E premte, 19.04.2024, 04:10 PM (GMT+1)

Kulturë

Resmi Osmani: Brenga njerëzore

E marte, 14.05.2019, 08:48 PM


Resmi Osmani

Brenga njerëzore

Tri  skica me  motive çame

1.LOT NËNASH

Isha me moshë aty rreth te dhjetave dhe me nje porosi te sime mëje vajta në shtëpinë e një kushërire të babait ton që ne e quanim hallë.Kur hyra brenda, ajo ishte duke u faluar.Kishte shtruar një qilim të vogël, e kthyer nga lindja ajo lutej pa zë dhe bënte ato lëvizje, që i kërkonte riti i faljes , përkulje, kalim të duarve në fytyrë, derisa mbaroi.Pastaj mori nga vendi ku ishte varur, kuranin të vendosur në një këllëf kadifeje ngjyrë allë. U ul në minderin e  divanit dhe filloi ta lexonte, pa zë. Unë shihja vetëm lëvizjen e buzëve. Pasi mbaroi, e vuri në këllëf librin e shënjtë dhe nisi të qante, gjithmonë pa nxjerrë zë. Lotët i rridhnin e i mblidheshin në mjekër. E shihja i tronditur dhe nuk e di se pse po më vinte edhe mua për të qarë. Dikur ajo pushoi, ofshau, fshiu lotët, u kthye nga mua dhe më perqafoi. Unë iu tulata në gjoksin erëmirë.Veshja e saj binte era borzilok. E doja Hallë Motenë.E kam në sy si sot: ishte grua e pashme(pale sa e bukur duhet të kishte qënë vajzë), me tipare të hijshme, sit ë bëra me dorë. Cipa e fytyrës e hollë, e bardhë e bardhë, në të çdo gjë ishte e bukur: kurmi i hedhur dhe beli i hollë si lastar, në të gjithçka zonjëronte, dhe e gjithë lagjia e quante zonjë Mote.Por në sytë dhe pamjen e saj përherë mungonte buzëqeshja, kishte nje trishtim të përhershëm dhe një pikëllim që e fisnikëronte dhe të bënte ta nderoje.Me naivitetin tim fëminor, e pyeta pse qante. Ajo më ledhatoi flokët, u mendua dhe më tha në dialekt:

Djalëthi im, ti je i vogël e nuk i di. Klaj për të di djeltë e mi, Shabanin e Agushin, që s’e di janë gjall a vdekur, gjashtë vjet pa parë me si, klaj për tët atë, që e vranë djalë të ri, klaj për nanmadhen tënde, time kunatë, që vdiqi buzëplasur në Kllogjer, klaj për ato që holqëm e që helqim.Për të gjitha i falem e i lutem zotit,që t’u lehtësojë jetën të gjallëve e të pranojë në xhenet shpirtrat e të vdekurve.

Vite më vonë mësova se çfarë kishte ndodhur me djemtë e saj:

Kur u afruan zervistët në fshat, njerëzia u ngritën dhe ikën nga sytë këmbët për t’u shpëtuar masakrave.Hallë Moteja me të shoqin dhe dy djemtë e vegjël, që ndodheshin në shtëpi morën arratinë. Djali i dytë Shabani ishte në mal me kopene në stan.Nuk arritën ti dërgonin lajm dhe ai mbeti aty,pa ditur se ç’u bë. Kur u kthye pas dy ditësh në shtëpi, e gjeti bosh dhe fshatin të zbrazur. Zervistët, kush e di pse, nuk e vranë. Vunë nën thikë aq bagëti sa u duheshin dhe e lanë në shtëpi. Po të ikte do t’a vrisnin. Mbeti vetëm në lagjen Kodër të Mazrekut. Më pas e detyruan të konvertohej në kristian dhe të martohej me një vajzë çame ortodokse. Hallë Moteja, sa qe gjall, e mori vesh që djali rronte, po se pa dot me sy.Shqipëria ishte e mbyllur.

Pas viteve 90-të, dy të vllezërit shkuan në shtëpinë atërore dhe u takuan me të vëllanë e ndarë prej 46 vjetësh.

Djali tjetër, i madhi, Agushi, u rreshtua si luftëtar me forcat e EAM-it. Pas përfundimit të luftës civile në Greqi, u kthye në fsaht, në shtëpi te i vëllai, por e burgosën si “Komunist” dhe e dënuan dhjetë vite burg, në ishujt e shkretë e të thatë të Egjeut. Pas lirimit, me shume mundime, emigroi ne Turqi. Aty u martua me një vajzë shqiptare, por edhe aty(në atë kohë kishte një histeri antikomuniste) filluan ta përndiqnin si komunist dhe ai u detyrua të emigrojë në Kanada. As ai nuk dinte gjë për familjen në Shqipëri, as familja për të. Furtuna e jetës i kishte hedhur në skaje të largëta.

Pas viteve 90-të, në Fier, erdhi nje ekip inxhinierësh nafte nga Kanadaja.Njeri prej tyre , ishte i biri i Agushit, nipi i hallë Motesë.Fliste shqip. U interesua dhe i gjeti të dy xhaxhallarët. I ati kishte nderruar jetë, por i biri arriti ta gjëjë gjakun e tij.

Të tillë janë fatet njerzore. Ata mbijetuan, por hallë Moteja i qau sa qe gjallë dhe vdiq buzëplasur.

2.PËRRALLË FËMIJËRIE

Sido që t’a jetosh, jeta i ngjan një përralle. Për ca e ca e lumtur, per ca të tjerë me fate tragjike, halle, brenga e vuajtje.Fëmijëria ime i ngjan së dytës.Kur u shpërngulëm nga Çamëria, në mars të 1945, tim atë e vranë në Filat. Ishte tridhjet e dy vjeç. Ne fëmijë, tok me nënën, mes ndjekjes dhe plumbave, arritëm që të dilnim në Qafë Botë. Pas shumë rravgimeve dhe ecejakeve,të zhveshur, të uritur e të sëmurë, përfunduam në një fshat të Myzeqesë së Fierit, që e quanin Havaleas, pranë Apollonisë.Aty nëna jonë erdhi që të mbështetej te tezja dhe dy dajllare të ardhur nga Çamëria që në vitet 30-të e të vendosur aty në tokën që u dha qeveria e Zogut. Këshilli i fshatit na dha një truall tre dynym tokë,në një shesh të shkretë, që I thoshin Shesholl, ku kishte vetëm një dru vidhi madhështor. Aty, me ndihmën e kushërinjve të nënës, bëm banesën. Një kasolle përdhese mbuluar me kashtë e mure me kallama e purteka të ngjeshur me baltë. Ishte një “dhomë”: ajo kuzhinë, ndenjëje dhe për gjumë. Nuk kishte oxhak, po nëna stisi nje vatër me horosan dhe i lyeu muret me gëlqëre.Tymi dilte nga hatullat. Derën e sajuan me një fletë çadre ushtrie. Për dritare, nga lindja ngallmuan me baltë dy xhama, dhe dritaret ngjanin me ato të aeroplanëve. Bëm si bëm, me ca furka që nxorëm nga pylli aty afër,ngritëm dy shtrete për gjumë, shtruam mbi ta kashtë pastaj dyshekët. Ky ishte “pallati” ynë. Afër nuk kishim komshinj, as moshatarë e shokë për të lojtur.Me ‘ta, ende pa vajtur në shkollë, takohesha te pusi i fshatit, kur shkoja për të mbushur ujë.

Më kujtohet mirë. Kishte hyrë vjeshta e tretë. Frynte era e jugës.Thoshnin se kjo erë sillte shi. Nëna kishte ndezur zjarrin dhe kishte vënë një poçe me fasule për drekë. Drutë ishin të njoma mezi digjeshin dhe bënin shumë tym sa na digjnin sytë.Në kasolle veç nënës, ishim unë dhe motra e vogël, nja dy vjeçe posht meje.

Nëna na tha të dilnim përjashta dhe të loznim. Dolëm. Ishte vrenjtur po shi nuk binte. Për lodra s’bëhej fjalë.Unë gjeta një shkop dhe e shalova si kalë, i graham:”Hyja kal-o” dhe mora vrapin në Shesholl deri te pusi i fshatit.Motra  u ul rrëzë trungut të vidhit, mori një shuk baltë dhe formësoi një djepe dhe pastaj një kukull,që e veshi me fustan lecke dhe nisi ta përkundëte me nina-nana. U sollëm një valë herë por era ishte e fortë e kishte nisur të ftohej dhe ne u kthyem në kasolle. Kur hym, dëgjuam një të qarë të shtruar, me zë dhe me ofshama e rënkime. Qante nëna. Ne s’i kapnim dot fjalët, por shihnim kryet e ulur, çurkun e lotëve, pikëllimin e fytyrës dhe atë vështrimin e humbur ngulur boshllëkut. Ju ulëm pranë nga të dy krahët dhe filluam të qanim edhe ne. Ajo, për shkak tonë e mblodhi veten, na rroku në qafë, na puthi dhe na u lut të mos qanim, se edhe ajo nuk do të qante më dhe u ngrit.

Sido që i vogël, e dija pse qante.Qante për të shoqin që e vranë mizorisht kur si kishte mbushur as tridhjet e dy vjeç e që si dihej as varri,(nëse e kishin varrosur) për të vjehrrën dhe vajzën foshnje varrosur në Kllogjer. Qante për shtëpinë e gurtë me dy kate thurur me avlli, mallin e gjënë e grabitur, qante për mjerimin ku e kishte hedhur fati, pa mjete jetese, qante që kishte mbetur fillikat se të vëllezërit kishin emigruar në Turqi. Qante se i dhimbte shpirti për ne që po rriteshim në vuajtje, të zhveshur e të uritur. E ç’duheshin më shumë shkaqe për të derdhur një lumë me lot?

Po si e shtynim jetën? Motra e madhe, (që e madhe  thënçin 13 vjeçe)kishte shkuar në një familje për të ndihmuar gratë që rrihnin dhe tirrnin lirin dhe pastaj endnin pelhura në avëlmend.I ndihmonte edhe për të larë ndërresat, vënien ne finjë dhe shplarjen te pusi i fshatit,për ormisjen dhe pastrimin e shtëpive. Kur vinte në darkë, sillte nje misernike te pjekur në çerep dhe një thelë djathë.Ky sishte shpërblimi. Të dy vellezërit më të mëdhenj ishin pajtuar barinj lopësh, apo hysmeqarë si u thoshin, te subashët vendës që kishin mall e gjë, për një palë rrobe shajaku , opinga dhe dy vakte bukë. Kur vinin në darkë sillnin dhe ata, bukë, djathë, e ndonjë të zier fasule apo pagure me qumësht. Me ‘to mblidhnim me të keq vaktet. Për mengjes, trahana ose bollgur. Grurin e mblidhnim vetë, nëna ,une dhe motrat, në piskun e vapës,nga kallzat që mbeteshin pas korrjeve.Shpesh në këmbët e zbathura më hynin gjembat e thereckave. Kallzat, të lidhura në tufa, i ndanim përgjysmë me të zotët. Grurin e bluanim në Fier dhe me të nëna bënte trahana dhe bollgur, që e rrihnim në një havan sajuar nga një gjyle e zbrazur topi.Na jepnin edhe ndonje ndihmë për sevap,” për jetimët e shkretë”,Kosovarët e Dërmënasit, besimtarë myslymanë, në fiter bajram edhe kur të korrat ishin të mbara,na sillnin ndonjë barrë grurë e ndonjë lek. Për Pashkët dhe Krishtlindjet na kujtonin edhe ortodoksët që zinin një mëhallë në fshat. Mishi ishte gjë e rrallë na binte në gojë një apo dy herë në vit, atehere kur nëna filloi të mbante pula e të rriste zogj. Lakrat e egra .që e mësuam se kush ishin te ngrënshme,i mblidnim arave dhe në fushë. Kështu gjallonim.

Vitet kalonin, ne u mëkëmbëm, erdhëm në qytet në Fier, i dolëm zot vetes. Me nënën, jeta sado u dëftye mizore, dhe e plaku para kohe, që e thinji krejt dhe e rrudhi që në mesmoshë , pati bujarinë ta linte gjat për të jetuar një pleqëri të bardhë dhe për të mbajtur në pëqi shumë nipër e mbesa. E rrethuar me shumë kujdes e dashuri. U nda nga jeta kur i kishte kaluar të nëntëdhjetat,por me brengën që po ikte nga kjo jetë larg Çamërisë së saj të dashur.

3. LAJM I VONUAR NGA NJË KOHË E LARGËT.

Ato ishin tri motra dhe e ëma. Kishin boll mall e gjë dhe jetonin në një shtëpi  të madhe, të gurtë, dykatëshe në qytetin e Marglliçit. Motra e mesme,shkoi për miqësi te një shoqe e saj, çame e krishtere në Karterez. Pas një jave, një nga djemtë e shtëpisë e përcolli atë për në Marglliç. Vajza e gjeti qytetin të zbrazur nga çamët myslymanë. Aty kishin mbetur vetëm ortodoksët.Në qytet ishin zervistët. Ajo shkoi në shtëpinë e saj që kishte mbetur shkretë. Aty, një pasdite shkuan zervistët për bastisje, në kërkim të florinjve dhe sendeve me vlerë. Në një nga odat e katit të dytë, e gjetën vajzën e pambrojtur dhe oficeri që i printe e përdhunoi. Si e gjeti të virgjër dhe yll të bukur, ai e detyroi të martohej me të dhe iku në Athinë.

Dy motrat dhe e ëma, që hynë në shqipëri u vendosën në Tiranë. E ëma vdiq pas ca vjetësh dhe vajzat u martuan dhe krijuan familje. Me të voglën nga motrat u njoha para viteve 90-të, nga një lidhje krushqie, dhe rastiste që, kur unë u transferova në Tiranë, i shkonim me time shoqe për vizitë. Grua e pashme, me pamje fisnike, fliste pak dhe në sytë dhe pamjen e saj kishte një pikëllim të mezidukshëm që edhe buzëqeshja e lehtë nuk ia shlyente dot. Ishte brenga për të motrën, ndarë që prej dyzet vjetësh, që si shqitej nga mendja as ditë as natë, e që s’dinte asgjë për fatin dhe jetën e saj. E respektonim dhimbjen e saj dhe nuk i bënim pyetje.

Kur Shqipëria u hap,një pasdite, në shtëpinë e saj në rrugën “Myslym Shyri” u paraqit një djalë i ri, me uniformën e officerit të aviacionit, bashkë me një perkthyes. Ai e quajti teze, i tha se ishte i nipi, djali i së motrës,që ishte martuar dhe jetonte në Athinë. Se ata ishin dy vëllezër, se nëna kishte ndërruar jetë por e kishte lënë amanet që ata t’i gjenin tezet e tyre. Ai ishte pilot i avionit që bënte linjën Athinë –Tiranë dhe pas shumë të pyeturave, kishte arritur t’a gjente……

Nuk kaloi shumë kohë dhe ajo,bashkë me të birin,morën avionin dhe fluturuan në Athinë. Ajo mbi varr,derdhi lot, i tha së motrës fjalë zemre dhe i vuri një tufë me trëndafila të kuq, që i kishte marrë nga Shqipëria.

*       *       *

Janë me qindra e qindra raste të tilla që ende dhembin dhe nuk harrohen.  Qeveritarët grekë, kanë pafytyrësinë të thonë”Çështja çame nuk ekziston”!Ne u themi: doni apo nuk doni ju, ajo ekziston dhe do të ekzistojë, sepse nuk është vetëm çështje ë komunitetit të çamëve, por e tërë kombit, të cilit ata i takojnë.

Ky është shekulli i shqiptarëve!

Tiranë, maj 2019



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Jusuf Zenunaj: Në Ramazan

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora