E premte, 29.03.2024, 12:45 AM (GMT)

Mendime

Prend Buzhala: Heroizmi, lufta e paslufta, një përqasje paradoksesh

E marte, 04.06.2019, 07:15 PM


HEROIZMI, LUFTA E PASLUFTA,

NJË PËRQASJE PARADOKSESH

(Nga ligjërimet për të vërtetën)

Nga Prend BUZHALA

Lufta që ndodhi ishte luftë.

Nuk ka luftë "të mirë" a "të keqe".

Ka shembuj e "shembuj". Shembuj të një sakrifice luftëtarësh që kufizojnë me legjendën dhe shembuj që të lënë mbresa të pakëndshme. Shembuj solidarësie të pashoqe, dhe shembuj të matrapazllëkut mu në vorbullën e tragjedive të mëdha.

1. Arma dhe njerëzit duarthatë

Heroizmi nuk matet vetëm me peshën e armës në duar.

Matet me aktin sublim të veprimit e të jetës.

A ishte arma gjithçka?

Jo!

Ti e kishe armën, por as që ke guxuar ta shkrepësh, aty ku në mesin e popullatës gjendeshin forcat serbe, sepse do të bëheshin shumë ploja. Të është dashur të vetëpërmbahesh dhe të plasësh shpirtërisht!

Ti e kishe armën... dhe ka ndodhur që e ke shkrepur nga zemra e plastë; apo, ashtu i shkujdesur e karagjoz, vetëm të jesh dukur me uniformën e UÇK-së në mesin e popullatës, diku në male, kurse nga distanca forcat serbe kanë gjuajtur aty me minahedhës, dhe kanë vrarë dhjetëra njerëz...

Kush arriti t'i mbronte ata?

Nuk kemi nevojë t'i bëjmë aktakuzë askujt!

Ka shembuj të panumërt heroizmi të njerëzve pa armë: të ndonjë femre burrneshë për ta mbrojtur nderin; të sa e sa të tjerëve që nuk deshën të dalin nga shtëpia, por aty ranë, nën breshërinë e plumbave armik; të njerëzve që nuk kanë pranuar të ikin, por të qëndrojnë e ta ndajnë fatin me popullatën dhe të parët dalin për t'u pushkatuar; të prindit, që, për ta shpëtuar djalin;, del vetë për ta marrë plumbin armik... e kësisoj pafundësisht.

Të rënët janë të rënë: luftëtarë e joluftëtarë.

Kategori e luftës ishin të gjithë; luftëtarë e populli duarthatë: populli që gatuante bukën a që shëronte varrë, që lante rroba civile e ushtarake, që lante flamuj të përlyer a të prekur nga gjaku, që qepte rroba a që vuante njësoj, i dëbuar (në ekzil) a në male...

Kategori e luftës, është edhe popullata e dëbuar...

(Të gjitha këto raste, i kam përfshirë në shkrimet e mia gjatë luftës dhe të publikuara po në ato vite...)

2. Patologjia shoqërore e pasluftës

E paslufta?

Paslufta nxori në pah aq shumë karaktere "të fshehura", sa as lapsi nuk i rrok dot!

Vrapimi për të rrëmbyer sa më shumë privilegje në emër të luftës; përpjekjet e ethshme për të nxjerrë nga të rënët sa më shumë dëshmorë. Njoh jo pak raste që, i rëni, as që e ka pasur armën në dorë, dhe prite ti: vrapi për ta shpallur dëshmor (për të rrëmbyer privilegje politike e sociale), nuk ndalej!

Nuk nderohet i rëni duke ia vënë në dorë armën që nuk e kishte pasur kurrë në dorë. Akti i tij ishte njerëzor, kombëtar e heroik, pa e pasur fare atë armë (ah, Kulti i armës, shih se ku të çon)!

Koncepti i trimërisë?

I trimërisë me armë a pa armë?

Eh... ku na çon ky koncept, që ngrihet, nganjëherë në kult i kthyer në ANTIKULTIN E TRIMËRISË pas luftës, për rrëmbime benificionesh e privilegjesh... Vetëm shikojeni se cilat kategori u pasuruan, me ligj e pa ligj, dhe rrënja katrore e këtyre fenomeneve shfaqet vetvetiu.

Dhe paslufta, duke nxjerrë në sipërfaqe termet si “hero” “dëshmor”, “martir”, “viktimë”, “e dhunuar” etj etj; duke kategorizuar sipas një hierarkie meritash bëmat dhe përkatësinë; duke kategorizuar “kategorinë e luftës” e “kategorinë e joluftës”; i ka mjegulluar, i ka deformuar dhe i ka errësuar së tepërmi domethënien për sakrificën, për bëmat dhe për luftën vetë; ka shkaktuar përçarje artificiale; ka prodhuar deformitete etike dhe të tjera...

Nëse luftërat e fundit i rrënuan këto hapësira, pasluftërat ia zunë frymën, atëherë edhe idealistët, siç janë poetët, do të përpiqen që ta zgjojnë nga agonia a nga koma ku kanë rënë po këto hapësira ekzistence e etnie.

Revolta njerëzore është një shans kundër një kohe kaq të ligë.

Epo, revolta është cilësi e njerëzve të thjeshtë: secili prej nesh shpreh pakënaqësinë e tij në mënyra të ndryshme në jetën e përditshme a në situata të veçanta.

Çka ka ndodhur me njerëzit në këtë dinamizëm kaq marramendës, në këto vorbulla kaq përplasëse të fatit të njeriut? Njerëzit, shumica ndër ta, duke vrapuar për një siguri materiale e jetësore, në këtë nxitim e shpejtësi turbulluese, u dridhet trualli nën këmbë. Dija dhe profesionalizmi, normat morale dhe ligjore, i rrezikojnë interesat e atyre që janë mësuar të jetojnë në shtete jofunskionale, ku mekanizmat e kontrollit partiak të shtetit shtrihen gjithandej.

Nëse idealistët duan ndryshime, ruajnë cipën e nderit dhe ëndërrojnë përsosmërinë e idealeve, atëherë ç'bëjnë të tjerët?

Vrapojnë pas atyre gjërave që ua shkatërrojnë jetën dhe lumturinë, që e mbushin kokën e tyre me gënjeshtra, ndërsa të zhgënjyerit nga iluzioni i madh i lirisë e demokracisë, jetën nuk e shikojnë më si diçka të vlefshme, përthekohen nga mendimi mbi vdekjen e shuarjen.

3. Kodi i heroit dhe aktet e mëdha

Trimëria nuk ka nevojë për para. I rëni, kur është gjendur përpara plumbit armik, nuk e ka përfytyruar Çastin e Pasluftës: po bie që të marr para gjaku! Trimëria nuk është bërë për t'u votuar as dje e as sot. E ç'vota iu paskan dashur dëshmorit për të rënë në luftë?

Prandaj, nuk ka nevojë të bëhen DIFERENCIME POLITIKE, si mendësi e së kaluarës...

Kodi i heroit dhe kuptimet e fjalës hero, kanë ndryshuar nëpër kohë. Dikur ai dilte nga mitet dhe legjendat, nga eposet dhe nga luftërat. Sot Fjalorët evropianë e përkufizojnë një hero si "një person i admiruar për akte të mëdha apo të guximshme ose cilësi të shkëlqyera". Nuk përmendet arma.

Kam pasur rastin që, duke shkruaj për sa e sa shkrimtarë e për vlerat e veprave të tyre. Lexuesit e paemancipuar më thoshin: “Përse po e shpall hero atë shkrimtar apo atë tjetrin”?!

Eh, ja si konsiderohet shkrimi te ne: me masën ideologjike (hero- qyqar).

Shkrimtari shkruan për heronjtë. Mund të jetë shumëfish më i njohur e më “i vlefshëm” se një hero, dhe të mos ketë fare nevojë të quhet “hero”!

Edhe jeta i ka heronjtë e saj pra!

(Prend Buzhala, 4 maj 2019)



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora