Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Resmi Osmani: Pa baba

| E marte, 28.05.2019, 07:39 PM |


PA  BABA

Skicë nga Resmi Osmani

Të atin, bashkë me 72 burra të tjerë të pafajshëm, vetëm pse ishin shqiptarë i masakruan dhe u morën jetën barbarisht zervistët grekë ,në 12 mars të vitit 1945 në Vanar të Filatit. Kjo ndodhi në sytë e tij dhe pjestarëve të tjerë të familjes. Ishte pesë vjeç.

Kur njeri nga prindërit  ikën nga jeta parakohe, thonë se babai të lë fukara dhe nëna  jetim. I mbetur dhe i rritur pa baba,,nga gjithë përjetimet e fëmijërisë dhe viteve te pararinisë, ai e ndjeu se të mbeturit pa baba të lë edhe fukara edhe jetim. Fukara, se familja mbetet pa shtyllën e saj, e pambrojtur, e pakujdesur, pa mjete jetese.Që fëmijë u detyruan ta nxirnim vetë bukën e gojës, duke sherbyer si hysmëqarë në dyert e botës, zbathur e të keqveshur, të panginjur. Vite vuajtjesh, derisa u mëkëmbëm dhe u bëm zot të vetes.

Babai i kishte lënë fukara.

Vuajtje të tilla nuk provuan ata që i kishin baballarët.

Ditën e parë të shkollës,fëmijët e tjerë kishin ardhur të shoqëruar nga baballarët që i mbanin për dore.Ishin të gëzuar, të veshur bukur dhe me çanta për librat. Ai ishte vetëm, i pashoqëruar, veshur me rrobe të pastra por të arnuara. Për librat një trastë leshi me gjalmë të varur në sup.Ndihej në siklet.  Ca e shihnin me keqardhje, të tjerë me mospërfillje Zuri vend në funsd të rreshtit, e ndjente veten si të tepërt në atë klasë të parë. Ju mbushën sytë me lot dhe deshi të ikte nga sytë këmbët, por e mbajti dëshira për të mësuar,e që nga ajo ditë s’i  mungoi  tërë jetën . Ajo ditë e parë e shkollës për të nuk qe ditë feste e gëzimi, por një ditë e zymtë trishtimi.

Jetim dhe fukara.

Vite më vonë, në takimet me prindërit,shokëve të klasës u vinin baballarët, uleshin në banga me fëmijët e tyre, dëgjonin lavdërime apo qortime, gëzoheshin dhe u falnin dashuri dhe shokët apo shoqet e klasës sime ndjenin ngrohtësinë prindërore, mbrojtje dhe siguri. Ishte vetëm në bangë.Për të s’kishte kush të vinte, nëna jo e jo, po as vëllezërit që ishin më të mëshënj, ata s’mund të linin punën. Mësuesi kujdestar, takimin e parë e pyeti përsë s’kishte ardhur prindi. Ja tha: “Unë se kam babanë, zoti mësues” I erdhi keq, por  u mësua me gjëndjen e tij dhe s’i kërkoi  më që të vinte prindi. Megjithatë,ç’kishte për të thënë  për të i thoshte që ti dëgjonte ai  dhe gjithë të pranishmit. E dëgjonte mësusin dhe i kyçte në mendje porositë. Në këto takime   e ndjente  që ishte jetim.

Vinin festat, Krishtlindjet, Viti I Ri, Fiter Bajrami dhe Kurban Bajrami. Shokët dhe shoqet e tij  merrnin dhurata nga etërit, veshje të reja dhe të bukura dhe sende të tjera. Ata festonin dhe ishin të gëzuar. Atij s’kish kush ti bënte dhurata. Festat për të s’ishin gëzim. Edhe në shtëpi nuk ndjeheshin si të tilla ngaqë festoheshin varfërisht. I mblidhte nëna, si klloçka zogjtë. Atë vakt që duhej të përjetohej me gëzim dhe urime, mungesa e babait, kujtimi i tij, e mbulonte me një vello trishtimi dhe nëna derdhte edhe ndonjë lot……Në jetë, ndodhin edhe të papritura, të padëshiruara, rreziqe që duan mbrojtje,  që i kërkohet babait, por ai s’kish kujt t’ia kërkonte, ndjehej i pambrojtur e fillikat. Kur kishte nevojë për një këshillë të mençur, s’kish kujt t’ia kërkonte.Vërtet ishte nëna,ajo i donte dhe drithërohej e përgjërohej  për ta, po ku zemra e nënës, vërtet e dashur dhe e dhimbsur, fjalët e saj ishin balsam, ngushëlluese e qetsuese, por jo me forcën dhe vendosmërinë e babait. Vëllezërit? Të rinj e papërvojë,nganjëherë të rrëmbyer,që mund të prishnin e jo të ndreqnin punë.Të pa rrahur me ashpërsinë e dallgëve të  jetës. U detyrua t’u bëjë ballë vetë prapësive. Kjo e pati edhe një të mirë: e burreroi para kohe, i farkëtoi vullnetin.

E vuante dhe e ndjente deri në thellësi të shpirtit se ç’është të jesh pa baba pre e fatit mizor, pa kujdesin e shtetit dhe shoqërisë,që jepnin vetëm keqardhje dhe mëshirë.

U rrit, u burrërua, u arsimua, u bë edhe vetë prind. Por pengu për Babanë mbeti thellë në vetëdije, i pashlyer, që i shfaqej në ëndërr si  shpirt i vuajtur, i gjakosur, si vegim tronditës, i mbështjellë me mjegull, nga një tjetër botë, nga një tjetër jetë. Vdekja mizore, gjaku i derdhur rrëke. O tmerr. Nuk e dinte, askush nuk mund të dëshmonte, a e varrosën, apo e lanë pre për egërsirat dhe korbat. Edhe në e kishin varrosur, ishte varrhumbur. Edhe po të donte, ai s’kish ku të vinte në ditën përkujtimore, më  27 qershor një tufë me lule.

Medet, medet për martirët e Çamërisë.

Tiranë, mesmaji 2019