E enjte, 28.03.2024, 11:17 PM (GMT)

Editorial » Zejneli

Xhelal Zejneli: Koncepti qytetar dhe shqiptarët e ndershëm

E enjte, 02.05.2019, 06:52 PM


KONCEPTI QYTETAR DHE SHQIPTARËT E NDERSHËM

Nga Xhelal Zejneli

Në vitet 1985-1990 shtypi i Beogradit vuri në përdorim shprehjen shqiptar i ndershëm. Sipas serbëve, i ndershëm quhej ai shqiptar i cili shante Shqipërinë dhe lëvdonte Jugosllavinë.

Gjatë periudhës së pluralizmit, d.m.th. prej viti 1991 e deri më sot, edhe pushtetarët sllavo-maqedonas u përpoqën të rekrutojnë në radhët e veta, të afirmojnë dhe të shpërblejnë atë soj shqiptari i cili do ta pranonte konceptin qytetar të ndërtimit të Maqedonisë.

Ky farë shqiptari i cili pandeh apo i cili punon dhe vepron për një Maqedoni – shtet qytetar, nuk ka dallim thelbësor nga shqiptari i ndershëm i shtypit të Beogradit.

Qëndrimi i VMRO-istëve është i qartë: mbartës të shtetësisë në Maqedoni janë sllavo-maqedonasit, të tjerët ndërkaq janë pakicë e cila duhet t’i nënshtrohet dhe t’i bindet popullit shtetformues.

LSDM-istët duket sikur mendojnë pak më butë, por në thelb shtetësia përsëri mbetet në duart e sllavo-maqedonasve. Sipas tyre, çështja shqiptare në Maqedoni është e mbyllur, ndaj tani është koha për ndërtimin e shtetit sipas konceptit qytetar.

Për ta sendërtuar këtë farë koncepti qytetar, pushtetarët, qeveritarët dhe shërbimet e tyre kanë vënë nën kontroll edhe një pjesë të konsiderueshme të mediumeve – studio televizive, gazeta ditore, revista dhe portale.

Pjesë e kësaj infrastrukture janë edhe të ashtuquajturit këshilltarë të kabineteve të pushtetarëve si dhe një pjesë e analistëve politikë.

Kontrollimi i këtillë i mediumeve dhe censura e pushtetarëve të sotëm të Maqedonisë ta përkujton kohën e gjeneral Zhdanovit në Bashkimin Sovjetik të Josip Visarionoviç Xhugashvili Stalinit.

Ata të cilët e kundërshtonin dhe e kundërshtojnë krijimin e një Maqedonie sipas konceptit qytetar, cilësoheshin dhe vazhdojnë të cilësohen si nacionalistë apo si individë me pikëpamje radikale dhe ekstremiste. Për këta thonë se janë kundër bashkëjetesës me popullin sllavo-maqedonas. Por duhet thënë se pala sllavo-maqedonase me bashkëjetesë nënkupton që i tërë pushteti të jetë në duart e tyre, shqiptarët ndërkaq të jenë dekor në qeveri, pikërisht si në vitin 1991.

Zgjedhjet e 21 prillit të vitit 2019 ia bënë me dije kryeministrit Zoran Zaev, LSDM-së, opinionit sllavo-maqedonas dhe faktorit ndërkombëtar se Maqedonia:

- s’është dhe s’mund të jetë shtet qytetar; dhe

- kurrë s’ka për të qenë shtet qytetar.

Zgjedhjet e lartpërmendura dëshmuan se Maqedonia është shtet dyetnik, i përbërë prej dy bashkësive etnike – shqiptarëve dhe sllavo-maqedonasve. Vetëm barazia e plotë midis tyre e stabilizon atë. Asnjë bashkësi etnike në botë që posedon kapacitet shtetformues nuk cilësohet si 20 përqindësh.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora