Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Rrahman Hyseni: Mbresa nga Festivali Poetik Mbarëkombëtar 'Flakadani i Kujtesës'

| E shtune, 11.05.2019, 10:08 AM |


MBRESA NGA FESTIVALI POETIK MBARËKOMBËTAR “FLAKADANI I KUJTESËS” I ORGANIZUAR NGA “ARS ALBANICA”- TETOVË

Festivali Poetik Mbarëkombëtar “Flakadani i Kujtesës” (edicionin II-të) me temë “Pranvera shqiptare ‘81” dhe Orën poetike “Poeti për poetin”, një ngjarje kulturore dy ditore, vërtet që i tuboi poetët e shumë trojeve shqiptare dhe Mërgatës për dy ditë 3-4 maj 2019.

Një mikpritje madhështore tetovare nga organizatorët e Shoqatës për Kulturë dhe Shkencë “Ars Albanica”, në veçanti të kryetarit, historianit dhe studiuesit të shquar, z. Zeqirja Rexhepi dhe albanologes, studiueses dhe poetes Zejnepe Alili Rexhepi, bashkë me anëtarët tjerë, sidomos të aktorit (moderatorit) që na bënë të ndihemi bukur gjatë tërë kohës. Ishte kënaqësi pjesmarrja në këtë ngjarje kulturore të mirëorganizuar si rrallë ndonjëherë në hapësirat shqiptare.

Në Orën poetike garuese “Poeti për poetin, fitues të tre çmimeve/pllaketa “Flakadani i Kujtesës” (Çmime të barasvlershme) u shpallën poetët: Agim Bajrami (Shqipëri); Hydajet Hyseni (Kosovë) dhe Kaltrina Sadiki (Maqedoni e Veriut), një përzgjedhje vlerash nga Juria letrare, në përbërje: Prof. dr. Fatmir Sulejmani (kryetar); Prof. dr. Salajdin Salihu (anëtar) dhe Prof. dr. Zejnepe Alili Rexhepi (anëtare).

Shoqata “Ars Albanica” në këtë festival, për herë të parë ndau edhe Çmimin e veçantë letrar "Ars Albanica” poetit, studiuesit e pedagogut të mirënjohur Agim Vinca, çmim ky që u dha nga kryetari i Shoqatës “Ars Albanica” dhe që tradicionalish do të ndahet për një personalitet shqiptar, i cili njëkohësisht do të shpallet dhe Anëtar Nderi i shoqatës.

Mirënjohje/pllaketa iu ndanë edhe z. Asaf Ademi - ministër i Kulturës në Maqedoninë e Veriut (të cilën e pranoi këshilltari i ministrit, i nderuari z. Behixhudin Shehabi), znj. Hava Bekteshi, soliste e këngës popullore (e cila erdhi enkas nga Gjermania), që e madhështoi mbrëmjen poetike, duke i dhënë shijen e bukur të traditës sonë popullore, me këngët e përzgjedhura burimore nga treva e Pollogut. Mirënjohje gjithashtu iu nda z. Ejup Zejnuli, afarist, pronar i Restaurant “Dardani” - Bogovinë.

Dita e dytë e Festivalit, 4 maj 2019, ishte vizitë nëpër monumentet kulturore - historike të qytetit të Tetovës, si: Galeria e Arteve Pamore - Tetovë; Xhamia e Pashës, e ndërtuar nga fundi i shekullit të 15-të; Harabati Teqe; Universiteti i Tetovës, duke përfunduar në Restaurant “Dardani”, ku poetët dhe miqtë e shijuan drekën e shijshme dhe ambientin e bukur me pamje të mrekullueshme të natyrës.

Ju faleminderit, qofshi të vlerësuar gjithmonë!

Suksese të vazhdueshme për “Ars Albanicën”!

Rrahman Hyseni - poet

Faleminderit "syrit artistik" - fotografes Bejza Abdiji