| E merkure, 12.06.2019, 09:28 PM |
POEZIA PËRBALLË TRANSFORMIMEVE KULTURORE
(Ky shkrim është lexuar në Manifestimin
“Takimet letrare pranverore”, të organizuar nga Shoqata e Krijuesve Shqiptar në
Zvicër, që u mbajtën më 8 qershor 2019, në Zürich - Zvicër!)
Shkruan Shefqet
DIBRANI
Librat jetojnë edhe pasi autorët të kenë kaluar në botën e përtejme,
atje ku nuk flitet më, gjeneratave iu shërbejnë librat që ata lënë pas tyre!
Sot, nuk dihet sa po jetojnë librat për të gjallë të autorëve, sidomos në këtë
kohën e ndryshimeve politike, ekonomike dhe konceptuale që njihet si kohë e
tranzicionit. Ky tranzicion kulturor që nuk po bëhet si e dëshirojmë dhe si ne
e duam. Transformimit kulturor si duket i kanë shpallur luftë të ashpër
mediokracia dhe mediokritetet të cilët udhëheqin me shtetin dhe institucionet
përkatëse që stimulojnë kulturën dhe librin në përgjithësi. Kjo gjendje
groteske bëhet kur kuptojmë se shkrimtarët janë ata që u shërbejnë analfabetëve
të veshur me petkun e udhëheqësit zyrtar. Në një shikim përtej horizontit
nacional, duket se të gjitha vendet e dala nga diktatura, detyrimisht iu kanë
nënshtruar tranzicioneve konceptuale dhe ideologjike, pastaj atyre ekonomike e
sociale, duke mos përjashtuar as zhvillimin e librit! Në këtë rrafsh, gjama dhe
ankesa jonë për librin dhe kulturën duhet të shikohet përtej kufijve
nacional, për të parë se si ato vende kanë tejkaluar kriza të ngjashme!
Tashmë dihet se ky transformim kulturor po përballet edhe me një luftë
tjetër më të ashpër se ajo që theksuam më parë, e kjo ka të bëjë me zhvillimin
e hovshëm dhe marramendës në industrinë e internetit dhe digjitalizimit,
kundrejt të cilit kanë pësuar edhe shumë zhvillime të tjera, andaj s’ka mundur
t’i shpëtoj as letërsia, as libri dhe me këtë edhe poezia. Pa dyshim, libri ka
pësuar disfatë edhe në vendet më të zhvilluara, andaj statistikat për librin
alarmojnë kur shkruajnë se sot konsumi për librin ka rënë dukshëm e bashkë me
të ka pësuar edhe industria që merret me prodhimin dhe shtypjen e tij.
Ashtu siç kanë ndryshuar kohërat, po aq ka ndryshuar edhe qasja ndaj
librit, e bashkë me këtë ka ndryshuar poezia në planin global dhe
detyrimisht edhe ajo në planin nacional. Nëse gjërat shikohen në retrospektivë,
por përpiqemi nga ajo kohë të nxjerrim vlerësime pozitive, mund të konstatojmë
se pavarësisht dogmave të sistemit diktatorial, gjysma e dytë e shekullit të
kaluar ishte koha e artë e poezisë, ajo periudhë është baza kur u krijua një
letërsi dhe poezia elitare nga e cila ne mund të mësojmë, sidomos për të parë
se si janë trajtuar vlerat që krijoheshin në ato rrethana të cilat nuk ishin të
favorshme.
Thyerja e këtyre konvencave sikur ka vënë përball sfidave edhe poezinë.
Vitet e nëntëdhjeta janë manifestuar nga një fobi që kishte të bënte me
vërshimin e librave që për autor kishin emra të ndaluar, pavarësisht se ata
botime patën plotësuar një vakum institucional përkitazi me letërsinë e burgut
për një kohë janë shikuar me sy kritik. Së këndejmi kemi edhe një ngarendje për
të botuar libra të tjerë të cilët ndoshta për shijen e kritikëve klasik nuk përfaqësonin
vlera, pasi ata libra nuk kishin sjellë ndonjë risi. Megjithatë, të paktën për
një gjë duhet falënderuar autorët që kanë bërë përpjekje për të botuar libra
dhe për tu identifikuar, nëse jo kritika, të paktën u janë mirënjohës botuesit
dhe shtypshkronjat pasi në saje të tyre është shtuar prodhimi i punës për
sajimin e librit e deri tek fabrikat për prodhimin e letrës dhe ngjyrës.
Pasi asgjë nuk është e përjetshme, as suficiti i librit nuk mbeti si
mall i përjetshëm, por të gjithë e dimë se sytë dhe vëmendja kthehet kah ylberi
që lidh kodrat dhe durimi që afron kohërat, në këtë prizëm, vetëm shkëlqimi
ylberor mbetet gjatë në kujtesën e vrojtuesve, të tjerat harrohen bashkë me ata
libra që sjellin vlera të pakta. Gjithsesi secila kohë, pra edhe kjo e
tranzicionit kulturor është shënuar me libra të vyeshëm e bashkë me ta janë
dalluar autorët e arsyeshëm, të cilët me kalimin e kohës janë identifikuar për
pasionin dhe dhuntin krijuese, që nuk shkruanin e botonin sa për të realizuar
ndonjë pozitë zyrtare a për ndonjë pozicionim jashtë kulturor, ata krijonin për
më gjatë, për t’iu shërbyer kohërave, madje edhe atyre kohërave që do të vijnë
kur autorët nuk do të janë më në mesin e të gjallëve.
Më duket se ngjashëm me shqetësimet për nivelin e poezisë së sotme që ka
atdheu etnik, janë edhe autorët që jetojnë në mërgim, të merakosur se ku është
poezia e sotme shqipe e cila krijohet dhe kultivohet nga shkrimtarët që jetojnë
jashtë hapësirës etnike? E ky shqetësim i shtruar në formë pyetjeje nuk mund të
marr përgjigje të saktë dhe të qëndrueshme, aq më pak një përkufizim që do ti
kënaqte mendjet e secilit autor.
Kur flasim për „vlera?!“, askush nuk mundet me thënë se me cilën „masë“
e kemi matur atë vlerë, rreth së cilës mbështillet një tog fjalësh që kryesisht
ndjell zi e mbjell dyshime se çdo gjë ka përfunduar. Autorët që jetojnë të
mërguar duhet të kenë qasje pozitive për poezinë e krijuar në diasporë dhe të
argumentojmë se çdo gjë nuk ka mbaruar?!...
Në këtë prizëm, nëse gjërat shikohen me syrin kritik, dhe nëse do të
kemi synim për të gjetur vlera të dallueshme, mendoj se ato nuk mungojnë, pasi
i kemi kudo dhe i hasim kurdo, vetëm duhet kërkim e përkushtim, kurse qasja të
ketë synim pozitiv, e kundërta është dëshpërimi që na mbyt në pesimizëm dhe
skepticizëm antivlerash.
Për ta ilustruar këtë mendim të shfaqur më lartë ne po përmendim disa
libra dhe autor të cilët jetojnë dhe krijojnë në Zvicër, për të përforcuar
mendimin e theksuar më parë: 1. Në fushën e poezisë do ti veçoja: Shemsi
Makolli: "L’ANATOMIE DU RÈVE - Anatomia e ëndrrës", Isuf Sherifi:
"DIE WEISSE FILZKAPPE – Plisi", Brahim Avdyli: “ARENA E
DHEMBJEVE”, Besnik Camaj: "STREHË DASHNIE", dhe
ndonjë tjetër autor. 2. Në fushën e prozës së shkurtër – tregimit, vlen t’i
përmendim: Muharrem Blakajn: "MENDESHA” dhe Gani Bytyçin: "MAKTH", 3.
Prozën e gjatë e kultivojnë me pasion: Miradije Maliqi: "DITËT E
HESHTJES SIME", roman, dhe Muharrem Blakaj, me romanet e tij. 4. Ndërsa
për eseun artistik e kisha veçuar librin: "FLETËZA DHEMBJEJE", të
Gani Bytyçit... etj.
Këta libra dhe autor, janë vetëm disa nga shembujt pozitiv për të
dëshmuar se letërsia e krijuar në diasporë nuk dallon gjë nga niveli i asaj që
krijohet në Kosovë ose tutje në hapësirën etnike... Ndarjen që bëra sa për të
ilustruar mendimin e sipërshënuar, ka të bëjë me shijen personale, me nivelin e
njohjeve dhe me aspekte të tjera, kryesisht jashtë letrare, çka do të thotë se
ka edhe të tjerë autor dhe libra me nivel të arrirë. I përmenda ata libra që i
kam lexuar ose kam bërë ndonjë shënim për ta.
Janë këto arsye pse apeloj për afri kulturore në mes autorëve, për
dashuri të shtuar rreth krijimeve të tyre letrare, e pse jo edhe për vlerësim
më real dhe më racional përkitazi me librin dhe poezinë që krijon secili prej
tyre!...
Zürich, 08.06.2019