E premte, 23.08.2019, 07:59 AM (GMT+1)

Kulturë » Kozeta

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora

E diele, 09.06.2019, 08:47 AM


Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora

Nga Kozeta Zylo

Manhattani çdo vit vishet kuq e zi nga shqiptarët e Diasporës të organizuar nga “Rrënjët Shqiptare” me president z.Marko Kepi si dhe stafin e tij si Nik Beqaj zv/president, Besmir Buranaj Hoxha etj.

Manhattani një herë në vit mirëpret gjithë shqiptarët për të vërshuar në rrugën kryesore “Amerika”, 6 Avenue, për Paradën Internacionale që organizohet për emigrantët e të gjitha kombësive.

Mijëra shqiptarë me simbolet kombëtare, flamujt kuq e zi, me veshjet tradicionale dhe elegante të grave dhe burrave morën pjesë në një manifestim madhështor në Manhattan. Çdo Paradë shqiptare i është kushtuar një kauze të rëndësishme kombëtare, sivjet i kushtohej Çamërisë martire, genocidit grek me në krye gjeneralin famëkeq Napoleon Zerva të cilët dëbuan me dhunë, vranë, masakruan, përdhunuan qindra gra, vajza dhe fëmijë nga tokat shqiptare çame. Sot Çamëria ndodhet nën Greqinë dhe është mohuar me dhunë historia martire çame.

Marshalli i Paradës ishte gazetari i shquar Marin Mema I cili ka dhënë nje kontribut tejet të vyer për historinë kombëtare. Presidenti i ogranizatës “Rrënjët Shqiptare” z.Marko Kepi e prezantoi me plot respekt dhe dashuri dhe midis të tjerash tha se gazetari Mema është non grata në Greqi dhe Serbi, ngase emisionet e tij dokumentare zbulojnë të vërtetën e hidhur historike rreth historisë së shqiptarëve në Çamëri dhe Kosovë.

Gazetari Marin Mema u mirëprit me entuziazëm, oratoria e tij dhe mesazhi ishte i qartë të qëndrojmë të bashkuar, të luftojmë për tokat tona, të njihet historia e mohuar si historia çame për të cilën dhe jemi mbledhur sot këtu në zemër të Amerikës në Manhattan…

Me duartrokijte u mirëpritën në skenë z.Sali Bollati që ishte njëkohësisht dhe marshall nderi si dhe i lindur dhe rritur në Çamëri. Z.Bollati është një avokat i denjë i çështjes çame dhe tërë jetën e tij ka luftuar që kurrë historia të mos I harrojë krimet çnjerëzore qëu ushtruan në familjen e tij si dhe në gjithë Camërinë. Sali Bollati që 7 vjeç pa me sytë e tij krimet çnjerëzore, masakrat brutale duke dëbuar me dhunë mijëra çamë, banorë të Çamërisë, nga shtëpitë e tyre ku kishin jetuar me shekuj dhe i nxorrën jashtë kufirit mbasi u kishin rrëmbyer tokat dhe pasuritë. Të vrarët të gjakosurit, ishin fëmijë dhe pleq.

Oratorët kryesorë ishin si ish kongresisti amerikan, Arbëreshi Joe Di Guardi, burri që tronditi Hitlerin e Ballkanit Sllobodan Milloshevicin, Miss Nju Jorku Florinda Kajtazi, znj.Nazo Veliu me origjinë çame dhe sekretare e organizatës Pan Shqiptare “Vatra”, Ilir Ademi Kryetar I Organizates “Çamëria” Amerikë etj…

U falënderuan donatorët për organizimin e Paradës, por ajo që do të më ngelet në mendje ishte donacioni i prof.Sami Repishtit, shqiptari që u persekutua në diktature dhe arriti të jetë në Amerike elita intelektuale, donacioni i Tij nuk ishte mijëra dollarë ishte vetem 20 dollar, por mesazhi i Tij ishte për çështjen kombëtare, atë 20 dollar Rrënjët Shqiptare do ta ruajnë përgjithmonë në arshivën e tyre. Biznesmeni dhe burri patriot Bruno Selimaj u falënderua si donator, ai nuk mbajti fjalim me fjalë të mëdha, por i foli shpirti dhe zemra duke thënë se: Unë nuk flas me fjalë të bukura, nuk jam orator, por aman Atdheun e dua shumë…

Presidenti Marko Kepi falënderoi z.Sevdai Kastrati për gazetën “Zëri i Çamërisë” si dhe shpërndau tek shqiptarët Hartën Etnike të Kombit, sensibilizim për gjithë Shqiptarët anë e mbanë botës se: Bashkimi i Kombit do të realizohet së shpejti…

Programin e aktiviteteve e drejtoi artisti i shquar Frederik Ndoci. Në këtë paradë disa grupe valltarësh të veshur me kostumet tradicionale kërcyen valle çame dhe nga trevat shqiptare të cilët ishin përgatitur nga Angjelina Nika. Valentina Veizaj që po rritet në paradë këndoi këngë shqiptare dhe u mirëprit me duartrokitje. Grupi cheerleader kuq e zi ishte pergatitur nga znj.Aferdita Delaj.

Në këtë paradë morën pjesë disa organizata shqiptaro-amerikane si organizata më e vjetër shqiptare Vatra me kryetar te saj z.Dritan Mishto. Në makinën e tyre sivjet ishin nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life”, të cilët për më shumë se një muaj rresht u pëgatitën me projekte për Çamërinë, ndërkohë u bë mësim i hapur rreth historisë së Çamërisë, në të cilën nderoi me pjesëmarrjen e tij gazetari i shquar, marshall i Paradës Marin Mema.

Gjithashtu në këtë paradë morën pjesë shoqatat shqiptaro amerikane si: “Skenderbej”, “Ana e Malit”, “Plavë e Gucia”, “Kraja”, “Dibra”, “Albanian Youth Center”, “Bijtë e Shqipes”, “Albanian Excellence” etj, personalitete të larta, grupe shqiptarësh, familje të ndryshme të cilët me plot entuziazëm përcollën oratorët me fjalimet e tyre si dhe parakaluan përgjatë bulevardit “Amerika” me plot krenari dhe dashuri për Kombin.

Manhattani u ndez kuq e zi, flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjet Shqiptare dhe gjithë shqiptarët e Diasporës.

Së shpejti TV “Alba Life” do të transmetojë aktivitetin në kanalet televizive.

Autorja është shkrimtare, publiciste, gazetare për TV “Alba Life”, mësuese dhe themeluese e Shkollave Shqipe në New York

Qershor, 2019

Manhattan, New York



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT