E enjte, 28.03.2024, 03:40 PM (GMT)

Mendime

Prend Buzhala: Plagët e vjetra dhe bashkëndjesia

E shtune, 01.06.2019, 09:23 AM


PLAGËT E VJETRA DHE BASHKËNDJESIA

(Nga ligjërimet për të vërtetën)

Nga Prend BUZHALA

Dëgjojmë shpesh, shprehjen: plagë e vjetër. Plagë të vjetra. Një e tillë na u sjpalos në Kongresin amerikan.

E dëgojmë dhe fjalën e urtë: Koha shëron plagët. Dëgjojmë për njeriun durimtar që i duron ato. Dhe thënien e Johnny Depp: "Njerëzit qajnë, jo pse janë të dobët, por sepse ata ishin tejet të fortë për një kohë të gjatë."

E dikush të thotë:

nga afria e dashuria njerëzit kanë telashe. Kokëçarje. Dhimbje e plagë.

Ti mbetesh eng. Gjindja mbeten eng.

1.

Le ta kujtojmë Kosovën.

Pothuajse, secili njeri që e ka përjetuar luftën e fundit në Kosovë ende i ndien ato plagë. Shkruhen libra e rrëfime të tëra për këtë kohë. Dhe kjo është dëshmia më e saktë se sa të thella janë ato plagë. Na duket sikur edhe pas dy dekadash ato janë ftohur. Mirëpo, mjekja, poetja e figura e njohur publike, Flora Brovina, do të thoshte “Plagët dhembin kur ftohen". Masakrat, vrasjet, dëbimet, djegiet e vatrës ku ke fjetur, ku ke pushuar, djegia e gjithçkaje të gjallë. Rrëfime për të vrarët e hedhur nëpër puset. Ende nuk na shqitem metodat millosheviqiane të dëbimit masiv të popullatës shqiptare, shkallëzimi i luftës... Fatkeqësisht, zbrazemi edhe për gjendjen e pasluftës, rivalitetet tona dhe vrasjet ndërshqiptare të pasluftës.

Aty, si vetëdije zgjimi, e dëgjojmë klithmën e përbashkët: është interesi i përbashkët i të gjithë qytetarëve që të kapërcehet ky hendek lufte e paslufte.

Të shërohen këto plagë...

Te ky shërim: ne shohim një burim drite e shprese për një të ardhme të përbashkët, ku do të ketë drejtësi për të gjithë, ani se u përdhos keqas, sidomos drejtësia sociale (shëndetësore, kushtet e shkollimit... një vend pune... deri te zhgënjimi a ikja e sërishme nga Kosova).

Ende i dëgjojmë rrëfimet me vlerë të shumëfishtë: në radhë të parë, për ta sqaruar të vërtetën se sa larg kanë shkuar krimet e luftës.

Dhe sa shumë kohë na merr liria për të triumfuar mbi urrejtjen tek gjeneratat e këtyre viktimave, brezave që i kanë përjetuar këto tragjedi.

2.

Koha shëron plagët: sigurisht. Por ato më shumë i shërojnë, në radhë të parë, përkujdesja jonë, ashtu sikundër i shëron edhe solidariteti njerëzor e shoqëror.

Edhe solidarësia e shkrimit.

Dhe kjo solidarësi sigurisht që përpiqet t'i zbusë pasojat e ligështimit tonë shpirtëror; kurse qortimi ynë i përbashkët, në këtë rast, drejtohet kah vetvetja në radhë të parë, për situatat demoralizuese e traumatike që mund t'ia shkaktojmë vetvetes, apo që mund të na i shkaktojnë edhe të tjerët; apo kushtet e rënda ekzistenciale, apo me plagët ekonomike, apo me grindjet politike, shoqërore, partiake e familjare, të cilat i rëndojnë këto varrë të pambyllura.

"Duke falur nuk shoqërohet e kaluara e hidhur. Një kujtim i shëruar nuk është një kujtim që fshihet. Në vend të kësaj, për t'u falur ajo që nuk mund të harrohet, krijon një mënyrë të re të kujtesës. Dhe këtë ndryshim qëndrimi ndaj kujtesës sonë, ndaj të kaluarës tonë, e bëjmë të nxitur nga shpresa për të ardhmen tonë", thekson Lewis B. Smedes, një autor i lëmit të etikës dhe reformave të traditës në SHBA. Ky ndërrim i qëndrimit përbën një heroizëm tjetër të kohës sonë, trimërinë e fortë të shpirtit. "Ka disa plagë që nuk mund të shërohen", thuhet kudo nëpër botë, sepse nuk ka vend në botë pa plagë të tilla të hidhura. "Veprimi është një formë e ndriçimit të mendjes", shton Rebecca De Mornay.

3.

Mu kur dhimbja ka zbritur në pikën më të ulët, mu aty, si e vetmja gjë që mund të ndodhë, do t'ishte një ngritje në rrugën e shërimit; për ta parë mu atë burim të dhimbjes, për të qenë i gatshëm ta shikojmë secili brendinë tonë, se ndryshe nuk ka se si të merresh me të. Por, mos të harrojmë: ndriçim është përvoja e njeriut që i ka përjetuar e parë këto tragjedi e tmerre, që i ka parë se si janë vrarë njerëzit e si kanë vdekur, se si janë rrëmbyer e si janë zhdukur. Ndriçim i mendjes e i shpirtit është secili rrëfim, është përvoja e mahnitshme e secilit prej nesh, por edhe i sa e sa autorëve e solidarëve ndërkombëtarë që vijnë në Kosovë në emër të ndriçimit të të vërtetës.

Është ai parimi universal njerëzor, se vetë miqësia e solidarësia me njerëzit e tillë të përvojave të hidhura të luftës, është një trajtë e shërimit. Ajo që ndryshe, pra, quhet empati, apo bashkëndjesi njerëzore. Bashkëndjesi me këtë plagë të ftohtë, që ther edhe më shumë.

Dhe veprimi i përbashkët është një burim drite, një ndriçim dhe shpresë për të gjithë njerëzit.

(Prend Buzhala, 1 maj 2019)



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora