E marte, 10.12.2019, 10:10 AM (GMT)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Dita e Besës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

E merkure, 12.06.2019, 08:29 PM


8 QERSHORI – DITA E BESËS SË LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT

Nga Frank Shkreli

Ishte 10 Qershori i vitit 1878 kur është mbajtur Kuvendi Kombëtar në Prizren, ku u përfaqësuan të gjitha krahinat e Atdheut, me qëllim, sipas fjalëve të Abdyl Frashërit, “Që t’u presim hovin armiqëve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë”, ka thënë ndër të tjera, Abdyl Frashëri.

Aty u vendos njëzëri themelimi i “Lidhjes Shqiptare”, si organizata e vetme kombëtare Shqiptare, objektivi i të cilës do të ishte bashkimi i të gjithë shqiptarëve në luftën për të mbrojtur territoret autoktone shqiptare dhe për të siguruar të drejtat kombëtare të gjithë Shqiptarëve. Një Komitet Qendror u krijua për të drejtuar Lidhjen e Prizrenit, ndërkohë që u morën vendime me rëndësi historike për Kombin dhe i cili do të ushtronte kontroll mbi të gjitha degët e tija. Ky Komitet, si enti përfqsues më i lartë i Lidhjes së Prizrenit, kishte një përfaqësi mbarëkombëtare prej 47 antarësh nga të gjitha trevat shqiptare.

Qershori i vitit 1878 ishte muaji i Lidhjes së Prizrenit, por edhe i memorandumeve, peticioneve që hartuan shqiptarët në mbrojtje të të drejtave të tyre kombëtare dhe të terësisë tokësore, por edhe i protestave të organizuara anë e mbanë trojeve shqiptare.  Në një memorandum të datës 13 qershor, 1878, shkodranët i shkruajnë, ndër të tjera,  kryeministrit britanik të asaj kohe, Lordit Beaconsfield: “...Ashtu si nuk jemi dhe nuk duam të jemi turq, po ashtu e kundërshtojmë me të gjitha forcat tona cilindo që do të dëshironte të na bënte sllavë,ose austriakë ose grekë... Ky karakter kombëtar që nuk është përgnjeshtruar kurrë dhe që ka luftuar ngadhnjimisht kundër egërsisë osmane për më shumë se katër shekuj, nuk mund dhe nuk duhet të zhduket tani në këtë shekull qytetërimi nga dora e aeropagut evropian...”.

Nga protesta e 16 qershorit, 1878 në Shkodër, në një memorandum të nënshkruar nga 320 përfaqsues të popullësisë së rretheve të Tiranës, Durrësit, Krujës, Lezhës, Shkodrës, Ulqinit, Tivarit, Podgoricës e tjera, ndër të tjera thuhet: “Ne të nënshkruarit, në emër të të gjithë populit, kemi nderin të shpallim se kombi shqiptar, qoftë mysliman, qoftë katolik, që ndryshon prej sllavëve... është njëzëri i vendosur të mbrojë Atdheun e vet kundër ndarjes së terrritorit që është projektuar, si një veprim që është në kundërshtim me historinë e tij, me interesat e tij dhe me dëshirat e tij...”

Ndërsa në memorandumin drejtuar ministrave të jashtëm të Fuqive të Mëdha,  disa personalitete shqiptare që ndodheshin në Stamboll, shkruajnë: “Duke i parashtruar Kongresit dëshirat e veta dhe duke iu lutur që t’i marrë ato parasysh, populli shqiptar proteston përball Evropës kundër aneksimit  të cilësdo pjesë më të vogël të truallit të tij nga një komb tjetër dhe shpall se është gati të bëjë fli të gjitha fuqitë e veta jetësore dhe ushtarake për ta mbajtur këtë vendim suprem, të cilin e konsideron si një detyrë të shenjtë të diktuar nga e drejta e tij dhe nderi kombëtar...”

Në letrën protestë kundër  të popullësisë së sanxhakut të Prishtinës drejtuar Kongresit të Berlinit më 25 qershor, 1878 kundër mizorive të kryera mbi popullësinë shqiptare prej ushtrive serbe, ruse, malazeze dhe bullgare, shkruhet: “..Po qe se do të ndodhte flijimi i kombit tonë dhe ky do bëhej viktimë e padrejtësive të lartëpërmendura...ne do të vdesim me dner deri tek njeriu i fundit, që të mos jemi aspak viktima e këtij nënshtrimi...”.

Ndërsa në letrën e dalur nga protesta kundër mizorive të kryera prej ushtrive ruse e bullgare, drejtuar Kongresit të Berlinit me 26 qershor, 1878 nga popullësitë e rretheve të Dibrës, Matit, Gjakovës Tetovës, Shkupit, Prishtinës, Pejës, Manastirit, Kërçovës, Vuçiternit, Gjilanit, Mitrovicës, Senicës, Gucisë,Lumës, Prizrenit, e tjera, thuhet: “...askush nga ne nuk mund të nënshtrohet pa derdhur gjakun deri te njeriu i fundit...”.

Dhe në vendimin që mori Lidhja Shqiptare për Jugun në mbledhjen që u bë në Janinë me 24 korrik, 1878 për ti kërkuar qeverisë osmane bashkimin e torjeve shqiotare në një vilajet të vetëm për të mbrojtur tokat shqiptare nga copëtimi, thekësohet se, “Shqiptarët, të udhëhequr nga ndjenjat e natyrshme patriotike, e gjithë Toskëria dhe Gegëria, u betuan dhe lidhën besën me shkrim për të mbrojtur ttokën e shenjtë të vendlindjes...”. (Citimet e mësipërme marrë nga libri “Lidhja Shqiptare e Prizrenit, 1878-1881”, Kristo Frashëri).

Në parathënien e librit të Krsito Frashërit, “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”, thuhet se, “Sipas traditës së lashtë shqiptare, sa herë që vendin e kërcënonte armiku i huaj, çdo krahinë mblidhte kuvendin e saj popullor dhe aty merrej vendimi për të rrëmbyer armët kundër agresorit të jashtëm. Pastaj njëri prej tyre ftonte të gjitha krahinat e kërcënuara në një kuvend të jashtëzakonshëm ndërkrahinor. Secila krahinë dërgonte në këtë kuvend të madh përfaqsuesit e vet, të cilët, pasi pelqëronin çështjen që shqetësonte vendin dhe pasi miratonin vendimin për një rezistencë të përbashkët, formonin një besëlidhje ndërkrahinore dhe zgjidhnin një kryesi për drejtimin e saj...Zotimi që merrnin pjesëmarrësit e besëlidhjes konsakrohej me besën tradicionale shqiptare. Kush e shkelte besën poshtërohej përball shoqërisë dhe si i tillë dënohej moralisht...”.

Ja ku jemi sot!  Është qershori i vitit 2019, çereku i parë i shekullit 21. Shqipëria as Kombi shqiptar nuk përballenme ndonjë kërcënim të jashtëm serioz, por fatkeqsisht përballenme atë që At Gjergj Fishta e ka cilësuar dikur si rrezikun e përbrendshëm. Burrat e Lidhjes së Prizrenit ishin më të përparuar dhe më patriotë se përfaqsuesit e sotëm të klasës politike shqiptare, megjithse kushtet politike, ekonomike dhe shoqërore ishin shumë më të vështira për ta, në krahasim me gjëndjen e sotëme të shqiptarëve. Besëlidhja e tyre kundër armikut dhe sfidave të përbashkëta konsakrohej me besën shqiptare!

Mjafton t’i hedhësh një sy medias shqiptare kudo, për të parë se ku e ka katandisur Kombin sot, kjo klasë politike. Ku janë sot burrat e besëlidhjes dhe të besës shqiptare?  Përball këtij rreziku të mbrendshëm, udhëheqsit shqiptarë, në vend që të lidhin besëlidhje në emër të interesave madhore të Kombit për zgjidhjen e sfidave dhe të kundërshtimeve politike, i shkruajnë njëri tjetrit letra nga larg dhe trokasin dyerve të kancelarive evropiane -- jo për të mbrojtur intresat kombëtare kundër synimeve armiqësore të të huajve -- por për tu ankuar kundër njëri tjetrit, para autoriteteve të jashtme.

Nëqoftse qershori i vitit 1878 ishte muaji i shpresave për Kombin Shqiptar, i besëslidhjes dhe i besës për të shpëtuar Kombin nga kërcënimet e armiqëve të jashtëm,  qershori i vitit 2019 --ndonëse Kombi shqiptar nuk kërcënohet nga ndonjë armik i jashtëm --pa dyshim është muaji dhe viti i zhgënjimeve politike e shoqërore, mos më keq, pasi rreziku është i mbrendshëm dhe i shkaktuar nga vet klasa politike aktuale e shqiptarëve, vetëm e vetëm për hir të interesave të tyre personale e partiake.Zëri i burrave të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u bën sot jehonë, në këtë 141-vjetor të saj.  U bën thirrje, në emër të karakterit kombëtar, që të dilni ngadhnjimtarë nga ky kaos dhe egërsi politike në të cilën e kini hedhur vendin.  Ashtu si në kohën e Lidhjes së Prizrenit, të “udhëhequr nga ndjenjat e natyrshme patriotike” të shqiptarëve dhe jo“në kundërshtim me historinë e tij, me interesat e tij dhe me dëshirat e tij...”. Besoj se duhet të jeni të vetdijshëm se, nëqoftse me të vërtetë reflektoni mbiveprimet tuaja politike sot, ato janë në kundërshtim të plotë me historinë e Kombit shqiptar, me interesat e tij dhe me dëshirat e tij kombëtare dhe politike.Në këtë përvjetor, burrat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u bëjnë thirrje ju – klasës aktuale politike të shqiptarëve, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë -- që të vendosni interesat e Kombit mbi të gjitha, të zgjidhni problemet tuaja politike bazuar në një besëlidhje të konsakruar me besën tradicionale shqiptare, ashtu siç bënë ata në kohën e tyre, me qëllim sipas Abdyl Frashërit,“Që t’u presim hovin armiqëve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë” –“si një detyrë të shenjtë të diktuar nga e drejta e tij dhe nderi kombëtar...”

Për ndryshe, jeni në udhën e gabuar dhe në kundërshtim të plotë me historinë e shqiptarëve, në përgjithësi, përfshirë angazhimet dhe zotimet e burrave të Lidhjes së Prizrenit, 141 vit më parë. Si të tillë, nëqoftse vazhdoni në këtë rrugë, do të poshtëroheni politikisht dhe do të dënoheni moralisht –si politikanë individë dhe si grup politikanësh -- nga ky brez dhe nga brezat e ardhëshëm të shqiptarëve.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT