E marte, 19.03.2024, 03:40 AM (GMT)

Udhëpërshkrim

Ndue Lazri: Atdheu fillon tek gjuha

E enjte, 06.06.2019, 07:27 PM


ATDHEU FILLON TEK GJUHA

-Nga konkursi i Diturisë mes shkollave shqipe të Italisë në Asti-

NGA NDUE LAZRI

Jo rastësisht drejtuesit e shoqatës “AssoAlbania” dhe shkolla shqipe “Udha e shkronjave” në Asti e kanë zgjedhur jo thjeshtë si sllogan, por si credo të punës së tyre thënien: “Atdheu fillon tek gjuha”. Dihet që jo rrallë përgjatë historisë parimi i gjuhës së folur është përdorur edhe për caktimin e kufinjve të shteteve të ndryshme. Por në rastin konkret, komuniteti shqiptar i Astit në Piemonte të Italisë, nga më të gjallët e më aktivët në diasporë, e shtrin këtë koncept në kuptimin bashkëkohor, për të ruajtur lidhjet me Atdheun, me gjuhën, traditat e kuturën kombëtare.

Atdheu fillon tek gjuha. Të gjithëve ne emigrantëve na mungon Atdheu, ndiejmë mallin për tokën mëmë, për këngën e vallen shqipe, për një drekë apo darkë shqiptarçe ku në krye të vendit janë bujaria e mikpritja. E mjeti i parë për ta shprehur këtë është gjuha, që shpesh herë pasohet edhe nga ndonjë pikë lot malli.

Atdheu fillon tek gjuha. Kanë mbi 500 vjet që e ndiejnë këtë arbëreshët, të cilët kanë bërë një punë titanike për mbi 5 shekuj për të ruajtur gjuhën e të parëve, kostumet, vallet, zakonet e traditat, flamurin e emrin e Gjergj Kastriotit si simbole kombëtare, si copëz e Atdheut edhe në tokë të huaj.

Atdheu fillon tek gjuha. Ka disa vite që e kanë ndjerë këtë shumë e shumë shoqata në emigracion, të cilat kanë hapur shkolla në gjuhën shqipe, me qëllim që fëmijët e lindur jashtë Shqipërisë të mos e humbin gjuhën shqipe, por ta kultivojnë atë, bashkë me historinë, gjeografinë, kulturën, e traditat. Vetëm vitet e fundit janë hapur rreth 50 shkolla në Itali me rreth 1000 nxënës.

Atdheu fillon tek gjuha. Në një moment gjatë aktivitetit u afruan dy fëmijë me ngjyrë të një etnie tjetër. Ata mbanin një shportë të madhe e të bukur me lule, dhuratë për moshatarët e tyre shqiptarë. Përshëndetën në italisht dhe shprehën dëshirën që edhe ata të kishin njjë ditë në Itali shkollën në gjuhën e tyre. Që të mos ndiheshin pa atdhe, ose të paktën jo aq larg Atdheut të tyre.

Shprehje e kësaj pune të madhe që bëhet nga mësues, prindër, por edhe nga vetë fëmijët, ishte edhe Konkursi i Diturisë midis përfaqësuesve të shkollave shqipe të Italisë, organizuar në Asti nga Ministria e Arsimit e Kosovës dhe Lidhja e Mësuesve Shqiptarë në Itali, në bashkëpunim me shkollën “Udha e Shkronjave” të këtij qyteti të bukur piemontez.

Pse pikërisht në Asti, në këtë skaj verior, që do i bënte përfaqësuesit e shkollave të tjera të udhëtonin me qindra kilometra për të arritur deri këtu?

Ata që i bënë këto qindra kilometra nuk e shtruan asnjëherë këtë pyetje, por u nisën me dëshirë, sepse e dinin që Asti, komuniteti shqiptar dhe shkolla shqipe e tij e meritonin organizimin e këtij evenimenti të rëndësishëm e domethënës. E meritonin sepse komuniteti shqiptar në këtë zonë ka ditur ta gjejë forcën e vet tek bashkimi. Ne shqiptarët jemi pak të vështirë kur ndeshim përballë fjalën bashkim, kurse ata e kanë bërë një realitet që shihet çdo ditë dhe që i ka sjellë shumë të mira këtij komuniteti. Mjafton të përmendim faktin që është komuniteti i parë që ka bashkuar forcat fizike, shpirtërore e ekonomike për të ndërtuar qendrën e parë kulturore, që do të inaugurohet në shtator me një megakoncert, me pjesëmarrje të gjerë nga e gjithë diaspora shqiptare. Emocionohesh kur shikon që për atë ditë feste në pragvjeshte kanë dhënë konfirmimin për pjesëmarrje jo vetëm personalitete të mëdha të artit e kulturës shqiptare, por edhe shkolla shqipe si ajo e Patras në Greqi, shoqata kulturore shqiptare “Bijtë e shqipes” e Filadelfias në Amerikë, intelektualë nga Anglia, Suedia,Amerika, Kanadaja, poetë, gazetarë e shkrimtarë etj. Për dy ditë Asti do të bëhet kryeqytet i kulturës shqiptare. Një fakt tjetër është se para dy vitesh, mjaftoi një thirrje e shoqatës “AssoAlbania” për regjistrimin e fëmijëve në shkollën shqipe “Udha e Shkronjave” dhe që në ditën e parë u regjistruan 70 nxënës. E në pak kohë nxënësit e mësuesit e kësaj shkolle atë udhë e kanë bërë një autostradë të vërtetë të dijes.Do të sjell edhe një fakt tjetër, mbase të vogël në dukje, por jo më pak domethënës. Duke komentuar shkrimin e drejtorit të shkollës, Hasan Bulçari, aktivisti i palodhur Artan Sadikaj, përmend emrat e 34 familjeve shqiptare në Asti që kontribuan në të gjitha drejtimet për organizimin e këtij aktiviteti. Të presësh në një ditë mbi 450 vetë, ndër të cilët 160 fëmijë, nuk është aspak e lehtë. Por falë organizimit e përkushtimit të tyre gjithçka shkoi mirë. Mjafton të kujtosh që nga duart e amvisave shqiptare të Astit ishin përgatitur specialitete shumë të mira të kuzhinës për tërë këta mysafirë. Dhe ishin përgatitur aq shumë, sa pasi hëngrën 450 vetë, mbetën për të ngrënë të paktën edhe nja 200 të tjerë. Nuk ke si të mos ndjesh krenari e mirënjohje për këta bashkatdhetarë, që dinë të jenë kaq të bashkuar.

Në fakt udhëtimi drejt Astit kishte nisur me kohë, kishte nisur në klasat e shkollave shqipe, ku ishin përzgjedhur nxënësit më të mirë që do të përfaqësonin shkollat e tyre në këtë konkurs, kishte nisur tek mësuesit e drejtuesit e shoqatave, por edhe tek prindërit që jetonin me emocionet e fëmijëve e do i shoqëronin ata në konkurs. Kësisoj me datë 2 qershor, autobuzët me nxënës, mësues e prindër, u nisën që nga Perugia e Fermo poshtë Anconës, Macerata e Fermignano, Reggio Emila e Parma, Padova e Treviso, Belluno, Trentino e La Spezia. Atë ditë ishte festa e Republikës Italiane. Por në autobuzët me nxënës valëviteshin flamuri italian e ai shqiptar, sepse pjesëmarrësit e konkursit e ndjenin si festë të dyfishtë. Këtë do ta shprehnin edhe kur të gjithë sëbashku e bënë sallën e pallatit të sportit në Asti të buçiste nga himnet kombëtare të dy vendeve.

Pata kënaqësinë të udhëtoj me autobuzin ku ishin përfaqësuesit e shkollës “Shqiponja” të Reggio Emilias dhe “shkollës “Scanderbeg” të Parmës. Në autobuz janë edhe përfaqësues të Forum Donne Independenti dhe yjet e vegjël të grupit “Mille stelle”. Drejtori i shkollës “Scanderbeg”, i mirënjohuri Durim Lika, që është tashmë një personalitet i spikatur në diasporë, i mbledh nxënësit rreth vetes dhe mes emocionesh rikalojnë njohuritë historike e gjeografike nga Shqipëria e Kosova. Pastaj, Valbona, Kimetja, Shqiponja, Esmerina etj.nën tingujt e këngëve të bukura shqiptare, vallëzojnë në koridorin e ngushtë të autobuzit, duke e bërë të gëzueshme atmosferën. Me miqtë e mi të shoqatës “Shqiponja”, presidentin Haki Maze e imprenditorin e suksesshem Klodian Cami, bisedojmë për aktivitetin e ardhshëm që do të zhvillohet në Reggio Emilia kushtuar përvjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Aktiviteti filloi me një koncert përshëndetës organizuar nga shkolla mikpritëse, “Udha e Shkronjave” e Astit. Drejtori i shkollës, i pasionuari dhe i palodhuri Hasan Bulçari, është edhe drejtues i programit. Entuziazmi i tij i rrëmben të pranishmit. Ai është poet në shpirt dhe me fjalët e zgjedhura në tekstin prezantues i prek të pranishmit në sallë. Idea për ta hapur koncertin me një numër koreografik të përgatitur në çast me 160 nxënësit konkurues, të veshur me ngjyra e kostume të ndryshme, ishte e mrekullueshme. Për një çast, parketi i pallatit të sportit u shndërrua në një tapet shumëngjyrësh në harmoninë e lëvizjeve të vogëlushëve. Mund të thuhet pa hezitim se Hasani dhe mësuesit e shkollës Mimoza Mustafa,Lindita Farruku, Vilma Gjoni, Esonela Zekthi, Edmonda Cepa, Natasha Koçi, Eva Kërçuku, Taulant Hysaj, koreografja Irina Syceva dhe Elida Pistulli kishin bërë një punë kolosale për të ndërtuar në pak kohë një program madhështor, ku përfaqësoheshin të gjitha grupmoshat e nxënësve, por edhe të gjitha krahinat e Shqipërisë dhe Kosova. Poezitë e recituara, këngët e kënduara, vallet e bukura, numurat mjeshtërorë të baletit, meloditë me instrumente folklorike, ishin përbërës të një koncerti dinjitoz që dëshmonte rëndësinë e këtij aktiviteti me vlera kombëtare. Kristian Zefi e Anton Lala, me kostumet malësore të burrave, duken si dy kreshnikë kur përqafohen në skenë dhe këndojnë bashkë apo shoqërojnë këngëtaren Lindita Farruku, grupi i djemve me instrumentet folklorike e veshjet kombëtare duket si i dalë nga baladat popullore, grupi lab me fustanellat legjendare interpreton në mënyrë të përkryer vallen e jugut. Pastaj del në skenë mjellma e Astit, balerina Sara Mustafa, e cila interpreton magjishëm numura të baletit klasik. Pjesë e koncertit bëhen edhe imprenditori i mirënjohur i kësaj zone, Gjon Mëlyshi i cili i bie çiftelisë dhe këngëtari mirditor Kastriot Kola. E në mbyllje ushton kënga “Për ty Atdhe” e kënduar nga Artan Lika. Publiku, që mbush shkallët e pallatit të sportit, nuk i kursen duartrokitjet. Është një koncert që do të mbahet mend gjatë nga gjithë të pranishmit. Jo më kot ai hapej me një këngë që shoqëronte koreografinë e 160 nxënësve “Unë isha aty”. Sepse jo vetëm nxënësit, por secili nga të pranishmit në këtë konkurs të parë të diturisë, do të thotë me krenari “unë isha aty”, siç thuhet për evenimente të rëndësishme që mbeten në kohë. Ai do të pasohet nga të tjerë e në qytete të tjera, por hapi i parë i hedhur në Asti është si një gur themeli.

Koncerti vazhdon me përshëndetjet simbolike të 16 shkollave pjesëmarrëse, të cilat kanë përgatitur numurat e tyre artistikë. Është rrënqethës interpretimi i Vajit të Ajkunës nga grupi i nxënësve të Perugias përgatitur nga mësuesja Emrie Skuka, si dhe recitimet, vallet e këngët e shkollave pjesëmarrëse. Pastaj është radha e grupit “Mille stelle” të Parmës. Koreografja e këtij grupi, Loreta Shahini Metolli i ka përgatitur ata në perfeksion, edhe në vallet më të reja që kanë hyrë në repertorin e këtij grupi si “Vallja e Bareshës”, valle dardhare, valle e Tiranës, etj.me kostumet përkatëse të zonave. Vogëlushet e vogëlushët e këtij grupi me lëvizjet e tyre u ngjajnë shpendëve në fluturim.

Përshëndesin të pranishmit përfaqësuesja e rajonit Piemonte,Angela Motta, përfaqësuesi i komunës së Astit Walter Rizzo, konsulli i Kosovës në Milano Adrian Andreja, përfaqësuesi i Ministrisë së Arsimit të Kosovës, Profesor Nuhi Gashi, Kryetarja e Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Itali, Ariana Kosova dhe presidenti i shoqatës mikpritëse, Genc Velaj. Është për të ardhur keq që mungojnë përfaqësuesit e shtetit shqiptar dhe përfaqësuesit diplomatikë të shtetit tonë në Itali. Indiferenca e tyre ndaj aktiviteteve me rëndësi e përnëmasa të tilla është e pafalshme.

Pastaj filloi Konkursi i Diturisë. Ishte diçka e bukur dhe emocionuese t'i shikoje përfaqësuesit e të gjitha shkollave, ulur në tavolinat e tyre, tek ndiqnin nga ekrani pyetjet e përgatitura nga Profesor Nuhi Gashi, konsultimet me njëri-tjetrin dhe pastaj përgjigjet që ishin gjithnjë të sakta e që shoqëroheshin nga duartrokitje e thirrje entuziaste. Ishte prekës edhe emocioni i mësuesve, që shikonin tek përgjigjet e sakta të nxënësve frutin e punës së tyre të bërë gjatë gjithë vitit mësimor që sapo është mbyllur. Në fillim ishte menduar që dy nga shkollat që do të arrinin rezultatin më të lartë në konkurs, do të përfaqësoheshin në korrik në konkursin që do të bëhet me përfaqësues të shkollave nga diaspora e të gjitha kontinenteve në Prizren. Por duke parë përgatitjen e lartë të nxënësve, u vendos që këta pjesëmarrës, udhëtimin e nisur për në Asti do ta vazhdojnë në korrik drejt Prizrenit. Sërish autobuzë në udhëtim, me flamurin kombëtar që valëvitet autostradave drejt Atdheut. Më vijnë ndërmend dy vargje të poetes Irma Kurti të këngës së kompozuar mbi vargjet e saj nga kompozitori Aleksandër Kolshi: “Pritmë vendi im, N'krahë shqiponje do të vij”.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Drita Halimi-Statovci: Konferenca Shkencore - Veshja shqiptare e Medvegjës dhe viseve tjera Pëllumb Gorica: Bosnja një bukuri e mbuluar ende nga plagët Domenika Kapllaj: Sonte Shënkolli i Verës dhe Ramazani festojnë bashkë Milazim Kadriu: Në Zym të Hasit u mbajt manifestimi ‘Dita e Plisit’ Tahir Bezhani: Gazeta e Alpeve “Tropoja”, krenari e gjithë Malësisë së Gjakovës Albert Zholi: Një promovim me vlera mes ajkës së intelektualëve shqiptarë, të librit “Portrete me Penë” të autorit Ago Nezha Pëllumb Gorica: Vlera të patjetërsueshme kulturore pejane Bashkim Saliasi: Biblioteka është oqean që mbledh të gjitha vlerat njerëzore që dhurojnë mirësi Neshat Mehmedi: Dita e Verës në Novosellë Pëllumb Gorica: Historitë e masakrave serbe në Dumre dhe Sulovë Bashkim Saliasi: Kadri Tarelli i bashkohet nismës “Shkëmbejmë libra”, dhuratë bibliotekës së shkollës Vëllazërimi Babrru-Fushë Neki Lulaj: Mbrëmje artistike për nderë të festës së pavarësisë Pëllumb Gorica: Fryma pagane e Ditës së Verës Petrit Aliaj: Ne mundemi, por së bashku Bashkim Saliasi: 'Vëllazërimi', Babrru-Fushë në shkollën vartëse Babrru-Kodër Xhevahir Cirongu: Tomorrica nëpër shekuj Beqir Cikaqi: Unë biri yt Kosovë - kudo që ndodhem për ty festoj! Neki Lulaj: Festa e Pavarësisë në Wisbaden Pëllumb Gorica: Pusi që lahet vetë e lanë dhe kujtesën tonë Xhevat Berisha & Idriz Zeqiraj: Në Ludwigshafen përkujtojet Presidenti Rugova

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora