E marte, 19.03.2024, 11:17 AM (GMT)

Udhëpërshkrim

Milazim Kadriu: Në Zym të Hasit u mbajt manifestimi ‘Dita e Plisit’

E shtune, 04.05.2019, 03:54 PM


NË ZYM TË  HASIT U MBAJT MANIFESTIMI “DITA E PLISIT” 2019

Kumtesa, këngë, valle, anekdota, recitime  poezish … në pjesën e parë të edicionit të VI-të të Ditës së  Plisit

Nga Milazim F. KADRIU

Zymi i Hasit, Zymi historik që në gjirin e vetë ka shumë  monumente historike të kulturës e trashëgimisë sonë kombëtare tashmë është i njohur si vend ku zhvillohen aktivitete të ndryshme kulturo-artistike, por ditën e 30 prillit pati një festë të veçantë ngase këtu u shënua Dita e Plisit, pjesa e parë e edicionit të gjashtë.

Ishte paraparë që manifestimi të nisë në orën 11, shumë pjesëmarrës nga vise të ndryshme të gjeografisë shqiptare kishin filluar të arrinin edhe  dy orë para fillimit të manifestimit. Para shtatores  së Skënderbeut, që këtu është vendosur kohë më parë u tubuan shumë plisbardhë, këngëtar e valltar që ishte paralajmërim se do të jetë një program i pasur kulturor. Kënga dhe vallja nuk pushonin ku anëtarët e  shoqërive artistike “Katarina Josipi” dhe ansambli “Muharrem e Xhevat Qena” bashkë me qytetarët e ardhur nga vise të ndryshme shqiptare vallëzonin valle të ndryshme. Përpos plisit të bardhë që e bartnin shumica e pjesëmarrësve, valltarët kishin veshur edhe veshjet kombëtare të kësaj anë që janë mjaftë karakteristike.

Aty bashkoheshin shkëlqimi nga shtatorja e Skënderbeut, nga plisat e bardhë dhe maja e Pashtrikut e që  rrezatonin këtë ditë mbi Zymin e Hasit që vërtetë kishte festë.

Ismet Krasniqi iniciatori i këtij manifestimi ( i ndihmuar nga njerëz të kulturës e artit nga Klina), që tashmë është tradicional dhe po shënon suksese si dhe po has përkrahje pa rezervë nga vendasit kudo që po mbahet, e që kësaj radhe përkrahej në organizim pati edhe nga Shoqata e Shkrimtarëve “ Shtjefën Gjeçovi” të Zymit.

Pikërisht në orën 11 pranë shtatores së Skënderbeut doli Ismet Krasniqi  dhe e shpalli të hapur manifestimin dhe interpretoi një monolog kushtuar krye heroit tonë  Skënderbeut.

Prej këtu të gjithë bashkë shkuan në hapësirat e Muzeut të Zymit ku vazhdoi manifestimi me pikat tjera të programit.

Ismet Krasniqi propozoi një kryesi pune prej pesë vetash dhe më pas në emër të mikëpritësit fjalën ia dha Frrok Kristajt i cili përshëndeti të pranishmit dhe i falënderoi që sot ishin në Zymin e tij. Në Zymin me shpatijet e gurta, me ngjyrë hiri e plotë thatësi, në Zymin e shkollës shqipe, në Zymin e abetares shqipe, në Zymin e 100 monumenteve  kulturo-historike. Në fjalën e tij Kristaj dha një pasqyrë për Zymin historik dhe të sotëm. Ai përmendi shumë figura të ndritura të kësaj ane në mesin  e të cilëve Pjetër Bogdanin, Gjon Nikollë Kazazin, Shtjefën Gjeçovin, Anton Pashkun, ... si dhe përkujtoi aktoren e parë shqiptare të Kosovës Katarina Josipin që një ditë më parë kishte mbush 50 vjet nga shkuarja e saj në amshim.

Më pas u mbajtën edhe dy kumtesa kushtuar plisit nga Prend Buzhala dhe Nikollë Kërhanaj. Kumtesa e z. Buzhala mbante titullin “Plisi dhe pleqnari i Kosovës” ndërsa kumtesa e z. Kërhanaj “Betimi në plisin e bardhë”.

Të dyja kumtesat nga të pranishmit u përcollën me shumë vëmendje ngase referuesit sollën shumë gjëra rreth historisë së plisit, simbolit tonë kombëtar që u ruajt brez pas brezi shekuj me radhë.

Pati edhe fjalë përshëndetëse që po ashtu gjatë fjalës së tyre ata përmenden dhe pjesë nga historia e simbolit kombëtar plisit. Kështu Kryetari i Shoqatës “Bytyqi” Tiranë-Prizren, Agron Isa Gjedia ndër tjera tha se plisi është pikë referimi për ta njohur  historinë e popullit shqiptarë. Ndërsa Fahri Xharra., tha se po ta kishim humbur plisin e kishim humbur kombin, andaj duhet ruajtur gjithë atë që është e jona  e mos ta lakmojmë të huajën.

Në pamundësi që të jetë  bashkë me pjesëmarrësit e këtij manifestimi një kurbetçar  hasjan kishte dërguar përshëndetje për pjesëmarrësit e manifestimit, njoftoi Ismet Krasniqi. Kjo përshëndetje vinte nga poeti Ramë Smajlaj që jeton aktualisht në Gjermani. Përshëndetjen e tij të pranishmit e përcollën me duartrokitje.

Po ashtu në manifestim pati edhe disa pika tjera kulturore si anekdota nga Ismet Krasniqi, Frrok Kristaj e Hajdar Fejzullahu, deklamim të poezive nga Valdon Maloku, që i kushtoheshin Skënderbeut si dhe këngë folklorike kënduar nga Nazmi Hajdari me sharki dhe lahutë e në përcjellje të  Rasim Beçajt me violinë.

Duke përmbyllur manifestimin Ismet Krasniqi ftoi e Nazmi Hajdarin që të dali tek bina dhe ai këndoi një këngë maje krahu, që shënoi përfundimin e suksesshëm të pjesës së parë të edicionit të gjashtë të Ditës së Plisit. Në fund në një lokal në ambient në mes të malit në periferi të Zymit për të pranishmit u shtrua drekë nga organizatori me ushqime  tradicionale.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora