E enjte, 12.12.2019, 10:49 PM (GMT)

Kulturë

Alfred Papuçiu: Dera drejt Parajsës – Parathënie nga Prof. Dr. Ksenofon Krisafi

E marte, 21.05.2019, 07:45 PM


Alfred Papuçiu

Dera drejt Parajsës

(Lumturia në malet e Zvicrës dhe shqiptarët)

Tregime, skica dhe refleksione

La porte vers le Paradis

(Le bonheur dans les montagnes suisses et les Albanais)

Shtëpia Botuese «Julvin»

Tiranë, 2019

Prof. Ksenofon Krisafi dhe Alfred Papuçiu

Parathënie

Nga Prof. Dr. Ksenofon Krisafi

Lexuesi i këtij libri nuk duhet të mendojë dhe të presë që ta nisë leximin e lëndës së tij, të mbrujtur sipas një mënyre klasike, me skrupulozitet skolatik të mërzitshëm, me kthime e rikthime të shumta te fillimi, për të vënë dorë, koregjuar, rregulluar, hequr e shtuar pjesë të caktuara, siç ndodh zakonisht gjatë veprimtarisë së vështirë të përgatitjes së një libri. Që në faqet e para e deri sa të mbyllë fletën e fundit ka për t’u ndjerë në një ambjent komod, të këndshëm e të thjeshtë edhe pse plot kthina, ku secila, duke prezantuar episode të ndryshme, shfaqet me befasitë dhe veçoritë e veta tërheqëse. Autori i tij, Alfred Papuçiu,  një penë e stërvitur në stilin e të shkruarit, me një përvojë të gjatë dhe të pasur jetësore, profesionale, kulturore dhe artistike, ka hedhur në faqet e këtij libri gjithëçka të bukur e të veçantë që ka përjetuar, duke dëshiruar të bëjë pjesë të emocioneve të tij edhe lexuesin.

Ndjesia e parë që do të provojë cilido që do të ketë fatin ta lexojë librin e Alfred Papuciut lidhet fuqishëm, me stilin e thjeshtë, me bukurinë e të shprehurit, me kulturën e gjerë që transmeton, me  mendimin e thellë dhe përmbajtjen interesante. Që në faqet e para të tij dallohet lehtë se autori shkruan me zemer dhe me sinqeritet, pa asnjë mundim, sepse i paraqet ngjarjet dhe njerëzit siç i ndjen dhe siç i ka njohur, pa zbukurime, pa hiperbolizime te panevojshme. Po ashtu që në fillim vihet re respekti dhe vlerësimi i jashtëzakonshëm për shokët e miqtë si dhe për kolegët. Kur flet e shkruan per ta ai shfaqet shumë miqësor dhe shumë i dashur. Megjithatë, kjo nuk e çon në subjektivizëm. Ai i largohet atij me forcën e logjikës së ftohtë, të argumentit dhe të arsyetimit të fuqishëm. “Instrumenti” i suksesshëm i tij është e vërteta. Libri iu shtohet një numri botimesh interesante, shumica dygjuhësh, të realizuara nga autori. Një univers interesant ngjarjesh e personazhesh, ku "Nxënësja e etur e gjuhës romanshë" vazhdon "Meditim për shqiptarët, Europën dhe Kombet e Bashkuara" dhe më tej  "Me zemër të pastër",  fokusohet te "Fëmija shqiptar me sy të zinj" dhe "Përralllat e Zvicrës" si dhe te "Karruzeli i ëndrrave" (përkthim) etj.  Ato renditen si krijesat dinjitoze të autorit të këtij libri.

Ai ka shumë vjet që jeton dhe punon në Zvicër, i pozicionuar në angazhime të rëndësishme, që nga përfaqësuesi diplomatik i Shqipërisë në Zyrën e Kombeve të Bashkuara dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare në Gjenevë, funksionari dhe punonjësi profesionist në disa prej agjencive të specializuara të Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, etj. Eshtë i lidhur me miqësi me personalitete të shumta zvicerane dhe nga vende të tjera. Kjo i ka dhënë mundësinë që të njohë dhe të kuptojë mjedisin dhe jetën në përgjithësi në Zvicër dhe në botë. Vepra tij dëshmon përpjekjen për ta konvertuar dhe për ta “thënë në shqip” atë kulturë, politikë, gjendje shoqërore, demokraci, mirësi,  solidaritet etj., që ekziston në Zvicër dhe që shfaqet natyrshëm jo vetëm nga zviceranët, por edhe nga funksionarët ndërkombëtarë me të cilët ka punuar. Ai iu ka treguar miqve të vet zviceranë dhe “ndërkombëtarë” se bashkëatdhetarët e tij, shqiptarët, të cilët janë çdo çast në qendër të vëmendjes së tij, janë qytetarë, të kultivuar, të emancipuar  si gjithë të tjerët. Ai përgenjeshtron me urtësi, por edhe me keqardhje spekulimet dhe hiperbolizimet e vërejtura në titujt e reportazheve apo të lajmeve të gazetave dhe mjeteve të tjera të informacionit, që hera-herës, duke u nisur nga emocione të krijuara nga ndodhi episodike, i identifikojnë të gjithë shqiptarët si autorë vrasjesh, grabitjesh, korrupsioni apo si trafikantë drogash e prostitutash. Ai, duke shprehur shumë dashuri, tregon se bashkëatdhetarët e tij janë trashëgimtarë  dhe bartës të një kulture dhe civilizimi të lashtë e të shkëlqyer, punëtorë të ndershëm, të shkathët, të aftë e të papërtuar, por edhe nobelistë dhe intelektualë të klasit të parë, artistë, sportistë dhe talente të spikatur, që debutojnë me shumë sukses në Shqipëri dhe kudo në botë. “Personazhet” e preferuar të kronikave të zeza, të gjuajtur dhe të prezantuar nga keqdashës paragjykues, janë asgjë në krahasim me prodhimtarinë e shtuar të të tjerëve në këto fusha.

I pajisur me një kulturë solide politike, të fituar dhe konsoliduar në përvojën e pasur gjatë veprimtarisë së tij diplomatike në OKB dhe në organizata të tjera ndërkombëtare, si dhe i mbrujtur me ndjenja të fuqishme atdhedashurie, autori është përpjekur të gjejë dhe të evidentojë në Europë vendin e atdheut të vet. Jo vetëm në disa pasazhe në librin që keni në duar, por edhe në një numër të pafundëm shkrimesh në mjaft të përditshme shqiptare dhe në gazeta prestigjioze të huaja, ai flet me fakte bindëse për përkatësinë e Shqipërisë në Europë. Shqiptarët janë europianë, qytetarë dinjitozë të kontinentit të vjetër, jo sepse ka dashur apo jo politika dhe politikanët që kanë qënë në krye të tyre, por, sepse, sikurse thotë me të drejtë autori, populli shqiptar është autokton në këtë kontinent.

Autori është jo vetëm një profesionist i spikatur i diplomacisë shqiptare, një shkrimtar dhe intelektual i formuar, por edhe një humanist i shquar. Prej gati 45 vjetësh, që në rininë e hershme, ai i është përkushtuar me ngulm njohjes së talasemisë, një problemi të madh dhe shqetësues në disa vende të botës, si dhe në disa rajone të Shqipërisë së mesme, veçanërisht në zonën e Fierit. Ai është përfshirë në fushatën profesionale të luftës ndaj kësaj patologjie, të evidentuar si problem madhor edhe për mjekësinë shqiptare, duke u përpjekur për të kontribuar për të sjellë në atdheun e vet përvojat pozitive të vendeve të tilla si Qipro, ku po shkohet drejt zhdukjes në sajë të diagnozës prenatale.

Cilitdo lexuesi të këtij libri do t’i dukej e pabesueshme që diplomati, shkrimtari dhe intelektuali Alfred Papuçiu, është pjesëtar i grupeve shkencore ndërkombëtare që merren me luftën ndaj talasemisë. Ai është në tribuna kongresesh dhe konferencash ndërkombëtare në Qipro, Nju Jork, Dubai, Singapur, Antalia, Nju Deli etj., përkrah profesorëve më me zë të kësaj fushe. Eshtë kjo arsyeja që edhe në këtë libër nuk mungojnë pasazhet dhe referencat e drejtëpërdrejta ndaj kësaj patologjie dhe sukseset e deritanishme në luftën kundër saj.

Në faqet e librit dallon lehtë  mirësinë e jashtëzakonshme të autorit, e cila, e bashkuar me kulturën, formimin e gjithanshëm profesional dhe talentin e bashkojnë atë me personalitete të shquara të diplomacisë, të kulturës, të shkencës, të letërsisë, të mjekësisë në Zvicër e jashtë saj, të cilët kanë dhënë një ndihmesë të çmuar me projekte për Shqipërinë. Për një numër syresh ai, bashkë me homazhet e merituara, na sjell edhe detaje nga kontributet që kanë dhënë për Shqipërinë. Përmend me admirim të veçantë prof. Jean-Philippe Assal, Prof. Kalangos, Prof. Alain Golay, Dr. Marinette Wyss, Prof. Androulla Eleftheriou, Panos Englezos, Profesorët Selaudin Bekteshi dhe Enis Boletini,  Dr.Afërdita Gusho, Prof. Aleko Vesho, dr. Vangjelo Grillo, Prof. Basil Schader etj., muzikologun Marcel Cellier, Freddy Buache, Reis Malile, Sokrat Plaka, Prof. Hamit Boriçi, shkrimtaren Marie-Luce Dayer, Bela Cohen, profesoreshën Francine Koch , arkitektin Franco Marussich, gazetarin Pierre Barde, shkrimtaren Liliane Perrin, piktoren Leda Albaneze etj.

Alfred Papuçiu edhe në këtë libër e ka ndjerë si detyrim madhor moral nderimin e përhershëm e të përjetshëm për mësuesit e tij, ndër të cilët përmend me dashuri e veneracion të veçantë profesorët Nonda Bulka dhe Vedat Kokona. Por respekti i veçantë dhe dashuria e pakufishme për atin e tij, Tuni Papuçiu, e shoqëron atë në çdo hap të jetës dhe të krijimtarisë së tij. Prej tij ai ka trashëguar cilësitë më të mira, si dhe talentin dhe përkushtimin ndaj punës, ndaj jetës dhe ndaj njeriut.

Libri përfaqëson një univers të tërë temash, të cilat janë trajtuar nga autori me kompetencë profesionale, përkushtim intelektual, me shkathtësi dhe gjuhë të pasur, të përpunuar  e të zhdervjelltë. Ai i sjell lexuesit një pjesë nga bota e madhe e Zvicrës dhe Shqipërisë, të përjetuar dhe të vlerësuar artistikisht nga autori i tij. Në çdo pikëpamje, libri " Lumturia në malet e Zvicrës dhe shqiptarët" përbën një kontribut dhe një tjetër arritje të shkrimtarit Alfred Papuçiu.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT