Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Moza Boletini: Mbështetja e Organizatës "Hope & Peace" për 20.000 femrat e dhunuara nga lufta në Kosovë

| E hene, 29.04.2019, 08:55 PM |


Në 20 Vjetorin e pas luftës në Kosovë

Mbështetja e Organizatës "Hope & Peace" për 20.000 femrat e dhunuara nga lufta në Kosovë

Nga Moza Boletini

Në takimin e rradhës me anëtaret e organizatës dhe me rastin e 20 vjetorit të pas luftës në Kosovë, shfletuam kalenderin e punës tonë ndër vite. Ashtu si shumë heronj, mijra luftëtarë djem e vajza të reja që luftuan për paqen e lirinë në Kosovë edhe ne si Organizatë e Gruas Shqiptare - Amerikane "Hope & Peace" jemi përpjekur të japim kontributin tonë modest për ndërgjegjësimin e shoqërisë amerikane dhe botërore për gjendjen e motrave shqiptare të dhunuara gjatë luftës në Kosovë.

Në Mars të vitit 2016 kemi qenë të ftuara nga OKB në New York, për të folur mbi krimet monstruoze serbe ndaj 20.000 femrave shqiptare gjatë luftës në Kosovë. Prezent në rradhët tona ishin poetja e humanistja shqiptare nga Prizreni Rita Saliu, Miss New York-u Serena Buçaj, si dhe vajza e gra të tjera intelektuale dhe aktiviste. Si fotograf ftuam Z. Aleks Selimaj.

Duke qenë se Konferenca Globale për Gratë, që u mbajt ato ditë në OKB, fliste për të drejtat e gruas, kundër dhunës e kundër trafikimit njerëzor ne si organizatë ngritëm aty zërin për 20.000 femrat shqiptare në Kosovë që kishin përjetuar përdhunimin dhe zhdukjen e tyre nga kriminelët serbë. Moderatore e asaj konference ishte partnerja e organizatës tonë doktoresha e shkencave Que English.

Si aktiviste të të drejtave të njeriut, kryesisht grave dhe fëmijëve në SHBA, përsëri në vitin 2016, në muajin maj ishim ftuar si Organizatë "Hope & Peace" në Konferencën për Sigurinë e Çështjes së Grave në Nivel Botëror, pranë OKB, ku ne si organizatë bëmë përpjekje maksimale që të përfaqësoheshim nga sa më shumë organizata të tjera grash shqiptare, lëvizje të cilën e realizuam me sukses, ku morën pjesë edhe shoqatat "Gruaja" nga Kanadaja dhe "Marigona" nga  New Jersey dhe "Fondacioni Korabi". Dhe kjo nuk ishte ndërhyrje e lehtë nga ana jonë, pasi ne nuk ishim diplomate, që të shtonim emrat në atë listë dhe të flisnim aty mbi krimet serbe në Kosovë, ku përballë në podium në rolin e moderatores ndodhej edhe një përfaqësuse e lartë greke. Megjithatë unë, Rita Saliu e Dia Saraçi diskutuam, folëm, shtruam aty situatën e rëndë të gjendjes së femrës shqiptare pas lufte në Kosovë si dhe për 20.000 femrat e përdhunuara nga forcat militare serbe.

Po ashtu në muajin Mars 2016, si organizatë kemi dalë me Deklaratë Mbështetëse për Kosovën mbi krimet serbe drejtuar OKB, veçanerisht mbi 20.000 femrat e dhunuara nga ushtria serbe gjatë luftës në Kosovë. Deklaratë e pasqyruar në shumë media. Atë kohë komunikuam edhe me Zj. Edita Tahiri.

Pra çdo vit e çdo kohë, kurrë nuk e kemi ndalur zërin tonë në mbështejte të motrave tona që padrejtësisht përjetuan krimet serbe në trupat e tyre të brishtë e të pambrojtur.....

Mos të harojmë siç kemi deklaruar edhe kohë më parë se Organizata e Gruas Shqiptare "Hope & Peace" në fakt është një vazhdim në mision e ide e Shoqatës së "Gruas ish të Persekutuar Politike të Shqipërisë" dhe si amanet i atyre grave që përjetuan burgje dhe internime në komunizëm, dhe shumica e anëtareve tona vijnë nga ajo shtresë që vuajti politikisht nga ai rregjim në Shqipëri, ku edhe shpesh kemi marrë pjesë në protesta paqësore në Tiranë pranë ambasadës jugosllave. Përsëri edhe në SHBA, në vendin e demokracisë dhe paqes botërore nuk mund të qëndronim indiferente ndaj çdo padrejtësie që i është bërë jo vetëm femrave shqiptare, por dhe të gjithë femrave dhe fëmijëve në botë.

Edhe 19 vite më parë, kur flitej për situatën e pas luftës në Kosovë edhe pse akoma jo të ligjëruara si organizatë, por si grupim e si të ftuara nga Shirely dhe Joseph DioGuardi, morëm pjesë në seancat dëgjimore në Kongresin Amerikan.

Kalendari ynë vazhdon na tregon me përpikmëri se një dëshmi tjetër është edhe angazhimi jonë në protestën paqësore që u mbajt në New York, pranë konsullatës serbe, për lirimin e Kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj nga ndalimi që ju bë nga qeveria Franceze, ku personalisht fola edhe me megafon.

Në Prill, 2019 dolëm me një material mediatik në Gazetën "Bota Sot" në mbështetje të Zj. Vasfije Krasniqi Goodman, si një ndër të mbijetuarat e përdhunimt serb në Kosovë nga ushtarët serbë, titulluar: "Ambasadorja e Paqes në Kosovë".

Si organizatë kemi marë pjesë në shumë kongrese botërore për gratë, si në Hagë, SHBA, Gjermai, Argjentinë, Japoni. Dhe atje në seanca e takime të ndryshme kemi bërë të njohur përdhunimet serbe ndaj 20.000 femrave në Kosovë nga kriminelët serbë.

Për këto veprimtari humane që kemi ndërmarë vullnetarisht, disa nga anëtaret e organizatës tonë janë vlerësuar me tituj e medalje meritash deri nga Presidentët e Shqipërisë dhe Personalitete të larta amerikane, megjithatë përsëri nuk ndalemi, do të jemi aktive pro çështjes shqiptare të të gjitha trevave, pasi që edhe disa nga ne rrjedhin nga familje heronjsh e patriotësh që kanë dhënë jetën e pasurinë për kombin.

U gëzuam dhe u impresionuam gjithashtu edhe nga telefonata që vetë Zj. Krasniqi Goodman na bëri nga Kosova gjatë qëndrimit të saj në Kosovë në muajin Prill 2019, ku atje u dekorua nga Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe personalitete të tjera të larta.

Shpresojmë që më datë 30 Prill, 2019 kur Zj. Vasfije Krasniqi Goodman të dëshmojë përpara Kongresit Amerikan mbi krimet, mbi trupin e saj 16 vjeçar e të 20.000 femrave shqiptare gjatë luftës dhe të drejtat e mohuara deri tashmë të 20.000 femave të dhunuara gjatë masakrimeve serbe të fitohen dhe bota të ndërgjegjësohet.

SHBA, Prill 2019