Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Rrecaj: Nëna nuk na la

| E premte, 24.05.2019, 09:25 PM |


Nëna nuk na la

Nga Blerim Rrecaj

Shkoi nëna. Nuk na la. Na pret. Na la gjurmë të pashlyeshme kujtimesh, veprash, mirësish e buzëqeshjesh. Shkoi nëna. Nuk na la. Si gjithë jetën edhe para se të shkonte, shkoi duke thurur xhempera për të mos e ndjerë të ftohtit që na sjellin stinët. Shkoi pasi fshiu, lau e shpërlau shtëpinë e çdo gjë vendosi në vend të vet, saqë na la pas dhe imazhin duke fshirë njërën nga dritaret që ne të mund ta ndjejmë aromë pastërtie e të mund të shohim kthjellët. Shkoi nëna. Nuk na la. Të tjerët tash kujtojnë bukën që e gatuan duart e saj dhe e sollën në sofër gati pa u vërejtur e me bujari, buzëqeshje e lutje mirësie në burimin e pashtershëm të mirëpritjes së saj. Shkoi nëna. Nuk na la. Vërtiten veprat e saja që tallen me vdekjen dhe neve na ftojnë që aq sa mundemi e aq sa dijmë të përcjellim hapat e saj. Nënë të thuhet diç për ty është përgjegjësi e madhe, kështu që më fal o NËNË për këto fjalë kaq të zbehta që i thashë për ty!