E enjte, 19.09.2019, 01:55 PM (GMT+1)

Komente

Florim Zeqa: Armiqësia e vjetër apo "miqësia" e re me Serbinë!?

E hene, 13.05.2019, 07:35 PM


Armiqësia e vjetër apo "miqësia" e re me Serbinë!?

Shkruan Florim Zeqa

Edhe pse para mediave, presidenti Thaçi dhe kryeministri Haradinaj mundohen të paraqiten me kundërthënje ndaj njëri-tjetrit, megjithatë është i dukshëm dakordimi i tyre në veprime.

Vendnumërimi i qeverisë në raport me liberalizimin e vizave në njërën anë dhe zbrazja e shtetit nga qytetarët paraqet situatën sa paradoksale, po aq të dhimbshme për Kosovën.

Falja e 8200 hektarëve tokë Malit të Zi kinse në këmbim të liberalizimit të vizave, e shpërfaqi kauzën e rrejshme për mbrojtjen e terësisë territoriale të vendit e cila përfundoi me një karrige të kryeministrit e asgjë më shumë!

Me votimin e Demarkacionit me Malin e Zi sipas versionit të komisionit të qeverisë së kaluar, kryeministri Haradinaj përveq humbjes së imazhit, e ka humbur edhe kredibilitetin si liderë shtetëror, kur dihet se i njëjti si opozitë e bashkuar (LAN) e kundërshtoi me të gjitha mjetet në kuvend ratifikimin e marrëveshjes me Malin e Zi, të nënshkruar nga presidenti Thaçi.

Pra, kthimi i demarkacionit, nga çështje shtetërore në personale dhe partiake ishte gabimi më i madh politik dhe dëmi më i pariparueshëm për vendin.

Qëndrueshmëria e qeverisë "Haradinaj" është më së paku e rëndësihme në raport me tërësinë territoriale dhe sovranitetin e vendit.

Demarkacioni me Malin e Zi e tregoj gjendjen e mjerë të kësaj klase politike dhe talljen e tyre me qytetarët e vendit, të getoizuar në koloseumin e quajtur Kosovë, pa të drejtë levizje dhe pa asnjë shpresë për jetë në këtë vend.

Taksa e vonuar për produktet serbe na doli të jetë marketing i gabuar politik i Haradinajt. Për çka, taksa e pa menduar mirë ishte shërbimi më i mirë për Serbinë dhe grushti më  i rënd ndaj liberalizimit të vizave për kosovarët.

Me taksen 100 përqind ndaj produkteve serbe, nga z. Haradinaj nuk arriti t'i mbuloj dot dështimet dhe as humbjen e territorit të vendit.

Evropa plakë dhe shtriga e vjetër serbe

Në anën tjetër dialogu për normalizim të mardhënjeve dhe traktati për pajtim me Serbinë janë dy nga format e faljes së mëkateve nga ana e "politikanëve" (pushtetarëve) kosovar.

Nuk ishte lufta e fundit ajo që na armiqësoi me Serbinë, sikurse nuk është as dialogu i fundit që po na "miqëson" më armiqët tonë shekullor.

Që nga Serbia e parë (shtriga e vjetër) e deri të e dyta, Jugosllavia titiste e deri të Serbia  millosheviqiane, ne shqiptarët u premë e u vramë, u masakruam e u dogjëm, u ndjekëm e përndjekëm dhe prapë fuqitë e mëdha na detyruan të "bashkëjetojmë" me xhelatët e tanë!

Pra, është e njëjta bashkësi ndërkombëtare që nga Evropa plakë e deri të kjo e ditëve të sotme që po i "pajton" shqiptarët (viktima) me serbët (xhelatët), duke ua përseritur shqiptarëve masakrat nga dy-tri herë brenda një shekulli.

Më (pa) dashje shqiptarët po i nënshtrohen një ligji të pa shkruar; "Ata që nuk  mësojnë nga historia, u përseritet prapë".

Kështu po na ndodh ne shqiptarëve, shkaku se nuk po arrijmë në kohë të mësojmë nga historia, se po u zëmë besë të pabesëve dhe se po mashtrohemi lehtë, si dhe për shkakun se po i harrojmë shpejt  ngjarjet tragjike të kombit tonë!

Akoma pa i shëruar plagët e hapura nga lufta e fundit, siq janë; mbi 20 mijë viktima, rreth 1650 persona të pagjetur, mbi 20.000 gra, vajza e nëna tonat të dhunuara nga kriminelët serb, me qindra e mijëra të plagosur, dhjetëra mijëra fëmijë të mbetur jetim e në varfëri të skajshme e deri dëmet e pakrahasueshme materiale nga plaçkitja e pasurive dhe dëmtimi i pronave të shqiptarëve është pak më tepër se harresë, është shkelje mbi gjakun e dëshmorëve tradhti kombëtare.

Kumbaria e re, fatale për shqiptarët

Sikurse në të kaluarën, edhe në këtë kohën e sotme prapë po na dalin shqiptar të gatshëm ("ndershëm") për ripërtëritjën e kumbarisë me gjakatarët serb, duke propozuar "traktate paqeje" në kundërshtim më vullnetin e popullit!

Normalizimi i mardhënjeve Kosovë-Serbi, pa përmbushjen e asnjë kushti nga ana e kësaj të fundit, qoftë edhe me një kërkimfalje ndaj popullatës shqiptare, jo vetëm që është tradhti kombëtare, është antihumane dhe anticivilizuese.

Kjo formë e pajtimit (kumbarisë së re) të politikanëve shqiptar me xhelatët serb, lenë pak për të shpresuar për një paqe të qëndrueshme në rajon, për arsye se shqiptarët nuk e dëshirojnë më një bashkëjetesë të tillë me Serbinë.

Shtrirja gjeografike e Serbisë në shtetin e "pavarur" të Kosovës është një "Rrip i Gazës" në mes trojeve shqiptare, i cili nesër jo vetëm që do të prodhoj konflikte ndëretnike mes serbëve e shqiptarëve, do ta bëjë të pa mundur realizimin e ëndrrës së shqiptarëve për bashkim kombëtar.

Për më tepër se kaq, shtrirja gjeografike e Serbisë pas lufte në Kosovë ka ndodhur nën "petkun" fetar, e ndihmuar nga faktori ndërkombëtar dhe politikanët e çoroditur kosovar, ku ndodhi fuqizimi më i madh i Kishave dhe Manastireve serbe, përkatësisht gllabërimi i tokave shqiptare, duke e legalizuar mitin serb "Kosovo e Metohija" para bashkësisë ndërkombëtare në shekullin 21!

Konferenca ndërkombëtare, rihapje e statusit të Kosovës

Deklaratat e pamatura të dy liderëve shtetëror, përkatësisht presidentit Thaçi për "korrigjim të kufijve" dhe e kryeministrit Haradinaj  për një "Konferencë ndërkombëtare", e rihapën statusin e Kosovës në tavolinën e bisedimeve.

Konferenca e parë ndërkombëtare për Kosovën filloj me "Samitin e Berlinit", do të vazhdoj me Samitin e Parisit e siq duket do të përfundoj me një "Dejton" apo "Rambuje" të dytë, nga e cila Kosova do të kthehet në pikën zero, gjegjësisht para 24 marsit të vitit 1999.

Pas traktatit të "pajtimit", Serbia përveqse nuk do të përgjigjet më asnjëherë për krimet dhe gjenocidin, nuk do të përgjigjet më as për të zhdukurit dhe dëmet e pallogaritshme të luftës në Kosovë!

"Tradhtia e vendit në mënyrë primitive dhe shitja e tij në mënyre moderne janë e njëjta gjë".

Me "miqësinë" e re me Serbinë, do të na kthehet armiqësia e vjetër, gjegjësisht  "çizmja" serbe dhe përseritja e krimeve në Kosovë!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT