Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sejdi Berisha: Vargu si peshë e njerëzores dhe e etjes shpirtërore

| E diele, 02.06.2019, 08:43 PM |


Analizë libri

VARGU SI PESHË E NJERËZORES DHE E ETJES SHPIRTËRORE...!

(Bardhyl OSEKU: “Ngarendje”, poezi, botoi revista “Drita”-Treleborg, Suedi-2019)

Nga Sejdi BERISHA

Këndimi poetik, sado vonë që ai gufon, i ngjanë përjetësisë dhe është më shumë specifik, i dashur dhe me peshë, dhe si i tillë reflekton me cilësinë e realitetit të jetës. Ndërsa, nganjëherë, vargu i ngjanë edhe etjes së kamotshme për gjithçka që është e mirë, njerëzore, e lumtur dhe madhështore. Por, njëkohësisht, përmes vargut “përvidhet” edhe dhembja e malli, faktorë këta, pa të cilët sikur asnjëherë nuk bën të realizohet këndimi poetik.

Të gjitha këto atribute, thuaja se janë ind që formësojnë vargun dhe poezinë e poetit të “vonuar” por të ardhur me vargëzimin e tij që nga fëmijëria, Bardhyl Oseku, i cili pra, poezitë e veta të para i botoi që në vitin 1965 në disa gazeta dhe revista, dhe kështu e ka lënë tharmin krijues të merr formën e padurimit krijues për të dalë në dritë pikërisht në këtë libër, i cili e ka titullin aq të ngrohtë, aq të ëmbël dhe përkushtues, “Ngarendje”. Ky titull që ka madhështinë e thjeshtësisë por edhe të mesazhit shumëdimensional, në fillim sikur na duket se është i sipërfaqshëm, mbase edhe i durimit të harxhuar. Por, përkundrazi. Ai është titull që vetvetiu shndërrohet në kuptim të gjerë filozofik dhe në sublim të madhështisë së jetës, të cilën, autori ka ditur të ngre në piedestal me tërë atë nektarin e vargëzimit, dhe kështu, nuk e ushqen vetëm shpirtin e vetvetes.

Prandaj, kujtoj se çdo varg e ka peshën mirë të matur e të thënë komplet. Sepse, duhet ditur edhe këtë, se ngarendja është pjesë shumë qenësore por edhe delikate e jetës, e cila gjithnjë forcon dhe rri kujdestar që të mos e lejojë as vargun, as poezinë, as autorin, as njeriun dhe as jetën, që të përdhosen, por të ecin shëndetshëm, qëndrueshëm dhe si të tillë gjithnjë të qëndrojnë krenarë dhe pik në këmbë!

Për këtë arsye, poeti nuk e thurë dhe as nuk e shtron vargun vetëm sa për të bërë poezi, por me plot arsye dhe me bagazh të mendjes së thellë: “Fluturo, mos u bëj peng i territ të mesnatës/Ardhja jote do t’ia zbusë zemrën qiellit...”(Poezia: “Ardhje e vonuar”). Dhe, këtë konstatim me vulën e fortë të ndijimit shpirtëror, autori me afsh e ngritë lartë si një këshillë apo urti që i nevojitet njeriut: “...Zemrës hapja të gjitha dyert.../Jetës jepja krahët e dallëndyshes/të thurë çerdhe në çdo shtëpi të globit”...!

Andaj, poeti Bardhyl Oseku, e di se çfarë do dhe çfarë kërkon e këndon në këtë kohë, ndoshta shpresash apo edhe të dridhjeve të pakuptimta, në këtë kohë lumturie, apo të hidhërimeve dhe të protestave shpirtërore: “...Eja, me duart tuaja mbille në zemrën time/Zambakun e shpresës/Pa ty s’do të ketë pranverë, as verë...”.

Dhe, duke e lexuar dhe duke e analizuar vargun dhe këndimin poetik të këtij libri, gjithnjë e më shumë, “Ngarendje” mbarësohet dhe begatohet me metaforën dhe me mesazhin hidhërak të krijuesit, e që kështu, libri merr peshë e vlerë për ta lexuar, për ta dashur e përjetuar, dhe pastaj për të ngelur si rrugëtimi që nuk ka kthim. Prandaj, çdo varg sikur na lidhë mendjen e shpirtin edhe me jetën e autorit, por edhe me lumturinë dhe me dhembjen që na përqafojnë edhe neve, bile, pa na pyetur për asgjë: “Çka patët që u trembët/Pse po e merrni tatëpjetën/Kush ju përzuri nga shtrati i juaj”! Dhe, nganjëherë sikur u trembet stinëve, që është plotësisht e arsyeshme, të cilat janë simbol edhe i “harxhimit” të jetës, e veçmas stina e vjeshtës, e cila çmend dhe çon peshë çdo dhembje, çdo mall, çdo kujtim, por që di mirë t’i këndojë poeti në të gjitha kohërat dhe situatat, e që madhështitë e jetës di t’i shndërrojë në pikturë të përjetshme e me shumë ngjyra, ashtu siç është koloriti i tablove jetësore: “...Sa e pamiradijshme më duket kjo stinë/...Bjer më shpejt oj borë/Hiqna sysh/Vuajtjet e më të bukurës stinë”(Poezitë: “Gjethet e vjeshtës” dhe “Vuajtjet e vjeshtës”!

Të kësaj fryme janë edhe shumë poezi, të cilat shpalojnë karakterin dhe rrugëtimin jetësor të poetit, mbase edhe të njeriut përgjithësisht. Kështu, poezitë në këtë libër, kur analizohen e duke e njohur edhe autorin, padyshim se janë, ose mund të janë një grumbullim i ndijimeve shpirtërore nëpër kohëra e momente, atëherë ku autorin vargjet e kanë “kapërthurur” me inspirimin dhe me shtrëngim shpirti. Dhe, padyshim se vetvetiu rrjedhin vargjet të cilat dëshmojnë shprehjen dhe kuptimin e thellë e shumëdimensional për tërë atë çfarë fshihet brenda dufit krijues: “A zbardhë dita pa diell/A vjen nata pa hënë”, dy këto simbole që në vetvete mbërthejnë edhe dashurinë, edhe dhembjen, edhe atë që quhet edhe shpresë, edhe pritje, por edhe rrugëtim me tharmin e gjërave që arrijnë lartësitë por edhe mund të harxhohen, e, se kur mund të ndodhë kjo, nuk dihet...!

Pak shënime për autorin:

Bardhyl Oseku u lind në Gjakovë në vitin 1948. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje, ndërsa, studimet në Fakultetin e Gjuhës dhe letërsisë Shqipe i mbaron në Prishtinë.

Dhjetë vjet punoi profesor i gjuhës dhe i letërsisë shqipe, kurse, në SHA “Dukagjini”, pesëmbëdhjetë vjet punoi përkthyes-gazetar. Që nga vitit 2003 e deri në vitin 2013 e udhëhoqi sektorin e kulturës në Drejtorinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Gjakovë.

Poezinë e parë e botoi te gazeta “Zani i Rinisë” në vitin 1965. Botoi edhe në gazeta e revista të tjera.

Poezia nuk ka çati mbi kokë...!

Ligjërimi i tillë poetik, sikur e detyron autorin që në kërkim të vetvetes të na i dhurojë shumë gjëra, të cilat, në jetën e zakonshme, njeriu dot nuk mund t’i shpreh as t’u vë peshën e as meritat. Andaj, madhështia për ta kërkuar gjithnjë vetveten e për të mos e gjetur kurrë, sikur autorin e shndërron në pelegrin të çuditshëm, i cili cak e ka vetëm njerëzoren dhe lumturinë e njeriut, të cilat virtyte, shpeshherë mungojnë, por edhe shumë herë t’i gllabërojnë dhe nuk e lejojnë njeriun të udhëtojë bashkë me to, pa i shoqëruar edhe me dhembjen dhe me etjen shpirtërore: “Kishte kohë që po e kërkoja/Në fushë, në mal, në lumë, në det.../...Hënëplota me ndjen dhimbjen/Ma dha kumtin:/Përbrenda teje është/Mbaje krahëhapur qiellin e shpirtit/Mos i lë retë ta errësojnë!”(Poezia: “Në kërkim të vetvetes”).

Prandaj, këtë kërkim, poeti e pasuron me mesazhin dhe këshillën shpirtërore, që edhe poezinë e bën si amanet apo formulë jete: “Lëre lumin të rritët të dashurohet/dielli i mëngjesit t’i lajë rrezet në të/në pasqyrën e tij/hëna të thurë gërshetin vashëror/lumi mijëra vjet ishte para nesh në këtë botë”(Poezia: “Lëre lumin të rritet”).

Këndimi poetik i Bardhyl Osekut, është i natyrshëm, njerëzor dhe pa shtërzime, për çfarë na dëshmon se ai vargëzimin e bën për qejf, dhe përmes kësaj forme, lexuesit ia ofron hartën poetike dhe “shkrolat” e shpirtit dhe të zemrës së vetë, ku mund të hasësh shumësi përjetimesh të thënë shtruar dhe me plot dëlirësi. Prandaj, si të tilla, poezitë sikur u ngjajnë edhe stinëve të vitit, kopshtit me lule, por edhe ngjarjeve historike, të cilat din të na bëjnë për vete, edhe atëherë kur përbrenda mendjes dhe shpirtit diçka përcëllon, kur thellë e thellë djegë e na shpie “llugave” të mendimit jo vetëm poetik.

Kjo, sepse, ngjarjet historike për njeriun janë pesha e dhembjes, por edhe e trembjes për shumëçka! Nëse i referohemi vargut “Lisi, ky burrë hijerëndë...”, atëherë, hiq këndimit për stinën pranverore, na përfton mendimi për periudha kohore dhe historike, që kanë ngelur gjurmë ende të pandriçuara deri në fund. Andaj, athua përmes vargut të Bardhyl Osekut, a provokohen shumë gjëra, të cilat ndoshta koha nuk i ka thënë, nuk i thotë dhe as nuk i shpjegon. Prandaj, ato, padyshim se ngelin dhe janë brengë jo vetëm e poetit! E kjo, sikur puthitet mirë edhe me injorim, edhe tek vargjet e poezisë, “Imazh tetori në bregdet”: “...Dy bunkerë në breg të detit/të shtrirë si dy dinozaurë/symbyllur e gojëhapur/ditë e natë përjargën”!

Por, rrjedhat historike, më të vërtet janë të përçudshme, të cilat i shkaktojnë dhembje jo vetëm njeriut, por edhe tokës e qiellit, edhe lumit e detit, me padrejtësitë ndër shekuj. E kjo, nuk harrohet dot. Këtë e ligjëron me përkushtim dhe mos harresë edhe autori i librit: “Qysh kur toka e qielli morën formë/Drini e Buna kishin rënë ne dashuri/Ishin besatuar të mos ndaheshin përjetë//Njerëzit, këta shpirtngushtë/Sa shumë pres, prita dheu/E prita betoni vunë gjatë shekujve/Që Drini e Buna mos të bashkoheshin”!

Pra, madhështia e vargut nuk është vetëm këndim. Prandaj, autori, sikur shpeshherë rreth trupit të jetës dhe të kohës, e “shtrëngon” rripin e realitetit, me qëllim që të gjitha gjërat, të gjitha ngjarjet, kurrë të mos harrohen, por çdo kujtim e ngjarje, me fanatizëm të ruhet, të kursehet dhe të çmohet mu si buka e kripa. Kështu duhet vepruar, pa marrë parasysh që njeriu ndeshet me përplasjet e pashmangshme të realitetit, e që ndonjëherë, në të njëjtën kohë edhe dhembin dhe habitshëm edhe “ledhatojnë”!

Këto fenomene krijuese, nëse mund të quhen kështu, formojnë edhe alternativa për t’i bërë sa më të ndritshme tablotë e periudhave jetësore, të cilat, deshe apo nuk deshe, krijojnë edhe refleksion historik!. Pra, autori, gjatë këndimit poetik, gjërat i mbështjellë edhe me fuqinë e diellit dhe të dritës, të cilat vargut i japin frymëjetësi.

Fenomeni dashuri dhe mesazhi i vargut që nuk e lë të qetë as poetin as lexuesin

Për ta bërë jetën beden të çdo kohe e periudhe, autori përmes rrëfimit intim shpirtëror, na jep për të kuptuar se fenomeni dashuri është faktori më i qenësishëm tek çdo qenie e njeri, tek çdo gjë që jeton e rritët në tokë e mbi tokë, sepse: “...Prej miliona vjetësh çojnë dashuri/Dy dashnorë bensikë:/Natyra jeshile/Me qiellin sykaltrosh”(Poezia: “Dashuri e lashtë”).

Këto dy dashuri, poeti i begaton edhe me zërin e së kaluarës të tokës arbërore. Në çdo cep e kudo tjetër, madhërishëm dhe me krenari këndohet, se vargu edhe ashtu, poetin nuk e lë të qetë: “Dielli nuk zgjohet i pari në këtë qytet/Por deti që i jep frymëmarrje Sarandës/...Mikpritësit Hasan Tahsini e albanologu Nikolla Jorga/Te dyert e këtij qyteti pa pushuar/Presin e përcjellin mysafirë nga vendi e bota/Kalaja e Lëkurësit s’fle ditë as natë/Me syrin pishë e ruan qytetin”(Poezia: “Në Sarandë”). Ose: “...Kur Pogradeci kotej në gjumë të thellë/...Hëna më fytyrë mekur artisteje/Nga Mali i Thatë/Me gërnetë e nisi vallën e yjeve/Nga Vallja Lasgushi u zgjua...”!

Ndërkaq, mendimet që e kalërojnë jetën edhe të autorit, janë si thesar shpirti që edhe vargun edhe lexuesin e bëjnë fisnik dhe madhështor me ato lodrimet nëpër kohëra që nuk pushojnë edhe tek mendja dhe ndijimi i njeriut me thinja në kokë. Me këtë frymë shquhen poezitë: “Ikje”, “Arna”, “Kujtesë e trishtë” etj. E, tek kjo poezia e fundit, në mes tjerash, ja si vargëzon poeti: “...Të nesërmen/Trishtueshëm u thashë prindërve/Ta shesim shtëpinë/S’e dua lagjen/Ku vdekja i merr nuset”.

Kjo dëshmon, se autori i librit, “Ngarendje”, që në vegjëli e ka pasur veçantinë e njeriut i cili di ta çmojë jetën dhe madhështitë e saj. Ka ditur që skajshmërisht dhe fuqishëm për gjithçka ta shpreh revoltën dhe dhembjen e vetë. Dhe, dikur i ka tubuar, ose tash, në moshën që ka, sikur i bashkon të gjitha kujtimet, të cilat edhe janë dhembje por edhe krenari: “Pas kaq shumë vitesh/Fare s’po këndellëm/A tallem unë me veten time/Apo vetja luan me mua”!

E, po pra. Është kështu, sepse, krijuesi, ja se çfarë ligjëron: “Tërë jetën po tundem/Si tundet lisi në shtrëngatë/Që pas vetes të lë një fjalë/I thoshte poeti vetmisë së tij”.  Nuk është e tepërt të theksojmë se poeti e sheh të arsyeshme të na i ofrojë edhe këto vargje që në të njëjtën kohë qortojnë e këshillojnë: “Nëpër varre kam rrënuar/Qindra herë me eshtra jam rroposur/Për një varg tëndin/Poezi”!

Bota e brendshme e poetit si vlerë dhe si peshë e këndimit për madhështinë që ka jeta me gjithë përplasjet me të cilat “dekorohet”

Duke u nisur nga ajo se, vargu shpesh sikur bëhet legjendë apo dëshirë e etje, gjithnjë me qëllim që poeti t’i jep kuptim e zemër rrugëtimit jetësor, edhe këndimit, edhe lumturisë, edhe mallit e dhembjes, që këto, jo pa shkas, shpesh i theksoj gjatë këtij shkrimi, është karakteristikë se autori, gjithnjë i jep kuptim e zemër edhe asaj që ka shkuar, por edhe asaj që do të vjen. Prandaj, kujtoj se është me vend që këtë shkrim ta përfundoj me vargjet: “Poezia nuk ka çati mbi kokë/Është këngë e zogut krahëshkruar/...Fluturim dallëndysheje/Në kërkim të folesë/Lot që djeg faqen e nënës/...Poezia kjo kredharake/Tërë jetën ngarend/Pa i mbyllur sytë”!

Kjo dëshmon se poezitë e Bardhyl Osekut në librin “Ngarendje”, të renditura në pesë cikle: “Thirrje”, “Peizazh”, “Meditim”, “Dëshirë” dhe “Shtëpi”, janë fortë të ndërlidhura në mes vete dhe të koordinuara mirë e pëlqyeshëm, që janë tërësi, e të cilat i japin kuptim thelbësor librit, por, edhe lexuesit i ofrojnë ngrohtësi për lexim dhe për t’i kuptuar drejtë duke krijuar edhe opinionin e tyre të pavarur. Nga kjo rezulton edhe ajo se, krijuesi nuk mund të vlerësohet dhe as të matet me numrin e veprave dhe të librave, por me cilësinë dhe mesazhin e dëlirtë të vargut dhe të mendimit poetik dhe filozofik.

Pra, bota e brendshme e poetit në librin, “Ngarendje”, diktohet si vlerë dhe si zjarr përbrenda këndimit për të kaluarën dhe për madhështinë që ka jeta me gjithë përplasjet me të cilat “dekorohet” njeriu. Andaj, autori ka shprehur dhe e ka realizuar qëllimin dhe dëshirën e tij, që vargu të jetë i veçantë, si zë i kohës dhe i aktualitetit. Për këtë arsye, poezia e Bardhyl Osekut, reflekton si përqafim i rrallë krijues, e ndoshta edhe si ngrohtësi tjetër fare nga ato që i shprehin krijuesit tjerë! Kështu, ai e sjellë kohën në kohën që e shpjegon rrugëtimin dhe madhështinë e përjetësisë së vetë kohës...! Prandaj, libri me poezi, “Ngarendje” e autorit Bardhyl Oseku, është edhe një pasuri që i sjell letrave shqiptare.