”, Pjetër Bogdani, ishte nga Guri i Hasit. Bogdani thuhet se u nis nga Prizreni me mijëra ushtarë arbërorë dhe e çliroi Prishtinën nga turqit.

Shqiptarët katolikë të Prizrenit i kanë dhënë vulë të veçantë qytetit në këngë, letërsi e teatër. Janë po aq meritorë mu si shqiptarët katolikë të Shkupit, me të cilët kanë komunikuar, kanë bërë tregti e kanë pasur lidhje farefisnore. Vulën shqiptare të pasluftës ata ia dhanë qytetit kur Prizreni për një kohë të shkurtër u bë kryeqytet i Kosovës.

Ashtu sikurse nga presionet e ndryshme, shqiptarët katolikë e braktisën Prizrenin, kaptinë edhe më e dhimbshme janë shqiptarët ortodoksë, të cilët në njëqindvjetëshin e fundit janë shkrirë në serbë a bullgarë, madje edhe gjuhën ua morën, sepse meshën ua impononin në gjuhën sllave, kishën ua morën serbët, kështu që nuk patën shumë mundësi zgjedhjeje.

Nëpër katalogë propagandistikë, Vikipedia, emisione televizive etj., qarqet antishqiptare përpiqen që Prizrenin t'ua paraqesin të huajve me këmbëngulje kinse është qytet i kulturave e etnive të ndryshme, një lloj vëllazërim-bashkimi i tipit të Jugosllavisë socialiste. Këto qarqe antishqiptare, të fuqishme në medie e në institucione shtetërore, nuk ia kanë falur Prizrenit pse e mori guximin të bëhej strumbullari i  Shqipërisë etnike. Por Prizreni është qytet po aq shqiptar si Prishtina, Gjakova ose Peja. Elita intelektuale e artistike shqiptare në Prishtinë nga Prizreni erdhi.

Prizreni ende është nën terrorin e propagandës e shantazheve të Turqisë. Deklarata famëkeqe e kryetarit turk, Erdogan, “Kosova është Turqi”, u dha nga Prizreni.

Pavarësisht deklaratës delirante, Prizreni mbetet krenaria kombëtare, kryeqyteti historik i shqiptarëve, ku edhe më tutje labët do t'ia thonë këngës polifonike, në majë të kështjellës ilire. Zambaku i Prizrenit do të jehojë deri në Marash e tutje në Zym.

Kisha katolike ne Prizren



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora