E enjte, 19.09.2019, 07:42 AM (GMT+1)

Kulturë

Mustafë Ismaili: Muharrem Xhaferi - Shpella e qoftëlargut

E enjte, 06.06.2019, 06:45 PM


Konsideratë për autorin e romanit “SHPELLA  E  QOFTËLARGUT”

Nga Prof. Mustafë Ismaili

Krijuesi ynë, Muharrem Xhaferi autori i katër veprave ne prozë, publikut lexues i paraqitet me një libër të ri me romanin, “SHPELLA E QOFTËLARGUT”.

Gjatë krijimit pra duhen edhe përpjekje të mëdha. Duhet të jemi aty me vëmendjen e ngjarjes. Atje ku ka konflikte dhe sherre është ndjenja e urrejtjes, armiqësisë dhe hakmarrjes, atje është qoftëlargu.

Ky është mendimi im që Muharrem Xhaferi e ka sjell në romanin e tij “SHPELLA E QOFTËLARGUT”.

Mitologjia shqiptare është një mitologji popullore dhe pagane e cila është pak e studiuar dhe për këtë arsye nuk ka një kodifikim të qartë se cilat janë me vlerë të plotë e cilat me gjysmë vlerë. Muharrem Xhaferi ja ka dal mbarë duke e përdorur edhe mitologjinë në fillim të romanit saqë realizon mirë në kaptinat e mëvonshme duke e ushqyer me tradita dhe morale të çështjes kombëtare. Me rrëfimin e tij narrative ai i tregon ngjarjet aq bindëse duke e marr me vete lexuesin që nuk i ndalet librit deri sa ta mbaroj, sepse ai është i zhytur në  brendësinë e faqeve të librit deri sa e lexon CD faqe me vëmendje. Ai, lexuesit i ofron një qasje krejt tjetër të krijimtarisë sonë letrare që aq mirë i gdhendi me penë dhe e veshi mjaft mirë artistikisht. Më tej, në romanin “SHPELLA E QOFTËLARGUT” shkrimtari hyn në thelbin e krijimtarisë së mirëfilltë artistike e gdhendur për mrekulli që i afrohet aq me çiltërsi e përkushtim.

Duke lexuar librin “SHPELLA E QOFTËLARGUT”, lexuesi krijon përshtypjen se është një libër i mirë e praktik, dhe kur e lexon sërish edhe më i mirë. Dhe gjithë kjo mendoj unë, ngjanë ngase autori nuk provon të jetë i pakuptimtë. Ai i zgjedh shprehjet dhe formulimet e kuptueshme. Nuk shkruan vetëm për të kënaqur shijen e tij. Shkruan për lexuesin dhe i analizon motivet, idenë, tematikën… I bën vështrim gjuhës së zgjedhur, simbolikës, metaforës, harmonisë krijuese.

Muharrem Xhaferi me mjeshtëri e vë kontaktin mes lexuesit, trajton me mjeshtri aspektin e temës që veçmas i kushton kujdes edukatës atdhetare dhe aspektit të anës sociale duke gjetur arsyen. Xhaferi provon nga ana tjetër me sukses t’i ikë fenomenit lodhje tek lexuesi.

Libri “SHPELLA E QOFTËLARGUT” është njëmend në krijimtarinë tonë letrare edhe një histori, edhe një dëshmi gjurmësh, dëshmim kapitali krijues e kombëtar që me kujdes radhitet në kompozicionin serioz të veprës letrare shqipe. Ky libër paraqet pra, një interes të veçantë në fushën e studimeve përmes simbolit, metaforës, figurës së zgjedhur dhe porosisë… Me këtë libër pra, shkrimtari ofron dëshmim serioz para lexuesit dhe adhuruesve te krijimtarisë letrare i cili gjithsesi paraqet pasurim praktik dhe si i tillë është më i kapshëm për ata që u dedikohet. Është një udhëzues në shijimin e vlerave të mirëfillta krijuese.

Xhaferi erdhi në letërsinë shqipe, në një moment, kur tradita letrare paraqitej e konsoliduar dhe e bollshme me modele, me një larmi stilesh krijuese, si dhe përplasje produktive të prirjeve estetike. Kjo letërsi karakterizohej me krijime të cilat mbartnin element të romantizmit, sentimentalizmit të vonuar, diku madje edhe elementë të klasicizmit, simbolizmit, si dhe një prirje të dukshme të konsoliduar drejt stilit realist.

Ndonëse shkrimtari e dinte që vepra e tij nuk do te  botohej në ato rrethana që dihen. Mendoj se Muharrem Xhaferi vazhdoi të shkruante një numër veprash letrare ne dorëshkrime, një pjesë e madhe e të cilave do të botoheshin kur të vinte dita. Specifika e diferencës së madhe mes kohës së shkrimit dhe kohës së botimit e perceptimit, e bëjnë procesin e tij krijues të veçantë dhe interesant. Në çastin kur shkruhet një vepër, lexuesi është i imagjinuar.

Xhaferi gjatë procesit të rrëfimit, mund të ketë imagjinuar një lexues për veprën e tij dhe mendoj se e ka mbajtur në vete këtë  bagazh ndjenjash deri sa dolën në dritë veprat e tij. Ai iu është përmbajtur durimit dhe ndërgjegjes  së tij prej krijuesi.

Rruga e krijimtarisë së Xhaferiti ngjan një kalvari të vërtetë periodikë që tregojnë qartë shenjat e gjenialitetit të shfaqura që në rinin e tij. Por ajo u arrit të bëhej vepër letrare kohë kur botoi librin monografik “Picari Im” pastaj nuk rreshti së botuari me veprën “Të vërteta mbi Ballin Kombëtar” rrëfim linear, shumëplanësh. Mund të bindeni që vepra është shkruar vërtet në atë kohë kur ka qenë e ndaluar të shkruhej ndoshta. Të gjitha këto të bëjnë të vësh pikëpyetje për njëkohësinë e shkrimit të këtyre veprave pasi mund të shihet fare mirë si produkt i zhvillimit të mëtejshëm dhe të jo natyrshëm të traditës paraprijëse.

Ky roman shfaq shenja të drejtimit të romantizmit me figura ideale, por kryesisht është një vepër realiste. Të vazhduarit e të shfaqurit të tipareve romantike, krahas atyre realiste, ishte edhe një vazhdim i bashkëjetesës së shfaqjeve letrare, tipike për periudhën para realizmit të ashtuquajtur socialist.

Romani si zhanër shfaqet në një numër të madh formash letrare. Shumësia e formave të romanit vërehet qartësisht në krijimtarinë e Xhaferit që ofron një seri të cilat dëshmojnë diversitet mospajtimesh e formash të ligjërimit, një shumëllojshmëri formash të ndjenjës rrëfimore, të cilat e bëjnë të shfaqet ndryshe nga njëri te tjetri. Gjuha e tillë arrin që nëpërmjet  vendosjes së të kundërtave, të ofrojë kthjelltësi më të madhe, se faqe të tëra të shkruara për fatet e njerëzve në të, si të atyre që janë viktima dhe të atyre që janë krijues viktimash. Në krijimtarinë e tij vihet re dukshëm, transformimet e diskurseve letrare që është ndërtuar si ndjekje e rrjedhës jetësore të personazheve që në një vepër letrare e përcakton ekzistencën e saj pikërisht në momentin kur i jepet mundësia për perceptim. Nga një kohë në tjetrën, Xhaferi kërkon të tregojë përmes një Qoftëlargu ku lexuesi përballet me  një dramë të një lloj tjetër në letërsinë shqipe, e cila s’është asgjë tjetër, veçse zgjimi i njeriut nga letargjia banale e së përditshmes, e jetës së tij të kufizuar. Duke u nisur jo vetëm për nga dallueshmëria me traditën shqiptare, ky autor në kushte të lirisë krijuese, edhe në veprat e shkruara në këtë periudhë, vazhdon të kultivojë një model të shkrimit me stilin e tij.

Duke përfunduar, mund të themi se, të gjitha veprat e Xhaferit duket se trajtojnë variante të ndryshme të së njëjtës temë; tema e lirisë si  forma e vetme e ekzistencës së humanitetit dhe përballja e saj me të gjitha format e mohimit, deformimit, rrezikut të zhdukjes, qoftë kur rreziku është jashtë nacionalitetit tënd, kur rreziku i humbjes së lirisë tënde vjen nga jashtë kombit, qoftë kur vjen si kërcënim nga brenda, kur vjen nga ata që flasin te njëjtën gjuhë, ndajnë të njëjtën hapësirë.

Xhaferi sjell në letërsinë shqipe një krijimtari e cila ruan shenjat e qarta të traditës shqiptare, por duke arritur te krijojë një letërsi të mirëfilltë krejtësisht origjinale e shpesh duke krijuar modele të reja. Ai i komunikon lexuesit vlera të qenësishme, me intensitet të lart emocional. Nga studimet e bëra, mbi specifikat dhe vlerat që paraqet krijimtaria e botuar e Xhaferit, rezulton se ky shkrimtar është një zë i veçantë, origjinal në letërsinë shqipe. Ai tashmë është pjesë e padiskutueshme e traditës më të mirë letrare në shqip. Në këtë libër, si edhe në të tjerë libra të Muharrem Xhaferit, ajo që lidh dhe bashkon, që i jep librit dritë të veçantë dhe e bën frymëzues, është vendlindja – Shqipëria, Gjirokastra, Picari i tij i lindjes, që po shërojnë përditë plagët e rënda që shkaktoi gjenocidi i egër.

“Shpella e qoftëlargut” të M. Xhaferit, krijon përshtypjen e një filmi me larmi episodesh, me shumëllojshmëri ngjyrash, me stile, tematike dhe këndvështrime origjinale të jetës, të cilat i lidh si një fill i artë dashuria dhe nderimi për kombin, dëshira për t’i shërbyer dhe për t’iu gjendur atij pranë. Aty enden një numër personazhesh që vetëm japin e ndihmojnë njëri-tjetrin në fshatin malor, kultivimin  dhe ruajtjen e bagëtive dhe ndërtimin e lagjes së re.

Duke provuar të mbyllë mendimet e mia, vura veten në meditime rreth artikujve të këtij libri me përmbajtje të thellë, me vlera të mëdha atdhetare e letrare, por edhe të shkruara me një gjuhë të thjesht, me bukuri e hijeshi, me kompetencë dhe profesionalizëm. Libri zbukuron dhe u jep vlera bibliotekave. Por, mbi të gjitha, me ndjenjat, mendimet dhe emocionet, ai përcjell dhe frymëzon te lexuesi më shumë dashuri për atdheun dhe kombin me respekt dhe nderim për vlerat e shumëfishta. Pra, ja vlen ta kemi në bibliotekat tona familjare dhe ta shfletojmë herë pas here.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT