E shtune, 20.04.2024, 07:58 AM (GMT+1)

Kulturë

Shpendi Topollaj: Hasan Selimi – një tregimtar me stil mjaft interesant

E marte, 28.05.2019, 06:18 PM


HASAN SELIMI - NJË TREGIMTAR ME STIL MJAFT INTERESANT

(Rreth librit “Sallat e përhimta”)

NGA SHPENDI TOPOLLAJ

Edhe pse ka plot kundërshti në teoritë e austriako - hebreut Zigmund Frojd (Sigmund Freud) dhe zviceranit Karl Jung (Carl Jung), përsëri psikoanaliza është e të njejtit mendim se edhe fantazia mbetet burim për të shpjeguar fenomenet subkonshiente të njeriut. Ndikimi i veprimeve të pavetëdijshme instinktive në nënshtrimin e vetëdijes, janë të njohura qysh në kohët e lashta. Kështu, grekët e vjetër e shpërfaqin këtë dukuri në gjithë shtrirjen e mitologjisë së tyre. A nuk thuhet tek “Iliada”: “…ndërsa i qetë po flija, vegim hyjnor mes s`ëmblës natë më erdhi”. Dhe a nuk qe ëndrra që pa djali nga Samosata e Sirisë, Lukiani, ajo që i dha drejtim jetës së tij? Pastaj a nuk mjafton të përmendim Perëndinë e ëndrrave, plakun Morfe (gr. formë), birin e Hipnosit i cili kish si detyrë jo vetëm që t`i vinte njerëzit në gjumë, por edhe t`u paraqiste atyre ata që ai donte vetë, duke marrë trajta të ndryshme dhe duke imituar zërin, pamjen dhe deri ecjen që ata kishin. Ka kohë që shkrimtarët kudo në botë ndjekin një mënyrë të shkruari që reflekton parimet e psikoanalizës, por në vendin tonë kjo lloj letërsie ende nuk po gjen përhapjen e duhur. Ndofta edhe pse duke kërkuar njohje dhe kulturë të posaçme, mbart edhe vështirësitë e veta. Ja përse më bëri përshtypje tregimi “Unë këtu, baba atje…” që çel librin “Sallat e përhimta” të autorit tropojan, juristit - poet dhe shkrimtar Hasan Selimi. Historia që ai aq bukur dhe njerëzishëm trillon, çuditërisht na ka ngjarë të gjithëve. Burri i shtrirë në divan dhe i zhytur në një kllapi të këndshme, dëgjon një krismë dere, nga ku i shfaqet i gjallë, babai i vdekur shumë vite më parë. Nuk u beson syve, por kjo i ngjet nja katër a pesë herë. E për më tepër, ai kuvendon e çmallet me të. Kishte qenë i vogël kur ai kishte vdekur, por ja, tani kujtesa ja sjell gjithçka sikur të kishte ndodhur dje. Nis kuvendimi rutinë nga i biri si, eja ulu, kur ke ardhë, hiqe xhaketën, a don me hangër, mirë, vezë të fërgume me tlyn. Dhe pastaj vazhdon me fjalët e thjeshta të të ardhurit nga bota tjetër si, ku asht nana, ku e ke librin që flet për Gjakovën, kërkoj cigaren e qelibarit e mos i trego kujt se kam ardhë etj. si këto. Pra, autori edhe pse ka mundësi të tjerrë deri edhe biseda filozofike, përsëri operon me biseda të rëndomta, por shumë domethënëse për kujtimet e hershme familjare që ngjallin. Se në shtëpi, askush nuk gjurmon fjalë të mëdha dhe nuk u referohet mendimtarëve të mëdhenj. E vetmja e vërtetë e madhe që babai i pohon të birit është se edhe atje poshtë ka sherre, pasi “kur nuk ka punë, ngatërresa do të keshë.” Të trillosh, do kuptuar se shkrimtari synon të ndihmojë ndërtimin e një figure të kompletuar artistikisht. Dhe natyrisht që kjo vjen pas një përvoje të gjatë jetësore. Kurse vetë aftësia e të trilluarit shton anën emocionale dhe të fut në një atmosferë, ku lexuesit i duket se edhe ata që janë larguar nga jeta, flasin e veprojnë sikur të ishin të gjallë, midis të gjallëve. Nga ana e tij prozatori i shquar M. Gorki duke bërë fjalë për fantazinë në artin e të shkruarit është shprehur se “Nuk mjafton të vëresh, të studjosh, të dish, duhet edhe të trillosh, të krijosh. Krijimtaria është një bashkim i shumë vogëlsirave në një formë të tërë e të përsosur, e madhe apo e vogël qoftë. Arti është i pamundur, nuk mund të ekzistojë dot, pa trillimin”. Dhe burri që i shfaqet i ati, të cilin ka pesëdhjetë vjet pa e parë, kapet në befasi e për rrjedhojë jo vetëm hutohet, por dhe nuk di si të veprojë. Ai fillimisht kërkon të njoftojë komshinjtë, pasi nuk e di “a jam në ëndërr a jam çue”. Por tek ai që shkon, jo vetëm që sheh se e marrin për jo normal, por dhe atje nuk kanë njohur babanë e tyre e për më tepër, thashethemet marrin dhenë. Lloj - lloj hamendësimesh qarkullojnë nëpër fshat: ca e bëjnë të dehur, ca të luajtur mensh, ca shpresojnë se po të marrin leje nga atje ku janë të vdekurit, do rregullohet edhe mulliri dhe në shkollë dikush mori një çmim letrar për essenë më të bukur me këtë temë. Pra, i gjithë fshati u vu në lëvizje nga një fanepsje. Madje dikush edhe në prag të vdekjes, daklaron se po shkon i qetë, pasi “Tash u rregullue kjo punë dhe do të vijmë periodikisht me leje.” U turbullua dynjaja, vetëm e vetëm pse djali nuk dëgjoi babanë e kthyer nga varri që: “Mos iu thuaj të tjerëve, sepse ta quajnë përrallë, të qeshin dhe mendojnë se është krijesë, imagjinatë ose gënjeshtër.” Pendohet djali që ua tregoi të tjerëve ardhjen e të atit, por tani ishte vonë. Mallkon veten, por kjo tani s`ka më vlerë. Dhe në takimin e fundit, babai lë si amanet kujdesuni për kalin. Siç shihet, autori ka zgjedhur të bëjë kapëcime, në dukje të palogjikshme. Ashtu sikurse e tillë është vetë kjo histori. E pa vërtetë, por që duam apo s`duam, na ngjet të gjithëve. Na ngjet dhe na gëzon. Na gëzon se na çmall me njerëzit e dashur që s`i kemi më. Por që për fat të mirë mbetet kujtesa, institucioni më i çuditshëm dhe më magjik që kemi. Ja, e tillë mbetet qysh nga lashtësia e deri në ditët tona, psikika e njeriut. Ndaj dhe kishin të drejtë Frojdi, Jungu e ndjekësit e tyre. Se njeriu qenka jo vetëm mish e kocka, por edhe shpirt. Ndaj dhe si e lexojmë këtë tregim interesant, pajtohemi edhe me autorin Hasan Selimi që në mbyllje shprehet: “Qyshse atëherë e tash pres të vijë baba prapë. Nëse vjen do ta përqafoj sido që të ndodhë. E në fakt çdo sekondë ia dëgjoj erën. Në çdo sekondë e dëgjoj në zë. Në çdo sekondë e marr për qafe. Unë këtu e ai atje, takohemi përmallshëm…” Dhe në gjithë këtë përkundje ledhatuese, na shpie vetëm fantazia, të cilën Albert Ajnshtajni (Albert Einstein) e quante më të rëndësishme se dija.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora