Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Nexhat Halimi: Përhitje

| E diele, 19.05.2019, 09:43 AM |


Nexhat Halimi

Përhitje

Jeta ka kaq brigje dhembje përmbytje

E zemra çahet përmes e pik gjak

S`ia dola të vija të të vizitoj siç mendoja nënë

Udhët e ashpra të dumnicës më ndiqnin kot

E shi i ashpër binte s`ndalej aspak

mes degësh gjysmë cullake në kacafytje

Shfaqej e ikte nën mjegull `i gjysmëhënë

Dritaret i rrihte pandërprerë një çurg shi

shtatëdhjetë vjet ikën me ag në vetmi

udhët e vrazhda dumnicës zgjonin në varre

te shelgjet me degë në ujë ndër shevar

i kërkoja gjurmët e mia gur më gur buzë ujit

“s`janë gjurmë tuaja veç të mujit”

flisje rëndë nga dheu i lagur në shi

Harqet e urës

Për dritare përvidhej hëna e verdhë

Krijohej peizazh i lëmuar trëndafil

kot grimcoja një copëz nga gjethi tërfil

Valët vinin me gjëmë në harqe të urës

Unë mblidhja e zbritja jetën e derdhë

Shtrirë përmbys diçka mjegullt zgjoje

Ndalje te ura kujtoje udhën e fjetur

Të piknin lot në shpërfaqje të vjetër

Tepër vështirë ta kthesh veten në kohë

Veç pse koha nuk kthehet kurrë më

kot të prek mbi shpatulla e nën bel

Nesër do iknim të vrarë nga ky sekret

Të mos shihemi ndoshta herë tjetër

Hëna përvidhej e mbytur ndër vigmë

Valët përplaseshin vetes me enigmë

Dasmorët kërcenin urës me klarinetë