Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ndue Ukaj: Në kujtim të Ernest Koliqit

| E hene, 20.05.2019, 09:05 PM |


Në kujtim të Ernest Koliqit

Nga Ndue Ukaj

Sot është përvjetori i lindjes së viganit të kulturës shqiptare, Ernest Koliqit, autorit që na këshilloi se me tregtarë flamujsh nuk mund të bëhet shtet.

Prej kohës kur ky autori e shkroi këtë novelë, kanë kaluar shumë kohë, por tregtarët që i stigmatizonte rreptë Koliqi, nuk janë pakur, por janë shumuar, ndaj, sot na duhet vepra e këtij kolosi në tryezën tonë për t’i kuruar dhe shëruar plagët tona kombëtar.

Si rrjedhojë e kësaj logjikë, ky shkrimtar i ditur, te novela "Gjaku”, pyeste:

“A ka send mâ të mrekullueshëm në këtë botë se me i sjellë qytetnimn nji kombi zhytë n' errsjn e padijes?

Kurse, përgjigjen në këtë pyetje, ai e shndërroi në postulat për tërë veprën e tij të shtrirë në shumë fusha të dijes, të artit dhe të arsimit.

Ky autori i madh, ndër të tjera na dëftoi se “nji lis pa rrajë nuk qindron në kambë, dhe se nji komb qi përbuzë traditat e veta, vendos vetëvrasjen e vet.”

Koliqi na la një vepër shumë të pasur letrare dhe studimore dhe gjithashtu na këshilloi se "... nji veprimtari politike e cila nuk ndriçohet prej kulturës nuk asht tjetër veçse nji lojë kote, qi argëton ndoshta ata qe e lozin, por pengon ecjen e kombit mbi udhën fatale të historisë."

Kur jemi të figura e Koliqit, assesi nuk guxojmë të harrojmë kontributin e tij madhor që dha ai për arsimin shqip, veçmas në Kosovë, në një kohë shumë të turbullt dhe kur qenia e shqiptarëve në këtë hapësirë rrezikohej seriozisht. Atëbotë, ai çoi mësuesit e tij, të cilët vunë bazat e arsimit shqip dhe themelet e kulturës shqiptare në këtë hapësirë.

Ndërkaq, kur në Shqipëri ra dergja komuniste, Koliqi me plagë në shpirt e i shpallur tradhtar nga ata që e shëmtuan shpirtërisht dhe kulturalisht Shqipërinë, emigroi në Itali, por s’e ndali punën dhe veprimtarinë e tij fisnike për kulturën shqiptare. Dhe në Romë, përveç punës së vyeshme akademike, themeloi edhe Revistën “Shêjzat”.

Martin Camaj, një personaliet tjetër shumë i rëndësishëm i kulturës shqiptare dhe i ndikuar prej Koliqit, shkruante se, “Shêjzat” shërbyen si tribunë dhe dritare informimi mbi aktivitetet shkencore albanologjike në botë. Ato regjistruen në kroniken e tyne edhe ngjarje shoqnore që në të ardhmen do të vlejnë sadopak si dokumentacion historik e kultural për nji periudhë rreth njizet vjeçare.”

Gjatë punës së vyeshme dhe shumë të frytshme, ai na ka treguar se një komb që nuk ushqehet mjaftueshëm me vlerat ushqyese të kulturës së njëmend, atë e tërheqin dokrrat dhe politika ditore, që e ngulfate. Pikërisht për këtë arsye, ai kërkonte që populli mos të binte në kurthin e politikave të kafehnave dhe të thashethemeve, sepse ato nuk çojnë askund, përveç se ushqejnë ambicie të sëmura.

Sot, në saje edhe të kontributit të Koliqit, shkruhet dhe flitet shumë, por pakkush hedh farë të mirë në hapësirat shqiptare, kurse shumica janë lidhë, me vetëdije ose jo, në litarin e injorancës që tërheqë fort drejt humnerës.

Vepra e iluminume e Koliqit na thërret edhe ne që të iluminohemi dhe të emancipohemi. Në këtë rrugë dhe për këtë synim, vepra e tij mbetet shujtë ushqyese.