Editorial » Mehmetaj
Gani Mehmetaj: Prizreni i bukurive antike dhe i sharmit mesdhetar!
E marte, 11.06.2019, 07:37 PM
Prizreni
i bukurive antike dhe i sharmit mesdhetar!
Nga
Gani Mehmetaj
Labët
me grupin polifonik e kishin pushtuar Kështjellën ilire të Prizrenit. Zëri i
këngëtarëve shpërndahej në errësirë, i përkëdhelte muret e vjetra, vërshonte
qetas hyrjen kryesore, mbase jehona e këngës pikëllimtare shpërndahej nëpër
rrugët e gurta të qytetit të vjetër. Zëri i parë i labit me qeleshe, herë
ngrihej sikur lëshonte kushtrimin, herë ishte lirik, ndërsa pastaj ndiqej nga
zëra të tjerë që e plotësonin, e forconin, bënin që të të kthenin shekuj prapa,
atëherë kur kënga këndohej me afshe e emocione.
Atmosfera
në brendësinë e kështjellës, ishte e pazakonshme, qetësuese, si në përralla.
Koha qe ndalur. Dritat e mbrëmjes e skenografia, të rregulluara me shije, të
ofronin intimitet e mistikë, me muret e vjetra, me rrënojat e pallateve e
themelet e restauruara. Pjesa më e madhe e kureshtarëve atë mbrëmje ishin të
rinj, dardanë e të huaj. Stina e verës është e këndshme në qytetin e Prizrenit.
Vetëm Kështjella e Dardanisë në Nish (me dyer madhështore të restauruara), që e
rindërtoi Konstantini i Madh, i bën konkurrencë me hapësirën e përshtatur për
manifestime kulturore e ngjarje të shënuara. Por për visoret përtej kështjellës
nuk ia kalon mbase asnjë kështjellë e Ilirisë.
Pamja
e qytetit nga kështjella është më mbresëlënëse, të ofron kënaqësi të veçantë mbrëmjeve
me ndriçim, të shpalosë gërmimet arkeologjike që nxorën në sipërfaqe kulturën
materiale e shpirtërore të ilirëve, të ringjallë botën antike ilire, lugina
shkëlqen me lumin e dritave. Kështjella ishte vetëm pjesë e qytetit të vjetër,
me vazhdimësi qytetërimi. Në bërthamën e qytetit të vjetër janë zbuluar termo-
objekte të ngrohjes qendrore, pagëzimore, vendbanime antike etj. Jeta e
mirëfilltë është zhvilluar në qytet. Është përshtypje e përgjithshme se ngado
që të gërmosh do të dalin objekte të vjetra, faltore, objekte kulti e stoli.
Rruga
nga Fontana (Shatërvani) te portat kryesore është më e rrëpinjtë se sa në
Gjirokastër, Berat apo Artanë. Shatërvani është pika ku takohen të rinjtë,
ishte vendi ku dikur këngëtarët e aktorët ilirë bënin shfaqje para të
pranishmëve, të mençurit (filozofët) bënin debate në freskun e natës, apo
pasditeve, ushtarakët e sundimtarët mblidhnin ushtarë pasi e lëshonin
kushtrimin nga maja e kështjellës. Lumbardhi i jep sharmë të veçantë, e bën
qytetin më të bukur në shtetin e ri të Dardanisë. Urat me harqe të duken si të
vinin drejt nga antika, elegante e të rënda njëkohësisht. Muret e gurta që e
frenojnë ujin e rrëmbyer vjeshtës e pranverës i japin pamjen e qytetit
piktoresk.
Kush
nuk ka dëgjuar për Marashin? Sa këngë u janë kënduar dashurive të fshehta e
vendtakimeve të të rinjve në fundjavët e famshme, kur dilej me një zymbyl me
ushqime e me një beze të bardhë shtroje në bar. Kush nuk ka dëgjuar për
Zambakun e Prizrenit e për këngët e vjetra qytetare shqiptare? Po për Rrapin më
të vjetër në vend? Natyra është një perlë që i rrethon vendbanimet.
Qyteti
i Lumbardhit është larg nga deti, por e ka klimën mesdhetare, sharmin e
qyteteve të Mesdheut dhe kulturën e butësinë karakteristike të kësaj hapësire
gjeografike. Kush nuk i ka shijuar ujin e ftohtë të krojeve të qytetit.
Po
rrjedha e ujit që bie nga shkëmbi? Kur shkel rrugëve të shtruara me gurë lumi
se si e ndiejnë veten, të kujton diçka që s'e gjen më askund tjetër.
Prizreni
është kryeqyteti historik i shqiptarëve, qyteti i dhjetëra aktorëve të famshëm,
që i dhanë filmit e teatrit vepra me vlerë. Prizreni është qyteti i Bekim
Fehmiut, me mallin e të cilit ai vdiq, por e la me fjalë që hiri i trupit të
tij të hidhej në Lumbardh me një ritual të veçantë, që u bë. Rufaitë, helvetitë
e dhjetëra sekte të tjera mistike iraniane e të Lindjes së Mesme, erdhën me
pushtuesin otoman, u ngulitën dhe krijuan çerdhet e tyre. Çelën
faltoret-teqetë, ku e bënin ritualin e shpimit me thika e me shpata në natën e
veçantë që zgjat deri në mëngjes. Bërthama e vendbanimit, qyteti i moçëm, ka
faltore të vjetra e të reja, aty ku dikur ndërtuan ilirët, aty ku e rindërtoi
pastaj qytetin Justiniani dardan. Faltoret më të reja janë ndërtuar mbi
faltoret e vjetra. Në qytet stili evropian lufton për jetë a vdekje me orientin
frymëzënës. Faltoret përpiqen ta dëshmojnë praninë e tyre natën e ditën. Kishat
bizantine, uzurpuesit, klerikët serbë i kanë futur në rrethoja e barrikada, ua
kanë marrë shqiptarëve, sikur duan të izolohen jo vetëm nga vendësit. Kisha katolike
ishte seli ipeshkvore që nga antika. Pastaj erdhën minaret e xhamive, hamamet e
teqetë. Në kohë të caktuara secila prej tyre thërret besimtarët në meshë a në
falje. Xhamitë janë më të zhurmshme dhe më të shumta. Secila minare bën garë me
tjetrën, ndërsa njëqind altoparlantë nga minaret mikun tim nga Tirana, që erdhi
për herë të parë në qytetin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e tronditën në
pesë të mëngjesit. Mori t'i ankohej të parit të myslimanëve për këtë shqetësim
gjumi, por e qetësuan. Kot që i thua! Nuk je i pari vizitor që ankohesh në
zhurmën e altipartlantëve! "Pse duhet ta zgjojnë tërë qytetin në pesë të
mëngjesit? Ky është terror", më ankohej mua, thuajse mund të ndërhyja te
zyrtarët përkatës. Zhurmat e altoparlantëve nuk të lënë të dëgjosh as zërin e
filmave në kinematë verore. Nga fjalët e mikut një natë vere, kureshtja më cyti
të futesha brenda rrethojave të një xhamie, ku shiteshin rrobat, zbukurime të
grave, burrave e mallra të lira si në Çarshinë e Stambollit. Xhamia ishte një
pazar i vogël brenda Prizrenit. Një pjesë e qytetit përpiqet ta imitojë
Stambollin e vjetër, nuk shkëputet dot nga mesjeta anadollake.
Prizreni
ka vazhdimësi nga parahistoria. Kështjella e vjetër, e vendosur mbi një kodër,
që e mbizotëron qytetin, nga të dhënat arkeologjike e hulumtimet e rastit
dëshmon se qyteti ishte i banuar tri mijë vjet më parë. Prokopi
i
Cezarës në shekullin V pas Krishtit e përmend me emrin Peterzen. Arkeologë e
kronika të moçme e lidhin me qytetin antik Theranda. Në mesin e kështjellave të
rimëkëmbura nga perandori Justinian përmendet me emrin Kështjella e Petrizenit,
që e zëvendësoi emërtimin e mëparshëm Theranda. ndërkaq, në burimet bizantine
është quajtur Prisdriana.
Prizreni
ishte qendër e rëndësishme tregtie e prodhimi, seli e Ipeshkvisë katolike
dardane-arbërore, seli princore, nyjë që lidhte rrugën antike Nish- Shkup-
Lezhë. Kur u ndanë dy perandoritë, Prizreni i takoi Kostandinopojës, pastaj u
qeveris nga sundimtarë arbërorë, e më vonë u pushtua nga turqit e serbët.