Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Merita Kuçi: Pyetje që kërkojnë përgjigje

| E hene, 06.05.2019, 04:55 PM |


PYETJE QË KËRKOJNË PËRGJIGJE

Në librin “Kur lexoj një libër”, të autorit Kadri Tarelli

Nga Merita Kuçi (Thartori)

Ndërtuar mbi gjininë e publicistikës, ky libër e bën autorin  K. Tarelli, të bëjë vend në fondin e prozës narrative hulumtuese dhe kërkimore, bazuar në fakte, veprimtari dhe personazhe reale e konkrete dhe të jetuara ashtu bukur, siç thotë populli: “Gju më gju dhe frymë për frymë”.

Studimet dhe vëzhgimet e autorit, shkojnë edhe më tej, në vlerësime dhe opinione të mbështetura e të pjekuar, që i bëjnë mirë lexuesit në veçanti dhe shoqërisë në përgjithësi. Pa e tepruar dua të them, se lexuesi bisedon me autorin, pasi ky i fundit, në të gjitha shkrimet, i fton duke shtruar pyetje për diskutim më të gjerë, ku secili mund të përgjigjet. Në të gjitha rastet, pyetjet në vetvete të venë në mendime. Është një formë e gjetur e autorit, për të shprehur mendimin dhe qëndrimin e tij, duke i ndarë me të tjerët.

Ajo që të le mbresa në çdo shkrim, është ndjeshmëria e të përjetuarit të çdo ngjarjeje apo date, ku ai është i pranishëm me miqtë e ngushtë të  tij: lapsi, bllokun e vogël dhe aparatin fotografik, për të sjellë sa më besueshëm dhe origjinal, vëmendjen dhe kreaktivitetin e krijuesve, njerëzve të fushës.

Ka më shumë se njëzet e kusur vjet, që z. Tarelli, i përfshirë në jetën publike, s’ka qenë kurrë i ftuar si gazetar apo profesionist i arsimit, por si njeri i vlerave, i interesave në fushën e historisë, gjuhësisë, kulturës dhe letërsisë. Kështu pa kuptuar, zuri vend te ai magjia e publicistikës. Dëshira dhe emocioni për t’i përjetuar ngjarjet dhe gjërat të bëra me dashuri e përkushtim, u shndërrua në detyrë, për të përcjellë të veçantën e tyre, duke i paraqitur takimet dhe veprimtaritë, jo thjesht si ngjarje. Ai kurdoherë përpiqet t’i japë jetë shkrimeve, me personazhe emër për emër, pa përtuar e pa u ngutur, për të treguar respektin e përhershëm për njeriun. Dhe kjo nuk është pak: “Duaj, të të duan”, gjen vend te ky njeri dhe punëtor i letrave.

Duke përfituar nga takimet me nxënësit dhe kolegët mësues, dua të përcjell disa mbresa nga studimi i mirëfilltë publicistik, i përmbledhur në librin, “Kur lexoj një libër”, sepse vetë jeta e z. Tarelli është e lidhur ngushtë me veprimtari atdhetare, me arsimin, me dijen dhe edukimin e brezave. Këtu mësojmë, se nga kanë ardhur shumë emra të njohur në qytetin tonë. Mjafton të lexojmë shkrimin kushtuar 100-vjetorit të shkollës në Shënavlash të Durrësit, ku informacionit të bollshëm të këtij kuvendi mësuesish dhe nxënësish, i bashkëlidh emra të njohur të jetës qytetare durrsake, të cilët kanë qenë nxënës në atë shkollë. Përmend mjekun kirurg Miri Hoti, dok. e shkencave në filozofi, znj. Leonora Bardhi, inxhinierin ndërtues Hazir Gashi, artistin, aktorin dhe regjisori Enver Plaku, etj, etj, që sjellin kaq afër kumtin, se s’ka rëndësi vendi apo emri i shkollës ku mëson, por mësuesit e mirë, që si misionarë të dijes, kanë frymëzuar dhe nxitur nxënësit e mençur e të zellshëm.

Në këtë hulli vështrimi, vlerësoj shkrimin “ Një jetë mes historisë dhe arkeologjisë”, kushtuar bashkëshortëve Hava e Sali Hidri.  Ai i bashkohet mendimit të tyre, duke i mëshuar argumentit shkencor mbi lashtësinë 3000-vjeçare të qytetit të Durrësit, duke cituar Pjetër Bogdanin: “Dheu u Arbrit është ndën qytet të Durrësit……”. Autori i quan “kokë krisur”, shkruesit e historisë, mbase si historian e bashkon edhe veten me ata. Ai i njeh mirë vështirësitë, që hasen për realizimin e një pune studimore të mirëfilltë shkencore, duke sjellë në vëmendje edhe një kritikë ndaj teorive, që mbështesin themelimin e qytetit në vitin 627. p.e.r, te cilat mohojnë mbretërimin e mbretërve ilir, Epidamni dhe Dyrrah. Autori vlerëson çiftin Hidri, si studiues e qytetarë durrsak, që “Po jetojnë kohën e vet”, sipas Virgjilit.

Tematika e përfshirë në libër është e larmishme, si vetë jeta. Një risi edhe për mua si lexuese, është analiza historike kushtuar librit historik “Përmeti 1939-1990”, të autorit Xh. Sadiku. Libri përfshin një periudhë të gjatë, që nga pushtimi fashist e deri në vitet 90, kur ndodhën ndryshimet e mëdha politike. Aty përshkruhen dy periudha: Lufta për çlirim dhe lufta e klasave, që zgjati rreth 45 vjet. Z. Tarelli vlerëson punën e madhe studimore të autorit, të mbështetur tërësisht mbi dokumente, të cilat flasin vetë. Ai hap shtegun e diskutimeve dhe hamendësive, duke shtruar pyetjen “Pse..?”, sepse u ndëshkuan shumë nacionalistë me emër. Autori e vlerëson atë libër, si pjesë të filozofisë popullore: “E vërteta vonon, por nuk harron”.

Pa dashur të hyj në hollësi, një vend të rëndësishëm në shkrimet që ndeshim në libër, i kushtohen problemeve të gjuhës letrare, apo gjuha standarde, si pjesë e diskutimeve të shumta, këtu në Shqipëri dhe në Kosovë. Ai si pjesëmarrës në diskutime dhe konferenca shkencore, Istog 2016, mbron përdorimin e gjuhës letrare, e cila nuk cënon dialektet, si pasuri burimore me vlerë, duke shtruar shumë pyetje interesante:

a. Në ç’ dialekt duhet t’u flasim studentëve nëpër fakultete?

b. Sa abetare duhet të kemi, kur gati çdo krahinë ka dialektin e tij?

c. Krijuesi, poeti, shkrimtari, juristi, politikani dhe shkencëtari, ka detyrë t’i përcjellë mesazh kombit, apo lagjes dhe fshatit? Etj, etj, një radhë pyetjesh, që të fusin në mendime për t’i dhënë përgjigje. Në këtë grumbull dilemash, autori kuvendon me lexuesin, duke shprehur edhe qëndrimin e tij, si një amanet të rilindësve të ditur. Ai vlerëson arritjet, por duke goditur veprimet e pa përgjegjshme, shpesh të paqëllimta, lidhur me mbrojtjen e gjuhës nga shtrembërimet dhe përdorimi i fjalëve të huaja, që ai i quan “Të jashtme”.

Unë si lexuese, e ndjej si një përgjegjësi mëmdhetare të autorit, kur shkruan: “Dikur u vramë për histori, sot sehirxhinj të këqij!”. Një shkrim që merr në mbrojtje vlerat tona kombëtare, si në gjetjet arkeologjike, figurave historike, pse jo edhe të trashëgimisë kulturore, deri tek “Zambaku i Mitrovicës”. Autori jo pa qëllim i vendos lexuesit disa figura madhore, si Aleksandri i madh (i Maqedonisë), ose Shenjtorja jonë Nënë Tereza, e shpallur nga vetë Papa në zemër të Vatikanit. Lexoni dhe do të bindeni në argumentet që sjell, si sfidë e ngjarjeve të shkuara dhe të sotme. Ai gjen vend të falënderojë punën e madhe, që ka bërë dhe po bën gazetari Marin Mema, në zbulimin dhe publikimin e pasurive tona historike e shpirtërore. Gjykoni shprehjen që përdor autori: “Dikush mund të thotë: “S’u bë kiameti për një lule”, duke shtuar pyetjen: “Pse ne shqiptarëve, po na venitet nervi i vetëmbrojtjes?”

Pyetje të tilla të gjetura dhe të pjekura, mendoj se hapin rrugë për një studim të domosdoshëm lidhur me psikologjinë tonë kombëtare, nga është drejtuar ajo më së fundmi, në këtë bum të  zhvillimit social, ekonomik apo kulturor e letrar. E gjitha kjo në shërbim të vetëdijes kombëtare, por edhe të dijes, kulturës, arsimit dhe historisë sonë në të gjithë dimensionet e veta.

Lexuesi duke shfletuar fletë pas flete, mëson se libri të merr për dore në një udhëtim të rrëfyer shtruar. Aty gjejmë edhe analiza, surpriza dhe kritika letrare, që nxitin dhe zhvillojnë dijen dhe dëshirën për lexim dhe zbulim të të bukurës në letërsi. Libri është i dobishëm për të gjitha moshat, veçanërisht për nxënësit dhe të rinjtë, të cilët dëshirojnë të ndjekin udhën e stolisur të letrave shqipe.

Urime z. Tarelli! Shëndet, penë të mprehtë dhe krijimtari të bukur, duke prekur problemet sociale, historike, letrare, arsimore dhe qytetare, si pjesë e detyrës dhe shpirtit human.

I mirëpresim ndjesitë njerëzore dhe përgjegjësitë atdhetare!

Merita Kuçi (Thartori)

Durrës më: 23, prill, 2019.