E enjte, 25.04.2024, 12:01 AM (GMT+1)

Kulturë

Hysen Kobellari: Tre fjalët e sheikut

E shtune, 01.06.2019, 07:21 AM


TRE FJALËT E SHEIKUT …

Tregim nga Hysen Kobellari

Kemi ardhur mysafirë në vendin ku, sa të futësh në tokë lipatën, del naftë, si nga xhepi i begatë i Perëndisë. Mua më duhet të bëj përkthyesin midis bashkëbiseduesish më të lartë. Përkthyes dhe fotograf.

Nga vendi im është dora vetë, i pari i qeverisë; nga pala mikpritëse – një bukurosh i gjatë, syzi e vetullzi, me një nur të veçantë bukurie, i veshur kokë e këmbë krejt në të bardha.

Para se sa të ngjerojmë së bashku çajin avullosh rus, shkëlqesia e tij kqyr edhe një herë sypicërruar, hartën e vendit të bujtësve:

Ç’është ky vend kaq i vogël, sa një glasë zogu ?!... – mendon ai me vete dhe nënqesh, duke shpërvjelë parreshtur buzët e tulta e të manushaqta në ngjyrë manaferre, mbi mjekër e nën mustaqe.

Ndërkaq, kryesori im, nis të shpalosë të dhëna të bollshme për sukseset e mëdha të arritura pas përmbysjes së sistemit monist, për lirinë e fjalës dhe të lëvizjeve, për hapjen e vendit tyt më tyt, për terapinë e shokut , për domosdoshmërinë e ndëshkimit të kafeshpërdoruesve të Bllokut, për …

Marshallah ! Marshallah ! … - gugat nën vete sheiku i nderuar, sybajamkë, me atë fytyrë të qeshur, si nga një lumturi që i buron nga poshtë gjoksit, teksa gjerb ngadalë çajin e shijshëm rus.

Mua më duhet të bëj shpejt e shpejt edhe disa fotografi pikante, për ta pasqyruar mirë e bukur takimin historik, por edhe më duhet të fiksoj në kujtesë çdo detaj e fjalë, gjithçka ndodh e thuhet këtu, pra …

Koha kalon dhe personaliteti i lartë i vendit tim shpalos me aftësi e zell projektet e Qeverisë demokratike për përparimin e pandalshëm të vendit në demokraci, duke përdorur si shumë dendurisht fjalët : Duhet … dhe : Do të …

Inshallah ! Inshallah ! … - shpërthen mes mërmërimash pa pushim sheiku i mençur, duke mos dashur ta pengojë padashka bashkëfolësin në dëshirat dhe ëndrrat e veta për begati e lumturi imagjinare mbarëpopullore …

Nuk e di se pse, po neve, bujtësve, po na duket gjithnjë dhe më i pashijshëm ai çaji rus, aq sa po e lëmë  për fare gjerbjen e tij …

Ka ardhur koha kur lumi i fjalëve tona të kthehet në dritë, me të cilën i pari ynë të ndriçojë kërkesat përkatëse për ndihmë nga bashkëbiseduesi i vyer. Ato janë projekte ekonomike, teknike, financiare, që lypin fonde të mëdha monetare. Dhe kur flitet për para, bëhet fjalë për luftë …

Teksa dëgjon me shumë vëmendje përkthimin tim pak të zbutur të kërkesave, Shkëlqesia e tij sikur trembet pak, rrotullon shpejt e shpejt ata sytë e tij të bukur si bajame, tund kokën lart e poshtë, si pëllumbat,  majtas e djathtas në mënyrë të pazakontë, pastaj psherëtin, sikur është gati të falë atë çast frymën e fundit:

Meazallah ! Meazallah ! …

Këtë fjalë kaq të bukur, por edhe tejet të hidhur, mezi e dëgjoj unë, se të tjerët s’besoj se e dëgjuan qartë. Të gjithë paskeshim qënë të sigurt që në fillim se kërkesat tona do të plotësohen deri më një, nga ana e mikut të madh të vendit tim. Gjithë ajo përzemërsi, miqësi, besim, dashuri, admirim …

Vetëtimthi e kuptoj se kjo pandehmë jona paskesh qënë e gabuar. Vetëm unë e kuptoj, të tjerët s’marrin vesh gjë nga kjo anë…

Takimi mbyllet mirë e bukur, me plot urime, premtime, përbetime për miqësi të përjetshme, buzëqeshje vesh më vesh, shtrëngime duarsh, përplasje gotash çaji deri në derdhje përdhe e diku midis shalëve njerëzore; lëpirje buzësh të tulta, zgurdullime sysh dinakë…

Mbarojmë dhe e ndjejmë veten disi të çliruar. Unë u vë Tutiusin pandehmave të mia, për sa di dhe kuptoj më tepër se të tjerët. Mua nuk më lejohet të ndjell pandehma. Nuk jam Kasandra. Mund të hapem vetëm me një çelës : kur të më pyesin …

I pari i vendit tim, i zgjuar sa më s’ka, dyshues në maksimum, i paduruar deri në mani, nuk duket aspak i qetë. Më heq mënjanë si me marifet. Unë nuk e jap veten që në fillim. Bëj sikur s’kuptoj.

Me një buzëqeshje të zvargur, që i varet si pezhishkë nën buzë, ai më pyet për kuptimin e atyre fjalëve të vetme, të cilat i kishte pëshpëritur Sheiku mikpritës gjatë bisedimeve. Fjalë aq të njohura në vendin tonë dhe të përdorura  në krejt Ballkanin, besoj, po edhe në mbarë botën.

Unë kam për detyrë t’ia shpjegoj semantikisht ato, fare shkurt e qartë :

Marshallah ! – shpjegoj unë me zë të ulët, - ka kuptimin: Zoti ka dashtë. Ose : U bë vullneti i Zotit …

Inshallah ! – Në dashtë Allahu ! Nëse don Zoti, pra, ashtu të bëhet ! …

Meazallah ! – Kurrën e kurrës ! Mos e dhëntë Zoti të bëhet …

Nuk më duhet të komentoj më gjatë ato të tre fjalët plot kuptim të Sheikut të nderuar. Qartësia kthjellon gjithçka.

Bujtësi kryesor kupton tërësisht çdo gjë. Shikon nga dalja me një vështrim si në panik. Shtrëngon nën sqetull çantën qeveritare thuajse bosh dhe nxiton të dalë, duke më tërhequr edhe mua për krahësh, si pa vetëdijë. Edhe unë sikur kam nevojë të tërhiqem nga dikush pas dore, për të dalë andej nga dera, nga kishim hyrë …

Sheiku i mençur është mirëinformuar nga të vetët për gjithçka ka ndodhur në vendin tim; për mishmashin që ka sjellë regjimi i ri në këtë vend të vogël e të shumëvuajtur; për bashkëbiseduesin e vet ateist, thellësisht ateist, për … Ku ta di unë i shkreti, se sa i informuar është mikpritësi ynë i ndruar ?!...

Unë bëj vetëm detyrën e përkthyesit dhe të fotografit. Të tjerat janë thelë mbi bisht për mua …

Pandehmat, gjynah mos paça, më thonë se Sheiku ka vendosur të mos e ndihmojë drejtpërsëdrejti monetarisht shtetin tonë të dobët, por ta shohë si më të dobishme të ndihmojë institucionet fetare dhe konkretisht  popullin besimtar; kjo i duket si rruga më e sigurt dhe më dobiprurëse. Të ndihmosh një shtet të tillë vetëm me para qesim, ka menduar mikpritësi ynë i vyer,  është si të hedhësh dollarë pa arsye, në pusin e zjarrtë të xhehnemit …

Dhënësit nuk janë gjithmonë budallenj.



(Vota: 43 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora