E enjte, 28.03.2024, 11:28 PM (GMT)

Kulturë

Doli nga shtypi libri, ''Njeriu ‘pa’ atdhe'', i shkrimtarit dhe publicistit, Sejdi Berisha

E enjte, 16.05.2019, 08:28 PM


...TOKA IME EDHE SOT ËSHTË E COPËTUAR, DHE, SIKUR PO RRUGËTOJ ME ZEMËR BOSH...!

Ky libër, i cili është i dyzeti me radhë i këtij krijuesi, që është i karakterit autobiografik, brenda pesëqind faqeve, ngërthen rrugëtimin jetësor të autorit, e përmes këtij rrugëtimi, reflektojnë shumë ngjarje, shumë periudha kohore e historike të dhembshme, të lumtura e krenare, që provokojnë për t’i ndier e përjetuar ato, por edhe për t’i analizuar gjërat që kanë kapërthyer jo vetëm jetën dhe rrugëtimin e shkrimtarit. Dhe, përmes kësaj vepre, autori, jep një mesazh të thellë njerëzor dhe shumëdimensional.

Ja se çfarë thotë ai për materien e “ngujuar” në këtë libër, e që e shoqërojnë dhe e bëjnë edhe më me peshë, mbi 160 fotografi dhe dokumente:

... Dua të theksoj, se tërë këtë rrugëtim shkrimi, e shtrova në këtë libër, për ta mposhtur dëshpërimin dhe për ta madhështuar lumturinë, krenarinë dhe fatin e njeriut!

Por, në të përfunduar të këtij libri, respektivisht, deri sa po i shkruaja këto fjalë, brenda meje më dhembte historia, sepse, toka ime edhe sot është e copëtuar, dhe, sikur po rrugëtoj me zemër bosh...!

*   *   *

Ky libër le të jetë ajo dëshmia e themeltë dhe e përgjithmonshme, por edhe si kapital për dëlirësinë shpirtërore, për punën gjithmonë të sinqertë, që do të jetë krenari dhe dokument i ndritshëm brez pas brezi për madhështinë e qëndresës, për moralin e nderin për të jetuar e mbijetuar ndershëm dhe me atë mundësinë, edhe nëse është modeste, për t’i kontribuar lumturisë dhe fatbardhësisë së njeriut e njerëzimit.

Ky libër, le të jetë dokument, i cili i ngjanë fanarit të pashuar ndër decenie mbase edhe ndër shekuj, i cili, nuk u lë vend thashethemeve dhe as rrenave e shpifjeve, me të cilat, ndoshta dikush do të mund të përpiqej të njollosë shenjtërinë dhe punën time. Andaj, edhe njëherë, fëmijët e mi, nipa, mbesa e stërnipa, gjithnjë ecni vertikalisht, pa u trembur për të kaluarën, për rrënjët, për trungun dhe as për kurorën e pemës së familjes. Me këtë sermije, por edhe me punën dhe veprat tuaja, në jetë, gjithnjë qëndroni vertikalisht, ashtu edhe siç e meritoni. E theksova këtë, sepse, jeta i ngjanë obeliskut të cilin, nga të gjitha anët e rrahin erërat dhe furtunat...!

Dhe ja, tani, pasi e përfundova së shkruari librin tim të dyzetë, jam vetë i katërdhjeti! Ama bash vetë i katërdhjeti... Unë e di, se për ç’arsye. Apo, e dini edhe ju...! Nëse nuk e dini, kur ta lexoni, ose, vetëm kur ta shfletoni, padyshim se do të bëheni edhe ju vetë të katërdhjetët.

*    *    *

Jam njeri me fat, që me përkushtim, me punë, me përgjegjësi, me dhembje e krenari bashkë, ndërtova pothuaj çdo gjë në jetë, që bën dritë, si shpirti që rri vetëm duke shëtitur e duke bërë dritë.

Nuk ka asgjë më me fat se që ka ndodhur kështu...!



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora