E enjte, 28.03.2024, 09:52 PM (GMT)

Mendime

Prend Buzhala: Magjistarët a mashtruesit e fjalimeve publike

E merkure, 05.06.2019, 09:25 AM


MAGJISTARËT A MASHTRUESIT E FJALIMEVE PUBLIKE

(Nga ligjërimet për të vërtetën)

Nga Prend BUZHALA

Është interesant: mbi bazën e fjalës SOFIA krijohet fjala filozofia (dashuria ndaj urtisë, mençurisë). Sofia ishte Perëndesha e Urtisë. Porse greqisht fjala sophisma ka edhe një domethënie tjetër: atë të dinakërisë, mashtrimit. Sofizmi, fillimisht, kishte kuptimin e diçkaje që thuhet me dinakëri, po edhe me urti. Ata ishin dhe themelues të retorikës. Porse Sokrati, më vonë edhe Aristoteli e Ciceroni, e kritikojnë retorikën sofiste.

Mirëpo, sofizmi u parapëlqye tejet shumë në fjalimet politike të botës moderne, në fjalime gjyqësore ambiguitive (t'i kujtojmë shpejt e shpejt avokatët që marrin përsipër mbrojtjen në gjyqe të vrasësve e keqbërësve të ndryshëm).

1.

Në tekstet retorike, ku ka art të të shprehurit bukur, megjithatë, në secilën kohë njerëzit kanë dalluar edhe karakteret njerëzore: ata që dinë të flasin bukur, por që nuk u përputhen fjalët me veprat, kanë dalluar premtimet boshe me anë të përbetimeve të rreme, apo dhe sofistët politikë modernë: ata që nxjerrin përfundime jo të sakta, të rreme.

Na bie të lexojmë shpesh e shpesh shkrime autorësh që e shpallin veten iluministë, debatues, dhe i vështrojnë të tjerët (të ndryshmit), nga lartësia e rreme olimpike, ku e vendosin veten. Ata duket sikur e kanë një përgjigje të gatshme për gjithçka e për çdo gjë... në trajtën e një sofizme me veshje të jashtme që shfaqet e drejtë, por që në brendi ngërthen përfundime false, përplot paragjykime; që arsyetojnë të keqen, kurse e relativizojnë të mirën, e zbukurojnë gënjeshtrën dhe e shtrembërojnë të vërtetën.

Të tillët do t'i hasim sidomos në jetën politike e në fjalimet e politikanëve të shquar botërorë: ku shpesh e vërteta mjegullohet, kurse e pavërteta paraqitet si e vërtetë. Kemi një palë politikanësh që e paraqesin gjendjen vetëm zi, një palë intelektualësh që flasin e ligjërojnë vetëm për dëshpërimin, gjithçka relativizojnë, dhe gjithçka mohojnë.

2.

Si do t'ua gjejmë emërtuesin e përbashkët atyre politikanëve që mbajnë "fjalime të zjarrta", nga njëra anë, dhe jo pak intelektualëve që na e paraqesin gjendjen tepër zi, jo të saktë, me anë shprehjesh të zgjedhura, të veshura me intelekt e dije!?

Si t'i quajmë këtë soj njerëzish, kur për çdo gjë e për gjithçka sjellin përfundime të pasakta?

Si do t'i dallojmë të parët e jetës institucionale, që mbajnë fjalime nëpër gjykata, parlamente, para një mase nejrëzish a në tubime përkujtimore tek të cilët karakterizohet mospërputhja mes veprave e fjalëve?

Ka sot mjaft klerofashistë që flasin në emër të vlerave hyjnore dhe mohojnë vlerat njerëzore të tjetrit; politikanë gjakatarë e shovinistë të shteteve përreth që paraqiten në emër të mbrojtjes së bashkësive të tyre etnike dhe shndërrohen në propagandues të dhunës ndaj tjetrit, të mohimit të qenies së tjetrit (madje duke vënë në këtë shërbim edhe akademi apo “grupe ekspertësh”, grupe polItike nga jashtë forume polItike etj etj).

Qytetari ynë i ka provuar në kurrizin e tij fjalimet histerike të regjimeve shtypëse, por po i provon edhe fjalimet mashtruese të politikës së sotme, që nga “politika e lartë” e krerëve botërorë e deri te politikanët tanë. Kemi mjaft fjalime përbetuese në emër të "vlerave demokratike", të "vlerave të luftës" e, në fakt, ata vetë janë përmbytësit e vlerave të tilla!

Vetëm le të shihet se çka kërkojnë, çka imponojnë, çka përsëritin e përsëritin me kakofoni shprehjesh, për të na bindur se po e thonë të vërtetën, për shembull: për të mos na lejuar të kemi liberalizim të vizave, shpiken njëqind pretekste, nesër mund të shpikin të tjera për të mos u integruar dhe për ta zvarritur problemin pafundësisht.

Nëse në diktaturë fjalimet drejtoheshin kundër "armikut të brendshëm” për ta bindur popullin se kush është armik i shtetit; në kohën e sotme, “në demokraci”, krijohen situata zvarritëse “ngreh e mos këput”... situata ku fjalimet arsyetojnë gjendjen e zvarritjes e të moszgjidhjes së problemeve...

3.

Dikush mund t'i quajë Magjistarë Dinakë të Fjalës, dmth që me qëllim përdorin një truk arsyetimi për qëllime vetjake. Këto sofizma a truke mashtruese, bëhen për qëllime të realizimit të interesave joshoqërore në emër të interesave politike të vendit. Te ta nuk ka sinqeritet: ata, duke e prezantuar veten si njerëz me qëndrim kritik ndaj realitetit, në fakt, përdorin përmbysjen e të vërtetës... Dhe kjo përmbysje e gjërave, e fakteve, bëhet me qëllim: e vërteta fyhet e shahet, përdhoset gjithnjë e më shumë.

Ciceroni i moçëm, kur kritikonte sofistët, kishte parasysh që oratori (te Fjala e folur dhe e Shkruar për t'u shqiptuar para publikut, senatit etj), duhet ta posedojë artin e bindjes, ta theksojë të vërtetën dhe ta nxjerrë në pah të mirën. Ka, ndër oratorë (e folës para publikut), që bëjnë gara se kush flet më zëshëm më bukur (fenomen i përhapur që nga antika e këndej): ndërkohë që të vërtetën e vë në plan të dytë.

Pikërisht pse sofistët u morën vetëm me shprehjen e bukur e jo edhe me të vërtetën, e shtyri Aristotelin të theksonte se "retorika është prirja e ballafaqimit të vetive thelbësore dhe parësore që mund ta bindë tjetrin, veti që e ngërthen brenda vetes secili objekt a fenomen."

(Prend Buzhala, 4 maj 2017)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora