| E diele, 09.06.2019, 07:57 PM |
AUTOKRATËT
E SOTËM, I
- Pjesa e parë -
(Nga ligjërimet për të
vërtetën)
Nga
Prend BUZHALA
Paslufta,
vit pas viti, profilizoi edhe një karakter njerëzish, që lirisht mund të quhen
autokratë komunalë apo autokratë partiakë. Në Fjalorin e shqipes kjo fjalë
përkufizohet kështu: "Ai që ka në duart e veta gjithë pushtetin e lartë,
ai që sundon me pushtet të pakufizuar, sundimtar absolut."
1.
A
duhet kërkuar autokratin apo demokratin?
Dhe,
për të qenë demokrat, a thua u dashka me çdo kusht të kërkohet njeriu që ka
autoritet?
Nuk
është po ashtu e habitshme përse ligjet që krijohen, bëhen sipas nevojave që
ato t'iu shërbejnë jo Kosovës, as qytetarëve të saj, por autokratëve politikë e
ekonomikë, sepse shteti është i kapur nga rrjete të tilla ekonomike e politike.
Rrjetëzimi i tyre është funksional për t'iu shërbyer autokratëve të tillë, por
aspak qytetarëve e hallexhinjve. Opinioni publik kontrollohet nga rrjeti i
tillë, ashtu sikundër kontrollohen dhe burimet publike. Qytetarët shohin (ata
që duan të shohin): se si, qoftë edhe një ndihmë minimale për bujqësi (nga
donatorë të jashtëm), përfundon në duart e një autokrati të tillë. Regjimi
autokratik shërben vetëm për ta shkatërruar një vend e jo për ta ndërtuar.
Ndërtimi i ndërtesave të larta, nuk përbën vetvetiu ndërtim, kur ato kanë
uzurpuar sheshe, trotuare, hapësira rekreative për fëmijë, hapësira publike në
shërbim të qytetarëve, duke shkelur çdo plan urbanistik dhe duke dhunuar të
drejtat publike të qytetarëve, thua se ende jetojmë në feudalizëm!
2.
Tashmë
demokracia jonë e brishtë merr edhe tipare të plutokracisë: ku sundojnë të
pasurit; xhepi i pasur financiar i këtyre të pasurve, ndikon edhe në ligjet e
shtetit. Ndryshe nuk do të kishte kaq emra të pasurish si deputetë, apo
përfaqësues familjesh të pasura nëpër institucionet e shtetit.
Autokratët
e vegjël, të kooperativizuar nëpër parti politike, tashmë kanë krijuar
oligarkinë e tyre të sundimit e ku maksimalisht bëhet përpjekje që pushteti dhe
forca e pushtetit të koncentrohet në sa më pak njerëz. Aty vijnë edhe oligarkët
e medieve, oligarkët ekonomiko-fianciarë, oligarkët e pasur të klerit. Të gjithë
pajtohen me njëri-tjetrin, pajtohen edhe kur grinden për parcela pushtetore,
A
janë të mundshme ndryshimet?
Për
deri sa marksistët akuzojnë demokracinë në kapitalizëm që ua lejon vetëm
borgjezisë sundimin, teoricienët e elitës si Gaetano Mosca (vepra “Elementi di
scienza politica”- “Elementet e shkencës politike”) dhe Vilfredo Pareto, në
teoritë e tyre për elitën, theksojnë se elitizmi është veçori e pashmangshme e
jetës shoqërore, për shkak të dallimeve në aftësitë që kanë elitat dhe masat e
gjera. Robert Michels thekson ligjin e betonuar të oligarkisë, sepse çdo
organizatë prodhon domosdoshmërisht oligarkinë, gjithnjë sipas tendencës që
pushteti të përqendrohet te sa më pak njerëz. Prandaj ekzistojnë oligarkitë
politike, ekonomike, ushtarake, klerikale etj.
Shans
për ndryshime është demokracia, si e tillë, ku ushtrohet ndikim i gjithë
qytetarëve përmes përfaqësuesve të zgjedhur në Kuvendin e republikës.
Autokratët
tanë kanë përvetësuar edhe një aftësi tjetër, a të demagogjisë: në dorë i kanë
edhe institucionet e përfaqësimit zgjedhor (për ta zgjedhur veten gjithnjë e
vazhdimisht nëpërmes të ashtuquajturit qytetar) dhe thonë: “ne përfaqësojmë
interesin qytetar, sepse jemi të zgjedhur”, e në fakt përfaqësojnë interesin e
ngushtë autokratik të oligarkive të tyre.
Demagogjia
e tyre është perfide: ata vazhdimisht kandidojnë. Dhe, për t’i bindur të tjerët
se kanë të drejtë, thonë: urdhëroni edhe ju kandidoni!
E
ç’ndodh?
Ndodh
ashtu si parashikojnë oligarkët e autokratët: përzgjedhësit e forumeve tashmë
janë të blerë, shpirtshitur. Shpirtshiturit e dinës se kë duhet ta votojnë:
oligarkun e tyre. Edhe nëse kandidon tjetri, që në fillim ai është i humbur,
sepse rrjeti oligarkik është vendosur: me privilegje partiake e shtetërore, me
punësime nepotiste, me rrjete tenderësh... Kandidatët frikësohen: e përse të
kandidojnë, kur gjithçka flet kundër tij? Shpirtshiturit nuk njohin vlera,
njohin vetëm interesin e ngushtë. Dhe pranojnë të shkelin gjithçka, si
puthadorë.
Dhe,
në skenë: përsëri “i zgjedhuri”.
I
Zgjedhuri i përjetshëm!
Demokracia
pëson abortim!
Pëson
fiasko!
Dështim,
mossukses, dobësim, ligështim.
Institucionet
nuk janë të qëndrueshme.
3.
Fati
i një populli vërtitet në një rreth vicioz, të egër e mizor:
gjithnjë
gjenerohet sipas traditës autokratike të së kaluarës. E njerëzit, si njerëzit:
e kanë të zorshme të mendojnë ndryshe, përpos skemave të së kaluarës. Qytetarët
përqafojnë qëndrimin inert, të plogët.
Autokratët
“e zgjedhur” nuk i kontrollon askush.
Autokratët
“e zgjedhur” shndërrohen në qëllim të vetvetes, sillen rreth vetvetes,
Populli
bën sikur e kupton gjendjen, por ende nuk e ka kuptuar se gjendja e tillë është
vdekje e shuarje e sigurt e tij.
Të
rinjtë, tashmë e dinë: nuk mund të bëjnë asgjë për ta ndryshuar gjendjen. E
vetmja zgjidhje: ikja jashtë!
A
është i ndërgjegjshëm I Zgjedhuri i tillë “me vota demokratike”, tashmë i
shndërruar në autokrat, se çfarë po bën me jetët e të tjerëve?
Njerëzit
e thjeshtë thonë: a ka shpirt udhëheqësi i tillë? E kjo do të thotë: se a e
merr jetën e të tjerëve si detyrë shpirti, dhe të ketë përgjegjësi
përgjithësisht për jetën?
Apo
fare nuk kanë as përgjegjësi e as ndërgjegje?
E
vetmja sakrificë e tyre qenka: ta sakrifikojnë tërë një popull për interesa të
ngushta vetjake.
(Prend Buzhala, 6 maj 2019)
_____________________
Prend BUZHALA:
AUTOKRATËT
E SOTËM, II
- Pjesa e dytë -
(Nga
ligjërimet për të vërtetën)
Nëse
urtia konsiderohet virtyt i një kombi, ky komb e ka për detyrë që urtinë,
mendjen më të lartë, ta bartë në institucione. Domethënë: në to të ketë njerëz
të mençur e të drejtë. Ky është ëndërrim i një kombi për demokracinë, është
dëshira e një kombi për vetveten: që të ketë njerëz të mençur, që janë roje e
jetës së tyre, e mirëqenies së tyre.
E
po qe se këto institucione nuk janë mishërim i kësaj urtie qytetare, as i
mirëqenies qytetare, as i përparimit e zhvillimit, atëherë përse faji i lihet
popullit që ka urti dhe e dëshiron institucionet e qëndrueshme? Se qenka popull
hajvan, shtazë, i pa-mençur?!
1.
Kështu
e konsiderojnë dhe kështu e trajtojnë popullin e tyre autokratët.: si mjet për
interesa të vetat. Qytetari tjetërsohet: shndërrohet në mjet, në qëllim të
autokratit.
Liria
e fituar shndërrohet në pasiguri për ekzistencë, shndërrohet në armë frikësimi.
Shndërrohet në armë të autokratit.
Liria
shndërrohet në një robëri të re.
Dhe,
natyrisht: sundojnë “në emër të popullit”, në emër të demokracisë. Në sy të
qytetarëve paraqiten si model lideri, si shembull udhëheqësi, mbasi janë vetë
qytetarët që e “tolerojnë” shembullin e tillë të papërgjegjësisë. E, në fakt,
stili i tillë i qeverisjes, është stil i autokratit të sëmurë.
Dhe
qytetari i thjeshtë zhytet në mjerimin e vetvetes: zoti ua paska dërguar
vuajtjet në tokë.” Ky qenka fati. Fataliteti! E në shërbim të këtij fataliteti
vihet edhe oligarkia klerikale. Natyrisht, për t’i mbrojtur “të zgjedhurit”
autokratë!
Demosi,
zgjedhësit, tashmë vetëshkatërrohen.
E
mira e përbashkët (Res Publica), për shkak të sjelljeve autokratike e
oligarkike, shkatërrohen.
Demosi,
zgjedhësit, me familje, shtëpi e katandi, dezintegrohen.
Autokratët
tashmë i kanë humbur kriteret për të mirën e përbashkët. Së pari ato i kanë
shkelur, i kanë abuzuar e në fund, i shkatërrojnë, i humbin këto kritere,
sjellin kritere të reja, të pashkruara e që janë në shërbim të tyre.
Dikur,
autokratët e tillë sigurisht shndërrohen në barrë të rëndë mbi qafën e
qytetarit të thjeshtë.
Populli
e di: se a është udhëheqësi i tillë autokrat apo dhelparak, se a është për të
mirën e përbashkët apo për interesa të veçanta oligarkike, autokratike?
2.
Lufta
la plagë të thella, kurse vuajtjet e njerëzve ende i sfilitin ata. E vërteta
është se pushteti zgjidhet "me votë demokratike", por autokratët e
tillë ende krijojnë atmosferë frikësimi dhe mosdurimi. Nëse lufta ka krijuar
plagë përçarjesh mes njerëzve, mes kombeve etj, atëherë ky mosdurim e kjo
përçarje vazhdon "me mjete të tjera." Ndërtimi i një paqeje midis
njerëzve, ende qenka vetëm një ëndërr, misionet e organizatave e individëve për
një shoqëri të ndershme e tolerante, fundosen e bien në ujë. Dëmet materiale të
luftës mbeten të pakompenzueshme, traumat e së kaluarës nuk mënjanohen,
ndërkohë që të mirat materiale përfundojnë në duart e një kaste të tillë
autokratike. Pushteti iu përket vetëm atyre që sundojnë, një pakice, mu si në
sistemet autokratike. Të drejtat politike dhe liria për shumicën, shndërrohen
në instrumente të uzurpimit të tyre.
Do
ta dëgjojmë ndonjë autokrat të vogël (po qe se ka bërë shkelje dhe akuzohet në
gjykatë), kur i çirret edhe një gjykatësi a njeriu të drejtësisë: "Unë ta
kam sjellë lirinë që ti sot je gjykatës... E ku guxon ti të më akuzosh?"
E,
njeriu i vogël, i revoltuar, kur e dëgjon ti, klith i tmerruar e i zhgënjyer:
"Merre edhe këtë liri të pakët, bëj çka të duash me të, shkërdheje si të
duash. Nuk më duhet gjë liria që ti ma dhuron dhe e dhunon... Falë të
qoftë!"
Duke
u përpjekur t'i imitojnë autokratët e së kaluarës, edhe autokratët e vegjël të
kohës sonë përpiqen që ta ndërtojnë Kultin e tyre të Personalitetit (meritat,
meritat,meritat...), por, ç'e do, arrijnë ta ndërtojnë vetëm Antikultin: ky
anti-kult iu shërben si mjet për frikësim: "nuk ke se çka të më
bësh!"
3.
Të
mos harrojmë: ti je i pranueshëm te qytetarët, te masa a te një komb, vetëm po
qe se manifeston cilësi, urti, mendje, e jo me lojëra fati a lojëra olimpike si
dikur te cezarët romakë:
"Ave,
Cæsar, morituri te salutant.... Të përshëndesim, Cezar, jemi ata që do të
vdesim për ty. Ave Cezar! Rroftë Cezari!"
Udhëheqësi
i vërtetë vetëpërmbahet nga lakmia, nga tundimet e nga dobësitë tjera
njerëzore.
Ne
nuk i dëgjuam autokratët tanë të jenë demokratë: unë heq dorë nga kandidimi,
jam përgjegjës për gjendjen e krijuar.
E
pra, autokrati i tillë nuk është në shërbim të të gjithëve, e as të mirës së
përgjithshme.
Autokratit
të tillë do t’i pëlqente të ishte një gjysmëperëndi.
Autokratët
kanë krijuar ligje për ta mbrojtur vetveten e jo popullin.
Autokratëve
e konsiderojnë pengesë njeriun e ditur dhe dijen. Prandaj duan që popullin ta
lënë pa kokë, pra pa udhëheqja dhe pa dije. Duan ta përhapin sa më shumë injorancën...
Autokratët
janë në gjendje që ta drejtojnë demosin (qytetarin) në luftë për interesa të
vetat (nuk ka rëndësi se ku, në luftëra “kombëtare” apo “fetare”, apo të
“mbrojtjes së shtetit” kundër palës tjetër që synon ardhjen në pushtet etj.
Ti
kot hap kuzhina bamirësie, apo kuzhina për darkë (siç bëjnë kishat apo dhe
religjionet tjera, apo në emër të religjionit, firmat e bizneset e pasura për
t’u treguar solidarë).
Përse?
Sepse
populli i thjeshtë nuk dëshiron të ushqehet në kurriz të tjetrit.
As
të jetojë në kurriz të tjetrit, siç veprojnë autokratët parazitë që përhapin
parazitizmin shoqëror.
E
thuhet: kur masa e tillë tashmë vjen në gjendjen e një ekzistence lakuriqe, kur
masa e tillë e njerëzve kënaqet me një darkë solidare falas në kuzhinë, ajo masë
manipulohet lehtë. Ajo masë pranon lehtë për ta dërguar drejt vdekjes: vdekjes
në emër të së shenjtës apo të “kombit” apo “të shtetit”. Për të vdekur për
autokratin e tillë: "Ave, Cæsar, morituri te salutant.... Të përshëndesim,
Cezar, jemi ata që do të vdesim për ty. Ave Cezar! Rroftë Cezari!"
E
çka të bëhet me një popull që më as punën këtu nuk e do?
T’ua
mësyjë kuzhinave të bamirësisë së mëshirës?
Kur
ka kaq papunësi enorme: t’ua mësyjnë drogave a shitjes së drogës, alkoolizmit a
perversioneve tjera?
Darkave
perverse a kuzhinave perverse?!
Nuk
është thënë më kot që kërkohet një rilindje morale, një rilindje shpirtërore.
Rilindjen,
aty ku u ka rend, disiplinë të ndërgjegjshme (e jo prej frikës), rilindje ku ka
rregull.
Ku
shpirti forcohet e jo të futet në kallëpet e shpirtshitjes së autokracisë.
(Prend Buzhala, 7 maj
2019)
____________________
Prend BUZHALA:
AUTOKRATËT
E SOTËM, III
- Pjesa e tretë -
(Nga
ligjërimet për të vërtetën)
Fjala
autokrat rrjedh nga fjalët greke "auto" (vetë) dhe "cratic"
(që nënkupton rregull, sundim). Thuhet se aty ku mungon një opinion publik, aty
ka një truall të përshtatshëm qeverisja autokratike. Edhe një politikan
mongolian, si Tsakhiagiin Elbegdorj (një nga drejtuesit kryesorë të
revolucionit demokratik të Mongolisë të vitit 1990, që i dha fund sundimit
komunist 70 vjeçar të në Mongoli), duke shijaur vlerat e lirisë, thotë:
"Asnjë planifikim i regjimit centralizues, asnjë rregull autokratik dhe asnjë
regjim ushtarak nuk mund të prodhojë atë që njeriu i lirë mund të bëjë."
1.
Ndonëse
ky stil menaxhimi haset në kompani të shumta të botës perëndimore, janë jo pak
ushëheqës ushtarakë, trajnerë sporti të skuadrave të njohura, dhe që vërtet
kanë treguar sukses; prirjet e tilla, megjithatë, janë kritikuar gjithanshëm,
pikërisht për faktin se burimet historike të qeverisjes së tillë, janë tek
tirania dhe diktatorët. Kritikuesit kanë vërejtur: që gjatë periudhave me
stres, udhëheqësit autokratë mund të jenë efektivë, por është vërejtur që
shfaqen abuzime të shumta në punë, ka dekurajim tël ekipit a stafit, dekurajon
komunikimin e hapur ndërmjet udhëheqësve dhe vartësve... Në shtetet e
zhvilluara, sidomos aty ku sundojnë paraja, bankat e mëdha , sidomos korporatat
e mëdha; kundruall një realitetit të tillë , të politikës militariste,
polarizohen varfëria e skajshme (në nivel botëror), urrejtjet mes civilizimeve,
besimeve apo racave.
Leonard
D. Shaeffer ("The Leadership Journey) thekson: "Përfitimet e
udhëheqjes autokratike: udhëheqësit e jashtëzakonshëm miratojnë stilin që i
përshtatet vizionit, sjelljes dhe personalitetit të tyre. Stili i udhëheqjes
autokratike ende funksionon mirë në disa institucione, siç janë ushtria,
prodhimi, restorantet dhe kompanitë me kuotat energjike të shitjeve. Dobësitë e
udhëheqjes autokratike: udhëheqja autokratike nuk është aq e përhapur sa një
herë ka qenë, për disa arsye. Dobësitë e udhëheqjes autokratike: mentorimi si
një stil udhëheqës, i popullarizuar në mesin e mijëvjeçarëve që në përgjithësi
çoi në drejtues autoritarë. Stilet e udhëheqjes demokratike: janë laissez-faire
dhe transformuese që përfshijnë shumë nivele të vendimmarrësve..."
Në
vendet me demokraci të brishtë, nuk është e rastit përse ende riciklohen elitat
që ndjekin një oushtet autokratik dhe të centralizuar, për të vënë kontroll mbi
ekonominë dhe shoqërinë. Regjimet e tilla janë të kalbura së brendshmi, janë të
frikshme, autoritare, tejet të këqija, sado që në dukje të jashtme duken
imponuese. Janë regjime të korruptuara autokratike. Sundimi i tillë e mbyt
shprehjen e lirë, sidomos frymën krijuese. Prandaj, nuk është e habitshme përse
në botën e zhvilluar shfaqen kaq shumë lëvizje kundruall qendrave të
centralizuara, autokratike...
2.
Auotokratizmi
është e drejta e më të fortit mbi tjetrin që është i pambështetje dhe i dobët.
Ngjet si në xhungël, ku tigrat e luanët sundojnë mbi shtazët tjera. Prandaj
shfaqen kryengritjet e shpirtit njerëzor, kundërshtimet, protestat e format
tjera të pakënaqësisë kundruall një regjimi autokratik, apo kundruall një
padrejtësie, shkeljeje të rëndë etj. Të tjerët, në kërkim "të qetësisë e
harmonisë","Dorën e fortë" totalitare, s'ka rëndësi se çfarë
është ajo dorë, le të jetë me trashëgimi komuniste apo monarkiste.
Një
autor indas, Amit Kalantri, shprehet: "Në një demokraci do të ketë më
shumë ankesa, por më pak kriza, në një diktaturë më shumë heshtje, por shumë më
tepër vuajtje". Lirinë e gëzojnë të gjithë dhe e ushtrojnë të gjithë.
Njerëzit
duan të jenë të lirë, t'i gëzojnë liritë politike, sociale dhe civile. Në liri
njerëzit shprehin vullnetin e tyre të lirë, shprehin prirjet e tyre për të bërë
zgjedhjen midis dy a më shumë alternativave.
3.
Fatkeqësisht,
në shoqërinë tonë, ende individët janë të detyruar t'iu nënshtrohen doktrinave fetare,
etike apo ideologjike, nën trysninë e një mendësie të vendosur që moti në
raportet familjare, shoqërore, shkollore apo njerëzore. Prindi autoritar,
kleriku autoritar dhe mësuesi autoritar në shkollë a universitet,... ende
konsiderohen si një zot i vogël në tokë. Autoritarizmi dhe respekti i
ndërsjellë, kanë dallime. Autoritaritzmi familjar, shkollor apo fetar, nuk merr
parasysh kërkesat e fëmijës, nxënësit, studentit apo të besimtarit, as mendimet
e tyre, as dëshirat e tyre: fjala e tyre autoritare, është përfundimtare, e
paprekshme. Harrojnë se ata janë vetëm udhëheqës që marrin pjesë në gëzimet e
dëshpërimet e nxënësve, fëmijës së tyre apo të besimtarit të tyre. Kleriku
autoritar, mësuesi autoritar apo prindi autoritar, duke harruar se duhet ta marrin
për dore fëmijën, nxënësin apo besimtarin, për ta drejtuar në jetë a në punë të
tjera, ata duna kontroll të pakufishëm mbi vartësit e familjes, shkollës apo të
institucionit fetar; ata kanë rregullat e tyre të ngurta, deri te stigmatizimi
i të pafuqishmit, nuk pranojnë as kritika e as këshilla, duan kontroll
autoritar e absolut. Vendimet merren vetë dhe i diktojnë të gjitha metodat e
punës a të jetës. Janë të ngurtë në veprimet e mendimet e tyre. Pretendimet se
e forcojnë moralin, bien në ujë, mbasi sjellja autoritare nxit pakënaqësi,
sepse dëmtohen zgjidhjet kreative, mbasi vetë nuk kanë kreacion e as zgjidhje
kreative ndaj kërkesave apo problemeve. Prindi autoritar, mësuesi autoritar dhe
kleriku autoritar, e dëmtojnë suksesin dhe ecjen në jetë të fëmijës, nxënësit,
studentit apo besimtarit. Kur nuk merren parasysh as shqetësimet e vartësve, as
kërkesat e tyre, atëherë kësisoj dhunohet personaliteti i tyre i lirë.
Prandaj
liria ka rregullat e veta kreative, përgjegjësinë e vet dhe ushtrimin e vet.
(Prend Buzhala, 8 maj 2019)