E enjte, 28.03.2024, 06:04 PM (GMT)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Mbi qiellin e Azisë e të Oqeanisë

E marte, 04.06.2019, 06:40 PM


Nga Prishtina në Australi

Mbi qiellin e Azisë e të Oqeanisë, maj 2019

Kllapia e përgjumjes "xhetlegu" - në kapërcimin e kontinenteve

Nga Gani Mehmetaj

Aeroplani fluturonte mbi kontinent a mbi det, e kisha vështirë ta shquaja në terrin e pasmesnatës. Shumica e udhëtarëve bënin gjumë të thellë, unë përpiqesha të rrija zgjuar. Sytë me mbylleshin, qepallat me rëndoheshin si derë burgu. Druaja se do të me mbërthente gjumi në kapërcimin e kontinenteve. Imagjinoja Konstantinopojen, nga u nisëm para disa orësh, me dilnin parasysh qytetet Isfahan, Bagdat, Teheran, Kandahari, Karbala, Hajdarabad, Islamabad, Koma, pranë të cilave fluturonim, ose tashmë i kishim kaluar. Shihja me sytë e mendjes qytetet e renditura njëri pas tjetrit të vështirë për shqiptim, me ngatërroheshin emrat: Destan, Turkan, Shukran, Ramadan, Nerxhivan, Xhylistan,  Elvan, Perihan, Xheladin, Muhedin, Shemsedin, Zijadin, Nexhmedin, Fahrudin, Husamedin, Osman, Hajdar, Miftar, Idriz, Islam, Abdullah, Sadullah, të huazuara nga këto hapësira pa e ditur kuptimin e tyre. Me përftoi në mendje edhe poeti Rumi, emrin e të cilit jeniçerët nuk e bartën në tokat tona, as nuk i  shijuan poezitë e tij, ashtu sikurse nuk e përfillen as Omar Khajamin  e kushtrimit: "Zbraz kupa e puthë çupa, ka kohë të flesh në qetësi!".

Hordhi ushtrish nga këto hapësira me britma tmerruese zbritën në tokat shqiptare dhe bënë kërdinë, lanë prapa varre dhe emrat e tyre. Me dukej se sërish ia mësynin Evropës, të trazuar nga luftërat, të mërzitur nga tokat djerre, të trishtuar që hëna kurrsesi të perëndonte mbi stepat e tyre.  Po ne ç' patëm që u identifikuam me ta dhe me emrat e tyre?

Derisa koka me shkonte para- prapa nga pagjumësia, një zë përqeshës në qetësinë e natës me tha: ju i keni kaluar në përgjumje shekujt  e ty të ka mbërthyer frika se mos të zë gjumi në kapërcimin në Azi  (u ngrysëm Evropë, u gdhimë Azi, se ku e kisha lexuar këtë kob që i gjeti shqiptarët). Pesë shekuj në gjumë me një çerek dite para kontinentit tënd nuk është asgjë, me bëhej se e qetësoja vetën.

Azinë e kishte mbuluar terri, nuk shiheshin stepat, shkretëtirat mbase ishin mbuluar nga stuhia ranore, nuk dëgjoheshin krismat e armëve, diku poshtë nesh bëhej luftë tash e njëmijë vjet. Me emrin e Zotit në gojë vriteshin burrat, përdhunoheshin gratë, masakroheshin fëmijët. Në këtë rrëmujë shtetesh e vendesh përpiqesha të gjeja Sirinë e rinisë sime, ku isha para tridhjetë e pesë vjetësh. Damasku i dikurshëm nuk ishte më, u bë rrafsh me tokë, linjat ajrore i shmangeshin qytetit dymijë e katërqind vjeçar si gropës së djallit. Po vajza simpatike Samira, siriania me kryq të artë në gjoksin e gufuar, ç'bënte? Kishte shpëtuar nga lufta? Me bëhej se çdo gjë e kishte mbuluar pluhuri i rrënojave. Pastaj me ikte nga duart e nga kujtesa simpatia e dikurshme.

Një zë brenda meje me pëshpëriste: - Pluhuri i shkretëtirës ra mbi tokat tuaja jo vetëm kur rrymat e stuhisë së Saharës e pushtonin qiellin e Evropës, duke resh shi me baltë, por pluhuri i shkretëtirës binte çdo ditë me ezanin e mëngjesit, kur e ndillte gjumin e vdekjes. Me vinte të ngrija krye, të mos pranoja kronistin që me pëshpëriste në vesh, por një zë tjetër me thoshte se kronisti brenda meje kishte të drejtë, ne bëmë gjumë të thellë nga firoma e hashashit, ndërsa të tjerët bënin vepra kolosale.

Aeroplani shushuriste prajshëm me zë gjumëndjellës mbi qiellin e Azisë. Nuk e dija është nata e parë a nata e dytë e fluturimit, sepse dita e nata me ngatërroheshin, më përziheshin edhe kontinentet, nuk e dija isha mbi Azi, apo mbi nënkontinentin e Indisë, nisi të më ngatërrohej koha. Perdet e dritareve të aeroplanit ishin të mbyllura. Të gjithë edhe më tutje flinin, ndërsa unë përpiqesha të shquaja ku jemi në këto qaste. Kur me kote gjumi zgjohesha trembshëm.

Atmosfera gjumëndjellëse me mundonte, qepallat me mbylleshin, truri vdiste për gjumë, përtacia mendore me gllabëronte dalëngadalë, në gjysmë gjumë e gjysmë zgjuar si dikur bashkëkombësit e mi për pesë shekuj , me vinte mundim, përpiqesha të shkëputesha nga kllapia, gjumi është kobndjellës. Të rrija zgjuar ishte e mundimshme. Kur mu kujtua të zgjidhja rripat e sigurisë, që të dilja nga zhgualli dyditor, për dreq stuhitë qiellore nisën ta dridhnin aeroplanin. Dhe askush nuk trazohej nga stuhia që e shkundte fluturaken e madhe.

Isha jashtë kohës e njëkohësisht i vonuar në kohë. Dikur mu duk se u shkëputëm nga Azia. Australianët, ishin në gjysmë të rrugës, gati gjysmë dite para nesh, ndërsa doja të futesha në kohën e tyre para të tjerëve. Koha australiane mu ngulitë si pikësynim. Ndryshimi i hapësirës gjeografike me nxori nga binarët e normalitetit, përgjumja më krijonte fiksime, largësia nga kontinenti im me ktheu mbrapshtë, ndërsa doja të shkoja para. Me përftoi dialogu me mikun e vjetër. Kontinenti i vjetër që e lashë prapa natën e parë të shtegtimit planetar u priu të gjitha zbulimeve në pesëqind vjeteshin e fundit, zbuloi toka të reja, populloi Amerikë  e Australi,  i ra trup e terthore Oqeanisë, ndërsa zvarriteshim nëpër tokat shterpe të Anadollit, të dëbuar e të poshtëruar, ku edhe hëna të digjte, shkonim këmbadoras nëpër dunat e Saharës me varganin e ushtarëve pushtues otoman mu si ushtarët e Aleksandrit dymijë vjet më parë. Por ushtarët e Lekës së Madh ishin zot të vetës, ne ishim ushtarë të huaj.

Zbardhja e horizontit me zgjoi nga kllapia. Vrushkulli i dritës nga një hapësirë e dritares së aeroplanit me vuri në binare të orëve të mira, isha i dërmuar por i kënaqur që nuk do të mendoja për gjërat që s'mund të riktheheshin, as s'mund të përmirësoheshin. Donte edhe pak kohë të dukej toka e Australisë.

- Australi më prit! Vetëm sa s' klitha i gëzuar që  shpëtova nga makthi. Australia u bë shpëtim i shumë burrave. Australia po me shpëtonte edhe mua me mendje të trazuar, me sëmundjen e fluturimeve të gjata-"xhetlegun".

"Toka në horizont", më bëhej se dëgjoja marinarët e Kukut shumë shekuj më parë kur e zbuluan këtë kontinent. Athua  çfarë do të zbuloja unë në tokën tashmë të zbuluar? Do ta kërkoja vetën, identitetin e luhatur të kombit tim, qetësinë e bjerrë e gëzimin e perënduar të bashkëkombësve, lumturinë time që se gjeja askund në planet, ndërsa i bija trup e terthore botës.

-Po i afrohemi aeroportit, ju lutëm lidhini rripat e sigurisë, - na udhëzonte zëri i stjuadeses, që lajmëronte se do të ateronim në aeroportin e Sidneyt, qytetit emblematik të Australisë. Njerëzit zgjoheshin nga gjumi, unë fërkoja sytë për të hequr edhe grimcat e fundit të gjumit e të makthit që me mundoi dy ditë e dy net në aeroplanin ndërkontinentalë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora