E marte, 19.03.2024, 02:31 AM (GMT)

Kulturë

Blerim Rrecaj: Frymëmarrja e erës

E merkure, 24.04.2019, 07:00 PM


Frymëmarrja e erës

Nga Blerim Rrecaj

Gjethet që kanë mbuluar degët e drunjëve po duken si yje të gjelbër që kanë pikur nga qielli. Ndërkohë rritja e tyre vazhdon siç vijon dhe rrita jonë ndonëse na tremb shprehja që ka të bëjë me ne: "Duke u rritë, duke u çoroditë!" Hapësirat e gjelbëruara me bar që çdo ditë që kalon të tërheqin e të ftojnë ëmbëlsisht e dashamirësisht për freski, këndellje e çlodhje, duke shfaqur fytyra të reja e të ndryshme lulesh dhe jo vetëm. Dje një shenjë, tash një tjetër. Kështu plotësohet e pasurohet ky mozaik stine në hapërim. Ndoku dehëse aroma e barit të kositur, e ndoku do gostitemi me gjurmë të blerta bari që do na ngjiten shputave të patikave a nëpër shputa të duarve tona pasi që ato do përplasen në tepihun blerosh të tokës kur do përplasen me forcë duke u munduar ta zëmë a ta ndalim një top të të goditur nga ndonjëri prej bashkëlojtarëve. E ca fije bari janë stërpikur e lyer me të bardhë gëlçereje pasi që iu ra hise të mrizojnë afër një fidani të lyer deri kah gjysma e trupit drejtak të tij, e një copë stiropori që kushedi që nga ku kjo erë e solli duket si copë shampiteje që sapo ka filluar të hahet. Era fryen e koha duket se po fluturon mbi krahë të këtyre trumcakëve që jo rrallë parapëlqejnë e nuk hezitojnë të zbresim edhe nëpër ca maje thikëpërpjeta degësh të drunjëve të panjave gjethemëdha sa pëllëmbë duarsh që kanë kanë marrë hov rritjeje për në cakun e synuar. Diku diku drunj zbukurues ngjyra të një kuqërremteje si lëng vishnjeje a edhe ndonjë trung druri lulembajtëse të një të ngjyre që anon kah e purpurta veç sa na i bëjnë edhe më të këndshme çastet tona vrojtuese. Dikur se si "humb" edhe kjo dritë dite e pas një muzgu të shkurtë bie nata e re me shenjat e përnatshme të dritave përreth. E nga ballkoni dikur më vonë nja tre qe, dy të zinj e njëri lëkurëhirtë seç iu sulen rrufeshëm ca veturave që kalojnë një shiritin e skajshëm të kësaj rruge të shumëqarkullueshme. Vijnë ditë e vijnë net. Me shporta cikërrimash, me shporta obligimesh, me shporta përpjekjesh, shqetësimesh, trazimesh, absurdesh, kotësish, zbrazëtish, ngazëllimesh, shembujsh për të mirë a për të kundërtën e saj. Përsëri dhe një takim në stacionin e autobusëve në të cilin drunjët tashmë janë gjethembuluar e si koka njerëzish flokëshpeshtë e cicërimëmbushura. Plaket dhe kjo ditë me disa takime. Fluturojnë, fluturojnë ditët. E një aeroplan nja dy gisht mbi këtë park pishash duket si një lodër fëmijësh e që lë pas edhe atë shtëpi rrëzë tyre. Një ditë tjetër në një vend bëhet rregullimi e vazhdojnë provat se si po funksionon ky tren elektrik të mbushur me fëmijë të cilët këtë herë 'përfitojnë' pa paguar për rrugëtimin rrumbullakërisht e të shkurtër nëpër këta binarë të hedhur në hapësirën bargjelbëroshe. Vazhdojmë lojën. Këtë herë me këtë thënie: "Qeveritë janë vela, populli është erë, shteti është anije, ndërsa koha është det." E era mjaft e fortë që si një ventilator që ende nuk po iu shtypet susta për ndalje, (po si ventilatori i klimës që pamë skaj lokalit në qoshk trotuari ku pipiliat e mbira e tashmë të shndrruara në plisbardha), po vazhdon me ca rrapllima të ndonjë teli e të ndonjë reklame që ka kohë që s'po vihet dorë mbi to, e që tak-tak-tak duket se trokasin për t'u hapur portat. Rrugës edhe sonte dikush kalon e del matanë, e dikush vazhdon rrugëtimin me biçikletë tash kur jemi në prag mesnate. Një roje nate rri afër e brenda gardhit të hekurt të njërit prej objekteve dhe ecën atypari derisa na humbet sysh. Zhurma e automjeteve që vijnë këndej e shkojnë andej përzihen dhe bëhen më të tingëllueshme sesa melodia e kësaj ere që tund e shkund këtë natë e edhe semaforët që ndërrojnë ngjyrë pareshtur...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora