Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Qazim Shehu: Kur trilli ngjizet nga realiteti dhe realiteti i jep krahë atij

| E enjte, 09.05.2019, 07:42 PM |


KUR TRILLI NGJIZET NGA REALITETI  DHE REALITETI I JEP KRAHË ATIJ...

Nga QAZIM D. SHEHU

Muharrem Kurti vjen me romanin e ri ”Jetë e rrënojave” pas dy romaneve  të suksesshëm: ”Data njëmbëdhjetë” dhe “Qëndresa e bardhë”,të botuara në një kohë relativisht të shkurtër dhe që mbartin dramën e popullit të shumëvuajtur dhe martir të Kosovës.

Ai ka treguar se e njeh mirë këtë temë, se edhe vetë ka qenë pjesëtar i vuajtjes,i keqtrajtimit shovinist dhe i persekucioneve të pashembullta që janë ushtruar mbi popullatën e pafajshme nga genocistët dhe paramilitarët e ushtarët serbë.Si një prozator që e njeh lëndën,Kurti si rrallëkush në prozën e re të sotme shqipe,di të japë tablo dhe gjendje shpirtërore përmes rrjedhës dramatike të rrëfimit,të shpalosë tablo ngjethëse dhe të krijojë sa e sa pamje të një realiteti që ashtu ka ngjarë.Kjo,është domosdoja e rrëfimit dhe ecën natyrshëm përmes spikatjes të së vërtetave tronditëse.

Në romanin e ri,autori ngre një trill:Një tërmet ka rrafshuar Kosovën dhe Serbinë,kanë mbetur të gjallë vetëm një mashkull shqiptar dhe një femër serbe;rastësia dhe nevoja i ka shtyrë ata drejt njëri tjetrit;ajo, femra, dikur ka qenë një vrasëse e vëllait të Rean Urtit  dhe, tani,katatastrofa e ka kthyer në një njeri normal.

Martohen së bashku ,u lind një djalë Alsi,po në fund,Svetllanën e marrin me gjithë djalë dhe e çojnë në Serbi ndërkombëtarët.Kjo me pak fjalë është fabula e romanit dhe,përmes saj,ngjizet një botë e madhe njerëzore,tregohen tmerret e luftës, vështirësia e jetës,kalohet në koncepte të ndryshme dhe mendime filozofike,politike,fetare,nacionaliste mbi të dy popujt;të dy popujt shkojnë në pikën fillestare të rrënimit dhe të dy popujt prapë nuk mund të bashkohen,e kjo ta kujton shprehjen e Fishtës:”Në mni të njani tjetrit kemi le”;ose novelën e Kadaresë “Krushqit janë të ngrirë”.Kurti e ndërton romanin e vet përmes shtjellimit të fabulës ,duke sjellë gjithë të ndodhurën përmes fiksionit dhe realitetit ,përmes ngjarjeve tronditëse, sa personale të protagonistëve, aq edhe të jetës kolektive të popujve,duke synuar të shpalosë sa të vërteta personale aq edhe të vërteta  bashkësish dhe turmash deri te popujt.Kështu, episodet e jetës shqyrtohen në frymën e traktatit filozofik e mendimor ,duke sjellë të vërteta që burojnë, sa nga shekujt, aq edhe nga bashkëkohësia,të vërteta që ngjishen pranë njëra tjetrës në tempin e një dramaciteti dhe tensioni vertikal që mban gjallë frymën e romanit.Me një frazë të rrjedhshme dhe me njohuri të gjera,autori di të ndërtojë pikërisht këtë dhe të na sjellë rrjedha sa të njohura aq të panjohura,përmes një artikulimi artistik të shkathët e plot mendim.Ai,kuptohet, është brenda shtratit të prozës së vet,po njëherit ,në këtë roman, shpalos  një botë dramatike tepër të fuqishme, sepse vë në qendër fatin e njeriut të tmerruar nga lufta që ta kujton “Fatin e njeriut” të Shollohovit,të cilit nuk i mbetet asgjë nga katrahura përbindshërore e plojës botërore.Dhe nga kjo asgjë,ai fillon e ngrihet dalëngadalë duke kujtuar se njohja me serben,rënia në dashuri me të,lindja e një fëmije ,do të bëjë të mundur sadopak shërimin e shpirtit  të copëtuar;ai kapet pas kësaj në mënyrë instiktive dhe të ndërgjegjshme,se në këtë katrahurë të tërmetit(tërmeti nuk është tjetër veçse simbol i ngritur në fiksionin e një shtjellimi mendimor se deri ku shkon njeriu absurd) do të shikohet veçmas një fije shprese dhe ajo gjendet,pas kësaj kapet Rean Urti dhe, pas kësaj, shkon deri në fund,po kjo nuk mbetet veçse një përpjekje e dështuar dhe dështimi nuk kuptohet asnjëherë e këtu fillon absurdi,pikërisht në atë çast kur ai ndërgjegjësohet për këtë.Ky personazh real,mbart edhe vlerat e simbolit,të poetikës dhe dramatikës,të zakonshmes dhe jashtëzakonshmes,ai ngrihet përmes zërit individual dhe zërit kolektiv,mbart urtësi dhe dashuri të pakufishme,është, si të thuash, njeriu i parë mbi dhe që kërkon një të dytë që ta shumojë sojin e tij,një farë Robinsoni që kërkon ta ndërtojë jetën në shkreti edhe pse në izolim,që ngrihet me dëshirë e pasion në kërkim të një horizonti mbijetese,ai është shqiptari i djeshëm që u plagos rëndë shpirtërisht,i kanë vrarë vëllanë Ilir Urti dhe motrën Hana,dhe këto ia ka vrarë pikërisht kjo Svetllanë që ai e strehon,i jep ndihmë dhe sillet bujarisht me të.Ka një moment kur ata diskutojnë së bashku mbi çfarë ka ngjarë,dhe e pyet Svetllanën se kush ia ka vrarë vëllanë,po motrën e tij kush ia ka përdhunuar,dhe, në fytyrën e saj, nuk lëviz asnjë muskul,ajo është fare e qetë.Ky moment që duhet vënë re mirë mbart një simbolikë të hollë,një trazim shpirtëror që serbja e mbulon me mjeshtëri,duke na dhënë të kuptojmë mjaft ide, që mbartin shenjat e individuales dhe të kolektives,të një populli që nuk e pranon fajësinë ndaj një populli tjetër,siç është në të vërtetë populli serb.Mungesa e zërit të ndërgjegjes,mungesa e vllnetit për ta njohur fajin,fshehja e së vërtetës,mjerisht janë tipare të tyre,siç e ka dëshmuar historia.

Rean Urti shtron pyetjen:Përse? A nuk është njeriu bir i zotit dhe bir i së drejtës së tij,që  ta jetojë jetën në trollin dhe hisen e vet,natyrisht që po; atëhere ai e shikon serben si njeri,jashtë çdo ngjyrimi nacionalist,brenda kontekstit të ngjarjeve pastërmetore,duke dhënë shkatërrimin dhe sesi fatkeqësia i bashkon njerëzit  dhe ata duhet ta kuptojnë që të mos arrijnë deri këtupor të sillen natyrshëm me njëri tjetrin.Dhe,në fund, serbja ikën,Rean Urti mbetet vetëm,ai tashmë është i zhgënjyer totalisht,edhe ardhja e shoqes së tij nuk i sjell asnjë fije optimizëm;ky zhgënjim i tij merr përmasa të thellësisë që vjen prej ndërgjegjësimit të kuptimit të së keqes njerëzore.Muharrem Kurti edhe në proza të tjera ka ngritur me guxim idenë e menaxhimit të lirisë,të kuptimit të saj si vlerë që është arritur me sakrifica të mëdha.Ndaj, ai kurrë nuk i ka kursyer shigjetat e satirës ndaj sorongoristëve(njerëzve të djeshëm puthadorë të pushtuesit që ndryshuan fletë dhe ngjyrë si kameleoni  dhe sot u bënë idhujtarë të lirisë e që rendën duke kapur mundësitë e saj,për të zotëruar frenat e pushtetit).Këto satira të tij janë të holla dhe mjaft të fuqishme, duke prekur ndoshta për herë të parë këtë tip personazhi në letërsinë e pasluftës,një tip që shëtit nga romani i parë në të dytin e tani në të tretin.

Nëse Dostojevski ka thënë se realiteti për nga dukja ia kalon fantazisë ,kjo më së shumti gjen shprehje në romanin e Kurtit;bukur e me penë të mprehtë e të kujdeshme përshkruan ai ambientet,lagjet e qytetit Gj.fiset,duhmën e pasluftës,shkretinë e sahartë të saj,raste e episode nga më të ndryshmet që  flasin,paralelizma me jetën dhe ish-jetën,paralelizma brenda biografisë së personazhit Rean e  Svjetllana,duke dëshmuar për qëmtimin e hollë të detajit e duke përdorur me suksess teknikën e monologut të brendshëm,çka e bën këtë roman edhe një prozë me një diskurs të hollë psikologjik.Dilemat e Svjetllanës vijnë më së shumti prej vështirësive, kur ajo ndeshet me to,prej frikës,prej rënies ngushtë, sesa prej të kuptuarit të thellë,këto dilema ajo i shfaq në bisedës me vetveten,sepse ajo nuk ka arritur në ndërgjegjësimin e duhur.Edhe pasi ikën,ajo nuk ndihet më.Po të kishte qenë e vërtetë ajo do kishte çuar një sinjal,një mundësi;sepse nuk është shumë larg, veçse përtej urës së Ibrit në Mitrovicën Veriore...Duke e kuadratuar si peronazh brenda ideve të njohura, Muharrem Kurti nuk lëviz nga ky pozicion i shtjellimit të saj,sepse në fund ky është realiteti  dhe këtu romani fiton sensin e vështrimit realist;po romani ka edhe një poetikë të hollë,ai futet deri në skutat më të errëta të shpirtit njerëzor,poetizon vitalitetin e mashkullit shqiptar,bujarinë e fisnikërinë e tij,krijon tablo të jetës së thjeshtë deri në zgrip ekzistencial,pastaj e rrit përmasën e jetës deri  në ardhjen e ndërkombëtarëve,por, edhe këtu vjen zhgënjimi,sepse gjërat, si duket, janë përcaktuar sipas një fataliteti të kobshëm.Kurti nuk ka dashur që të dy personazhet t`i vizatojë vetëm në jetën e tyre,dhe në këto situata s`do të kishte kuptim,por përmes tyre të japë jetën kolektive të dy popujve,të dy mendësive,të dy qytetërimeve,ndaj pëlhura e tij narrative endet me shumë ngjyra ku, më së pakti ,mungojnë ngjyrat e njohura të gëzimit.Ato janë të shkurtra,të çastit, dhe shtrihen më shumë në rrafsh individual.Ndaj ai arrin të na bindë për këtë ,duke i qepur fijet e episodeve dhe të vështrimeve të tij jetësore përmes nyjëtimit dhe zgjedhimit filozofik,politik e patriotik.Po kështu arrin të krijojë një strukturë të romanit ku individi  është i detyruar, përveç zërit të tij, të përcjellë edhe zërin e kohës,zërin e luftës për mbijetesë ta kërkojë përmes meditimeve të gjata e dialogjeve me peshë që ngrenë në ajër dhe s`dinë ku t`i hedhin mjaft shashka dilemash që pëlcasin pa gjetur shpjegim.

Ai arrin ta ndërtojë romanin pikërisht kështu, duke i dhënë një ton filozofik dhe një shtrirje polemizuese dhe kështu e angazhon natyrshëm verbin e tij me shqetësime të mëdha njerëzore,qytetare dhe kombëtare.Një roman i rrjedhëm ,plot kolorit e plot informacion jetësor,që dallohet njëkohësisht për detajet e gjetura dhe shprehëse,për analizën e hollë psikologjike që vjen sa në tehun e kontekstit aq edhe të tekstit;ky stil i tij mjaft  i rrjedhshëm dhe i qartë, dëshmon edhe për studimin që i bën ai jetës,gjë parësore kjo për një prozator të mirë,por buron edhe nga natyra dhe spikatja e këtij prozatori të talentuar.Mund të themi pa drojë,se romani “Jeta e rrënojave”shërben jo vetëm për ta njohur një periudhë të caktuar të jetës në Kosovë,por ai më së shumti tregon se deri ku arrin faji i njeriut,tragjedia e tij,kur njeriu nuk e kupton se ngrihet kundër shëmbëllimit të tij,kundër vetes dhe shkatërron kështu po vetveten,pa fituar asgjë.Me të drejtë Heminguej te romani “Përse bie Kambana” thotë:”Vdekja e një njeriu edhe mua më pakëson”...