E enjte, 25.04.2024, 04:58 PM (GMT+1)

Kulturë

Shyqyri Fejzo: Gajdja bie për ata që kanë veshë

E premte, 31.05.2019, 09:04 PM


GAJDJA BIE PËR ATA QË KANË VESHË

Shënime për librin me tregime humoristike “Bjeri gajdes, gajdexhi !” të shkrimtarit Hysen Kobellari

Nga Shyqyri FEJZO

Shkrimtari oparak Hysen Kobellari i dha së fundi lexuesit vëllimin me tregime e skica humoristike “Bjeri gajdes, gajdexhi!”. Në të 31 tregimet dhe skicat, që jo më kot e pa qëllim është kurdisur që të nënkuptohet si numër shansi e fati, ka diçka të re. Çdo tregim apo skicë humoristike e goditur, bën gati efektin e një ngjarjeje me interes të përgjithshëm; ato përcillen njëlloj si një lajm i sapomarrë. Shakanë, të qeshurën, komiken, që në kohët e lashta u pëlqente ta përcaktonin si një zotësi për të gjetur ngjashëmëri midis sendeve dhe fenomeneve të pangjashme, domethënë, për të gjetur ngjashëmëritë e fshehura.

Kur mbaron së lexuari vëllimin, ndjen kënaqësinë e shpërndarjes së një lajmi të mirë, një gur a tullë që vihet në rritjen e kalasë së letrave në fushën e humorit dhe të satirës. Që në tregimin e parë “Erosmetri”, autori na prezanton një sistem marredhëniesh e lidhjesh ku herë sundon humori, herë qëndrimi satirik, deri në grotesk, cilësi të karakterizuara përmes humorit të hollë. Natyra objektive e dukurive  që shigjeton Kobellari në këtë tregim janë: ftohja e ndjenjave njerëzore nga njëra anë, e dashurisë në mes njerëzve dhe gllabërimi i gjithçkaje nga ekonomia e tregut dhe fitimit, si dhe e dashurimatësit , nga ana tjetër. Në pamje të parë të duket si historia e një shpikjeje të vërtetë, të rëndësishme, saqë beson dhe uron që vërtet të jetë e tillë. Dhe ku dihet, mbase autori e disponon një Erosmetër, Dashurimatës, të ngjashëm me zemrën e vet … Baza a humorit këtu përcaktohet drejt nga cilësitë objektive të dukurisë komike. Ato, si dukuri nuk bien ndesh me procesin shoqëror përparimtar; nuk i kundërvihen  balla - ballas  ecjes përpara të shoqërisë, por shkaktojnë vonesa, çekuilibrime të dukshme, pengesa në proces …

Në disa tregime, forma e mëshirimit artistik të personazheve e dukurive  ndihmojnë të dalin në pah lidhje, ndërveprime e marrëdhënie, të padukshme në plan të parë. Kobellari shkruan më shumë duke përdorur vetën e parë. Kjo teknikë është më e lehtë, më komode në krahasim me të tjerat, por kjo ka edhe të metë rrezikun e monotonisë dhe të vetëpërqeshjes, në ndonjë rast, të cilat mund të zbehin vlerat e mirëfillta të prozës cilësore. Këtij nuk i ka shpëtuar ky vëllim, me gjithë përpjekjet e autorit për larmi stilesh e subjektesh. Në disa tregime e skica , Kobellari ia ka dalë me sukses , duke përdorur ndonjë fabul, shaka, apo ngjarje komike të njohur, që përpunimi dhe ngritja në art e kanë dhënë vlera të vërteta.

Në tregimin “Epidemia e Zilisë” alegoria është e qartë, kur krahasohet me dukuritë e sotme, me pyetjet që bëhen shpesh : “ Si e bëri gjithë këtë pasuri, filani ?!; Ku i gjeti gjithë ato para ?! ; Unë nuk dua, por edhe ai të mos marrë, të mos këtë …, etj “ Të mos harrojmë që krimi i parë në këtë botë është bërë për shkak të zilisë, cmirës, kujtoni se si Kaini vrau vëllain e vet, Abelin… Këto dukuri fshikullohen bukur, ashtu si edhe në tregimin “Nuk mbarohen kurrë”, që ka si objekt satirizimi apatinë, synimin për të fituar në kurriz të tjetrit, rehatllëkun e fodullëve, të cilët kanë harruar se në ekonominë e tregut “puna është babai”

E papritura është përdorur me sukses në disa tregime të këtij autori. Ky mjet artistik është bërë burim i komikes në tregimin “Kush ndez për djallin një qiri”, në “Porosia e të vdekurit”, etj. Keqkuptimet e ngatërresat që lindin për një gabim të njërës palë, gjithashtu krijojnë situate humoristike të këndshme. Të tilla janë ato tek tregimet “Orëhumbura dhe Ëndrra”, “Unë, Pasqyra dhe Mortja”, “Përkrenarja e Oficerit”, etj.

Të shkruash mirë në gjinitë e humorit dhe satires kërkohet një njohje e thellë e jetës njerëzore, deri në detaje, ku e mira dhe e keqja janë në të njëjtën bërthamë. Në tregimet e Kobellarit bie në sy njohja e mirë e gjërave për të cilat ai shkruan. “Dy orë kafshar”, flet për njohje të thellë të jetës së personazhit, i cili me sa duket mbetet burim i pashtershëm thellësie e gjerësie artistike. “Gjarpëri dhe helmi i gjuhës”, “Një fjalë foli Sefja”, “Lisit të madh i ra një gjethe”, dëshmojnë se autori ka njohje të thellë, deri në detaje të temave që trajton. Në tregimet “Krenari greke” dhe “Hajdut padashka” gjejmë në përgjithësi një befasi të vërtetë, tek i pari, që nuk mund të pikaset në fillim synimi i autorit dhe se si do të jetë zgjidhja, ndërsa tek tjetri, boshti duket i diskutueshëm, se “ja, kështu do të mësohemi të vjedhim njëri-tjetrin”; kjo do të ishte një jetesë e mirëqënie spartane, e parealizueshme. Nuk hakmerresh dot aq lehtë kunder “grabitjes së përditshme”…

Kobellari ka një stil të shkruari e të treguari original, të shtruar e të rafinuar; nuk i shpëton gjë për temën që trajton. “Qesh me mollën e kuqe”, kur i thonë dhe “shikon qimen në vezë.” Stili i tij është i kuptueshëm, konkret dhe mbetet mjeshtër përshkrimi.  Pastrimi nga fjalë  të huaja, edhe pse ato që ka përdorur ai kanë një përdorim të madh në zhargonin e përditshme, do të gjykonim se i shërbejnë rritjes së cilësisë  rrëfimtare në tregime.

Gajdja e librit të Kobellarit ka meloditë e saj, të ëmbla për veshin, për kohën edhe pse është instrument që nuk i nxjerr të shtata notat të plota. Ato pjesët që ka ekzekutuar gajdexhiu i Kobellarit, janë popullore, që të sjellin gaz në shpirt, besim e shpresë dhe kritikë urtë e butë për të kaluarën. Me këtë gajde e gajdexhi, autori ka mbyllur një shteg bosh në godinën e pafund të humorit dhe satires, duke dhënë aty ngjyrat, tingullin, timbrin e regjistrin e kohës dhe të trevës ku jeton.

A do t’i dëgjojnë të gjithë dhe me të dy veshët këto melodi ?!

Le t’ia lëmë kohës.



(Vota: 41 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora