E marte, 18.06.2019, 08:20 AM (GMT+1)

Komente

Ilmi Musliu: Kush ishte shqiptarja që ishte detyruar të jetonte me emër serb?

E premte, 24.05.2019, 08:50 PM


Kush ishte shqiptarja që ishte detyruar të jetonte me emër serb?

Vetëm pak orë pasi ishte kryer ceremonia e varrimit të tre martirëve, trupat e të cilëve ishin gjetur në një varrezë masive në Kishinicë, ku ata ishin strehuar gjatë kohës së luftës, në Gjilan kishte mbërritur një djalosh me emrin Bekim, i cili kishte rrëfyer gjithë historinë e nënës së tij, Miradijes, të cilin ai e njihte me emrin Nurije. Miradija ose Nurija kishte jetuar për disa vite në Vrajë të Serbisë, me emrin Miroslavka.

NGA ILMI MUSLIU

Nurija ishte një shqiptare nga komuna e Gjilanit, që ishte detyruar të jetonte me emër serb, në Vrajë të Serbisë. Sipas Bekimit (djali i saj nga martesa e parë), Miradija ka qenë e martuar më parë me Rexhep Mehmetin nga Presheva, me të cilin i kishte pesë fëmijë. Prindërit e saj, ishin shpërngulur nga Gjilani në Vrajë, shkaku i një vrasje të paqëllimtë që i kishte ndodhur Ramadanit (babait të Miradijes) në gjueti. Atje, nën presion, Ramadani ishte detyruar të ndërrojë emrin e tij dhe të familjarëve.

Rasti i Miradije Xhaferit, e njohur nga fëmijët e saj edhe me emrin Nurije dhe Miroslavka, është një rrëfim që të rrëqeth trupin. Bekimi kishte treguar se Nurija ka qenë shqiptare, është martuar me shqiptarë dhe shqip ka folur. “Dëshira ime më e madhe, tani që e kuptova se ku prehet nëna ime, është që ta bëj një film për fatin e saj”, kishte thënë Bekim Mehmeti dhe më pas ishte drejtuar në varrezat e qytetit, për të nderuar nënë Nurijen.

Ramiz Xhaferi, bashkëshortja e tij Miradije Xhaferi dhe djali Safet Xhaferi nga Ramjani i Vitisë, para lufte kishin jetuar në Gjilan, ndërkohë që gjatë konfliktit ishin strehuar në Kishnicë dhe prej atëherë e deri kur trupat e tyre u gjetën në një varrezë masive në Kishinicë, gjatë vite pas përfundimit të luftës, nuk është ditur asgjë për fatin e tyre.

Tre trupat e pajetë të familjes Xhaferi, të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, janë varrosur në Gjilan, me një ceremoni nga Trupat Mbrojtëse të Kosovës. Komuna kishte formuar një këshill për ri-varrimin të martirëve, Ramiz Xhaferi (1929), Miradije Xhaferi (1943) dhe Safet Xhaferi (1981).

Trupat e tyre ishin zbuluar nga disa barinj të fshatit Kishnicë, më 16 prill 2004, ndërsa ishin identifikuar në morgun e Rahovecit, pas dy vitesh. Sipas bashkëvendësve në Kishnicë, ku familja Xhaferi ishte vendosur pak para luftës, pasi ishte shpërngulur së fundi nga Gjilani, pas ecejakeve në Mlladenoc dhe Prizren, kanë thënë se Ramizi, Miradija dhe Safeti ishin eliminuar nga forcat serbe, më 28 mars 1999.

Sipas dëshmitarëve, Ramizi, Miradija (në letërnjoftim e kishte emrin Miroslavka, e lindur në Vranjë) dhe Safeti ishin ekzekutuar nga krimineli i njohur me nofkën “Mila” Nedelkoviq. Bashkëvendësit i kishin njohur ata si fqinjë shumë të mirë, për aq kohë sa kishin jetuar në Kishnicë.

Njëzet vjet luftës, shumë trupa të tjerë të shqiptarëve, nuk janë kthyer ende në Kosovë. Thirrjet e nënave kosovare për të pagjeturit po vazhdojnë edhe sot. Thirrjet e tyre, janë thirrje për drejtësi e jo për mëshirë.

Bashkësia ndërkombëtare nuk ka bërë presion të mjaftueshëm mbi Serbinë, për ta detyruar që t`i kthejë trupat e të vrarëve. Loja me personat e zhdukur, është kapitulli më tragjik i gjithë historisë së Kosovës, po aq sa është i hidhur edhe fati i kësaj familje, e cila ishte detyruar të ndërrojë edh identitet.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT