Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sevdail Hyseni: Kuvendi i grave

| E diele, 09.06.2019, 05:21 PM |


Mozaik humoristik

KUVENDI  I  GRAVE

I rrëshqet buza në gaz

Sytë e zezë mbush’ maraz

Kur e pyetën përse qesh

Me gjithë zemër çuar peshë

- Tha se burrin s’e ka burrë

As në ëndërr s’e sheh kurrë

Mirëpo, hallin ku e ke

I thotë Sala nuses s’re

Thua se burrin s’e ke burrë

As në ëndërr s’e sheh kurrë

Po a di Ti moj fisnike

Një fjalë t’urtë aq simpatike

Pse në popull thuhet pra

- Burri është për shtatë gra

E ti ngrihesh kritikon

Gjuhën brisk e praktikon

Rri ulur e s’punon fare

Burri yt moj burrë me halle

E ndan rrogën me mijë grima

Si t’i mbushë gjithë ato vrima

Me ngadalë tha zonja Hyrë

Merrni gjërat me të mirë

Duhet t’jeni shumë krenare

Sekëlldi t’mos keni fare

Vërtet burrin s’e ke n’shtëpi

Po t’punon në Gjermani

Zërin ngriti vithetrasha

Tha ku rafsha mos u vrafsha

Pse t’mërzitem për hiçgjë

Unë për shembull nuk e zë

Aspak burrë atë njeri

Që pa lidhje rri n’shtëpi

Burri është mik n’shtëpi

Pse mungon s’është çudi

Kasavetet zonja Suza

Si purtekë i dridhet buza

Mall e kam burrin në shtrat

Por kam shtëpi në katër kat

Flet me naze zonja Beti

S’e le t’ftohet muhabeti

Qiraxhinjtë t’mos ishin fare

Na zënë hallet për idare

Kukuriset zonja Sime

E kam burrin në studime

Dhe të shkretit tim burrë

Libër n’dorë s’i shoh kurrë

Flet ndër buzë zonja Maja

E dalldisur nga sefaja

S’di mosha është në pyetje

Apo kriza është në rritje

I ngarkuar gjithë me punë

Kurse unë s’mërzitem shumë

Sa për qejfe e argëtime

Del diçka dhe n’lagjen time

Burri im bën politikë

E dredh zërin zonja Mrikë

Gjithë shoqëria i rri rrotull

Ditë e natë punon për popull

Nuk ka kohë moj zonja Zizë

T’i kryejë punët e shtëpisë

E di mirë për çfarë detyra

Kemi nevojë zonja Lyra

Burrit tim shef i thonë

Nis bisedën si gjithmonë

Zonja Tule rrumbullake

Me një pamje qesharake

Por n’shtëpi nuk është çudi

Unë jam shef e jo Ai

I vazhdojnë llafet gratë

Deri vonë në mesnatë

Për ta nxjerrë pyetjen n’shesh

Me tamam siç thuhet shpesh

Pse edhe gratë e thonë pra

Burri është për shtatë gra!

Qesh e shkundet një buzellkë

I shtrin krahët si lejlek

Burrit kurrë s’ja bëjë hallall

Gruaja është për një mëhallë !!!

Sevdail Hyseni