E enjte, 28.03.2024, 11:53 AM (GMT)

Kulturë

Kadri Tarelli: Liria është e shtrenjtë, fitohet me gjak dhe mbrohet me jetë

E merkure, 15.05.2019, 08:27 PM


LIRIA ËSHTË E SHTRENJTË. FITOHET ME GJAK DHE MBROHET ME JETË

Me Albanin, djalin e Gjeneral-Major Skënder Çekut, “Hero i Kosovës”.

Nga Kadri Tarelli

Rasti mbret i jetës, thotë një fjalë e të mençurit. Në fund prilli 2019, bashkë me shokun tim Bajram Halil Gashi, koleg mësues e drejtues shkolle, nga Shënavlashi i Durrësit, ndodheshim në qytetin e Pejës, për një studim, lidhur me figurën e luftëtarit popullor Isuf Veseli, anëtar i Komitetit Kombëtar për Mbrojtjen e Kosovës, krijuar në Shkodër në vitin 1918.

U rehatuam në hotelin “Jusaj Glob”. Për arsye teknike të makinës, mbërritëm shumë vonë, afër mesnatës. Megjithatë na pritën mirë. U ulëm në kafe, sa për t’u qetësuar, ndërkohë bufisti që shërbente, na tha: - Ja erdhi Majori.

Majori ishte një burrë rreth të dyzetave, pronar i hotelit. Menjëherë më shkoi mendja, se si ushtarak do më ndihmonte, që më në fund do të gjej ndonjë nga fëmijët e mikut tim të hershëm Skënder Çeku, Gjeneral-Major, Hero i Kosovës. Menduam se ishte ushtarak, pavarësisht veshjes civile. Gabuam pasi ai e kishte vërtet emrin Major. Megjithatë nuk ngurova t’i them, se në Durrës, në mes të vitit 1996, kam njohur një mik nga Kosova, që quhej Skënder Çeku, që ra në luftë e madhe çlirimtare në vitin 1998, sot njihet Gjeneral-Major, Hero i Kombit. Fëmijët e tij, djalin Albani dhe dy vajzat Saranda dhe Vjosa, i kam pasur nxënës në shkollën 8-vjeçare “Bajram Curri” në Plazh të Durrësit, ku unë isha drejtor shkolle. Nuk kam mundur të takohem, pasi edhe kur kam shkuar në Prishtinë, kohën e kam pasur të cunguar, jo më shumë se një, apo dy orë. Veç kësaj nuk dija kujt t’i drejtohesha.

Majori qeshi. Mbase kështu e ngatërrojnë edhe të tjerët. - Unë nuk jam ushtarak, por do t’u ndihmoj, pasi qendrën e punës e kam pranë fshatit Qysk, vendlindja e Skënderit. - Dhe ashtu ndodhi. U lidh me telefon me të njohurit e tij dhe buzëqeshur na njoftoi, se të nesërmen, rreth orës gjashtë pas dite, Albani do të jetë këtu.

U lumturova, sepse pas 21-vjetësh do takoja djalin e mikut tim Skënderit, për të cilin edhe kam shkruar disa kujtime të atyre viteve të stuhishme për mbarë kombin shqiptar, veçanërisht për Kosovën. Shkrimi titullohet:  “Gjeneral-Major Skënder Çeku”. Dëshmor i Kombit. (Si e njoha unë). Publikuar në: Gazeta “Durrësi Bulevard”. 02. 05. 2006, Revista “Dituria”. Suedi. 16. 07. 2010. Suedi. Gazeta “Bota Sot”. 14. 08. 2012. Njëkohësisht edhe në librin “Misionarë në udhën e dijes”..

Albani u tregua i përpiktë. Plot në ora 18.00, ishte në hollin e hotelit. Nuk e përfytyroja dot, pasi ishte rritur e burrëruar. U përqafuam si miq të vjetër. Albani ndjehej i përmalluar, gati i përlotur, kur tha me zë të ulët: “Faleminderit drejtor, që ma kujtove babën, pas afro 21-vjetësh”.

E vështroja tek lëvizte dhe kthente kokën mënjanë, mbase donte të mos i shikoja sytë e lotuar. I ngjante Skënderit, por pak më i shkurtër.

- Profesor, nuk paske ndryshuar fare! Kështu energjik të mbaj mend, - ma bëri qejfin Albani.

- Ne të moshuarit, nuk ndryshojmë shumë, pavarësisht viteve edhe tani që jam në pension, ndërsa ju jeni rritur, burrëruar dhe kini krijuar familje, - i përgjigjem unë, duke e përqafuar edhe një herë.

- Jam me makinë, mund të lëvizim, nëse doni dhe nëse nuk jeni lodhur.

- Ku ka lodhje për ne, - ndërhyri Bajrami, - jemi brumë i vjetër e durojmë shumë. Më vjen keq që nuk mund t’u shoqëroj, pasi do të shkoj te një miku im, për një ngushëllim. Sot i ka ndodhur fatkeqësi.

Hipa në makinë. Kujtimet vinin vrullshëm, si për mua ashtu edhe për Albanin, por unë dëshiroja të njihesha më shumë me jetën e tij dhe motrave, pasi ka kaluar një kohë kaq e gjatë dhe jeta rrjedh në udhën e saj. Albani më kujtonte me radhë emrat e mësuesve: Fatmira Beqja, mësuesja e letërsisë, njëkohësisht edhe kujdestare klase. Idajete Fishta, mësuese e historisë, Selim Leka, mësuesi i letërsisë me origjinë nga Rrugova, Fatmira Myrto, mësuese e matematikës, Hazbije Kasemi (mësuese Bija e ciklit të ulët), nëndrejtorët Xheladin Myrto, Fadil Elezi dhe Mimoza Xhihani, mësueset Vera Gerxalliu, Bujare Kërtusha, Robert Simo, Vali Shtylla, Valentina Muka (Shega), Dine Etemi, Moza Aliaj, Vali Zalla, etj, etj. Albani kishte kujtesë të fortë, ndaj më erdhi mirë, sepse nuk i ka harruar vitet e vegjëlisë, aq më pak, mësuesit e shkollës.

Nuk vonuam shumë. U ndodhëm tek vendi ku kishin rënë Skënderi me shokët, Selman Morina dhe Rexhë H. Morina.

Ndjesi malli, trishtimi dhe heroizmi më pushtuan. Kur pashë diku pranë, vendosur në mur, një tufë me lule të freskëta, u mallëngjeva, por ndjeva lehtësim dhe nderim, për familjarët dhe pasardhësit, që nuk i harrojnë bijtë dhe heronjtë e tyre. Është një veprim sa njerëzor e shpirtëror, aq edhe fisnik e atdhetar, për t’u admiruar. Kuptova, se lulet e freskëta vendosen çdo ditë dhe më erdhi mirë.

Çudi, si vijnë kujtimet në të tilla raste, madje sikur kanë ndodhur atë minutë:

Mesnatë Korriku 1998. Troket dera e shtëpisë. Unë pyes nga brenda:

- Kush është?

- Jam Skënderi. Ju kërkoj ndjesë, pasi është shumë vonë. Më duhet një hartë si ajo e para.

- Hajde futu brenda, se hartën e rregullojmë! – Thashë dhe hapa vend për të kaluar. Po Skënderi nuk hyri.

- Nuk kam kohë! Nesër duhet të jem në front në Kosovë,- m’ u përgjigj. Kjo ishte biseda e fundit. Pak dit më vonë mora lajmin e hidhur.

Pas një rruge fare të shkurtër, u ndodhëm në fshatin Loxhë, para një sheshi ku ngrihej një memorial, kushtuar të rënëve në betejë.

U përula në nderim të të rënëve. Vetiu ndjeva nderim për kujdesin që tregohet, për ata që dhanë jetën për Kosovën, për atdheun, për të mbetur të përjetshëm në kujtesën e brezave. Ata meritojnë shumë e më shumë, pasi jeta e tyre, mbete simbol i qëndresës dhe vetëmohimit ndaj vendit dhe Kombit.

Mendova se këtu do të mbaronte udhëtimi ynë. Por jo. U nisëm drejt Gllozhanit. Kisha parë dhe dëgjuar në televizor, nderimet që u bëheshin të rënëve në varrezat e dëshmorëve, por vetë nuk e kisha prekur këtë vend të shenjtë nderimi. Po afronte mbrëmja, por shikimi nuk ishte zbehur ende. Kulla, si simbol  qëndrese për mbarë Kosovën, ngrihej madhështore. Një gjetje artistike, do të thosha unike për shqiptarët, e cila fliste shumë me heshtjen e saj. Vizituam varrezat dhe gjetëm edhe varrin e Skënderit. U përkula me nderim për të gjithë dëshmorët e Kosovës, që janë edhe dëshmorë të kombit shqiptar. Gardhi, që ne shqiptarët na ndau për një shekull, nuk i ndan luftëtarët e lirisë. Ata janë bashkë në altarin e lirisë, sepse derdhën gjakun për shqiptari e bashkim kombëtar dhe qëndrojnë aty të heshtur, në roje të lirisë së fituar, duke na lënë një porosi të shenjtë: “Kini kujdes vëllezër! Liria është e shtrenjtë. Ajo fitohet me gjak dhe mbrohet me jetë!”.

Do të më mbetej merak, po të mos shikoja edhe Junikun, këtë trevë shqiptare me histori të madhe lufte. Mbrëmja kishte zbritur plotësisht mbi qytet. Megjithatë nuk na pengoi të sodisim edhe përmendoren kushtuar Heroit të Kosovës, Edmond Hoxha, ku mbeten të skalitura fjalët e tij: “Nuk ka vdekje më të bukur, se sa të vdesësh për atdhe dhe të mbulohesh me flamur”. Edi

Oda e Junikut, kurdoherë është e hapur dhe pret miq, nga të gjitha trevat shqiptare.

I gjithë udhëtimi ishte një befasi e këndshme dhe e dobishme shpirtërisht. Brenda një kohe të shkurtër vizitova një pjesë të mirë të Kosovës, të cilën nuk e kisha parë më parë.

U largova me premtimin, se do të vij përsëri. E gjithë Kosova është e mbushur me lapidarë dhe përmendore kushtuar të rënëve.

Sa shumë gjak është derdhur për të fituar mëvetësinë dhe lirinë! Emrat e të rënëve, janë shkruar me shkronja të arta në vetëdijen e kombit!

Kadri Tarelli

Durrës më: 05, Maj, 2019.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora