E enjte, 28.03.2024, 07:39 PM (GMT)

Kulturë

Qazim Shehu: (N)Gusht në Tiranë

E shtune, 25.05.2019, 07:48 AM


(N)GUSHT NË TIRANË

QAZIM SHEHU

Dielli humbet në guackën e vapës,

Njerëzit ikin plazheve,

Pranë detit të freskët,

Hutimit të ëndrrave,

Zbrazet qyteti dhe bulevardet

U ngjajnë gjuhëve që përqeshin

Heshtjen e ngjyer të qytetit

Njerëzit i thith deti me dallgë,

I cili e mbyt  në verbëri ndonjë njeri,

Gabimisht në rrugë kryhet një vrasje

Ose nga qafa e ndonjë gruaje zhvatet një flori…

Dielli ndoshta për këtë më tepër

Mbi kokë si saç na rri…

BURIMET E TUSHEMISHTIT

Burimet e Tushemishtit i ngjajnë gishtit,

  dora e tokës nxjerr në sipërfaqe,

Ta lajë pakëz në liqen.

Burimet e Tushemishtit rrjedhin, rrjedhin,

Vrerin  e tokës në liqen derdhin.

Liqeni pezmin mbledh, mbledh,

Në grykë të Strugës, lumit Drin e hedh…

LULET E LËNDINËS

Dikur në një lëndinë, padashur

Lulet i dhunoja,

Tek rrokullisesha si qengj i fantaksur

Drejt ngjyrave  që i doja.

Dhe asaj  lules së  bardhë me fletë

Petalet ia hiqja një nga një,

Duke menduar një vajzë çaplehtë

Me thënien: më do,s`më do.

Me lule plot është mbushur sot,

Lëndina,dikur si atëherë,

Ç`ta këpus një lule, është kot,

Ngjyra e saj më ngjan  si pa vlerë.

Fëmijëri e ikur pa teklif

Dhe sa ëndrra që i nisi për larg,

Çamarrokun e vogël ma bie vrik,

Dhe unë e ndal pak…

Për t`i kërkuar  shpjegim,

Shpjegim ai s`jep dot,

Se vjen një kohë që lulet japin trishtim

Kur ato u dhuruan kot…

PLAKA TË BUKURA

Teksa shoh gra me thinja

Që biondohen për marrokët,

Mendja s`më mbushet se dashuria

Filloka nga flokët.

Se po të ishte veç kështu,

Kur shiu i moshës të lante flokun,

Në vend të bukurisë do hidhej kuturu

shëmtia duke ndehur cohën…

Diçka tjetër më e thellë,

Gjer tek trilli i bojës shkon,

Dhe ndizet trupi si një eshkë

Që u ngop me diell  dhe përvëlon…

DËSHIRA

Në rrënjë të dëshirës mbërriti

Zëri im.

Më parë kish shkuar e ftohtë e smirës

Dëshira kërkoi

Pak pushim…

MAJ…

Desha të sjell afër zemrës

Ti mbete gjithnjë jashtë

Si një prill me ditë të ftohtë

Që s`hyn dot i tëri në maj.

Nga prilli hyj në korrik,

Dhe ti hyre në tetor,

Të ranë gjethet, tani prit

Sa të gjej majin mizor…

KJO BOTË

Pasuria veten e ha,

Dhe paratë s`i mbarohen..

Një vetëngrënie apokaliptike pa dëm,

Një gërryerje pa humnerë,

Të varfërit shtohen, kjo nuk shkon,

Kjo botë po mban erë..

RRËKEZA

Me hirin e mëndafshuar të këndelljes,

Një rrëkezë

Në barin  mugullues shushërin,

Ajo mëkon afsh  pa pendesë,

Gjarpër mëkati me pickim.

Shkopinj rrezesh  si mbi  tambur,

Trokasin mbi ujin e paktë,

Flamur instiktesh rrëkeza hurb,

Dhe bari s`mbetet i thatë…

Nga gjiri i tokës sjell mërmërimën

Ndjelljen e bekuar të dëshirës,

Të fortët para saj dridhen,

Të dobtit përtërihen…

KODRA

Në pritje që malin ta mbulojë mjegulla,

Kodra ngre kryet si koketë,

Ajo e di ,natyra ka të vetat rregulla,

Rastin pret të duket, ajo e shkretë.

Sa më gjatë mjegulla të ngjajë,

Ajo do duket më e madhe,

Dhe madhështinë të mos e ndajë,

As me fusha ,as me male.

Kur mjegulla ik e mali del,

Me lartësinë e vet të frikshme,

Me një lehtësim kodra e shtjell,

Një  krenari të dhimbshme:.

Se njerëzit njëherë e panë,

Të famshmen e vet lartësi,

Mjegullat  që erdhën e vanë,

Ua kujtuan me sekëlldi…

KREDO

I gdhiva netët me lodhje fjalësh,

Siç e ka gdhirë  Verleni,

Poet rrethuar prej skandalesh,

Tek unë s`do ta gjeni.

Do gjeni veten e pjesëtuar,

Në qindra dashuri,

Ku nuk ndrijnë gurët e çmuar,

Të asaj që quhet marrëzi.

Ndodh  me të marrët njejtësojnë,

Poetët që shkruajnë vargje,

Pastaj në mbrëmje i afrojmë

Në kërkim të një fjale.

S`më pëlqen lavdia qorre,

Brohorimat e pasinqerta.

Veç fjala që lodhet e del,

Bimë në vlagë të nxehta.

E kur shpërthen koren e tokës,

Syrin e vet nxjerr në diell,

Bëhet bukë për t`iu dhënë botës,

Bëhet ajër ,bëhet qiell…

BURIMI

Nga gji i kujt doli  burimi,

Si nga gji i femrës një psherëtimë.

Vë buzën mbi të e shuaj etjen,

Ky gji përkëdhelet në brendësi.

Ai rrjedh ,rrjedh e s`mbaron,

Për të tjerë e të tjerë rrjedh.

Shembëlltyrën që shkëndijon,

S`dihet ku e hedh.

Dhe unë kujtoj se i kam aty

Vështrimet ,kur rashë përmbys,

Si një shirit i mori, pa zë,

Në djep  të kohrave i çeli zogj…

CUNAMI…

Deti puth tokën me ngjyrë jargavani,

Me shkulm dallge shkrehur krejt,

Në këtë dashuri-mbret.

Epshit  të tij  përdëllyes

Dallga vithet ia shtyn

Tokës, kësaj sojleshe gënjyese,

Freski e tij, në zemër s`i hyn.

Deti ngulmon, dallgët përplas,

Toka e mirëpret me krenari,

Atëhere deti veten zbraz,

Cunami shkrehet brenda tij…

KOHA

Herë herë, më vjen e më ulet para

Një vizitore imagjinare,

Është koha që ikën me të katra

Kjo sojleshë kusare…

Dhe pa ca njerëz s`mund të jetë,

Ndryshe kohë s`do ishte,

Njerëzit morën krahë resh

Dhe humbën sikur s`ishin…

Por shpesh retë m`i sjellin

Kur çelin lulet një nga një,

Dita shtyn diellin

Përpikmërisht,pa zë.

Dhe kujtesa del nga vetja

Rreth i pashtrënguar,

Ajri murmuron nëpër shpendra

Me zërin e atyre që janë shuar…

ÇERMENIKA

O  vendi im, brigje,

Dallgë të ngrira, që kur toka

Në pezm, kështu s`desh të ishte,

Pa ato,lugina e kodra.

Ndoshta më e bukur të qe,

Ajo dëshëroi e s`mundi,

Pa malet me kokën në re,

Pa greminat, hijeshkundur.

Dhe pa ato ara të pakta

Pa djerrinat dhe gurët pa,

Që të mbetej kështu i varfër

Në grindje ,njeriu aty ra.

Tani ky mendim më sillet

Duke menduar një tjetër vend

Ndaj gjithnjë ,njëri -tjetrit

I lavdërohemi ,shesim mend:

Në fshatin tënd as pula s`ha gurë,

Të thërmohet guri s`mundet,

Aty shejtani lëkurën e murrmë,

E rruan thatë e,nga gajasja, shkundet.

Ç`të marrë që jemi,tokën, zoti

Një herë e krijoi me dëshirë,

Dhe ne  na zgjodhi  që moti,

Ta duam duke psherëtirë…



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora