E enjte, 12.12.2019, 05:55 AM (GMT)

Komente

Prend Buzhala: Pushteti i medieve dhe Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Medieve

E hene, 03.06.2019, 09:04 PM


PUSHTETI I MEDIEVE

DHE DITA NDËRKOMBËTARE E LIRISË SË MEDIEVE

(Nga ligjërimet për të vërtetën)

Nga Prend BUZHALA

Është Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Medieve (më parë quhej Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Shtypit, mirëpo, për shkak të revolucionit teknologjik rimerërtohet si Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Medieve). Mediet përfaqësojnë pushtet në shoqëri. Madje pushtet të pamohueshëm. Ato zënë vend të konsiderueshëm kudo në këtë planetë.

E çka ka për të festuar kjo Ditë?

Lirinë e plotë e të gjithanshme të tyre?

Apo Ditë për të përkujtuar cenimin e këtyre lirive?

A thua, për shkak të ndikimit delikat, a e kryen misionin e vet ky pushtet i fuqishëm me aftësinë që ka, për t'i dhënë drejtim mënyrës së mendimit të një shoqërie? Në fakt, ato mund të kontribuojnë për t'i vendosur, rregulluar e përmirësuar modelet e mendimit me përcaktimin e ideve, shprehive dhe zakoneve,

Nuk është e habitshme, prandaj, përse ato, në të kaluarën (dhe sot), quhen gjyqtarë të së vërtetës. madje, me rubrikat e tyre specifike, ato diktojnë stilin e jetës, modën e veshjes, po edhe mënyrën e ushqimit, konsumin.

Dihet: medieve u drejtohemi së pari për t'u informuar; nga mediet duam të dimë se çka është e drejtë e çka e gabuar, cilat ngjarje janë të rëndësishme në vendin tonë a nëpër botë.

1.

Ky vërshim i lajmeve në epokën digjitale, shkakton mjegullime, pështjellime dhe konfuzion dhe publiku bëhet krejtësisht indiferent dhe apolitik. Nuk është e habitshme pse individi (pas luftës) na është bërë kaq indiferent në vuajtjet e tjetrit, mbyllet tek vetja, në mënyrë që t'i harrojë pamjet e atyre vuajtjeve. Nga ana tjetër, meqenëse kapitali i reklamuar në media, ku turizmi i shtrenjtë, ushqimet e shtrenjta, udhëtimet luksoze etj janë në dorën e një pjese të vogël, atëherë indiferenca shtohet më tutje. Dikush e ka thënë: ky nuk është triumf i informacionit, por një dështim total i tij.

Sot, nuk është e habitshme pse mediet e tilla shpallin HERONJTË E VET, ashtu sikundër dhe politika sunduese shpall PËRFAQËSUESIT E VET "LEGJITIMË"! Prandaj dhe ngjarjet shikohen me sytë e këtyre HERONJVE MEDIATIKË dhe të PËRFAQËSUESVE POLITIKË e jo me SYTË E PUBLIKUT, qytetarit, votuesit. Dhe nuk është qytetari, publiku, ai që merr e i jep LEGJITIMTET POLITIKËS së sotme, por na janë mediet ato që i japin e marrin LEGJITIMITETIN POLITIKËS dhe anasjelltas! Së këndejmi, bëhet ky bashkëpunim kaq i ngushtë mes tyre, mes politikës dhe medies, duke injoruar totalisht interesat e qytetarëve, të cilët i pranojnë këto veprime bashkëpunimi kundër vetes me indiferencë, dhe me qëndrim aspak kritik! Media e tillë tashmë fut "në punë" njerëz me prirje sa më të ulët për shkrim,punësohet një shtresë e gjerë gazetarucësh që përbëjnë një fuqi të lirë punëtore, për pak para, ku gjithçka tretet e deformohet lehtë... ku publiku indiferent, i prodhuar nga mediet, shkon në shërbim të politikës. Në vend të qytetarit, për politikën mendon mediatiku, analisti, opinionisti.

Huntington thotë se diktatura, banaliteti, arroganca në rritje e medieve, popullizmi mediatik dhe klientelizmi, si dukuri imanente të mediave bashkëkohore, bëjnë, që, një numër gjithnjë e më i madh i qytetarëve, t'i shohin mediet si instrument për reduktimin dhe zvogëlimin e demokracisë. Mediet e tilla e kanë humbur linjën mes PUBLICUS-it dhe PRIVATUS-it. S’ka më ideale për mediet si shtylla të demokracisë. Sa keq: tashmë parlamentarizmi është bartur në media nëpërmes opinionistëve, (pseudo)analistëve, publicistëve, përfaqësuesve të partive politike...

2.

Mediet e kanë programin e vet (apo agjendën) për t'u imponuar si pushtet, i kanë në dorë mekanizmat që ua krijojnë këtë mundësi. Domethënë, ato e kanë në dorë për t'i kushtëzuar veprimet e pushteteve të tjera; ato e kanë në dorë ta imponojnë një program (agjendë a rend dite) të pushteteve tjera; ato e kanë në dorë për ta shkatërruar prestigjin, imazhin apo statusin e një grupi njerëzish, e një organizate politike apo ekonomike, e një individi etj.

Nga ana tjetër, brenda një shoqërie, mediet, e kanë në dorë që ta shtojnë dhe përhapin diskursin e urrejtjes, t'i përhapin format e ndryshme të ekstremizmit, të diskriminimit e të armiqësisë; të përhapjes së dezinformimit apo të dëmtimit të shkatërrimit të diskursit publik kundruall demokracisë.

Mediet në epokën digjitale tashmë na e kanë mundësuar që të kemi në përpara një disponueshmëri të lartë të informacioneve, mundësi zgjedhjeje e përcaktimi. Është shtuar mundësia e këmbimit të dijeve dhe informacioneve.

Dhe, të mos harrojmë: profesionistë e medieve mund ta japin ndihmesën e tyre në krijimin e mirëkuptimit mes njerëzve, pushteteve, forcave politike, grupeve, bashkësive apo qoftë edhe shteteve dhe kombeve të konfrontuara.

A nuk e kanë në dorë ato që nëpërmes veprimit të tyre, të na bindin se mund të ketë drejtësi për të gjithë, se është e mundshme të shprehet opinioni publik, se mund të përfshihen më shumë publiku e qytetarët

Pikërisht mediet dhe profesionistët e medies mund të kontribuojnë në mirëkuptimin e ndërsjellë dhe ndërtimin nëpërmjet veprimeve të tyre

një shoqëri në të cilën drejtësia do të jetë e mundur për të gjithë, shprehjen e opinionit publik dhe përfshirjen më të madhe të publikut

3.

Mund të sillet si ndonjë princ akëcili kryeshef mediatik me pretendimin që gjendet aty diku te elitat politike apo të biznesit, ashtu si ndodh jo vetëm te ne, por edhe në botën e civilizuar, se prej tyre i morëm këto modele sjelljesh. Mund të sillet si një princ feudesh, meqë nëpërmes lidhjeve të dyshimta, kanë arritur ta sigurojnë “licencën” mediatike, burimet e financimit, në bashkëpunim me këta krerë të jetës politike apo ekomomike, në mbrojtje të interesit të përbashkët “elitar”, financiar apo pushtetor e jo në mbrojtje të interesit publik.

Prandaj është e domosdoshme Liria e individit për ta plasuar mendimin e tij kritik.

Është e domosdoshme kjo liri e mendimit kritik për t’u artikuluar, shfaqur e analizuar jo vetëm informacionet, po edhe mënyrën e mendimit e të sjelljes së këtyre “elitave”.

Te e fundit, shoqëria postmoderne e ka shprishë mirin për elitën: i jepet fjala njësoj si akademikut si një rrugaçi mediatik, si një sharlatani si njeriut me ndërgjegje të lartë kritike.

A thua, kur ka këso qasjesh, a mund të themi se masat (popullore) apo turmat na qenkan të drejta?:

Jo.

Prandaj qasjet janë më të ndërliqshme se sa mund të mendohet.

4.

Qe disa vite, duke e shënuar këtë ditë, vazhdimisht e kam ngritur edhe një çështje tjetër: ndalimin e gazetës “Rilindja” (e ndaloi Millosheviqi dhe pas luftës e ndaluan elitat kushtetore më 2002. Pas luftës “Rilindja” arriti të ketë gazetën, radion madje siguroi edhe stabilimentet për televizion! Por nuk iu lejuan! Iu lejuan atyre kompanive mediatike që kishin lidhjet e veta në qarqet unmiakse apo në Beograd a gjetiu!

Prandaj, dhe sot, në Ditën e Lirisë së Shtypit, desha ta shpreh thjesht një PROTESTË INDIVIDUALE (e, e miqve dhe kolegëve të mi): është akti më kriminal që ka ndodhë në Evropën e dekadave të fundit, si është ndalimi i gazetës shqip, gazetës RILINDJA! Secili komb modern në Evropë ka gazetën e vet të traditës (me dekada e shekuj). Kurse Kosova e mbylli, më saktësisht, kreu një agresion të rëndë kriminal, kur e mbylli këtë gazetë, kur ia uzurpoi pronat dhe hapësirat... kur la të papunë qindra gazetarë e punëtorë, kur ndaloi gazetën RILINDJA, sipas tipit të revolucionit kinez. Prandaj kur vetë institucionet drejtuese të Kosovës veprojnë kështu, atëherë kanë të drejtë të tjerët të na thonë: "Ju nuk keni trashëgimi, ju jeni qiraxhinj në Kosovë, sepse trashëgimia e Kosovës është ose serbe ose otomane!" Nuk ka mallkim më të madh historik se të veprohet kështu... deri te ajo psikologjia masive e ikjes nga Kosova, si atdhe që u dashka mohuar!!! Po ndodh edhe një HISPOKRIZI TË RËNDË edhe nga ana e të ashtuquajturave asociacione të gazetarëve dhe të asociacioneve të tjera që merren me liritë e të drejtat njerëzore, që asnjëherë nuk e kanë ngritur zërin në këtë drejtim.

5.

Të vetmit që veprojnë kundër traditës së vet, mjerisht, janë vetëm shqiptarët!!! Nuk ka popuj evropianë pa gazeta të traditës. Secili i di emrat e gazetave më të mëdha botërore që kanë nisur të botohen që nga shk XIX e këndej... I vetmi vend e i vetmi komb, që vepron kundër traditave e trashëgimisë së vet, jemi ne!

(Prend Buzhala, 3 maj 2019)



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT