Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fatmire Duraku: Valët e lirisë

| E enjte, 02.05.2019, 07:35 PM |


Fatmire Duraku

Valët e lirisë

Trioleta

Liria është e ngjashme me lulen

Vetëm ajo nuk ujitet dot me shi

ujitet me pika të gjakut që qullen

Liria është e ngjashme me lulen

Lirisë të eturit gjithnjë i përkulen

e vdesin për të me ëndrra në gji

Liria është e ngjashme me lulen

Vetëm ajo nuk ujitet dot me shi

2

Lirinë e krijojnë të eturit për dritë

Në ëndërr të përhershme për yjtë

Zvarrë nga ecin lojës së vet fëmijët

Lirinë e krijojnë të eturit për dritë

Fluturat në hapësirë i çelin sytë

Natën ndanë deti të zgjohen ullinjtë

Lirinë e krijojnë të eturit për dritë

Në ëndërr të përhershme për yjtë

3

Varka vjen nga shkëmbi i gjeranës

Amfora del thellësisë me rrëmbim

Rritmi i valles së vetmuar të zanës

Varka vjen nga shkëmbi i gjeranës

E lira vjen e lulëzuar lules së thanës

Vala egër përplaset gurit me tundim

Varka vjen nga shkëmbi i gjeranës

Amfora del thellësisë me rrëmbim