| E hene, 06.05.2019, 06:40 PM |
Kruja
mesjetare, vazhdimësi e Krujës antike
Nga
Gani Mehmetaj
Kruja
të joshë për historinë, me kështjellën e rindërtuar, e të plotësuar, me
shtatore, piktura murale monumentale, fakte e dëshmi, me muret mbrojtëse, me
Muzeun Historik e Etnografik, me ambientin që të drithëron, me tregtinë e imët
që bëhet brenda qytetit të vjetër, me kalldrëmet e shtruara që t'i kujtojnë
kalldrëmet e njohura të mjeshtërve shqiptarë që e bartën këtë kulturë ndërtimi
në Evropë e në Azi.
Kruja
e sotme ka rrënojat e kështjellës së vjetër ilire, sepse Kruja ishte
fortifikatë, kështjellë e qytet që nga parahistoria, me vazhdimësi në antikë e
në mesjetë. Vendbanimi i Krujës njihet qysh në shekujt IV – III para Krishtit,
thonë arkeologët. Muret rrethuese të qytetit të lashtë, kurora e lartë si pjesë
e vargmaleve të Skënderbeut, janë dëshmi të kësaj lashtësie. Albanët janë të
parët e Krujës, ndërsa Albanopolisi, supozohet që është Zgërdheshi i sotëm jo
larg qytetit të Gjergj Kastriotit. Zbulimet arkeologjike dëshmojnë se
Kështjella e Albanopolisit është ndërtuar në shekullin 7-6 para erës sonë.
Filozofi grek, Ptolemeu, citojnë arkeologët, ka shkruar se qyteti antik i
Albanopolisit ka qenë kryeqendra e gjithë Ilirisë. Thuhet se qyteti pësoi
dëmtime e shkatërrime të mëdha gjatë luftës ilire-romake, mu si Kruja pas
rënies nën sundimin osman.
Në
Krujë nga kishat e moçme u gjet Kisha e Shën Gjon Pagëzorit, e ndërtuar para 1
200 vjetësh në Dervent (Fushë-Krujë), që u zbulua më 2006. Ka edhe rrënoja të
tjera të kishave të kohës së Gjergjit e të mëhershme që duhet të rinovohen e të
ndërtohen, sepse një qytet antik e mesjetar pa kisha nuk duket qytet arbëror,
nuk i ngjan vetes. Xhamitë i solli me karvan devesh turku pa na pyetur. Xhamitë
ia dhanë vulën pushtimit.
Qyteti
i sotëm nuk i ka as pallatet e Gjergj Kastriotit, sepse ai mbi mure nuk e bënte
natën, kishte një rezidencë, ku jetonte, ku priste princërit e Arbrit,
gjeneralët e vet, diplomatët e burrat e shteteve. Kruja kishte princa e
gjeneralë, ata kishin rezidencat e shtëpitë e tyre brenda qytetit.
Megjithatë
Kruja të ofron reflekse nga lavdia e dikurshme, me shtatoret e princave, me
stemat e principatave arbërore, me pikturat monumentale e me rekuizitat e
riprodhuara apo të përngjasuara nga koha kur jetoi e veproi mbreti i
shqiptarëve.
Qytetin
e vjetër të Krujës do të duhej rinovuar, duhet të investohet në të pikërisht
për ta ringjallur ashtu sikurse ishte dikur dhe ashtu sikurse e imagjinojmë në
kohën e Gjergj Kastriotit. Kruja është krenaria e kombit dhe strumbullari i
bashkimit.
Sa
herë e vizitoj Krujën, ndiej rënkimet e krutanëve që ranë në mbrojtje të
qytetit, ndërsa e mbrojtën mbi 25 vjet në të gjallë të Gjergj Kastriotit, por
edhe dhjetë vjet pas vdekjes së tij. Sa herë eci kalldrëmeve të qytetit, apo
kur e dëgjoj zërin e zvargur të myezinit nga altoparlanti i xhamisë së rinovuar
nga turqit (TIKA kulturocide) më parakalojnë pamjet që i përshkruan kronisti
turk, Muhamet Muhjiu, pasi u pushtua Kruja: “Ah, botë plot vuajtje dhe rënkime!
Vaj! Thirrjet që nga kraharorët e tyre të dërrmuar arritën deri te tavani i
Saturnit.
Gjithsejtë
rreth pesë mijë të pafe, që ishte secili një djall naftëhëdhës dhe
vetëtimlëshues, u bënë kështu pre e shpatës së mprehtë dhe qoke e shigjetës
goditëse. Kafkat e këtyre do të jenë për shumë vjet ushqim për shpezët e këtyre
viseve. Në këtë mënyrë u arrit fitorja; thyerja e të pafeve dhe shfarosja e
armiqve. Turma e luftëtarëve u kënaq dhe u gëzua me plaçkë të shumëllojshme dhe
të panumërt. Ata që mbetën nga armiku, gratë dhe fëmijët, i vunë në pranga
poshtëruese të robërimit dhe i lidhën me zinxhirët e mjerimit. Pastaj do të
fillojë shkatërrimi i kishave, ndërtimi i medreseve, ndalimi i kambanave dhe
prishja e ligjeve...”
Nga libri "Qytetet e Ilirisë"
Gjergj Kastriot simbol i bashkimit kombëtar dhe përkatësisë evropiane
Nga
Gani Mehmetaj
Osmanët
në të gjitha kështjellat e vendbanimet shqiptare nga Shkupi në Pargë e kanë
eklipsuar diellin, e kanë ngurtësuar Arbërinë, kanë lënë vragë në psikologjinë
e karakterin e shqiptarëve si asnjë pushtues tjetër. Fama e Krujës është
ndërtuar mbi luftërat kundër Perandorisë Osmane, por askund sikurse në Krujë
nuk e kanë goditur qytetin më të lavdishëm shqiptar të mesjetës, janë përpjekur
ta shlyejnë të kaluarën, i kanë rrënuar kishat e manastiret, mbi to kanë
ndërtuar xhami e teqe, i kanë shlyer nga faqja e dheut shtëpitë e pallatet ku
jetuan aristokracia e princat shqiptarë. Me sundimin e gjatë e errësirën
pesëqindvjeçare i dhanë ngjyrim tjetër Krujës, i dhanë ngjyrim të zymtë
Arbërisë.
Rrënojat
e mureve, fortifikatave, vrojtoreve ushtarake arbërore ende dëshmojnë për një
të kaluar tragjike e heroike njëkohësisht. Sa shumë lavdi e fatkeqësi në një
hapësirë, ku shkëmbi e ambienti i vrazhdë mbizotëron. Sa shumë legjenda e
fshehtësi në këtë shpat, ku vapa të përcëllon në ditë vere, kurse era e detit
të rreh dimër e vjeshtë. Rrugicat e qeta lakadredha, shtëpitë karakteristike,
pjerrtësia që ta mpinë qafën, janë gjëra tjera që e shquajnë qytetin e
dikurshëm të Gjergj Kastriotit.
Legjendat
e dëshmitë historike e mundën pushtuesin, e përballuan historinë e
pamëshirshme, pavarësisht gjymtimeve të dhimbshme, duke rrëfyer për Krujën e
Gjergj Kastriotit që e mbrojti jo vetëm këtë qytet mbi njëzetë e pesë vjet, por
nga ky qytet doli rrezatimi e organizimi që i dha liri e shkëlqim Arbërisë.
Legjendat
janë zëvendësim tjetër a plotësim i historisë së dhimbshme që nuk janë shënuar
në kronikat e kohës, por i bartën me vete arbëreshët në Kalabri, i bartën
malësorët-luftëtarët e Gjergj Kastriotit në Panoni e Hungari, i ruajtën
arbërorët kur u tërhoqën në bjeshkët e mjegullta shqiptare, ku i kalova një
pjesë të pushimeve verore në fëmijëri.
Flijimi i grave në këmbë
të kështjellës
Legjendat
në formë të rrëfimeve gojore, të bartura ndër breza, ishin më të fuqishme se sa
armët e pushtuesit, që e mbajtën gjallë ndjenjën e përkatësisë dhe krenarinë.
Vallja e vdekjes, hedhja nga shkëmbi në humnerë vjen edhe nga Kruja. Legjenda e
grave e vajzave që nuk iu dorëzuan ushtarëve turq, por iu dorëzuan vdekjes,
është ndër legjendat më tragjike në historinë e qytetërimit evropian.
Legjendat
për flijimin i ndryn në vete Kruja e dikurshme, ndërsa fshehtësia e varrit më
të famshëm jo vetëm në Gadishullin Ilirik, është fshehtësia tjetër që të lë pa
gjumë. Pelegrinët e rinj e të vjetër, aventuristët e shtigjeve të gjata, të
prirë për të papritura që ta rrisin adrenalinën nuk është keq t'u qepen
shpateve shkëmbore dhe të kërkojnë të fshehtën pesëqindvjeçare. Janë shumë
vendbanime në Krujë e përqark që dëshmojnë flijim, heroizëm, vdekje, fshehtësi.
Kruja
ishte qyteti i ëndrrave të mia fëmijërore, toka e shenjtë.
Sa
herë e kam recituar me shqetësim e i rrëmbyer në shkollën fillore para
bashkëmoshatarëve poezinë e Naim Frashërit për Skënderbeun:
"Krujë o qytet i
bekuar,
prite, prite
Skënderbenë,
se po vjen si pëllumb i
shkruar,
të shpëtojë Memëdhenë...
Ndërsa
më bëhej se isha unë ai që fluturonte mbi kalë të bardhë drejt Krujës. Shumë
vjet më vonë, kur ngjitesha qytetit të vjetër, ndërsa rrugët me dredha ma
kërkonin përqendrimin e jashtëzakonshëm, përpiqesha të luaja rolin e detektivit
të filmave kriminalistikë, duke hamendësuar ku mund ta kishte varrin Gjergj
Kastrioti, sepse asnjëherë nuk më ka bindur Marin Barleti, Fan Noli e Naim
Frashëri se eshtrat e mbretit të shqiptarëve janë shpërndarë nëpër botë, sado
që ndonjëherë mënyra se si e këndonte pikëllueshëm Ismail Kadare pasvdekjen e
heroit tonë në poezi ma përkëdhelte sedrën si pasardhës i Gjergjit, shtrirja në
tri kontinente, ishte diçka e rrallë.
Edhe
pasi e vizitoja qytetin e Kështjellën, edhe pasi i vrojtoja muret e rrënuara,
sytë më shkonin nga kurora e maleve të zhveshura sipër kështjellës, ndërsa më
rrinte pezull pyetja e bërë qindra herë: athua ku mund ta kenë fshehur varrin e
Gjergjit françeskanët arbërorë që e mbajtën betimin dhe nuk e zbuluan
fshehtësinë?
Për
Krujën është shkruar më shumë se për çdo qytet tjetër arbëror-shqiptar, është
qyteti historik më i vizituar nga shqiptarët e të huajt. Është vend
pelegrinazhi, orë historie, ku duhet të gjejnë identitetin edhe shqiptarët e
humbur, të cilët shekujt i kanë ngatërruar me pushtues të rinj e të vjetër me
fije të dukshme e të padukshme.