E marte, 19.03.2024, 08:16 AM (GMT)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Bosnja një bukuri e mbuluar ende nga plagët

E enjte, 16.05.2019, 08:29 PM


BOSNJA  NJË  BUKURI  E  MBULUAR  ENDE  NGA  PLAGËT

NGA  PËLLUMB  GORICA

Kur e shkel për herë të parë, me një kureshtje udhëtari, Bosnje – Hercegovinën, vërtet ndjen një kënaqësi të jashtëzakonshme, sepse është një vend që jo vetëm të emocionon me bukuritë e natyrës dhe objektet historike, por edhe me zhvillimin e saj të shpejtë, e cila pret me padurim anëtarësimin në Bashkimin Evropian, si Shqipëria jonë (edhe pse ende ka marrëdhënie jo normale me korrupsionin, papunësinë, krimalitetin e ambicie etnike). Detajet e tablove që shikon e përjeton aty janë të shumta e të larmishme, por të përshkruash me imtësi tërësinë e tyre nuk është e lehtë.

Bosnje - Hercegovina shtrihet në veri të Ballkanit. Dikur, para Viteve ’90, për disa dekada ajo ishte një nga gjashtë republikat e ish-Jugosllavisë, një shtet multietnik, ku pjesën më të madhe e zinin boshnjakët, por ka edhe kroatë e serbë. Tashmë të gjithë i dimë ngjarjet tragjike më shumë se një çerekshekulli më parë, që kapërthyen jo vetëm Bosnje – Hercegovinën, por edhe gjithë republikat e ish-Jugosllavisë. Kasapi i Ballkanit, Millosheviçi, me shpirtin e tij demoniak, shkaktoi një stuhi apokaliptike, si holokausti hitlerian, me një gjenocid të egër etnik plot tmerre, vuajtje e vdekje. Tashmë janë të njohura dhe të rënda ato kohëra, por me këtë le të merret historia, veçse nuk duhet harruar masakra e Sebrenicës, e paparë ndonjëherë aty. Ende Sarajeva i ka të freskëta gjurmët e kësaj lufte, në fasada shtëpish, xhamitë, hotelet e fabrikat e shkatërruara, nga rrebeshe predhash dhe bombardimesh të serbëve. Edhe Mostari u rrënua shumë nga lufta midis kroatëve dhe myslimanëve, duke e përshkallëzuar konfliktin e tyre etnik, me një garë të pashfrenuar për epërsi territoriale.

Mostari, margaritar i Bosnje – Hercegovinës

Në agimin e një prej ditëve të bukura, kur qielli ngjyrosej me penelin e kuqërremtë të diellit dhe yjet furfurimën e tyre vezulluese e të purpurt e fiknin një nga një, pasi kaluam me bashkëudhëtarët tanë traun e doganës së Hanit të Hotit, do të merrnim rrugën e gjatë nëpër Tuz, Podgoricë, Nikshiq, (qytete të Malit të Zi) drejt Bosnje-Hercegovinës. Në fytyrat tona shtohej kënaqësia e këtij udhëtimi plot befasi, që shumëfishohej kur rruga kalonte nëpër treva me pamje të magjishme, që sa më tepër ecnim, aq më i thyer bëhej peizazhi i maleve, me plot shkëmbinj të thepisur, herë të mbuluar me pyje e herë të zhveshur. Aty- këtu në këtë bukuri të panjollë një varg vendbanimesh, të tërheqin vështrimin me vendosjen, arkitekturën e kështjellave, urave, kishave e xhamive. Stolaci i shtrirë mbi shpinën e një kodre shkëmbore, jo aq i madh sa qytetet e tjera të Bosnje – Hercegovinës, të shfaqet me ndërtimet e përhimta që humbisin mes gjelbërimit. Mendimi, se nuk do të na jepej më rasti t’i shohim edhe një herë këto mrekulli, nxjerrim nxitimthi aparatet fotografike, që nuk i ndajmë në asnjë çast nga vetja dhe fillojmë të fotografojmë. Madje kishim filluar që më parë, pa lënë të na ikte nga dora asnjë nga këto mrekulli.

Ne ndoqëm rrugën që të çonte në Mostar, e cila gjarpëronte afër rrjedhave ujore, të qeta e të thella, që mezi dalloheshin mes gjelbërimit. Mostari është një prej qyteteve margaritar të Bosnje – Hercegovinës, i rrethuar nga majëmalet e rrumbullakosura, ku në mes të cilave rrjedh lumi Neretva, me valët e trazuara, e me shumë degë lumenjsh që derdhen në të, dhe i japin shpirt e gjallëri gjithë pjesës jugore të Bosnje-Hercegovinës. E njihnim Mostarin pa qenë qoftë edhe njëherë të vetme atje prej urës mesjetare, një kryevepër arkitekturore, e cila përfaqësonte një epokë, breza e histori. Ky simbol i kulturës orientale, që zor se i gjen shoqen (nuk i ka mbetur as gjurma më e vogël), ndërtuar nga arkitekti turk Neimar Hajrudin, prej vitit 1557 deri në 1566, nën urdhrat e Sulltan Sulejmanit të Madh, duke shpëtuar për 500 vjet nëpër luftëra, tërmetet e përmbytjet u shkatërrua një ditë nëntori të vitit 1993 nga predhat e ushtrisë së kroatëve të Bosnje-Hercegovinës. Por, vetëm 7 vjet pas shkatërrimit ajo u rindërtua e financuar nga UNESCO dhe Banka Botërore, duke u rikthyer përsëri në shërbim të kënaqësisë së vizitorëve, sepse ajo ngjall kureshtje të veçantë.

E përshkojmë nga njëri breg në tjetrin harkun magjik të urës, për të ndjerë kënaqësi edhe nga hedhja në ujë e disa të rinjve prej lartësisë 80 metra, që tërhiqnin çdo ditë një numër të madh kureshtarësh. Ishim me fat, kur një i ri me plot shkujdesje, na la gojëhapur me hedhjen e tij të guximshme.

- Duhet të dish se si të hidhesh se ndonjëherë është vdekjeprurëse, - thotë Izeti, një burrë i vjetër nga Mostari , teksa po vështronte bashkë me ne. E kam sfiduar dikur, dhe ishin ndër çastet më të lumtura, por edhe një test shkathtësie për të rinjtë e çdo kohe të qytetit tonë.

Vlerat arkitekturore të së shkuarës në Mostar janë përzier me modernen, që tashmë është më e fuqishme se historia aty, me ndërtesa shumëkatëshe dhe shtrirje në një fushë të gjerë sa të hante syri. Kuptohet që ndikon zhvillimi, i cili dukej në bumin e tyre, dhe stonon me arkitekturën e ndërtesave orientale të ruajtura me fanatizëm. Në rrugicat e mjeshtërve të vjetër, në të cilat nuk shkojnë dot dy njerëz krah për krah, që dredhëronin ndërtesave arkaike, gëlonin turistë të shumtë. Këtu ndodhet shtëpia Muslibegovica, monumenti kombëtar i Bosnje - Hercegovinës, e ndërtuar 300 vjet më parë, si një nga objektet arkitekturore më të çmuar të qytetit. Aty-këtu ka gjithçka suvenirësh turistikë; qysh nga veshjet karakteristike, stoli femërore, shandanë, shpata mesjetare, bastune, këmbora, çibukë, gjerdanë, stema, madje edhe gëzhoja e gjithë farëlloj vogëlimash artistike që mund të shiten, ku nuk mungon as relikja e stilizuar në miniaturë e urës së Mostarit. Ndaj edhe ne udhëtarët e ardhur këtu, nuk ngurrojnë të blejmë relike, si kujtime të paharruara bashkë me mbresat më të thella.

Një udhë drejt Sarajevës

E lëmë pas qytetin e Mostarit dhe nisemi, nëpërmjet një arterie kryesore që lidhet me Dubrovnikun e Kroacisë, drejt kryeqytetit të Bosnje - Hercegovinës, Sarajevës. Makina gulçon kthesave të shumta, që ndjekin rrjedhën e lumit Neretva të kthyer në ujëmbledhës e H/C.  Sytë nuk ngopen duke vështruar këto mrekulli që ka bërë natyra, por edhe dora e njeriut mes pastërtisë dhe qetësisë, që të rrëmbejnë për t’i prekur e shijuar nga afër. Jashtëzakonisht mbresëlënëse duken qytetet; Jablanica, Konjiç, Tarçini, Hasdiçi, me ndërtimet alpine, të rrethuar nga gjelbërimi i harlisur i drurëve, porse të trishtojnë rrënimet nga lufta. Diku- diku rruga ngjitet lartësive shkëmbore në linja të mprehta. Dhe së andejmi vështrojmë vargmalet Dinarike, të mbuluara nga shalli i bardhë i dëborës. Rrezet e diellit ushtronin mbi to një shkëlqim pas shiut që ka rënë. Edmondi, më gazmori ndër ne, përhumbjes sonë në peisazhet piktoreske, si tablotë e një piktori, e kombinon me komente të këndshme nga njohja nëpërmjet leximeve rreth Bosnje - Hercegovinës. Por, duke ecur, lartësitë ulen butësisht në kodrina dhe lugina, me lëndina të stërpikura nga bari i dendur e lulet shumëngjyrëshe, të stolisura me kultura bujqësore, vreshta e drurë frutorë, që të sjellin në mendje pak vendlindje.

Teksa i afrohemi Sarajevës, kryeqytetit historik të Bosnje- Hercegovinës aq më e zhurmshme dhe gjallëruese bëhej rruga. E zhveshur nga shkëlqimi i dikurshëm i rëndësisë historike, kulturore e ekonomike, Sarajeva e quajtur edhe si Jeruzalemi i Europës, edhe pse e shkatërruar nga lufta ruante ende pamjen madhështore, duke shpalosur qindra thesare. Sa e sa histori ruan Sarajeva qysh nga koha e neolitit dhe Kulturës së Butmirit! Në epokat e mëvonshme u bë qendër banimi, që i përkiste Daesitiatëve, ndër fiset e fundit ilire në Bosnje- Hercegovinë.

Zbresim nga makina dhe ecim më këmbë përgjatë lumit, të jashtëzakonshëm të lëvizjeve njerëzore, me kureshtjen e madhe për të njohur historinë e një trashëgimie të derdhur në shekuj, gjithkah rrugëve të këtij qyteti. Kur vjen për herë të parë këtu e ke të vështirë të orientohesh, por ne, duke mos lenë pa prekur, ç’na zinte syri në të djathtë dhe në të majtë depërtuam aq thellë në brendinë e Sarajevës, për të përjetuar bukurinë e saj, me arkitekturë mbizotëruese të ndërtesave, aq të ngjeshura, që thuajse shkriheshin me njëra-tjetrën. Vijecnica është një lagje e njohur e Sarajevës, ku monumentet historike, të ndërtuara gjatë pushtimit Austro–Hungarez të Sarajevës janë të shumta (dikur këtu pati banuar oborri Mbretërore i Habsburgve, Arkidukëve Austriakë). Akademia e Arteve të Bukura, është një mrekulli më vete, por gjithashtu edhe Bashkia e Sarajevës e Teatri i Baletit. Përmes zhurmës së potereshme të qytetit, vjen deri te veshët tanë ding-dongu, si nga kohët e largëta, i këmbanave të Katedrales ‘’Zemra e Krishtit’’, mahnitëse e padyshim më e madhja në Bosnje – Hercegovinë. Këmbët na çuan atje për të soditur pikturat e shumta nëpër mure, ikonat e shenjtorëve dhe afresket, ku dallohen dekoracionet me pikëzime, e sa e sa pamje të tjera të këtij metropoli që të çlodhnin sytë në çdo hap që hidhnim.

Të pret me befasi sa s’bëhet më mirë lagja më e hershme e qytetit. Këtu është e rrallë xhamia 600- vjeçare e Gazi Husref-bej, por edhe Medreseja Kursumlija, e ndërtuar në të njëjtin kohë bashkë me Sebilj (burimi i bamirësisë). Mbasi kalon përtej qytetit të kahmotshëm nuk të ikej pa fotografuar sinagogën e hebrejve, si e vetmja këtu, dhe urën latine të ndërtuar në vitin 1798, që ishte pika hyrëse e Sarajevës, e njohur në analet historike pasi në të janë vrarë Duka Ferdinand me gruan e tij Sofi.

Moria e ndërtesave zëvendësohej nga pamjet e natyrës ndërsa ne ecnim në rrugën aq piktoreske ngjitur lumit Milajcka, që e përshkon Sarajevën mes për mes, duke e bërë udhëtimin të këndshëm. Po shkojmë në Parkun Vrelo, në një zonë disi të veçuar të Sarajevës. Mendja dhe dora e banorëve e kanë zbukuruar atë me lule dhe pemë dekorative, jo vetëm në kolorit e formë, por edhe në sistemim e shije të hollë artistike me komponent të argëtimit masiv.

Të papriturat e udhëtimit

Në Sarajevë u ballafaquam edhe me ngjarje aspak të këndshme, ku njëra eklipsonte tjetrën dhe ciflosën disi përshtypjet tona. Në një nga parqet e lulosura para memorialit në nderim të të vrarëve në luftën e Bosnje – Hercegovinës, 1992-1995, ishin mbledhur njerëz të shumtë, ku siç thuhet; s’kishte vend ku të hidhje këmbën. Ata po përkujtonin genocidin barbar që njeh historia njerëzore në Ballkan, ndaj boshnjakëve dhe jo vetëm ndaj atyre, si një e kaluar që ka mbetur thellë në trazimet shpirtërore. Ne dëgjuam tmerret e dhjetëra të mbijetuarëve, me pëshpërima të ngjirura (përmbajtjen e fjalëve nuk i kuptojmë, por e rrokim natyrën e tyre), dhe pamë jo pak të gjymtuar nga masakrat e serbëve. Pranë nesh afrohet një burrë rreth të pesëdhjetave. E kupton që jemi të huaj dhe monologon i imunizuar nga dhimbja. Fotot e të afërmëve të tij, të vrarë nga bombardimet janë një këmbanë alarmi për të dënuar orkestruesit e tragjedisë.

Ndërkohë që vazhdojmë më tej, ne bëhemi dëshmitarë të një revolte kërcënuese mes një grupi myslimanësh boshnjak me ata serbë, të cilët, po i zgjidhnin mosmarrëveshjet mes tyre me dhunë. Ajo nisi për një fjalë goje për të vazhduar më tej me britma, të çjerra, çarje kokash, nxjerrje sysh, thyrje këmbësh dhe duarsh. Sado të zhvillohet njeriu duke nxjerrë mësime nga tragjeditë, nuk do të eleminohet fryma e konflikteve etnike, aq të prekshme këtu, megjithëse koha kërkon të mposhtë pasionet e ashpërsisë njerëzore, për një bashkëjetesë mes tyre.

Për të mos rrezikuar, u larguam, por befas na u rezervua një tjetër ngjarje. Një tufë lypsish me marifetet e tyre të zakonshme, të bënin të nxirrje nga xhepi patjetër para, se ndryshe nuk të ndaheshin. Të gjithë ne nuk kishim nga të ia mbanim ndaj dhe u dhamë ca të holla. Ngjarje të tilla kaotike ngërthejnë në vete pasiguri dhe turistët janë të parët që bien pre e veprimeve, që nuk mund të quhen të jashtëzakonshme, por ne përjetuam mospërfillje të shurdhët, nga qytetarët e Sarajevës ndaj gjestit të tyre.

Marrim rrugën e kthimit, gjithë gjarpërime që tregonte bukuri të tjera të Bosnje- Hercegovinës, ndonëse ato që pamë ishin veçse një grimë e saj. Në Medugorje, admirojmë madhështinë e katedrales së Shenjtë Gospa Mira (Zonja e Paqes), përpara së cilës turistët hynin e dilnin dhe përkuleshin me respekt. E shtyu kureshtjen tonë, shtatorja e Shën Marisë, me ndjesinë mistike të syve që pikonin lot, e cila na bëri të përhumbemi në soditje të thellë.

I qasemi qytetit Trebinja, të Republikës Srpska, që na u shfaq si një befasi, me rrugët e ngushta e shtëpitë çatikuqe. Në shoqërinë e perëndimit të diellit ulemi në një kafene aty, ku disa metra më poshtë rrjedh lumi Trebisnjica i gjerë, e i qetë. Sipas dëshirës secili nga ne mori pijen e preferuar. Një detaj i vockël, papritur e pa kujtuar, na befason si në filmat fantastikë. Bisedat tona shqip tërhoqën vëmendjen e një shqiptari nga Gjakova, të ngulur këtu 30 vite më parë, bashkë me familjen e tij, i detyruar nga regjimi serb në Kosovë, si një ndër arsyet e lëvizjes emigruese. Ndodh që tregohen indiferentë, ose bëjnë të heshturin kur dëgjojnë gjuhën e bashkëkombasëve të tyre në dhe të huaj, por kur të takojnë, nuk ke si të mos ndjehesh krenar. Biseda më tutje me përzemërsinë e dukshme të Markut rreth një teme apo një tjetre me frymë atdhetare u bë më interesante dhe emocionet që morëm, na çlodhën nga rruga e gjatë.

Ishte bërë natë dhe ca drita të largëta shfaqeshin mes kodrave. Fundi i udhëtimit kishte ruajtur edhe një të papritur tjetër, për të cilin as mund ta merrnim me mend. Ne iu drejtuam doganës së Andraleos dhe sapo u futëm në ambientet e saj na stepi absurditeti i doganierëve, me hipokrizinë që çalon llogjikën, se duhet të ktheheshim në Deleusa andej nga kishim hyrë, e cila na kushtoi dhjetëra kilometra të tjera, por edhe aty paguam për daljen nga territori i Bosnje- Hercegovinës. Doganat në vend që të jenë porta hyrje- dalje dhe ura bashkëpunimi ndërmjet shteteve, jo rrallë kthehen në një vend me sjellje brutale e korrupsioni. Vrasmëndja për atë që ndodh nuk sjell asgjë të mirë, veç të ndrydh shpirtin, duke u munduar të harrojmë dhe të kujtojmë vetëm vizionin turistik të një udhëtimi emocionues, që nuk ishte aq i mjaftueshëm për të shijuar gjithë bukuritë magjepsëse të Bosnje – Hercegovinës.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora