E hene, 14.10.2019, 04:40 PM (GMT+1)

Kulturë

Zymer Mehani: Libër që sjell buzëqeshjen te fëmijët

E merkure, 22.05.2019, 07:09 PM


LIBRËR QË SJELL BUZËQESHJEN TE FËMIJËT

“DËSHIRA E POETIT” I AUTORES ORNELA LAHU

Shkruan Zymer Mehani

Letërsisë sonë për fëmijë këtyre ditëve iu shtua edhe një vëllim poetik nga autorja Ornela Lahu, nxënëse e klasës së shtatë në Shkollën e Mesme të Ulët “Nexhmi Mustafa” në fshatin Rimanishtë të komunës së Prishtinës. Kjo përmbledhje poetike e kësaj voglusheje të zellshme fëmijëve përmes vargjeve ua ka sjellë buzëqeshjen dhe gjithçka që është e mirë, si ngrohtësinë prindore, ledhatimet e gjyshit dhe përrallat e gjyshes, lojërat e vogëlushëve, ëndrrat dhe dëshirat e çupave dhe të çunave, tiparet e bukura të stinëve të vitit, atmosferën e gjallë të jetës shkollore, shembujt e heroizmit të trimave luftëtarë etj…etj.

Posa më ranë në dorë poezitë e këtij fëmije të mrekullueshëm, m’u dha rasti për t’i shënuar disa meditacione në lidhje me poezinë e saj, për atë që shpreh dhe përmban ajo si fuqi potenciale edhe njohëse, edhe argëtuese, por mbi të gjitha edhe edukative.

Mendojmë se kjo përmbledhje me vjersha për fëmijë, e shkruar nga një fëmijë talent, siç është Ornela Lahu, vërtet është dëshmi se ekzistuaka mundësia dhe qenka e mundur që fjalën e bukur artistike ta shkruajnë dhe kultivojnë me shije edhe moshat e reja fëmijërore.

Shumë lexues të vegjël, bashkëmoshatarë të Ornelës, nga vëllimi poetik “Dëshira e poetit” presin argëtim, edukim dhe hare, presin atë që është e natyrshme, tërheqëse dhe e pranueshme për fëmijët, atë që edhe poetët e rritur ua kanë borxh fëmijëve- vargjet me karakter edukativ, argëtues dhe njohës. E të gjitha këto i ka arritur me vargjet e veta vogëlushja penartë Ornela Lahu.

Vogëlushja e talenturar, Ornela në vargjet e këtij vëllimi ka arritur të pasqyrojë tablot e jetës fëmijërore me tërë laryshitë, peripecitë, dëshirat, krajatat dhe andrallat e shumta me fjalë të zgjedhura dhe të kuptueshme për bashkëmoshatarët.

Ornela Lahu dëshiron që me fjalë e vargje fëmijët t’i nxisë për mësim dhe t’u tregojë për gëzimin që ua sjell ai në jetë. Dhe mu ky është qëllimi kryesor që autorja jonë e vogël ia ka parashtruar vetes, pra, bashkëmoshatarët e saj të edukohen për mësim dhe punë, ngase këto janë burime të mirëqenies së tyre dhe hapa të sigurt që dërgojnë drejt ardhmërisë së tyre të lumtur.

Meqë përmbledhja “Dëshira e poetit” është e shkruar nga një vajzushë 13-vjeçare, s’do mend se gjuha e saj e përdorur në këtë vëllim është e thjeshtë, e kulluar dhe e kuptueshme për fëmijët e tjerë. Pra fjalori është i kapshëm për fëmijët. Figuracioni poetik korrespondon gjithashtu me moshën fëmijërore.

Motivet e trajtuara në poezitë e autores Ornela Lahu janë jeta dhe marrëdhëniet në familje, dashuria prindore, respekti ndaj gjyshit e gjyshes, jeta shkollore, dashuria dhe admirimi për mësuesen, gjuha shqipe, heronjtë e kombit, natyra e vendlindjes etj.

Metri dhe rimimi i vargjeve janë të ndryshëm dhe tejet karakteristikë me melodicitetin e këndshëm.

Ornela Lahu u lind më 11. 06. 2006. Është nxënëse e klasës së shtatë të Shkollës së Mesme të Ulët “Nexhmi Mustafa” të fshatit Rimanishtë të komunës së Prishtinës. Kjo nxënëse përveç që është talente në lëndët mësimore, e sidomos në lëndën gjuhë shqipe, merret edhe me shkrime të vargjeve dhe të eseve temash të ndryshme. Libri “Dëshira e poetit” është vëllimi i parë poetik i saj dhe shpresojmë se nuk do të jetë edhe i fundit.

Ornela Lahu jeton në fshatin Rimanishtë.

Autores Ornela Lahu i urojmë rritë të mbarë në gjirin familjar, ndërsa juve, bashkëmoshatarë të kësaj vogëlusheje talente, ju urojmë lexim të këndshëm dhe gëzime në jetë!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT