E premte, 29.03.2024, 01:22 PM (GMT)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Gazetaria dhe zgjedhjet në kohëra të përhapjes së informacionit fals

E enjte, 02.05.2019, 08:07 PM


MEDIA PËR DEMOKRACINË: GAZETARIA DHE ZGJEDHJET NË KOHËRA TË PËRHAPJES SË INFORMACIONIT FALS

Me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit

Nga Frank Shkreli

Kjo është tema e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit sivjet, që shënohet me 3 maj. Çdo vit, anë e mbanë botës, kjo ditë i kushtohet lirisë së shtypit dhe parimeve bazë të sajë. Është një ditë e shpallur si e tillë, në mbështetje të lirisë së shtypit nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, (OKB) në vitin 1993. OKB-ja ka mandatuar organizatën UNESCO që kjo datë të shënohet çdo vit, për t’i kujtuar mbarë botës se liria e shtypit është e pazëvendësueshme për demokracinë dhe për respektimin e të drejtave themelore të njeriut, pa dallim. Si një ent i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, organizata UNESCO, ka si mision të saj të veçant, “Promovimin e përhapjes së lirisë së fjalës dhe ideve, nepëmjet fjalës së shkruar dhe imazheve, në mbështetje të medias së pavarur dhe të sigurisë fizike dhe profesionale të gazetarëve.”

Kjo ditë shërben gjithashtu si një rast për të informuar qytetarët mbi shkeljet e lirisë së shtypit – duke u kujtuar atyre se në shumë vende të botës censurohen botimet, gjobitën dhe mbyllen gazetat e revistat, ndërkohë që gazetarët, redaktorët dhe botuesit e tyre sulmohen, kërcënohen, burgosen e madje edhe vriten, si përfundim i profesionit të tyre. Qëllimi i kësaj dite botërore, në mbrojtje të lirisë së shtypit, është edhe për të inkurajuar nisma të reja në mbështetje të lirisë së medias dhe në përgjithësi për të vlerësuar gjëndjen e lirisë së shtypit në botë.

3 Maji, sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe UNESCO-s, shërben gjithashtu si një kujtesë për qeveritë e ndryshme që të respektojnë lirinë e shtypit, duke zbatuar angazhimet e tyre që kanë marrë përsipër, ndaj lirisë së medias në vendet e tyre, bazuar në marrëveshjet ndërkombëtare që ato kanë nënshkruar. Por, kjo datë është gjithashtu edhe një ditë reflektimi edhe për vet azetarët dhe profesionistë të tjerë të kësaj fushe, mbi çështje të lirisë së shtypit me të cilat përballen në kryerjen e detyrës së tyre, përfshir ushtrimin e etikës profesionale të gazetarëve.

Dita Botërore këtë vit do të shënohet, përveç tjerash, edhe me një konferencë ndërkombëtare që po mbahet në Adis Abeba të Etiopisë e që do të përqëndrohet në rolin e medias në zhvillimin e lirë të zgjedhjeve dhe rolit të saj në mbështetje të demokracisë në përgjithësi. Përveç kësaj konference ndërkombëtare, në këtë ditë do organizohen anë e mbanë botës edhe programe të ndryshme kombëtare dhe rajonale, për të thekësuar rëndësinë e lirisë së shtypit dhe zbatimit të parimeve bazë të ushtrimit të fjalës së lirë për të gjithë. Njëkohësisht, Dita Botërore e Lirisë së Shtypit është edhe një rast për të vlerësuar gjëndjen e lirisë së shtypit anë e mbanë botës, për të mbrojtur median në përgjithësi nga sulmet ndaj pavarësisë së saj nga qeveritë autoritare dhe grupe të tjera në bashkpunim me qeveritë dhe për të kujtuar sakrificën dhe për të nderuar gazetarët të cilët kanë humbur jetën në krye të detyrës.

Themelorja e mandatit dhënë UNESCO-s nga Organizata e Kombeve të Bashkuara është mbështetja ndaj lirisë së shtypit dhe lirisë së fjalës, duke besuar se këto liri – si pjesë e lirive bazë të njeriut -- ashtu si dhe pavarësia dhe pluralizmi në fushën e medias, janë thelbi i demokracisë së vërtetë, i mirëkuptimit të përbashkët dhe i sigurimit të paqës, në shoqëri dhe në botë.

Në mesazhin e tij me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit për vitin 2019, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Z. Antonio Guterres u shpreh se, “Liria e shtypit është jetike për paqën, drejtësinë, për zhvillimin e vazhdueshëm demokratik dhe ekonomik, si dhe për mbrojtjen e të drejtave bazë të njeriut. Asnjë demokraci nuk është e plotë” shtoi ai, “nëqoftse nuk ka informacion transparent dhe të besueshëm. Informacioni i lirë, objektiv dhe paanëshëm, “Është gurthemeli për ndërtimin e institucioneve të pavarura dhe mjeti për të mbajtur udhëheqsit qeveritarë përgjegjës për veprimet os mos veprimet e tyre”, ka thënë ai në

mesazhin e tij, duke theksuar mëtej se, “Kjo është e vërtetë, veçanërisht, gjatë fushatave zgjedhore”, që sivjet është edhe fokusi i Ditës Botërore të Lirisë së shtypit, nënvijoi kryetari i OKB-së. “Faktet dhe jo gënjeshtrat duhet të udhëheqin votuesit kur zgjedhin përfaqësuesit e tyre…”, theksoi Z. Guterres, ndërsa shprehi shqetësimin e tij të thellë në lidhje me sulmet dhe dhunën që ushtrohet ndaj gazetarëve, anë e mbanë botës. Sipas UNESCO-s, tha udhëheqsi i OKB-së, pothuaj 100 gazetarë janë vrarë gjatë vitit 2018 dhe me qindra të tjerë janë burgosur, ndërsa nga viti 1994 e deri më 2018 janë vrarë gjithsejt 1307 gazetarë. Kur përfaqësuesit e medias bëhen objekt i dhunës, atëherë shoqëritë në përgjithësi e pësojnë rëndë nga sulmet që i bëhen lirisë së fjalës, përfundoi ai mesazhin e tij, me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit.

Ndërsa, Drejtoresha e Përgjithëshme e UNESCO-s Audrey Azoulay në mesazhin e saj me këtë rast e cilësoi lirinë e shtypit si gurthemelin e shoqërive demokratike. “Të gjitha shtetet, të gjitha kombet fuqizohen nga përhapja e lirë e informacionit, nga debati dhe shkëmbimi i lirë i opinioneve. Në një kohë mosbesimi dhe përpjekjesh për të sulmuar shtypin dhe gazetarinë, është e doemosdoshme që të garantojmë shprehjen e lirë të mendimeve, nepërmjet shkëmbimit të lirë të ideve dhe informacionit, bazuar në të vërtetat”, është shprehur zyrtarja e lartë e UNESCO-s, në mesazhin që shpërndau në emër të entit që ajo udhëheq.

Në këtë Ditë Botërore të Lirisë së Shtypit, unë dua të kujtoj njërin prej dekanëve më të njohur të gazetarisë amerikane, të ndjerin Edward R. Murrow, një gazetar me integritet dhe influencë, i njohur jo vetëm në Amerikë, por anë e mbanë botës, si mbrojtës i fakteve dhe i të vërtetës në ushtrimin e gazetarisë. Për një kohë, ai ka kryesuar Entin Amerikan të Informacionit, (USIA) pjesë e të cilit ishte edhe Zëri i Amerikës (VOA), ku kam pasë nderin dhe privilegjin të punoja për 30 vjetë. Fjalët dhe shkrimet e tija i konsideronim si udhëzuese dhe frymëzuese në punën tonë të përditëshme: “Tradita amerikane dhe etika amerikane kërkojnë prej nesh që të jemi të drejtë dhe të themi të vërtetën. Por, arsyeja më kryesore për këtë, është se e vërteta është propaganda më e mirë dhe gënjeshtrat janë propaganda më e keqe”, është shprehur ai. “Që të të bindim të tjerët, ne duhet të jemi të besueshëm, e po të duam të jemi të besueshëm, atëherë duhet të themi e të shkruajmë të vërtetën”, ka thënë Edward Murrow, i cili gjithmonë insistonte se platforma e gazetarisë duhej të ishte, pa përjashtim dhe në të gjitha rrethanat, objektive dhe e paanshme.

Në mesashin e saj, Drejtoresha e UNESCO-s Audrey Azoulay, u bëri thirrje shteteve anëtare të organizatës që ajo kryeson si dhe shoqërisë civile dhe organizatave profesionale të medias, anë e mbanë botës, që të festojnë lirinë e shtypit dhe të drejtën për të qenë të mirë-informuar, pasi sipas saj, liria e shtypit dhe e vërteta e informacionit, janë jetike për zhvillimin normal të çdo shoqërie demokratike.

“Ne nuk mund të trillojmë lajme të mira për të justifikuar praktikat e këqia (qeveritare)”. Edward R. Murrow

“Një komb delesh do të ketë së shpejti një qeveri ujqërish”. Edward R. Murror

“As një udhëheqës autoritar nuk mund të terrorizojë një komb, por nëqoftse të gjithë jemi bashkpuntorë të tij, atëherë një gjë e tillë është e mundur”. Edward R. Murrow

SHËNIM: Të ënjtën, në Kongresin amerikan u paraqit një rezolutë në mbështetje të lirisë së shtypit në botë – në përputhje me Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit.

https://schiff.house.gov/imo/media/doc/Schiff_Chabot_free_press_resolution_official.pdf



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Frank Shkreli: Të ndarë dhe të përçarë?! Frank Shkreli: Komuniteti shqiptaro-amerikan në ball të kujtimit të viktimave të luftës në Kosovë Frank Shkreli: Çamëria, krahina më jogore e trojeve etnike shqiptare Frank Shkreli: Në Prishtinë u mbajt akademi përkujtimore për masakrën e Tivarit Frank Shkreli: Nënë Tereza bashkon dy famulli amerikane në një Frank Shkreli: Lidhje të ngushta ushtarake midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara Frank Shkreli: Shteti dhe feja janë dy ente me role të ndryshme Frank Shkreli: Vdekja e diskursit publik në botën shqiptare Frank Shkreli: Zgjedhjet e para pluraliste në Shqipëri dhe realiteti i sotëm politik Frank Shkreli: Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj me malësorët e Detroitit për të kujtuar Ded Gjon Lulin Frank Shkreli: 110 vjetori i gazetës Dielli Frank Shkreli: Ofensiva mediatike ndërkombëtare e Kinës kundër lirisë së shtypit në botë Frank Shkreli: Demokracia e vërtetë është e mirë edhe për shëndetin Frank Shkreli: ' Dimri i Gjatë i Vitit 1945' - në kujtim të Masakrës së Tivarit Frank Shkreli: Në prag të festimeve të 110 vjetorit të themelimit të gazetës Dielli Frank Shkreli: 70 më parë ndërroi jetë nën tortura - bariu i katolikëve dhe engjëlli i myslimanëve Frank Shkreli: 20 vjetori i sulmit të Nato-s kundër Serbisë Frank Shkreli: Mbështetja e fortë amerikano-gjermane për NATO-n përballë kërcënimit rus Frank Shkreli: Edhe njëherë për rrezikun ruso-turk në Shqipëri dhe në Kosovë Frank Shkreli: Prof. Dr. Rexhep Krasniqi - bir shpirti i Bajram Currit

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora