E premte, 29.03.2024, 10:51 AM (GMT)

Speciale

Kujtim Mateli: Poetin që e lindën dhimbjet e Çamërisë (II)

E hene, 29.09.2008, 07:30 PM


Kujtim Mateli

EKSKLUZIVE

Poetin që e lindën dhimbjet e Çamërisë (II)

Nga Kujtim Mateli

Janinë, vjeshtë

Vjeshta është për Janinën një nga stinët që i përshtatet më mirë këtij qyteti, çdo vizitor do të dëshironte ta vizitonte,çdo banorë i tij do të  donte të ishte aty, të përgjumej edhe ai bashkë me qytetin në një mëngjez vjeshte. Janina, një mrekulli e natyrës, ka mahnitur mijëra vizitorë, por ka zgjuar edhe dëshirën e mijëra brezave për t`u bërë pjesë e këtij qyteti dhe kësaj hapësire të mbushur me dritë dhe aromë lulesh, aromë lulesh të përziera me aromën e mjaltit që fshatrat përreth i shkatojnë pa dashje tek vjelin nga zgjojtë mjaltin e fundit para se të mbyllin bletët për stinën e dimrit. Kësaj arome që mbush këtë hapësirë të mrekullueshme i jep freski dhe liqeni, i cili ka ngacmuar me bukurinë e tij imagjinatën njerëzore duke i ftuar njerëzit të shplodhen pranë tij ndoshta qysh kur është krijuar  njerëzimi mbi këto troje. Ky liqen ka mbledhur përreth nimfat e bukura për të parë mbi ujët e kristaltë veten e tyre, dhe mbase, nga bukuria e nimfave që i rrinin rrotull liqenit, njerëzit filluan të ngrinin banesat e para për të mos u shkëputur nga një magji e tillë.Një magji e tillë i bën njerëzit për vete dhe ata nuk largohen dot. Deri vonë mrekullia e liqenit i mban njerëzit rrotull tij dhe qyteti bie në gjumë gjithnjë e më vonë.

Poeti është çuar herët  dhe liqeni i është dukur një luginë e mbushur me ujë, pa zëra njerëzish,i përgjumur në një mjegull mëngjesore.Po janë vetëm momente dhe çaste kur natyra e ndjen dhe ajo të nevojshme të pushojë pakëz.Të pushojë pakëz, kur një mjegull e lehtë e mbulon për t`u ndjerë më mirë. Po kjo qetësi nuk do të vazhdojë gjatë.Një krah pulëbardhe do t`i sillet rrotull liqenit pa ditur se ku të qëndrojë.Një rreze dielli që përthyhet në ujërat e kulluara  do t`i japë një nuancë të trëndafiltë mjedisit përreth. Një erë e lehtë do t`u shkëpusë rrepeve ca gjethe të verdha. Do të mbulojnë dhe ato shëtitoren. Do të bëhen dhe ato pjesë e këtij peizazhi që ka nisur të zbukurohet në këto ditë vjeshte.

Poeti i largohet për pak çaste peizazhit. Ky qytet ka një zanafillë të krijimit të tij. Ky qytet ka një histori. Historia nuk mund të shkundet siç shkunden fletët e rrepeve nga një erë vjeshte.

 Përpara poetit shfaqen turistët e ardhur nga perëndimi.Kurioz për të ditur historinë tonë. Atë histori që ka trokitur deri në portat e atdheut të tyre. Historinë e Pirros që u mësoi artin e të luftuarit, e Ali  Pashait  që zgjoi Ballkanin dhe hodhi shkëndijat e zjarrit të lirisë.

 Ja tek u shfaqen xhamitë. Ato rrinë para tyre të vetmuara. Të braktisura në fatin e trishtë. Ca shkrepje aparatesh fotografik u kujtojnë kohën e tyre të dikurshme. Duke  mbajtur ca qindra vjet egzistencë, po bëhen tashmë objekt i vëmendjes së turistëve.

Po ku janë stërnipat e Pirros, e Pirros së madh sa vetë hapësira epirote?- do të pyes veten poeti.

Ku janë stërnipat e Pirros që e kanë mbajtur gjallë shpirtin e tij?

Ku janë stërnipat e Pirros që ia ruajnë stërgjyshit të tyre këngën me moshë mbi 2000 vjeçare?

Ku janë stërnipat e Pirros në këtë vjeshtë janinase?

Bilal Xhaferri
Poeti i ndjen hapat e tyre që përtej sinorit me tela rrethuar. Ja tek vijnë një e nga një. Të gjithë kokëulur kalojnë nën rrepet buzë limanit. Po pse vallë toka e Pirros është ndarë me tela me gjëmba?

Vjeshta shpaloset përsëri mbi hapësirën epirote me ngjyrat e saj.Si një qenie njerëzore ajo paraqitet gjysmë e zhveshur.Një ndienjë intime përshkon racën njerëzore nga kjo pamje e natyrës. Kjo pamje brilante që vetëm natyra di të krijojë e shtrin hapësirën e saj deri tek ledhet tërë myshk që ngjajnë si mjekra  e Ali Pashait. Myshku që është krijuar nga lagështira e kohrave,atje ku Pashai priste me gjoks hordhitë e sulltanit. Atje ku Pashai skiconte të ardhmen. Një të ardhme që mjegullat e kohës nuk e lanë ta zbardhte rrugën nga duhej të kalonte vendi i tij. Në këto ledhe e kaloi më shumë kohën e vet. Me fakte të zbardhura dhe me mistere që nuk mundemi as sot t`i kuptojmë. Momente heroike që e mbulojnë me lavdi, por edhe me enigma. Burrë shteti i përmasave europiane, por edhe një veprim i pajustifikueshëm është dhuna që përdori ndaj shqiptarëve. Ndaj mbeti deri diku i mënjanuar dhe i izoluar.  Pikërisht atje,në ledhet mbrojtëse të qytetit, kur herë-herë e kapte një trishtim për çfarë nuk mundi të bënte, dëshpërimit  të tij do t`i shtohej edhe Frosina, e cila u shkëput nga duart e Pashait dhe u mbyt në ujrat e ftohta të gjolit?

Poetin e shqetëson vazhdimisht  historia.  Buçima e tambureve luftarakë i kujton atë kohë të lavdishme për të cilën gjithnjë e më pak po interesohen në këto kohë moderne. Ajo lavdi e dikurshme ka filluar dalëngadalë të harrohet. Ka filluar të flitet gjithnjë e më pak për atë histori që e bëri Epirin në qendër të vëmendjes njerëzore. I është shkëputur Janina kohës heroike të dikurshme. Për këtë i duket se është vjetëruar. I duket se është mënjanuar nga rrjedha e kohëve që e kanë mbajtur përherë një qytet të lavdishëm. I duket sikur do të zhytet në këtë luginë të mbushur me ujë. Pastaj gjithçka do të harrohet.

Joanina e re e mbushur me neone, me vetura që shkasin asfalteve, sikur e shtyn Janinën e vjetër për t`u mënjanuar, pastaj të humbasë në thellësite e gjolit bashkë me lavdinë. Hotelet moderne "Ksenia" dhe "Palladion" nuk mund të ngrihen më lart se muret e kalasë së Ali Pashës. Asnjë  tingull,ngado që të vijë ,nuk mund ta mbytë buçimën e tabureve luftarakë. Në këtë ballafaqim midis Janinës së vjetër  dhe asaj që po lind me emrin Joaninë poeti sheh diçka që nuk shkon së mbari. Ndaj nuk është i qetë. Ndaj është i shqetësuar.

Ky shqetësim i shtohet më tepër kur sheh që stërnipat e Pirros vijnë në këtë qytet nga përtej sinorit me tela. Një shqetësim që e trondit poetin. Vallë  deri kur stërnipat e Pirros do të kalojnë kryelur në qytetin e tyre? Deri kur do të kalojnë kryeulur shëtitoreve të mbuluar nga rrepet shekullorë? Për më tepër ç`është kjo brengë që i mundon ata? Vazhdojnë të ecin kryeulur nën rrepet e shëtitoreve me një mendim të heshtur. Do të shuhet vallë ky mendim bashkë me mjegullën mëngjesore që ka mbuluar liqenin e Janinës?!


Bilal  Xhaferri

Janinë, vjeshtë


Liqeni i Janinës – luginë plot me ujë

Dergjet i përgjumur në mjegullën mëngjesore,

Shket krahu i pulëbardhës mbi nisinë si tumule,

Me fletët e rrepeve mbulon era shetitoret.

Xhamitë ekzotike, bija lindore të braktisura

U pozojnë të trishtuara turistëve nga perëndimi.

Matanë sinorit me tela vijnë stërnipat e Pirros

Dhe kalojnë kryeulur nën rrepet buzë limanit.

 

Vjeshta lakuriqe si "missis minifunde",

Fërkohet pas ledheve mjekrosh tërë myshk,

Atje ku Frosina iu shkëput Ali Pashait

Dhe në ujrat e ftohta të gjolit u zhyt.

Ashtu është Janina e vjetëruar mënjanuar

Dhe të duket sikur në gjol mengadalë do humbasë

Bashkë me lavdinë e dikurshme të harruar

Bashkë me buçimën e tambureve luftarakë.

Do humbasë në Joaninën e re me neon,

Nën valët e veturave që shkasin asfalteve

Nën hotelet moderne "Ksenia", "Palladion".

Nën tingujt e kambanave dhe këngët e psallmeve...

 

Liqeni i Janinës – luginë plot me ujë

Përkundet i përgjumur në mjegullën mëngjesore.

Që tej sinorit me tela vijnë stërnipat e Pirros

Dhe kalojnë kryeulur nën rrepet e shetitoreve

Me një mendim të heshtur, me një brengë përvëlonjëse.



(Vota: 23 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora