E enjte, 28.03.2024, 10:35 PM (GMT)

Editorial

Prend Buzhala: Kah Evropa apo kah orienti?! (2)

E marte, 28.05.2019, 07:00 PM


ENDE QENKEMI NË USHËKRYQ: KAH EVROPA APO KAH ORIENTI?!

- pjesa e dytë-

(Nga ligjërimet për të vërtetën)

Nga Prend BUZHALA

Harta jonë është në Evropë: këtë fjali e kam përsëritur shpesh.

Dikur, në antikë, ishim midis botës romake e asaj greke, më vonë midis Perandorisë bizantine dhe Romës, midis katolicizmit dhe ortodoksisë, pastaj midis Perandorisë osmane dhe Evropës, midis islamizmit e krishterimit, në kohët moderne midis komunizmit dhe demokracisë... Gjithmonë Orientin (Bizant, Perandori osmane, komunizëm) i kemi përjetuar si OKUPIM... Vetëm demokracia europerëndimore na solli liri e vlera... Malli për Orientin po na shpie në shpërbërje... Edhe ndonjë ndarje tjetër gjeopolitike e gjeostrategjike që mund të bëhet në të ardhmen, mund të bëhet me po ato forma dhune e pushtimi, si ishte deri në fund të shekullit XX. Historia dëshmon: këtu e kanë thyer qafën të gjitha perandoritë e të gjitha sistemet e dhunës...

1.

Faik Konica dhe intelektualët shqiptarë e të shteteve përreth, e quanin Evropa Juglindore... madje quhej edhe Gadishulli ilirik (ndryshe nga ç’erdhi ky emër më vonë, si Ballkan e tani an thonë: Ballkani perëndimor).

Shekulli XIX ishte shekull i Rilindjes sonë Kombltare, po edhe i evropianizimit të kombit tonë.

Janë pikërisht intelektualët e proveniencës muslimane, që nga Naim Frashëri e Faik Konica e deri te Kadare e Rugova, që e evropianizuan kombin shqiptar. Gjatë viteve ’90 Kosova kolektivisht për herë të parë kthehet kah Perëndimi e jo kah Orienti, e ky është KTHIMI YNË I MADH HISTORIK aty ku e kemi vendin. Të tjerat po përfundojnë ( dhe do të përfundojnë) në koshin e mbeturinave të historisë... Mund të flasim për ata nxënës e studentë që arritën edhe të doktorojnë në Oxford e në universitete tjera evropiane (është fjala për vitet ’90). Nuk dihet asnjë nxënës shqiptar dhe asnjë mësimdhënës shqiptar që mësoi a punoi me programe serbe. Vepra historike e një kombi sigurisht që i ka protagonistët e kryeprotagonistët e vet... por, para së gjithash, është vepër e përbashkët e një kombi. Ndryshe nuk do të ishim çliruar.

Prandaj Serbia vajton e vajton, shan dhe sulmon, por ne nuk kemi të drejtë ta bëjmë të njëjtën gjë kundër vetvetes. Një realitet tjetër është ky i pasluftës... prandaj duhet ditur kah ta drejtojmë pakënaqësinë a rebelizmin, se ndryshe as pakënaqësi as rebelizëm nuk është, kur te një akuzë përfshihen edhe fëmijët apo krejt arsimtarët...

2.

Ekziston Karta e Lirive dhe e Të Drejtave Njerëzore që e njeh edhe lirinë e besimit. Kosova është shtet laik dhe e njeh lirinë secilit njeri të besojë atë religjion që do. Prandaj, sipas frymës kushtetuese dhe kësaj karte universale, besimet respektohen.

Është tjetër gjë, kur një religjion pretendon të shndërrohet në SISTEM POLITIK dhe ta udhëheqë një vend me kushtetutë fetare. Por kjo gjë nuk lejohet në shtetet demokratike, siç është Kosova.

Nëse duam të shkojmë më tutje, përse teprohet në religjion ndër ne, atëherë po them që le t'u ofrojmë të rinjve vende pune... se atëherë gjërat vijnë në vend të vet. Politikës (së dobët) dhe kalkuluese (për përfitime votash a përfitime funaciare etj), i intereson një gjendje e tillë...

Edhe librat e shenjtë nuk e duan teprimin në fe.

Nuk kemi nevojë ta teprojmë as në kritikë...

Një dukurie negative duhet qasur me takt, me dije, me edukim...

Teprimet e tilla janë shenjë e një shoqërie në krizë jo vetëm sociale, po edhe frikë identitare.

Ne mund të shkruajmë, të bisedojmë, të apelojmë: si duhet ta forcojmë identitetin tonë nacional, si duhet të zhvillohemi si gjithë Evropa...

3.

A janë shqiptarët kombi më i bojkotuar në Evropë?

Dikur, bojkoti quhej izolim...

E tani, si të dalim nga ky bojkot-izolim?

Pyetjet (shqetësuese) që mund të shtrohen, janë të shumta.

A jemi ne që duam t'u bëjmë bojkot vlerave evropiane?

Në fakt, e vetmja rrugëdalje, është dalja nga ky izolim dhe vetizolim.

Është keq kur bota evropiane na merr si shembull të njerëzve që duan kaos... dhe kudo që shkojnë, shqiptarët edhe merren si shembuj të anarkisë, mosrespektimit të ligjit, dhënies pas veprimeve asociale... tregtisë së drogës, armëve, trafikimit të qenieve njerëzore...

Filozofi e sjelljes sonë qenka përplasja me vetveten...

Duhet falënderuar gjithë ata njerëz, ato rrethe arbërore-shqiptare e ato vlera që i mbajti të pashkëputura lidhjet me Perëndimin, që nuk lejoi humbjen e tërësishme të identitetit tonë historik, pikërisht në kohën e okupimit otoman, i cili na pati shkëputur tërësisht nga ajo me anë të ideologjisë së saj orientale.

Kishim dikë si drejtues shpirtëror...

Sot, sikur nuk kemi drejtues të tillë, se i kemi defaktorizuar. Kemi drejtues (udhëheqje) TË FAKTORIZUAR PA SHPIRT, dmth të dhënë pas çorientimeve, pas interesave tjetërsuese, pas regresit historik, pas interesave personale... materiale; duke harruar se KOMBIN E MBAN NJË SHPIRT, NJË FRYMË E PËRBASHKËT SHPIRTËRORE!

Krijohet përshtypja se në PERËNDIM (në Evropën perëndimore) ne kërkojmë GABIMISHT pjesën tonë të LINDJES, të orientit, të atyre rrënjëve që na u mveshën me pushtuesit... e atje ato rrënjë orientale nuk mund t’i gjejmë...mund t’i gjemë vetëm në ORIENT (PRA, gjithnjë pa dalë prej temës: po flasim për raportet BOJKOT- dalje nga bojkoti)...

Dhe le të mos harrojmë: pavarësia e Kosovës është ai shtegu që na entuziazmoi pa masë e që na dha drejtim kah perëndimi, ndërsa pushtuesit e derisotëm (e argatët e tyre) përpiqen të na mënjanojnë nga ky drejtim!

Sigurisht, te ky orientim evropian, i ka rrënjët mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga shtetet sllave e nga orienti!

Shqiptarët u shkëputën nga orienti, ende pa ikur këndej Perandoria otomane: krijuan alfabetin shqip sipas modelit europerëndimor, hodhën poshtë sheriatin (duke e reformuar islamin: pra, duke e ndarë nga shteti) dhe përqafuan bërjen e shoqërisë e të shtetit sipas kushtetutave evropiane, zgjodhën mënyrën evropiane të jetesës, veshjes, zhvillimit... ndarjes së fesë nga shteti.

Është shansi ynë ta shfrytëzojmë këtë KTHIM TË RI kah Evropa... sepse ne i përkasim CIVILIZMIT EVROPIAN. Sado që mund të IKIM nga VETVETJA, nga KY KTHIM i RI, nga rrënjët tona (të ikim diku në ORIENT), megjithatë, e vërteta është po ajo, e pandryshuar, historia është po ajo, civilizimi ynë është po ai...

Evropa ka pasur dhe ka mirëkuptim për shqiptarët.

Por e kemi të zorshme që të dalim edhe nga fushat e vetë-minuara të frustrimeve tona (kolektive).

Por, mos të harrojmë, edhe në Evropë lartësohet emri ynë, vlerat që kemi: që nga kohët ilire, që nga Epoka e Skënderbeut e deri te Nëna Tereze dhe Kadare...

Përbaltjet dhe fyerjet kundër vetvetes, nuk na vijnë nga Evropa, por nga qarqe brendashqiptare.

Për ta mbrojtur një të djeshme gjithë defekte, gjithçka bëjmë që sot të krijojmë sa më shumë mekanizma të ikjes nga vetvetja.

Harta jonë gjendet në Evropë!

Dhe gjendemi në Evropë, në perëndim.

Pra, realitet na është edhe vetizolimi!

4.

Edhe shqiptarët e kanë "hisen" e vet në këtë IDENTITET EVROPIAN. Kemi edhe antikë ilire, edhe krishterim qe dymijë vjet (me emrat e shquar të Shën Jeronimit etj, apo ne shenjtorët e martirët e krishterë ilirë, e deri te Noli e Fishta dhe Kisha e Sotme), por kemi edhe EPOKË MODERNE (që nga Marin Barleti e deri te Kadare). Pra, fryma identitare europerëndimore ndër ne, është e pashkëputshme, përkundër pushtimeve të egra, për të na shkëputur e tjetërsuar tragjikisht nga identiteti etnik, kombëtar e evropian.

Sigurisht që gjërat nuk do shikuar të ngurtësuara, por NË ZHVILLIM. Porse qytetërimet (dhe identitetet), janë ato që janë. Bie fjala, IDENTITETI EVROPIAN përbëhet nga tri shtylla: nga BOTA ANTIKE-GREKO-ROMAKE, nga KRISHTERIMI dhe nga EPOKA MODERNE (e cila zë fill që nga Humanizmi e Renesanca dhe vazhdon edhe sot). Që të tri këto shtylla kanë qenë reaksion ndaj njëra-tjetrës, por që të tria dhe përplotësime. Prandaj, sot, në civilizimin e identitetin evropian, ka edhe antikë filozofike, historike etj etj (që nga Platonët e Aristotelët, Ciceronët dhe Homerët apo Virgjilët); ka edhe krishterim (të paktën, ruhet tradita e pushimit të dielën, ruhet KALENDARI që nis me Jezusin, shtetet e sotme europerëndimore ruajnë me KUSHTETUTËN e tyre e ligje kushtetuese "ritualin" e festimit të krishtlindjeve dhe pashkëve); por ka edhe EPOKË MODERNE me laicitetin... me LIRINË E BESIMIT...

(Prend Buzhala, 23 maj 2019)



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora