Speciale
Shefqet Dibrani: Programi nacional i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit
E hene, 10.06.2019, 08:01 PM
PROGRAMI NACIONAL I LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT
(10
Qershor 1878)
Ky
shënim është përgatitur si referat për tu lexuar para bashkatdhetarëve dhe
aktivistëve të LDK-së, në manifestimin që organizoi Nëndega e LDK-së në St.
Gallen, në qershorin e vitit 1995. (Po e ripublikojë për të dëshmuar, se me
çfarë përkushtimi iu kemi qasur të gjitha manifestimeve që mbaheshin në vitet e
’90-ta! Padyshim, ky referat është lexuar edhe në shumë manifestime të tjera,
duke hequr a shtuar diçka nga të gjithë ata që e kenë marrë për t’i zbukuruar
manifestimet e tyre)
Shkruan:
Shefqet DIBRANI
Lidhja Shqiptare e Prizrenit, është organizata e parë patriotike e politike mbarëshqiptare, që u ngrit
nga vet shqiptarët, në truallin shqiptar dhe që përfshiu të gjitha krahinat e vendit.
Më 10 qershor 1878 u themelua Lidhja Shqiptare
e Prizrenit, si organizatë politike e cila udhëhoqi të gjitha ato luftëra
legjendare për të realizuar programin dhe platformën e Rilindjes Kombëtare,
ajo bëri shumë në afirmimin e kombit shqiptar në arenën ndërkombëtare, dhe
mbrojti me konsekuencë tërësinë territoriale të Shqipërisë duke
realizuar edhe formimin e shtetit kombëtar shqiptar.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit ndodhte pikërisht në vitet e Krizës Lindore (1875-1881), ajo
udhëhiqej nga ideologu i Rilindjes Kombëtare Abdyl Frashëri i
cili mendonte se programi i Rilindjes Kombëtare dhe platforma e Lidhjes
parashihte edhe luftën e armatosur për ta çliruar vendin nga Perandoria
Osmane.
Themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ishte
domosdoshmëri e kohës, kurse urgjencën e saj e dramatizoi sigurisht Traktati
i Shën Stefanit i cili shqiptarët i solli në një situatë krize, ndonëse kjo
ishte hedhur më parë si ide dhe si nevojë për krijimin e një organizate politiko-ushtarake
e cila do t’i dilte zot vendit dhe do të mbronte tërësinë territoriale të
atdheut. Ishin këto rrethana të krijuara që para pjesëmarrëseve të Lidhjes
Shqiptare të Prizrenit shtroi objektiva të veçante për t’i realizuar dhe
për ta mbrojtur atdheun nga gllabërimet e reja që synoheshin nga qarqet
shoviniste të shteteve fqinje.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte pjesë përbërëse e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, ajo me
konsekuencë i realizoi synimet e saja jo vetëm politike e diplomatike por edhe
në planin ushtarak e kulturor, (po sidomos), u veçua mendimi i saj
politik e filozofik në kohën kur ploja e mesjetës ende terratiste hapësirën
ballkanike, dhe në planin kombëtar krijoi unitetin e pashembullt brenda
etnitetit nacional, gjuhësor dhe kulturor pa dallim bindjesh fetare, ngase
programi i Lidhjes shqiptare të Prizrenit i konsideronte më të fuqishme
lidhjet gjuhësore, traditat dhe zakonet se sa në planin fetar që ishte synim i
armiqve për ta ndarë në tri pjesë kundërshtare Shqipërinë. Por në saje
të zgjuarsisë së krerëve të Lidhjes planet e zeza të armiqve të Shqipërisë
mbetën si kartë e djegur.
Pavarësisht nga ndikimi fetar që luante rol në atë kohë,
të gjithë krerët e Lëvizjes Shqiptare te Prizrenit por edhe
protagonistet e Rilindjes Kombëtare ishin të vetëdijshëm se populli
shqiptar do të shpëtonte vetëm nëse lidhet për unitetin kombëtar,
për gjuhën zakonet dhe traditën e përbashkët që nga Jugu në Veri, deri në Rrafshin
e Kosovës e të Dukagjinit dhe në Luginën e Pollogut e më
gjerë. Programi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, për kohën padyshim do
të mbetet dokumenti më me vlerë kombëtare pasi në te parashihej mbrojtja e
territoreve etnike dhe bashkimi i vilajeteve në një shtet etnik.
Me këtë pikëpamje politike dhe me këto nocione filozofike
për kombin, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, krijoi në planin ideologjik
një nga konceptet filozofike më të përparuara të shek. XIX, duke vu në
themel të platformës politike kriterin etnik ku pjesë e Shqipërisë
numërohet secila trevë a territor ku shqiptarët përbëjnë shumicën e popullsisë
të atij vendi.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit bëri përpjekjet fondamentale për të ndryshuar statusin politik të Shqipërisë
në marrëdhëniet me Portën e Lartë, duke kërkuar haptazi bashkimin e
territoreve dhe vilajeteve shqiptare në një shtet etnik dhe me udhëheqje
autonome që do ta administronin njerëzit e vet të cilët më mirë se kushdo
tjetër njohin gjuhën, zakonet dhe traditën e këtij vendi. Pikërisht gjatë
viteve 1878-1881, kjo organizatë politiko-ushtarake e ngriti në një shkallë më
të lartë vetëdijen shtetformuese dhe udhëheqjes së saj i preferoi konceptin
demokratik me tipare kombëtare, me administratë civile dhe ushtarake shqiptare
e cila u detyrua edhe të konfrontohet me Portën e Lartë për të mbrojtur
autonominë.
Lidhja shënoi
jehonë dhe shumë shpejt arriti të krijoi administratën shqiptare, caktoi
nëpunës shqiptar, filloi hapjen e shkollave shqipe, futi në përdorim gjuhën
shqipe kudo në administratë dhe krijoi organet gjyqësore të saj si dhe ushtrinë
e vilajeteve të cilat nuk ishin nën urdhrat e Portës. Forcimin e
pikëpamjeve dhe ideve përparimtare të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit i
forcuan edhe më tej në Kuvendin Kombëtar i mbajtur në Gjirokastër
në vitin 1880, si dhe pikëpamjet e Lidhjes për pretendimet greke në Jugun e
Shqipërisë. Kurse në vitin 1881 Komiteti Qendror që kishte themeluar
Lidhjen në Prizren u shpall Qeveri e përkohshme, kurse
komitetet lokale u shndërruan në organe administrative të saj, kurse
formacionet ushtarake në ushtri kombëtare të saj.
Me aktin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit nis
filli i formimit të shtetit autonom shqiptar i cili po dilte nga kthetrat e Portës
së Lartë mjaftë i lodhur dhe i drobitur. Krahas përpjekjeve politike e
diplomatike ajo u ndesh me luftëra të pareshtura gjatë vitit 1879-1881 me
ushtritë mercenare të vendeve fqinje sidomos janë të njohura lufta heroike dhe
e armatosur kundër ushtrisë së Knjaz Nikollës për mbrojtjen e Gucisë,
Plavës, Hotit, Grudës, Kelmendit dhe Ulqinit, që Kongresi i
Berlinit dhe Porta e Lartë ia dorëzuan principatës së Malit të
Zi. Ndërkohë ajo u detyrua të bëjë luftë të fuqishme edhe kundër ushtrisë
osmane, e cila në epërsi kryengritjen shqiptare e shtypi në prill të vitit
1881. Pavarësisht nga kjo humbje, Qeveria e përkohshme arriti brenda një
kohe të shkurtër ta merrte tërësisht Kosovën e cila ishte bërë gjatë
viteve të Lidhjes së Prizrenit, një nga vatra kryesore e luftës së
armatosur kundër ushtrisë osmane për realizimin e programit autonomist. Janë të
njohura betejat e përgjakshme të Slivovës, Shtimjes, Duhlës e Suharekës
ku triumfoi heroizmi i pamposhtur i popullit të Kosovës duke u lënë
brezave të ardhshëm një trashëgim të vyer moral dhe duke jua kultivuar
dashurinë për liri e pavarësi.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit u desh të përballet edhe me probleme diplomatike e cila krahas organizimit
të brendshëm duhej të zhvillonte diplomaci të spikatur dhe të gjente aleat e
përkrahje ndërkombëtare për t’i realizuar dy nga objektivat themelore: ruajtjen
e tërësisë territoriale dhe formimin e shtetit autonom shqiptar.
Heroizmi i popullit shqiptar nën udhëheqjen e Lidhjes për
mbrojtjen e tërësisë së Atdheut është e rrënjosur thellë në mendjet dhe
zemrat e gjithë shqiptarëve dhe do të kujtohet brez pas brezi si njëra nga
ngjarjet më të rëndësishme që i dha kahe platformës kombëtare për liri dhe
pavarësi. Padyshim Lidhja Shqiptare e Prizrenit ka qitur ideolog të vyer
të cilët më vonë ishin organizator dhe pjesëmarrës të drejtpërdrejt të aktit
final për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë duke i
ushqyer vazhdimisht shqiptarët gjer në ditët e tanishme me idealet e lirisë dhe
të pavarësisë.
Në programin dhe platformën politike të Lidhjes
Shqiptare të Prizrenit gjinden idetë e themelta dhe pikëpamjet demokratike
të drejtës së pakontestueshme të shqiptarëve në Kosovë dhe më gjerë për
liri dhe mëvetësinë e vendit. Prandaj rikthimi dhe rikujtimi i kësaj ngjarje
dhe i Lëvizjes si Organizatë patriotike, si dhe i ngjarjeve të më
vonshme që i përkasin asaj kohe, kanë një analogji identike me të tashmen e
trazuar të Ballkanit dhe me revoltën dhe mllefin e pa shuar që nuk e
përmban populli i Kosovës deri sa ta realizon pavarësinë e saj.
St. Gallen, 1995.
Marrë nga libri: Sh. Dibrani “VIRTYTE E VISARE”, publicistikë, botoi Shtëpia Botuese “FAIK KONICA”, Prishtinë 2010, faqe 251-256. ISBN 978-9951-06-330-2