| E merkure, 22.05.2019, 07:59 PM |
TAKSA MBI MALLRAT SERBE – AKT I DREJTË
Nga Xhelal
Zejneli
Në kohën e shpërbërjes së Jugosllavisë,
ish-kryetari i Serbisë, Tomisllav Nikoliqi dhe kryetari i përtashëm, Aleksandër
Vuçiqi, ishin mbështetësit kryesorë të kriminelit të luftës, VojisllavSheshelit.
Në këtë kohë, ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, ishte në
rrethin më të ngushtë të kriminelit të luftës – Sllobodan Millosheviqit.
Në dhjetë vitet e fundit, Serbinë e kanë
udhëhequr dhe vazhdojnë ta udhëheqin dishepujt e kriminelëve të luftës –
Nikoliqi, Vuçiqi dhe Daçiqi.
Vitet e fundit, kryekriminelët e Serbisë,
Vuçiqi dhe Daçiqi, punuan pareshtur për ta bindur botën se “çështja e Kosovës”
nuk është mbyllur.
Ata u përpoqën ta bindin botën, në veçanti
Brukselin dhe kancelaritë e fuqive perëndimore – Parisin dhe Berlinin, se
zgjidhje për “çështjen e Kosovës” na qenkësh kompromisi që u dashka të arrihej
midis Beogradit dhe Prishtinës.
Me fjalën kompromis, Vuçiqi dhe
Daçiqi nënkuptojnë:
- amputimin e veriut të Kosovës; ose
- krijimin e komunave me shumicë serbe,
d.m.th. krijimin e një Republike Serbe në Kosovë, si ajo në Bosnjë dhe
Hercegovinë.
Në shikim të parë, u duk se ia dolën ta
bindin botën, por vetëm në shikim të parë.
Për ta konsideruar “çështjen e Kosovës” si
një çështje e hapur, Vuçiqi dhe Daçiqi kërkuan mbështetjen e Rusisë dhe të
Kinës.
Por, Uashingtoni, Berlini dhe Londra,
mbrojtën qëndrimin se çështja e Kosovës është e mbyllur. Është mbyllur me planin
e Ahtisarit.
Pavarësinë e Kosovës e njohën 116 vende të
botës. Diplomacia mashtruese serbe veproi ditë e natë për ta bindur botën që ta
tërheqin njohjen e pavarësisë së Kosovës. Vuçiqi dhe Daçiqi thonë se 12 vende e
kanë tërhequr njohjen. Por kjo s’është e vërtetë. Është një gënjeshtër e
kulluar.
Diplomacia agresive serbe veproi pandërprerë
për ta parandaluar anëtarësimin e Kosovës në organizmat ndërkombëtarë, si p.sh.
në UNESCO dhe në Interpol.
Vitet e fundit, Beogradi ndoqi ndaj Kosovës luftë
speciale dhe luftë psikologjike.
Nuk ka pasur prononcim të Vuçiqit në lidhje me
Kosovën, ku ai të mos jetë kanosur me mundësinë e përdorimit të forcës. Por
Vuçiqi e di fort mirë se Kosova është e mbrojtur prej qytetarëve të saj si dhe
prej forcave të NATO-s.
Perëndimorët e dinë se kombi shqiptar në
rajon, përfshi edhe qytetarët e Kosovës, natyrshëm janë properëndimorë dhe
proamerikanë. Mu për këtë arsye, shpesh ndodh që shqiptarët të mos jenë në krye
të agjendës së tyre.
Serbia ndërkaq, u kanoset fuqive perëndimore,
se do ta sjellin Rusinë apo edhe Kinën në gadishull.
Beogradi duket sikur i thotë Uashingtonit dhe
Brukselit: “Pranoni kërkesën tonë për kompromis me Prishtinën. Ndryshe, do ta
sjellin Rusinë dhe Kinën në gadishull”.
Për ta parandaluar animin e Serbisë nga
Rusia, perëndimorët e marrin me të mirë Serbinë, madje edhe e përkëdhelin atë.
Duke u bazuar në dimensionin gjeopolitik
të Ballkanit, Serbia i referohet edhe rëndësisë strategjike të saj në rajon.
Për këtë arsye, vitet e fundit, vendet
perëndimore, sidomos Gjermania, ka investuar me të madhe në Serbi.
* * *
E ballafaquar me politikën agresive,
irracionale, destruktive dhe luftënxitëse të Serbisë, Kosova vendosi mbi mallrat e Serbisë, taksën
prej 100%. Kjo ka qenë dhe është një masë e drejtë dhe e arsyeshme. In
ultimalinea, edhe presidenti amerikan DonaldTramp i rrit tarifat ndaj
mallrave të vendeve të caktuara, përfshi edhe ato kineze.
Brenda një viti, Serbia eksportonte në Kosovë
mallra në një vlerë prej gjysmë miliardi euro. Me ato para, ajo blinte armë
moderne nga Rusia, me të cilat armë i kanosej integritetit territorial të
Kosovës dhe sovranitetit të saj.
Asnjëherë në historinë e botës nuk ka ndodhur
që një vend t’i blejë mallra armikut, i cili me ato mjete financiare blen armë
dhe përgatitet për luftë ndaj vendit importues. Kësaj i thonë: Ushqeje
sorrën, të t’i nxjerrë sytë.
Është absurde që Kosova të blejë mallra nga
Serbia e cila ka punuar dhe vazhdon të punojë për çnjohjen e pavarësisë së saj
dhe e cila vepron për parandalimin e anëtarësimit të saj në forumet
ndërkombëtare.
Taksa prej 100% mbi mallrat serbe, nuk ka
qenë gabim dhe nuk është akt i gabuar. Gabim ka qenë që kjo taksë nuk është
vendosur me kohë.
* * *
Tani në Paris, pritet të mbahet një takim
midis përfaqësuesve të Prishtinës dhe atyre të Beogradit.
Në këtë takim, Prishtina duhet të kërkojë bashkëngjitjen e Kosovës lindore
(Preshevës, Bujanovcit, Medvegjës) vendit amë – Kosovës.
Sikundër shpërblim, Serbia do të fitonte
perspektivën evropiane.
* * *
Qendrat politike ndërkombëtare të vendosjes,
Uashingtoni, Berlini dhe Londra, duhet ta ulin Serbinë në bankën e të akuzuarve
të një gjykate ndërkombëtare, për gjenocidin që ka kryer Serbia në Kosovë.
Nuk ka pajtim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë,
pa e njohur Beogradi pavarësinë e Kosovës, sovranitetin e saj dhe integritetin
territorial të saj.
Nuk ka pajtim ndërmjet këtyre dy shteteve, pa
u përgjigjur Serbia, përkatësisht udhëheqja e saj për gjenocidin e kryer në
Kosovë.